| E hene, 20.03.2017, 07:29 PM |
Xhevahir Cirongu
Çapitet xhelozia
Ashtu si moçali me ujë të ndotur
Çapitet i gjori xheloz çorape grisur,
Mendimet pa bosht i lëshon në ajër
Dhe fjalët si gunga në mur i rrinë varur.
Më kot mundohet të fajsojë të tjerët
Tek sytë i lexohet qartë xhelozia,
I lodhur çapitet në kopshtin me gjemba
Në kullën e shpirtit i është fikur drita.
Nga dehja i janë mbyllur shtigjet e gjitha
As vet se kishte menduar ç’po ndodhte,
Sa edhe parmakët e drunjta të shkallëve
Nga xhelozia kockat e trupit i qenë thyerë.
Veç dimër i çapitet nëpër syt e tij
Dhe lulet e shpirtit në vazo tharë,
Xhelozët dinë të thonë vetëm një fjalë
Edhe të mirët iu duken si të marrë.
Si algat në pellgje me ujë të ndotur
Kopjaci e xhelozi me to aty noton,
Dhe shpifjet e fjalëve i zgjat pa fund
Si hunda e kërmillit kur ecën në bar.
Kështu qënka e thënë në këtë botë
Gjithë xhelozët çapiten humnerës
Edhe mburrjen e quajnë fat!