| E merkure, 24.05.2017, 05:03 PM |
KURRIZE
TË NGARKUARA MALESH…
QAZIM D. SHEHU
Në klithjen e një zogu shpaloset
Vijë e horizontit,
Mbi kurriz malesh soset,
Vetëtimë e ndrojtur.
Sa herë më duhej ta mendoja
Shkop kërcënues fati,
Po ku ishin duart që e mbanin
Së gjeri e së gjati.
Tufa fjalësh nisja,
M`i kthente zogj të hutuar,
Përzhiste kurrizë malesh,
Kjo vijë zjarrduruar.
Agimi e mbante ndezur,
Mbrëmja e shuante me mundim,
Këtë vijë: trafik ëndrrash
Plot përdëllim…
KAFAZ
Për Ezra Paund a ishte e drejtë,
Për një vajzë përse duhet,
Pse për bilbilin e të madhit Mjedë,
Kafazi thuret?
Shfryj zemërimin si në shi përrenjtë,
Dhe s`e gjej që s`e gjej
Pse
Në kafaz të mbyllen
Të dobëtit dhe të mëdhenjtë?
Liri marrin maskarenjtë…
KËPUCA E NJË VAJZE
Me shpatulla në qiell e vështrim thellë
Në gurët e zallit si luspa gjigandi
Ndryrë nën male,
Rrija mbi breg.
Nën pemë, ku një sheleg reje
Qe varur kot,të therejej prej vetmisë.
Dhe mendoja ç`janë këto luspa
Mos në to një vajze iu ngurtësua këpuca
Dhe këta gurë ku janë gjendur
Ndoshta bregu prandaj u bë rrudha rrudha
Edhe pse në zall lagu këmbët?…
Si ecën koha,si ikin njerëzit
Dhe gurët ngurtësohen edhe më,
Herë vjen zalli me rrëmbim përrenjsh
Që hidhen pjerrësive të malit
Gurët shndrit, dhëmbë Ajkune,
Dhe ata mbeten aty dhe s`e çlirojnë që s`e çlirojnë
Nga ngurtësimi imazhin e asaj këpuce…
LOJË E PAKUPTUAR
Duhej të mbanim shumë emblema
Madje edhe skeptër dhe kurora,
Po të gjitha na i vodhën mbretërit
Duartrokitje na lanë tek dora.
Në vend që duart të na hanin për punë
Na hanin për përplasje,
Madje, madje, edhe për dhunë
E s`na vinte tjetër qasje…
Tani s`dimë ç`të bëjmë me emrin tonë,
E ngremë me një vështrim të qorruar,
Po edhe mbretërit që hipën në fron,
U harruan...
GËNJIM
Ditët rrotullohen,
Vihen në radhë,
Midis tyre një pikë rri:
Pulbardhë.
Mbi det të halleve lëviz,
Gjer zhduket krejt,
Ditët sërë sërë mund të radhis,
Pika midis u rrëshqet.
Të jetë pulëbardhë apo mos jetë,
Kjo pak ka rëndësi,
Po për pulëbardhë e marrim vërtetë,
Pikën që sipër na rri..
I LIGU
Brenda fjalës së mirë punon i ligu,
E ëmbëlson atë si karamele.
Në sytë e tij gjysmë të fikur,
Merr stuhi një dredhëz ere…
GJURMA
Mbi gjurmë të vjetra, gjurmë të reja,
Rruga, libri mban.
Mbi një re të tretur shtrohet reja,
Për të parën sikur qan.
Mbi një shtresë vihet një shtresë,
Fryn era, të vjetrën zbulon.
Mendtë prej kokës të ikin për besë,
Kur për të vjetrën gjurmë e re firon…