| E diele, 02.07.2017, 11:40 AM |
Pluralizmi
i rrremë dhe bojkoti aktiv
Nga Dr. Ledian Droboniku, Bashkëthemelues i ShqipON
Shqipëria jo vetëm
që ishte dominoja e fundit e rënies së komunizmit por dhe vendi që adoptoi me
vonesë një Kushtetute të re. Kushtetuta u aprovua me referendum popullor vetëm
në dhjetor të 1998. Ndryshe nga ideologjia komuniste (që i atribuonte rolin diktues
jo Kushtetutës por politikës dhe partisë-shtet) Kushtetuta e re synonte
ndërtimin e shtetit të së drejtës, ose vënien e politikës dhe ekonomisë nën
kontrollin kushtetues.
Çfarë do të thotë kjo gjë?
Do të thotë që jeta politike dhe
ekonomike në vend të mos diktohej më nga partitë-shtet, por nga një Kushtetutë
që ngrihet mbi sovranitetin popullor dhe të drejtat e individit. Pra regjimi që
duhet të adoptonte dhe realizonte Shqipëria, duhet të ishte një demokraci
liberale. Në fakt nuk u realizua as
demokracia dhe as liberalizmi ashtu si dhe Kushtetuta vazhdoi të kishte thjesht
një rol formal, si kishim eksperimentuar në 45 vjet totalitarizëm.
Demokracia ngritur mbi parimin e
sovranitetit popullor (neni 2) kërkonte që shteti të ishte i togëzuar me
vullnetin e sovranit. Por instrumentat për realizimin e këtij vullneti nuk iu
dhanë kurrë popullit por mbetën përsëri në duart e një oligarkie që vetëmërohej
si në Nomenklaturën e vjetër.
Në radhë të parë, instrumentat e
demokracisë direkte. Edhe pse Kushtetuta i parashikon ato formalisht, popullit
nuk iu lejua kurrë të niste dhe shprehte direkt vullnetin e vet, për çështjet
madhore këto dekada. Madje sot, nuk kemi as dhe një ligj formal mbi
referendumet kombëtare apo lokale, nismat popullore apo peticionet. Fatet e
Shqipërisë dhe shqiptarëve i vendoste dhe i vendos vetëm partia.
Por, nëse partia do vijonte të ishte
de facto i vetmi motorr në jetën e vendit, të paktën mund të kishim rekuperuar
demokracinë përfaqësuese duke vënë partitë nën kontrollin demokratik të
popullit si kërkon neni 1 dhe 9 i Kushtetutës.
Ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta.
Kasta e tranzicionit kishte trashëguar
mentalitetin komunist, ku i gjithë pushteti i takon sovjetëve dhe çfarë thotë
partia bën populli. Të gjitha reformat kushtetuese e ligjore, çuan në fakt në
përqendrim të pushtetit. Është kryetari që kontrollon partinë dhe jo e
kundërta. Është partia që kontrollon qytetarët dhe jo e kundërta. Nën këtë
totalitarizëm “të butë” të gjitha institucionet shtetërore, ashtu si dhe
ekonomia, media, akademia, arti e kultura kontrollohen prej një oligarkie
organizuar në parti politike. Ndërsa rituali i votës vijoi të ekzistonte si në
komunizëm, për të legjitimuar kastën dhe jo realizuar vullnetin e sovranit.
Nëse shteti kthehet në pronë të një
oligarkie, ai që sakrifikohet është interesi publik përfaqësuar nga shumica e
qytetarëve, bizneseve, punëtorëve, profesionistët e rinj, studentëve apo
pensionistëve. Pra janë të drejtat e individit që dhunohen përditë prej një
kaste autoreferenciale. Kjo do të thotë dhe goditje e shinës së dytë të
Kushtetutës: Liberalizmit
Liberalizmi për të realizuar
aspiratat e veta ka nevojë për demokracinë, ashtu si dhe kjo e fundit ka nevojë
për të drejtat liberale për të formuar vullnetin e lirë të qytetarëve. Të dyja
këto ideologji komplementare bashkëjetuan brenda konstitucionalizmit modern dhe
shtetit social. Jo pa qëllim përdor kohën e shkuar, pasi prej dekadash, ka
filluar në Perëndim një sulm ndaj konstitucionalizmit dhe triumf të
globalizmit, erozion të sovranitetit dhe demokracisë në favor të elitave
financiare transnacionale.
Po çlidhje ka kjo me Shqipërinë?
Njerëzit priren të
lexojnë mikro-realitetin, pa patur instrumenta për të kuptuar totalitetin sikur
Shqipëria të ishte ende një vend i izoluar dhe jo kaq e ndërvarur nga bota.
