| E shtune, 17.06.2017, 05:34 PM |
Shuhet nga jeta Prof. Dr. Musa Kraja, yll i pedagogjisë shqiptare
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
Një lajm i hidhur, u shua nga jeta Prof..Dr. Musa Kraja, kreator i shkencave pedagogjike, themeluesi i Akademisë së Shkencave të Edukimit- Tiranë, kryetari i saj. Shkenca pedagogjike shqiptare humbi njeriun e saj me vlera të mëdha, por vepra e tij mbeti pasuri në rrugën e arsimit e edukimit kombëtar brezave dhe ai vet njëri nga personalitet më të shquara kombëtare.
Gjithë veprimtaria shkencore hulumtuese, kreative , gjuhësore, publicistike e arsimore e Prof. Dr. Musa Krajës është zhvilluar për të mirën edukimit dhe arsimimit, zhvillimit të shkencës pedagogjike dhe rrjedhimisht çështjes kombëtare.
Nga ligjëratat e tij në seminaret për mësuesit/et nga diaspora përfitoj edhe mësimdhënësi mërgimtar. Ai ishte me mish e me shpirte mes problemeve të organizimit dhe mësimdhënies në diasporë. “Ju jeni shembulli më i mirë i kohës sonë në kultivimin e gjuhës shqipe në vendet ku ju jetoni. Abetare punuan gjithë rilindësit të cilët jetuan jashtë vendi”,- tha mes tjerash në seminarin e Ulqinit.
Në të gjitha simpoziumet, konferencat, seminaret, ku ai mori pjesë, nuk la pa marr shembull veprën madhore të mësuesve mërgimtarë. Ai veçonte mësuesit krijues të disa vendeve, gëzohej shumë kur botohej ndonjë vepër apo tekst shkollor dhe fliste me pasion, gjithmonë me frymë pozitive, duke dhënë kurajë, edhe atëherë ku kishte vërejtje nuk ngutej, me virtyte edukatori e sqaronte mendimin e tij bindës.
“Do ta hartoj një monografi mbi mësuesit e diasporës si shembulli më i shkëlqyer në rrugën e rilindësve tanë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe”, -thoshte Prof. Kraja. Ai do ta përfundon monografinë, pasi la pas bijën e tij, Prof. Emirjona Kraja, Akademinë e Shkencave të Edukimit-Tiranë, miq e student të tij aktiv të frymëzuar nga puna madhore e Prof. Dr. Musa Krajes.
Fundi i shekullit njëzet dhe fillim shekulli ynë do flasin me respekt me emrin e Prof. Dr. Musa Kraja, mbi veprën madhore që la pas në pasurimin e rrugëtimi kombëtar drejt progresit dhe civilizimit.
Letra e 27 –të, e fundit
Ai kishte respekt të madh për mësuesit dhe veprimtarët e çështjes kombëtare. Në letrën e tij të fundit, me 5 maj 2017, mes tjerash lidhur me planet e Akademisë për organizimin e simpoziumit mbarë kombëtar, shkruan: “ I dashur dhe nderuari Hazir! Kam biseduar në Tetovë, lidhur me 170 Vjetorin e Lindjes dhe 100 vjetorin e vdekjes se Prof. Rexhep Vokes-Tetova, personalitet i shquar i çështjes shqiptare, mësues , pedagog, iluminist etj, Për këtë personalitet janë shkruar artikuj studimore, është botuar një doktoratë nga Prof. dr. Vehbi Bexheti, ka një monument në vendlindje, Shipkovicë. Është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë "Për veprimtari patriotike me Urdhrin e Klasit të pare," prandaj , në kohën e lirë trajtova për të organizuar një Simpozium mbarë kombëtar, nga ana e Akademisë sonë , siç kemi bërë për disa personalitete, përfshirë edhe Atë Gjeçovin”. Shumë të fala dhe mirëupafshim! Musai. Tani, e rëndë kur nuk do shihemi më Profesor i nderuar frymëzues në punën time.
