Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Azhanse të mëdhaja nga Serbia

| E hene, 03.04.2017, 09:00 PM |


Azhanse të mëdhaja nga Serbia

Nga Elvi Sidheri

Për t’i gjetur shoqërimin e duhur këtij titulli, do më duhej të shtoja frazën plus: “Dhe fort tragjike nga Shqipëria”, gjë kjo, për njëherë të paktën, e pandërlidhur me situatën ekonomiko-politike të vendit tonë, por me një ngjarje që sapo tronditi ambientin jo vetëm artistik të Tiranës dhe më gjerë.

Ndërroi jetë, në mënyrë sa të papritur, aq edhe të paralajmëruar këngëtari i njohur dhe i dashur e i respektuar nga breza të tërë, Françesk Radi.

Nuk do të thellohemi tek arsyet e kësaj vdekje të parakohshme, te morbozitetet e zakonshme pas të cilave gjëmojnë shqiptarët në të tilla raste, pra te sëmundja përkatëse, vuajtjet finale, etj.

Nuk na duhen këto gjëra, na mjafton dhimbja dhe keqardhja e sinqertë për këtë njeri pikësëpari, zë të pashoq dhe këngëtar aq të gjallë në mendjet tona me meloditë e tij atipike për ambientin muzikor shqiptar, për origjinalitetin e tij të pakrahasueshëm dhe për atë timbrin aq të ngjashëm me gjigantin e skenës muzikore italiane, Adriano Çelentanon.

Françeskun do ta kujtojmë të buzëqeshur, këndueshëm, buzagaz ndër skena festivalesh apo rrugica të Tiranës së Re (pallatet e Moskateve) me kitarën e tij të pandarë dhe flokët e gjatë nëpër koncerte të improvizuara lagjeje, në mjedisin e tij jetësor që pati qenë ambienti ku qenë ndërthurur edhe ëndrrat muzikore dhe pasioni për tingujt e ndaluar perëndimorë në epokë moniste, të shumë tiranasve të tjerë për dekada me radhë.

Dhe për fat, të qenët pjesë e panteonit më të përzgjedhur të muzikës së lehtë e të mirëfilltë e burimore shqiptare - para dhe pas demokracisë, në kohëra censure të partishme apo pas shfaqjes së tallavasë dhe turbofolkut të shpifur sllavo-turk të qëndisur me ndoca mishmashe fjalëzash shqipo-osmane nëpër tekste të një banaliteti universal – është diçka e vetvetishme që nuk përcaktohet dot nga kanonet e sotme bastarde ku dergjet shija muzikore e Shqipërisë sot.

Françesku ishte tjetëgjë, i përkiste një tjetër kaste muzikantësh e këngëtarësh të mbrujtur mes njëmijë vështirësish, pengesash e mohimesh, por të rritur me prirjen për të kënduar dhe jetuar si Perëndimi, me Italinë e përtej detit si shembull dhe frymëzim, në një kohë kur në Tiranë gjindja duhej të kapërdinte kafshata muzikore e artistike të llojit të Detashmenteve të Kuqe të grave maoiste kineze, apo kazmat, fabrikat, dyfeqet e kantieret e Partisë e shokut Enver.

Prandaj nuk do ta harrojmë atë dhe krejt kolegët e tij që këtij vendi i falën pak hare e frymë moderniteti perëndimor në monizëm, në tranzicion, në 97-ën e nëmur (kujtoj një Festival legjendar Pranvere të TVSH-së atë vit, kur mes krismash e destabiliteti, këndonim këngën e Françeskut, krahas disa këngëve të tjera fort të arrira të kolegëve të tij, pavarësisht kushteve skëterrë të punës së tyre dhe të përditshmërisë së vetë Shqipërisë), dhe tashmë në epokën e tallavasë DarkoDimitrovase.

Por, sa për një digresion të vockël nga tema themelore e shkrimit, nuk do shumë mend të vërehet se si ndërkaq, për mediat shqiptare në shumicë absolute, përveç një strishe të imët, thuajse të padallueshme, aty poshtë titrave kryesore në kanalet tonë pafund të lajmeve (fundja, dikush andej “na jugu”, pati thënë dikur edhe se “na kërcejëm edhe me lajme”), do të shkruhet për ca sekonda për shuarjen e këtij ylli të muzikës sonë të lehtë.

Më pas, si të flitet, grihet sallatë dhe të molloiset pandalur për çështjet ditore politike tonat, do vijojë masivisht edhe “l’immensa rottura di coglioni”, (çarja madhore e K-së) lidhur me zgjedhjen Predsednik Srbije të Aleksandar Vuçiçit!!!!!

So what? – do theshnin miqtë tanë amerikanë.

Dhe ç’na u prish gjiza, përse do të duhej ta vinim ujin në zjarr apo ta çanim kokën për këtë ngjarje?

