Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Eleni Minogu Bircaj - Ujku i paqes

| E premte, 07.04.2017, 07:00 PM |


PËRRALLA ME MESAZHE EDUKATIVE, KU GJITHNJË TRIUMFON DREJTËSIA

Eleni Minogu Bircaj  “Ujku i paqes” (“Il lupo della pace”), botoi “botimet Ymeraj 1”

Nga Milazim F. KADRIU

Pas librit me poezi “Emigrantja”, krijuesja nga Vlora, Eleni Minogu Bircaj e cila jeton dhe krijon në Itali,  kohë më parë erdhi me librin e saj të radhës që këtë herë për lexuesit e saj solli një libër me përralla të titulluar “Ujku i paqes” (“Il lupo della pace”) . Përralla siç  dihet është njëra ndër format më të përhapura e më të njohura të prozës gojore.

Autorja në librin  që është në dy gjuhë, shqipe dhe italiane  “Ujku i paqes” (“Il lupo della pace”) sjell 12 përralla të cilat janë përplot fantazi  dhe elemente të çuditshme ku përmes personazheve  shtazë nëpërmes të cilave  paraqet sjelljet e njerëzve në formë alegorike. Përrallat e librit të kësaj autoreje kanë strukturën dhe elementet e tyre dhe janë shumë tërheqëse për lexuesit e sidomos për fëmijët dhe të rinjtë.

Ndonëse këto përralla janë plotë imagjinatë, janë shumë interesante dhe zgjojnë kureshtjen e secilit lexues. Ato janë përplot mesazhe edukative që këshillojnë për një sjellje më të mirë në jetën e përditshme dhe  udhëzojnë që  fëmijët dhe të rinjtë  të punojnë dhe veprojnë drejtë dhe mos të merren me gjëra të pahijshme dhe të dëmshme për të tjerët, por që mirësia të kultivohet që nga mosha e re.

Nëpërmes personazheve që sjell në këtë libër ndonëse  personazhet janë shtazë e shpezë (siç janë iriqi, gjarpri, kaprolli, harabeli, kali, ujku, oktapodi, bretkoca, tigresha, ariu etj) autorja sjell shumë përshkrime të veprimeve  nga jeta e përditshme ku shpeshherë kritikohen ato veprime  që bëhen nga ata që e kanë fuqinë në dëm të të pafuqishmëve  dhe të pambrojturve, por sjell edhe veprime të mira ku ka raste që edhe përkundër fuqisë dhe mundësive që kanë  bëjnë veprime të mira  ndaj të tjerëve dhe nuk tregojnë fuqinë para të vegjëlve apo atyre që janë më të dobët por ju ndihmojnë  që tu përballojnë më lehtë vështirësive  dhe i ftojnë në një jetë të përbashkët. Andaj duke parë këtë në këto përralla lexuesi lehtë dallon veprimet  e mira dhe jo të mira dhe nga autorja këshillohen se si duhet dhe është më mirë të veprojnë në jetën e përditshme.

Duhet përmendur se ashtu siç buron vizioni përgjithësisht nga  përrallat për botën e jetën ashtu është edhe në përrallat e autores Bircaj, ku këto përralla sjellin optimizëm ndonëse edhe pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash  e mira gjithnjë triumfon dhe fiton lumturinë ai që çdo herë është i ndershëm.

Autorja  ju premton lexuesve se së shpejti do të vjen me një libër të ri të përrallave të cilat do të jenë të mirëpritura nga lexuesit.