| E shtune, 29.04.2017, 12:03 PM |
NEBI DRAGOTI
MOTIV POPULLOR
“Erdhe virgjëreshë, ike si një grua”*
Moj, po ty ç’t’u desh që erdhe në krua?!
Ky djalosh i ri në dashuri përvluar,
ç’ bëre kështu ti pa u nusëruar?...
Kroi si Kristal, gjoksi yt i ndezur…
Ç’të gjeti, moj vashë, nga ky balukedredhur.
“ Më gjeti, ç’më gjeti, natë maji ish,
le të flasë mileti për dy zemra dashurish…”
Moj, po ty ç”t”u desh që erdhe në krua?
“Erdhe virgjëreshë, ike si një grua!”
*Varg i poetit Ymer Nurka
MOLLA
Katër vasha me një mollë,
mollë e kuqe mjaltë e flakë.
Cila e para nis ta kafshojë;
shoqe janë, kot bëjnë fjalë.
Kafshon njëra, kafshon tjetra,
molla duarve vjen përqark.
Eh, shoqëria çfarë na qënka:
katersh ndajnë dhe një kafshatë…