Mënjanë faktit se thuajse gjysma e kombit shqiptar, shqiptarët dhe Republika e Kosovës, akoma, me pahir, vijon të nevojitet ta rrokanisin rregullisht kokën sipas tekave ditore të zotit Vuçiç sa qe kryeministër, dhe aq më tepër tani që do të mbulojë funksionin e presidentit të Serbisë, sidoqoftë ndërkaq, shteti shqiptar me Serbinë nuk ka asnjë kufi tokësor, asnjë kontakt madhor njerëzor, asnjë konflikt apo çështje tokësore të hapur, nuk shquhemi për ndonjë shkëmbim tregtar të theksuar me Serbinë (zyrtarisht së paku), Serbia nuk na kushtëzon dot me gjë ende (varet në të ardhmen, nëse BE-ja bën marrëzinë ta antarësojë Serbinë para nesh ndërkohë!!), asnjë arsye për këtë “ngrehje” të pakufishme mediatike lidhur me zgjedhjet presidenciale serbe.

Të them të drejtën, nuk më është dukur se iu pat kushtuar kaq shumë mbulim dhe vëmendje as zgjedhjeve (ku e ku më të rëndësishme dhe jetike për botën dhe vetë shqiptarët) presidenciale amerikane pak muaj më parë.

Nuk kishte as reportazhe “in loco” (në vend) me “direktan prenos” (lidhje të drejtpërdrejtë) nga Serbia, as mbulim besnik të fushatës së Vuçiçit nga mediat shqiptare, as intervista me të dhe “njohës të rrethanave politike” përkatës serbë (shkurt, dikur i kemi pas thënë thjesht “analistë”, po tani TV-të tona kanë vendosur t’i bien nga Kina dhe ta stërzgjasin gjithçka).

Për zgjedhjen e presidentit Trump në konkurrencë drejt votës së fundit me rivalen demokrate Hillari Klinton, mediave tona u dilnin lajmet e gatshme nga rrjetet e mëdhaja mediatike ndërkombëtare (të përkthyera tmerrësisht dobët, me një nivel shqipeje prej analfabetësh funksionalë), thatë dhe cekët, sipas traditës së tyre më të mirë të të qenët krejt në periferi të zhvillimeve botërore.

Kurse për zgjedhjet presidenciale në Serbi, veçanërisht për zotin Vuçiç, vëmendja mediatike shqiptare, mund të pohohet pa frikë se është e krahasueshme edhe me mbulimin mediatik që i kushtohet vetë fushatave elektorale në Shqipëri, me gjithë “tam-tamet”, “tamburet” dhe “kasnecët” tipikë televizivë shqiptarë, partizanë e ithtarë të thekur të secilës palë në politikën shqiptare.

Të gjykoje nga çfarë të shihnin sytë këto ditë në mediat tona, të dukej dhe pandehte i ngrati njeri, se Aleksandar Vuçiç papritmas e papandehur kishte marrë pasaportë e nënshtetësi shqiptare dhe po garonte për t’u bërë president i Shqipërisë për t’i trashëguar postin të urtit Bujar Nishani.

Aq i pranishëm ishte Vuçiç në mediat tona, saqë sa herë ndizej televizori, dukej sikur të thoshte “Šta radiš?”, ose “Prijatno” tek të shihte ty telespektatorin shqiptar, që po mbllaçitje gjellën për drekë. (“Si jeni?” dhe “Ju bëftë mirë”, përkthehen dy shprehjet e mësipërme).

Thënë kjo ndërkohë që jo pak serbë të Kosovës, ata që, për shembull, do të duhej të qenë normalisht vërtet të interesuar për fushatën elektorale dhe zgjedhjen e mundshme të këtij njeriu në krye të shtetit serb, dhe që gëzonin të drejtën për të votuar për të, megjithëse jetojnë në një shtet të pavarur, shpesh këto ditë sipas shumë burimeve, të pyetur lidhur me Vuçiçin dhe zgjedhjet presidenciale në Serbi, përgjigjeshin: “Šta mi je briga mene, ja ovdje živim, na Kosovu”. (Ç’më intereson mua, unë këtu jetoj, në Kosovë”).

Për ta mbyllur pra, është një mbulim mediatik që jo rrallë të sillte ndërmend ato dokumentarët e zbërdhulur triumfalistë të AQSHF-së moniste të viteve 40-ë të shekullit të shkuar, ku himnizohej druzhe Tito dhe popujt heroikë të Jugosllavisë motër të RPSH-së enveriste.

E padyshim, që vëmendja mediatike do të vijojë të fokusohet tanimë që u zgjodh ky tipi në krye të Serbisë, edhe te e ardhmja e tij dhe shtetit të vet, te karizma e tij e supozuar, te sa herë në ditë krihet apo sa kafe ditore gjerb Vuçiçi. Ndërkohë që Françesk Radit do i kushtojnë ca rreshta të thata, si zakonisht.