Ajo që ndodh në Shqipëri, në fakt
është replikim i trendit të ri botëror mbi një teori hibride, e njohur si
neoliberizëm. Nisur prej një dogme ekonomike, ku tregu rregullon gjithçka, ky
vizion elitist pushton politikën dhe çdo aspekt të jetës, në një totalitarizëm
të ri. Klerikët e këtij sistemi, kanë zbritur nga altari, liberalët klasikë si
Locke, Rousseau, Monteskje, Smith për ti zëvendësuar me radikalë si Schumpeter,
Hayekun apo Friedmanin.
Interesi publik në këtë vizion nuk
realizohet më nga pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike dhe ekonomike të
vendit, por falë “konkurrencës mes elitave”. Nuk ka një harmonizim mes publikes
dhe privates (si kërkonte Arendt); ndarjes së pushteteve (si kërkonte
Monteskje) por supremaci të ekzekutivit; jo ndarjes së Shtetit nga Ekonomia (si
kërkonte Smith), por kapjen e shtetit prej lobeve ekonomike-politike (si
frikshëm parashikonte Foucault). Në këtë mënyrë politika bëhet domain i lekistëve
dhe replikim i mekanizmave të tregut. Ajo shndrrohet në marketing ku dëshirohet
veç të shitet një produkt e jo se si prodhohet dhe për kë shkon ai. Diskutimet
e qenësishme i lënë vendin slloganeve të marketingut politik, ku qytetari
sillet si konsumator që mezi pret të blejë produktin e radhës.
Por çfarë ndodh, nëse ai produkt
nuk vjen kurrë megjithë morinë e ofertave në tregun politik?
Çfarë ndodh nëse të gjitha produktet
janë skadente dhe larg preferencës së konsumatorëve?
Nuk ndodh asgjë!
Brenda kësaj paradigme
ekonomike-politike nuk ka zgjidhje!
Sistemi ka nevojë që masat të
konsumojnë, pavarsisht se ekuilibri realizohet në nivele subsahariane. Dogma
neoliberiste nuk ngrihet mbi optimalizimin e kërkesës (pra në favor të nevojave
të popullit si kërkonte Keynes) por mbi ofertën (privilegjet e elitave, sipas
ligjit të Say). Duket familjare atëherë
se përse shtimi i ofertave partiake ngjason me shtimin e produkteve skadente në
supermarkete. Dekadenca e partive nuk ndryshon nga kanceri i ushqimeve, jo si
përjashtim por si esenca strukturore e këtij sistemi. Në shooqëritë
konsumeriste, njerëzit duhet të konsumojnë medoemos, se përndryshe mund të nisë
Revolucioni. Këtë gjë e kuptojnë elitat sunduese por jo qytetarët të
trasformuar në konsumatorë të një bote fallco e skadente.
Po atëherë çfarë duhet bërë?
Ajo që kemi bërë gjithmonë kur
gjërat nuk shkojnë mirë, pavarsisht tentativave!
Të ndryshojmë perspektivën, nga
iluzion se toka është e sheshtë në atë se toka është sferë, nga iluzioni se
problemet e të mjerëve do i zgjidhin lekaristët në bindjen se “gomarin e nxjerr
i Zoti nga balta"
Të kuptojmë që ky sistem nuk është
ngritur për të mirën e përgjithshme por për atë të pak njerëzve! Të kuptojmë që
deri sa instrumentat ti ketë oligarkia dhe jo qytetarët, interesi publik është
i rrezikuar! Të kuptojmë që çdo lloj
oferte brenda këtij modeli është e rremë dhe shton agoninë e një populli të
tërë! Të kuptojmë që politika është aktivitet i qytetarëve dhe jo produkt që
shitet nga partitë dhe lobet! Të kuptojmë që nëse sillemi si konsumatorë, do
presim me dekada përpara kutisë së votimit për një alternativë që nuk vjen
kurrë vetë! Të kuptojmë që më e rëndësishmë se “oferta” është “kërkesa”, pra
ajo çfarë vërtet kemi nevojë. Dhe nëse ajo nuk gjendet duhet ta prodhojmë vetë!
Totalitarizmi i ri (ndryshe nga ai i
vjetri) pranon se është i padrejtë, por në të njëjtën kohë eliminon çdo lloj
mundësie për ta ndryshuar. Ai nuk fsheh problemet por përmbys përgjegjësitë,
betejat dhe zgjidhjet. Kështu për të mos pranuar kapjen e shtetit dhe ekonomisë
flitet për korrupsion, për të evituar revolucionin flitet për evolucion, votime
apo rotacion. Duhet që energjia prej pakënaqësisë sociale të derdhet në kanale
të parrezikshme ose të anullohet mes vetë të mjerëve.
Refreni që përsërit kasta, “miqtë
ndërkombëtarë”, media e intelektualët e sistemit është e njëjtë prej dekadash:
<<vota është arma juaj>>. Por ajo është një armë lodër që nuk arrin më as të zbavisë qytetarët.