Biografi, Prof. Dr. Musa Kraja
Prof. Dr. Hajrullah Koliqit, Prishtinë. Në veprën “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar”, botim në vitin 2013, faqe 468, 469, mes tjerash shkruan: “Musa Kraja (1938),Mësues i Merituar, është doktor i shkencave pedagogjike, veprimtar arsimi, pedagog universiteti, autor veprash të shumta pedagogjike, duke përfshirë këtu veprën enciklopedike historiko- pedagogjike, “Mësuesit për kombin shqiptar”, 1993. Musa Kraja lindi në Shkodër, ku kreu shkollën fillore, të mesme dhe studimet e larta në dy degët : Gjuhe-Letërsi dhe Histori-Gjeografi në institutin e Larte Pedagogjik të këtij qyteti. Studimet i vazhdoi në Fakultetin Histori-Filologji te Universitetit të Tiranës dhe arriti deri në gradën shkencore doktor i shkencave pedagogjike. Tetë vjet ushtroi misionin e mësuesit në zona të thella malore të Shkodrës për të vazhduar pastaj në shkollat e qytetit të Shkodrës. Punoi në organet drejtuese të arsimi në rreth (Shkodër), dhe në qendër , (Tiranë), arriti deri neë postin e zëvendësministrit të Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë (Disa muaj u ngarkua edhe me punën e ministrit), Musa Kraja dha ndihmesën e tij edhe në arsimin e lartë shqiptar. Prej vitesh ishte profesor i pedagogjisë në Fakultetin Histori Filologji të Universitetit të Tiranës. Që herët u shqua edhe si punëtor shkencor. Punoi në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Themelues dhe Kryetar i Akademisë së Shkencave të Edukimit (Themeluar ne vitin 2011) dhe Rektor i Akademisë Pedagogjike të Tiranës.
Musa Kraja është autor i shumë veprave dhe studimeve shkencore-profesionale nga fusha e pedagogjisë, por edhe nga letërsia dokumentare, të botuara brenda dhe jashtë vendit. Botoi shumë vepra, kryesisht me karakter social-pedagogjik, si “Portrete mësuesish dëshmorë (1967); “Migjeni Mësues” (1973); “Ndrec Ndue Gjoka..” (1974,”Per forcimin e punës edukative ne shkolle” (1981);”Mësuesit në Kohën e Partisë” (1986); “Probleme shoqërore-pedagogjike”; (1986) ;Mati Logoreci”1987),ribotuar “Mati Logoreci, Jeta dhe Vepra”(2001); ”Për forcimin cilësor të shkollës”( 1988); ”Nexhip Alpan dhe mendimi pedagogjik i tij”.(1992); “Mësuesit për kombin shqiptar” (1993; “Hakmarrja tek shqiptaret (ne optiken e pedagogut),,1996; “Pestaloci ne hapsirat shqiptare”(1997); Teksti universitar Pedagogjia, (1998); ribotuar, me 2002; ”Harry Fultz “Idetë dhe veprimtaria pedagogjike ne Shqipëri” (2000);”Vizione pedagogjike për zonat rurale”,(2003); “Bije të Lunxhërisë për arsimin shqiptar”(Pandeli dhe Koto Sotiri), 2002;”Pedagogji e zbatuar”, (2008) dhe vepra të tjera qofte si autor, qofte si bashkautor.
Musa Kraja, mësues, profesor, drejtor shkolle, rektor universiteti dhe veprimtar i shquar i arsimit, veç punës se tij me përkushtim dhe profesionalizëm, bëri punë me vlerë edhe për përjetësimin e dhe afirmimin e veprës madhore të mësuesve shqiptare, nga mesjeta deri në kohën tonë, nga mbarë gjeografia kombëtare dhe nga diaspora shqiptare”. Prof. Dr. Musa Kraja shkroj edhe veprat “Shkolla shqipe me mësimin plotësues” (2013); “Monografi Social – Pedagogjike “Mësues dhe kriues në diasporë Hazir Mehmeti”. Mbajti ligjërata në shumë Universitete botërore. “Mësuesi, pedagogu, tradita dhe bashkëkohësia”; “Reformator i madh i arsimit, Postaleci”; “Vëllezërit Frashëri dhe mendimi pedagogjik” (Tetovë, 2000) etj.
Prof. Dr. Musa Kraja shkroi për të pavdekshmit: Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Vëllezërit Frashëri e shumë tjerë, për tu bërë vet i pavdekshëm.
Tani dheu shqiptarë ngrohet me birin e saj, brumjete i brezave që vijnë. Lavdi veprës suaj Prof. Dr. Musa Kraja! Prehu i qetë në botën e amshimit! Faleminderit për të gjitha!