| E shtune, 15.04.2017, 02:24 PM |
Në
vend të përkujtimit të veprimtarit
arbënesh Enio Gërdoviq
Shkruan Sylejman Morina
Më 1993, kohë lufte, Zara ishte e rrethuar nga forcat ushtarake e paramilitare serbe, nga toka e deti. Qyteti kishte mbetur pa ujë e dritë dhe herë pas here granatohej. Jeta ishte bërë tejet e vështirë. Zara ishte qyteti që kishte pësuar më së shumti, pas Vukovarit. Gazetari kroat D.Mariq, në takim me te më thoshte se Zara kishte përjetuar tmerr në ato kohëra.
Në
këto rrethana të vështira, veprimtari i
shquar Enio Gërdoviq (1961-2016),
bashkë me intelektualët tjerë arbënesh, më 9 maj 1993, themeluan shoqatën e tyre, të cilën e emërtuan
”Shoqëria e Arbneshve të Zarës“. Shoqata kishte për qëllim mbrojtjen e
interesave të arbëneshëve dhe ruajtjen e identitetit kulturor të arbëneshëve,
të gjuhës e traditave, si dhe promovimin e tyre. Në kuvendin themelues, i cili
qe mbajtur në sallën e bashkësisë lokale të Arbëneshit, kryetar ishte zgjedh ekonomisti Enio Gërdoviq, i cili e
udhëhoqi me sukses shoqatën për 23 vjet, deri në vdekjen e papritur, më
2016.Enio ishte i lindur në
Arbanas(Arbënesh), në kuartin më të bukur të qytetit të Zarës, në një
familje fetare e me dashuri ndaj
traditës arbëneshe. Shkollën fillore
e kishte mbaruar në Arbënesh, të mesmen (ekonomi) në Zarë, ndërsa studimet
për ekonomi i kishte përfunduar në Universitetin e Zagrebit. Ka qenë aktivist i
shumanshëm, besimtar i devotshëm që ndihmonte kishën e Arbëneshve, me aktivitete të ndryshme.
Me
angazhimin e tij rivitalizohet ish-objekti i shkollës fillore të Arbëneshit, të
cilin kryebashkiaku i Zarës, Bozhidar Kalmeta, ia kishte dhënë për zhvillimin e
aktiviteteve. Sot, ky objekt është shndërruar në një qendër të vërtet kulturore, ku zhvillohen shumë aktivitete.
Aty funksionon dega e bibliotekës së
qytetit “Biblioteka e Arbanasit” dhe
zyrat e shoqatës. Po ashtu, në saje të këmbëngulësisë së tij, më 2008,
kishte filluar kursi i mësimit të gjuhës arbëneshe për arbëneshët e interesuar,
si dhe kontributi nëpërmjet shoqatës që gjuha
arbëneshe të regjistrohet më 2013,në Ministrinë e Kulturës së Kroacisë,
si trashëgimi kulturore jo materiale. Ai kishte qenë pjesëmarrës në themelimin
e Amzës Kroate, Dega në Zarë, shoqatën ” Starinar”, për mbledhjen e materialeve
të vjetra që kanë të bëjnë me të kaluarën e Zarës.
Si shumë arbëneshë , dhe ai kishte qenë pjesëmarrës i luftës për çlirimin e Kroacisë. Zakonisht , aktivitetet më të shumta janë të lidhura me ditën e kishës së Arbneshit( Zoja Jonë) . Manifestimi më madhështor ishte organizuar në 2006 me rastin e 280 vjetorit të ardhjes së arbëneshëve në Zarë .Pas kishës ”Zonja Jonë” shoqata ishte shndërruar në simbol të Arbëneshit ( Arbanasit), në saje të aktiviteteve të shumta, si: botimin e librave, promovimin e veprave me interes për kulturën e historinë arbëneshe , ekspozita me motive arbëneshe , organizimin e vizitave me arbëneshë në Mal të Zi dhe Shqipëri. Për ditën e Kishës së Arbëneshit, gjithherë shfaqeshin aktivitete kulturore. Ai arriti që shoqata të krijojë lidhje bashkëpunimi me shumë shoqata, institucione në nivel të Zhupanisë së Zarës, si dhe të krijojë lidhje e bashkëpunim edhe me ambasadat e Shqipërisë e Kosovës, dhe institucionet tjera të këtyre shteteve. Në emër të shoqatës i kishte ftuar intelektualët e ndryshëm shqiptarë e kroatë, profesorë nga Universiteti i Zarës, të ishin pjesëmarrës në organizimet që bënte shoqata, qoftë në promovime librash, qoftë me kumtesa e referate.
Takimi i pa realizuar
Me vdekjen e Enios, familja (gruaja Mirjana dhe fëmijët Josipi e Anamarija) humbi njeriun e dashur të saj, ndërsa shoqata humbi kryetarin e pa lodhshëm, arbëneshët humben një aktivist të shquar, humbën njeriun e aksioneve dhe veprimeve, njeriun që punoi gjithherë për interesa të tyre. Kisha humbi një besimtar të devotshëm dhe aktivist të dalluar. Enio i kujtohet secilit që e njohu atë dhe që bashkëpunoi me te ka kujtime të mira. Secili prej tyre ka mundur të vërente diçka të veçantë në personalitetin e tij, diçka që e bënte të afërt dhe të pranueshëm për secilin. Unë pata fatin ta takoja atë vitin e kaluar, në manifestimin kulturor kushtuar 290-vjetorit të shpërnguljes së arbëneshëve në Zarë. Ndjej një keqardhje që nuk pata mundësi të qëndroja më gjatë në takim me të, duke menduar se do të takoheshim përsëri, por Perëndia vendosi ndryshe.