Armët e vërteta i mban një kastë antikombëtare me mbështetjen e lobeve
ndërkombëtare.
Ajo do vijojë të prodhojë pa fund parti
sistemike, që replikojnë të njëjtën ADN antidemokratike e antiliberale. Të
gjitha partitë organizohen rreth liderrrit absolut me besnikë e mercenarë.
Kurse programet ekonomike (kur ekzistojnë) janë të gjitha neoliberale, që
shohin problemin tek shteti dhe zgjidhjen tek privatizimi i pasurive publike
apo të shërbimeve, që flasin vetëm për taksa e jo politika industriale,
politika ekspansive monetare, fleksibilitet të normës së shkëmbimit, banka
publike e sovranitet monetar, shpërndarje të pasurisë dhe rekuperim të
drejtësisë sociale, fuqizim të sindikatave, etj. Kjo klasë politike nuk mund ti
kundërvihet lobeve transnacionale që kontrollojnë sektorët strategjikë e të
interesuar vetëm për “stabilitet” që mos tu rrezikohet pagesa e borxheve dhënë
me bujari Shqipërisë. Zgjeruam
këndvështrimin për të kuptuar këtë sistem që nuk e shpikëm ne, por e importuam
ashtu si importuam komunizmin dhe cdo gjë tjetër në këtë vend. Pa kuptuar
shpirtin e epokës ku jetojmë (zeitgeist) nuk do kuptojmë dot as rrugëdaljen. Do
vazhdojmë të bëjmë lojën e partive dhe lobeve që na mbushin mendjen, se vota
është shpëtimi, se duhet zgjedhur e keqja më e vogël e të tjera si këto. Por
vota në këto kushte, ku ekonomia, media, insitucionet, shoqëria civile janë të
kapura i shërben vetëm kastës dhe klerikëve të sistemit. Nuk është çudi që
përse të gjithë intelektualët në kohën e neoliberizmit janë të gjithë
neoliberistë, ashtu sikundër në komunizëm ishin të gjithë komunistë. Kasta
promovon e josh vetëm intelektualët organikë e jo ata disidentë. Çdo reformë
demokratike për ti kthyer pushtetin politik e ekonomik qytetarëve anatemohet si
populiste kurse autorët si radikalë apo komplotistë! Jo shumë larg
totalitarizmit komunist ku kundërshtarët,
etiketoheshin si mikroborgjezë apo revizionistë!
Kjo është idea e lirisë prej
neoliberistëve.
Nëpërmjet një pluralizmi të rremë,
që pavarisht fasadës promovon të njëjtin vizion të botës, liria degradon. Nuk
mund të ketë liri, nëse nuk ka mundësi zgjedhjeje për një jetë më të mirë.
Ashtu sikundër nuk shuhet etja, nëse të vënë përpara vetëm gota me shëllirë.
Etja e Shqiptarëve për një Shqipëri
më të mirë, mund të shuhet npj një reagimi të fortë ndaj status quos. Ky reagim
nuk mund të jetë thjesht abstenimi ndaj politikës sepse kjo do të ishte muzikë
për kastën që kërkon të mbajë larg qytetartë prej pallatit të politikës.
Përgjigjia më e mirë do të ishtë Bojkoti Aktiv, pra zgjedhësit bëjnë të
pavlefshme fletën e votimit. Kjo mënyrë e të votuarit, sanksionuar në disa
shtete, reflekton të drejtën e rezistencës së popujve, ndaj një regjimi që ka zaptuar institucionet.
Ius resistendi, lindi bashkë me ideologjinë liberale dhe sanskionohet në shumë
kushtetuta (ajo gjermane madje parashikon rezistencën e armatosur të popullit).
Nga ana tjetër, vota mund të jetë
pohuese, mohuese apo neutrale. Nëse këtë tagër e kanë përfaqësuesit e popullit
në parlament, si nuk e paska populli që delegon këtë pushtet.
Sigurisht që një bojkot masiv nuk
është zgjidhja përfundimtare, por shkëputja me kastën e tranzicionit! Vetëm pas
thyerjes së zinxhirave, mund të braktisim shpellën e Platonit e të nisim një
rrugëtim drejt lirisë dhe demokracisë autentike. Ndërsa konformimi me votimin
dhe mekanizmat e sistemit, na mban të mbyllur brenda "qelisë së
çeliktë" të Weberit ku nuk ka dyer e dritare!
Jemi ne që vendosim, nëse kuptojmë e
dëshirojmë shpëtimin!
Është populli që ndalon së qenuri
konsumator i këtij pluralizmi të rremë dhe vendos të jetë sovran e vendimmarrës
i fateve të tija!
Në një Shqipëri Normale e të begatë,
ku demokracia dhe ekonomia vihet në shërbim të të gjithëve dhe jo vetëm një
kaste barbare dhe antishqiptare!