| E hene, 22.05.2017, 08:40 PM |
ARKITEKTURA E DASHURISË
Prozë poetike
Nga Vjollca Tiku Pasku
Fijet e kaltërsisë dridhen. Një fije u ngjyros me të kuqe. Është pikërisht kjo ngjyrë që lidh qiellin me tokën. Kjo fije është zanafilla e një ndjenjë. Përse rrezet e nxehta përshkojnë shtatin tim?... Dielli më lind në sy, ngjyros me kënaqësi gjithë mollëzat e faqeve dhe lë vektorin e shigjetave në zemër... Çdo përpëlitje kapakësh është një fërfërimë fluture. Qielli mbushet me flutura argjendi, ndoshta prandaj agimi është i bardhë. Ndërsa hëna vjedhacake tërheq të gjithë argjendin e grimcuar gjatë natës, dhe ndriçon gjithë errësirën e lagësht të tokës. Ti afrohesh ngadalë. Më hap një botë dhe unë pushtohem tërësisht nga magjia dhe misteri. Vetëtimat e rrahjeve të çrregullta të zemrës prodhojnë rrufe emocionesh që japin ngjyrë mrekullisë së dashurisë. Ndjeva vetëm një tingull, “të dua”. Burimet e kristalta të ndjenjave rrodhën dhe në bashkëveprim me dritën u shndërruan në burime lumturie. Një i nxehtë, si një vullkan nënujor që del në sipërfaqe mbërtheu qenien time. Një kontak është lindja e një nuance pranverore, është akordi më i gjatë dhe më i bukur i bilbilit në agimet e Majit, është veshtulla e horizontit, kur puth buzën e paqme të oqeanit, është ndezja, përthithja e kënaqësisë, kur dielli zvogëlohet e përhumbet në trupin e errësirës. Një puthje dhe befas nga shkëndijat e ndjenjave lindin xixëllonja fryme, afshi i ndez, dihatja i fik, dhe spiralja yllësore vazhdon te dy burimet magjike, për të përthithur gjithë vakumin e dashurisë. Stuhitë yjore vërtiten drejtë kërthizës së planetit. Valët e nxehta formësojnë një dallgë të stërmadhe, e cila copëzohet në fragmente të shkumëzave të bardha. Shiprti im valëzohet dhe bëhet njësh me flakën e lumturisë. Sa do të doja të pikturoja këtë çast nga yshtja e flakës, me të gjitha karvanët e petaleve të pranverës, përzier me vesën e agut dhe më pas ta gdhendja skulpturë me lëndën e përbërë nga krahët e fluturave, punuar me daltën e erës nga shqisat e zogjve, dhe ta vendosja në papafingon e universit. Njerëzit e thjeshtë e skalitin dashurinë në konturet e një zemre ajrore, duke i dhënë jetë me vibracionet e tyre e duke bekuar çastin e njohjes.