| E premte, 14.04.2017, 09:17 AM |
Smajl Syl Sadiku nga fsh.Popoc,Rekë e Keqe-Gjakovë
Portret i veçuar tradite:
GJYSHI E NIPI SI PIPI E LISI
Nga Tahir Bezhani
Smajl Sylë Sadiku i fshatit Popoc i Rekës Keqe,komuna e Gjakovës,është një burrë i njohur në atë anë të Malësisë së Gjakovës,për urtësi,mençuri,bujari e fisnikëri. Ka kaluar të 85-ta mbi shpatullat e veta dhe ndihet fare mirë në pikëpamje shëndetësore. Është i lëvizshëm dhe akoma punon punë fizike rreth shtëpisë së tij. Ma shumë merret me bletari. Pamja e tij elegante,me plisin e bardhë në kokë,qëndrimi burrërorë prej një malësori të traditës, bujaria, urtësia dhe zgjuarsia e të folmes së tij, janë disa nga karakteristikat tërheqëse që e bëjnë të dalluar këtë burrë të Rekës Keqe të Gjakovës.
Duke njohur cilësitë e këtij burri,duke ditur edhe për kapacitetin e tij në përdorimin e anekdotave nëpër oda burrash kudo që qëllon,më bëri kureshtarë para disa muajsh,pikërisht në fund vjeshtën e kaluar,që të ndaj një kohë-takim, për ta vjelur këtë filozofi (thesar)me vlerë, si fryt i popullit tonë nëpër kohë. Atëbotë nuk e pat refuzuar kërshërinë time,por nuk më caktoi asnjë afat....
Burri burrë,fjalën e mbanë,dhe këto ditë, pikërisht me 9.prill,2017, me telefonoj që të shkoj për një kafe tek shtëpia e tij në fshatin Popoc,Rekë e Keqe. Më doli para me gjithë nipin,me “mirëserdhe” dhe më dërgoj në oden e burrave të rregulluar për mrekulli. Ishte kënaqësi të jesh në atë odë ku fjala me peshë e edukatë,barte karakteristikat e veta.
Smajl Sylë Sadiku,me nipin Albin Rifat Sadiku nga Popoci-Gjakovë
Nipi i Smajlit,Albin Rifat Sadiku,nxënës i kl.IX në shkollën “Ganimete Terbeshi” në Ponoshec ishte gjithnjë me neve në atë odë burrash. Kjo bë bëri përshtypje dhe e pyeta: ” Smajl ky çuni, shkon në shkollë e punë tjera, me moshatarë, apo rrinë gjithnjë me ty, për ardhje te mysafirëve?” Jo,tha Smajli,i ka detyrat e veta të shkollës dhe me moshatarë, por kur e di se vjen ndokush musafir, dëshiron t’i dëgjoi bisedat në odë,se si ato zhvillohen mes burrave. Pastaj edhe i shkruan disa te mira,si këto tani që i ruajta për ty, dhe i ruan edhe për veti, i flet me moshataret e vet në shkollë dhe u tregon se “mi ka mësuar gjyshi”.....
Smajl Syla nga Popoci,me autorin e këtij shkrimi
Pas këtyre bisedave me Smajl Sylë Sadikun, në oden e vet,bëmë edhe shumë biseda tjera,të cilat morën rrugë të gjatë analizash nëpër breza, ku kalitej edukata e karakteri jonë kombëtarë, përmes burrave të mençur odash,përmes këngës e anekdotave, ku ruhej e kalitej liria e këtij populli. Pikërisht për këtë,odat e burrave i
kanë quajtur “Universitet”,”Parlament”,vetëm e vetëm për pjekurinë e fjalës dhe edukatën me traditë kombëtare. Kur një gjysh i zgjuar e burrë tradite, si Smajl Sadiku i Popocit të Rekës së Keqe, mishërohet me nipin e tij te dashur, dhe pa hamendje u përgjigjet pyetjeve të tij të shumta përreth traditës sonë kombëtare,të mban shpresa se nuk do dalim lehtë në kulturat e huaja të imponuara,bile,pa ua “falë” edhe ne atyre një copë të kulturës sonë...
Duke më përcjellë pas një ndeje e biseda të gjata,Smajli më dha një fletore me një numër anekdotash të shkruara nga dora e nipit të tij, Albinit,për t’i publikuar sipas mundësisë....Në ndarje, Albini i vogël,më tha:” rrugë të mbarë xhaxhi! Mos harro të vish prapë te na, gjyshi është gjithnjë në shtëpi....”
Nga një largësi ktheva kokën prapa dhe i shikova sërish me respektin e zemrës. Thash me vete:”gjyshi e nipi,si pipi e lisi!.....”