| E merkure, 24.05.2017, 03:44 PM |
Po tani që loja mbaroi?
Nga Gëzim Hoxha
Dje të gjithë iu gëzuan marrëveshjes midis palëve kundërshtare: qeverisë dhe opozitës. Dhe për më tepër kjo u duk qartë edhe nga reagimet e tyre. Kryeministri tha se sot ka fituar e gjithë Shqipëria dhe në 25 Qeshor do të fitojë PS. Ai tha se nuk e kishte fshehur asnjëherë që e donte opozitën në fushën e betejës dhe la të kuptohej se me garancitë e dhëna ajo do e pranojë fitoren e PS pa asnjë kusht.
Nga ana tjetër kreu i opozitës u shpreh se marrëveshja ishte kurorëzim i qëndresës në çadrën e lirisë dhe se sot fillon marshimi për në Republikën e Re që lindi më 13 Maj. Përveç atyre që thanë e bënë gjatë bisedimeve të gjata para se të arrihej marrëveshja meraku i kryetarit të ri të LSI –së i shprehur jo pa ironi më duket jo pa vend. A do të mundet opozita që me shtyrjen e zgjedhjeve me një javë të luftojë kanabizimin e vendit, të zbatojë ligjin e dekriminalizimit e të tjera objektiva që do të duhej t’i arrinte një qeveri teknike?
Kryeministri ia doli të shpëtojë nga dhënia e dorëheqjes dhe të mbajë zgjedhjet brenda afateve kushtetuese dhe padyshim që edhe ai doli i fituar. Tani që të gjithë e morën vesh se kush paska fituar, çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi i bën vetes një pyetje mjerane: “Po kush humbi nga kjo lojë?”. Pyetja më duket më se e drejtë, pasi në çdo lojë ka edhe të humbur.
Përgjigja është mëse e lehtë dhe e atypëratyshme:”TI humbe! Veç ti, ti ke humbur dhe do të humbasësh gjithnjë. TI që humbe kohën kot duke qëndruar i gozhduar para ekranit të televizorit apo para kompjuterit në pritje për të zbuluar se çfarë do të ndodhë?! TI që nuk votove dot më 7 Maj në Kavajë! TI që dëgjon hallet e politikës nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe më kot pret të dëgjosh të flitet për hallet e tua! TI që të kanë quajtur me të vërtetë bagëti! TI që asnjëherë nuk vendose për asgjë! TI që nuk dëgjohesh, që flet e flet dhe nuk ta var askush! TI që kur vjen java e fundit e muajit rrudhesh e rrudhesh e shtrëngon rripin!”
Po e vërtetë nëse ka një humbës të madh ai është populli, ata janë shqiptarët. Dhe si për çudi të gjithë flasin në emër të POPULLIT, por fatkeqësisht asnjë prej tyre që flet në emër të tij nuk e di se çfarë do me të vërtetë ai. Të gjithë flasin gjithë ditën për cënim lirish, për vrasje të demokracisë, për vjedhje, shitje e blerje vote, për mohim të drejtash politike dhe për gjithçka tjetër politike. Dhe kjo është gjëja më normale, që politika të flasë për liri politike se vetëm ato i interesojnë. Politika do që të ketë sa më shumë ndjekës, sa më shumë militantë.
Besoj e mbani mend se sa herë asaj i duhet të mbushi një shesh ajo thërret militantët, i mbledh nga janë e nga s’janë. Ja pse asaj i duhen njerëz të dobët, qytetar të ngratë që më së shumti i ndjekin me shpresë për të siguruar ose për të ruajtur një vend pune. Ja pse ajo luan me frikën e rrënjosur thellë qënieve të tyre “MË NDIQNI SE PO ERDHI AI TJETRI JU DO HUMBISNI GJITH?KA QË KENI!”.
Koha e lirive politike ka kaluar me shekullin apo me mijëvjeçarin e kaluar. Politika këtë gjë e di më së miri po i intereson të bëjë sikur nuk e kupton këtë gjë. Asaj i interesojnë të ketë sa më shumë qytetarë të përhumbur, të shurdhuar e të verbuar se sa të përballet me qytetar dinjitoz që nuk ia varin shumë asaj. Ka edhe prej tyre, ka dhe me bollëk madje.
Duket se i shkreti popull, që do të vuajë edhe për shumë e shumë kohë të tjera, kërkon një tjetër lloj lirie. Ai do LIRI EKONOMIKE. Kjo gjë është TABU, po po TABU, jo vetëm tek ne në Shqipëri por në çdo shoqëri tjetër, anë e kënd planetit. E kot të flasësh për të, të gjithë kanë një lloj perceptimi se ç’do të thotë të jetosh i lirë EKONOMIKISHT.
Dikush e përfytyron atë si mos pagim taksash, një tjetër mund ta shikojë si pasje e një pune të përhershme ose stabël. Ka që e imagjinojnë si mospengim nga askush dhe nga asgë i inisiativës së lirë. Ka që e barazojnë atë me pasjen e një minimumi jetik, një tjetër e koncepton si mundësim i kushteve për të lëvizur i lirë.
Në fakt LIRIA EKONOMIKE i përfshin të gjitha këto, madje edhe i tejkalon. Për to flet JOHN LENNON në këngën e tij të famshme “Imagine”. Ajo është diçka që tejkalon çdo perceptim të shprehur më lartë. Ajo ka të bëjë me ndarjen, po kaq e thjeshtë është me ndarjen. Ajo do të thotë që çdo njeri që merr frymë, pavarësisht nga raca, kombësia, gjinia, orientimi seksual, përkatësia etnike a fetare të gëzojë të drejtën e pasjes dhe në të njëjtën kohë edhe të mospasjes së çdo gjëje që natyra a perëndia e ka krijuar me aq bujari për ne NJERËZIT.
Këtë lloj lirie kërkojnë njerëzit, jo vetëm këtu në Shqipëri, por ngado. Por këtë lloj lirie nuk është i gatshëm askush ta japë. Sepse, ashtu si gjenden për momentin, nën iluzionin e një vazhdimësie në kamje apo të një jete në luks, ku çdo dëshirë dikujt i plotësohet sa të hapësh e të mbyllësh sytë, vështirë që dikush të heqë dorë nga zotërimi i këtyre të mirave që e rrethojnë me bollëk.
E si gjithmonë me mbarimin e një loje të gjithë presin me padurim fillimin e një tjetër loje. Po tani që vetingu do të miratohet dhe vota do të sigurohet çfarë çorbe tjetër do të na servirë politika?