| E marte, 14.03.2017, 08:05 PM |
Me
dashuri për shqipen nga Suedia e largët...
Nga Entela Binjaku
Ullmari është një mik i gjuhës sonë dhe i shumë shqiptarëve. Kërshëria për të ditur më shumë rreth dashurisë së tij për gjuhën tonë, shërbeu dhe si nxitje për këtë intervistë.
I Dashur z. Qvick. Ju falënderoj shumë që pranuat këtë intervistë. Ju jam shumë mirënjohëse dhe ju falënderoj për kohën dhe mirësinë tuaj!
1. Si u lidhët me gjuhën shqipe? Kur e dëgjuat për herë të parë, a kujtoni si ju është dukur dhe a patët ndonjëherë mendimin të hiqnit dorë prej saj?
Ullmar Qvick: “Lidhja me gjuhën shqipe u krijua përmes dëgjimit të radios shqiptare. E dëgjova që në rini, në fund të viteve 1940, nga Radio-Tirana mora revistën “Radio Programi”, kështu që si gjuha e folur edhe gjuha e shkruar u bënë të njohura për mua. Mendova se kjo gjuhë ka ngjashmëri me rumanishten.... Seriozisht fillova ta mësoj në vitin 1969, me zell, vullnet dhe pasion!
2. A e ndanit me miqtë tuaj faktin se ju njihnit dhe një gjuhë tjetër, shqipen? Nëse po, cilat kanë qenë reagimet e tyre?
Ullmar Qvick: “Ullmari qenka një tip i veçantë, ai merret me shumë gjëra pa mend dhe pa vend, por ndoshta do të përfitojë gjë më në fund.....
3. Kur e keni vizituar Shqipërinë për herë të parë dhe cila është
përshtypja që keni prej asaj vizite?
Ullmar Qvick: Kuptova se pamja e Shqipërisë si shtet ishte
shumë e kufizuar për vizitorët e huaj. Me kontaktet në të gjitha qarqet,
komuniste dhe antikomuniste, fitova një ide personal për realitetin shqiptar. Miqësia me Shqipërinë në atë kohë ishte vetëm
pjesërisht e bazuar në sinqeritet, luanim teater. Përshtypjet reale: Një shtet
nën shtypjen e një sistemi të pamëshirshëm, ku sundoi frika dhe mosbesimi,
internimet, torturat, pra mungesa e të drejtave të njeriut. Prapë edhe disa
faktorë pozitivë: shkollimi, shërbimi shëndetsor, një farë sigurie shoqërore sipas
mundësive të kufizuara ishin në dukje.
4. Si mendoni ju a është e vështirë shqipja dhe ku qëndron vështirësia
për ata që nuk janë shqiptarë?
- Ullmar Qvick: Shqipja është një gjuhë e
vështirë, sigurisht për ne gjuhët jo-indoeuropeane janë më të vështira (afër
nesh finlandishtja shumë më e vështirë) . Foljet paraqesin vështirësi të veçantë.
5. Cili është mendimi juaj për : “një gjuhë, një
kulturë”?
- Ullmar Qvick: Besoj se ky është mendim i gabuar. Gjuha
angleze, si ajo franceze, spanjolle etj.,
me përhapje në shumë pjesë të botës, karakterizohet nga lidhjet me shumë
kultura!
6. Sipas mendimit tuaj, a ka “delikatesë linguistike”shqipja? Shpesh ne shqiptarët mendojmë se “gjuha shqipe është e ashpër, se nuk të jep mundësinë të jesh më i butë” etj. Si mendoni ju?
- Ullmar Qvick: Në disa drejtime nuk është plotësisht e zhvilluar sipas nevojave të kohës, nga ana tjetër në shumë drejtime të tjera dallohet për një pasuri të çuditshme. Kjo është në dukje sidomos kur marrim parasysh sinonimet e përdorura në viset e ndryshme të territorit gjuhësor shqiptar.
7. Një tjetër mendim që ndajnë njerëzit herë pas here është: ” shqipja është e varfër, shumë prej shprehive nuk i gjejmë, se e kemi më lehtë të themi një mendim në një gjuhë tjetër etj”. Po ju si mendoni “a është e vogël shqipja”?
- Ullmar Qvick: Kam dhënë përgjigje të pyetjeve 6-7 bashkarisht.
7. Cilat ndër shprehjet që njihni ju kanë pëlqyer më shumë dhe cilat kanë qenë për ju më të vështirat për t’u mësuar?
- Ullmar Qvick: Më kanë pëlqyer shprehjet “Duro zemër, duro, si mali e duron borën”, “Me gisht në gojë” dhe “të çmallemi”. Ndoshta vetëm shqiptari çmallet nga pikëpamja gjuhësore në tërë botën?! Shprehjet më të vështira? Folja “dal” bashkohet me shumë fraza, me kuptime ndër më të ndryshmet, edhe disa folje të tjera kanë një mori kuptimesh! Ky fakt më jep shumë kokëçarje në përkthim!
8. Cili është mendimi juaj për etnografinë e të folurit në trevat shqiptare dhe si mendoni se është ruajtur gjuha shqipe në ato treva?
- Ullmar Qvick: Sot bota është objekt ndikimi nga shumë risi gjuhësore, të lidhura me ndryshimet teknike, ekonomike dhe politike. Nëse flasim thjesht për trevat shqiptare, besoj se gjuha ruhet mjaft mirë, mirëpo në trevat e shkëputura nga trungu shqiptar jo. Shqipja zhduket në Sanxhak, dhe e ardhmja e shqipes ndër arbëresheve të Italisë është e pasigurt. Dallimi i madh midis dialekteve paraqet vështirësi të shumta: Fëmijet arbëreshë, a duhet të fillojnë shkollimin me dialektin e fshatit, si prodhohen atëherë mjetet mësimore? A do të mësojne gjuhën e njësuar, sigurisht me rëndësi, kur duhet ta fillojnë, si do të kryhet mësimi praktikisht?
9. Sa ndikon sipas jush mjedisi në modelimin e gjuhës dhe çfarë duhet të bëjmë ne shqiptarët kur 38% e popullsisë sonë ka emigruar që të ruajmë këtë gjuhë që na e kanë trashëguar?
Ullmar Qvick: - Vetëm një pjesë e vogël nga fëmijët e mërgimtarëve do të ruajnë gjuhën amtare. Po e them me përvojë nga mërgimtarët e botës, si suedezët e mërguar në SHBA para 100 vitesh. Vetëm me vizita të shpeshta në atdheun e prindëve këta fëmijë do të ruajnë gjuhën e tyre.
10. Çfarë ka ndodhur me gjuhën tonë nga viti në vit dhe cilat janë sipas jush sfidat që i kanë dalë përballë?
Ullmar Qvick: - Problemi i madh është përvetësimi i dobët i gjuhës së njësuar në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Njerëzit në këto treva nuk janë të frymëzuar nga gjuha e njësuar. Sipas mendimit tim gjuha e njësuar duhet të reformohet, kur baza e gjuhës është toskërishtja ndërsa shumica e shqiptarëve flasin një dialekt geg. Paskajorja duhet të bëhet element i domosdoshëm i gjuhës kombëtare shqipe; paskajorja është element përbërës në gati të gjitha gjuhët evropiane! Kjo mungesë është varfëri e madhe gjuhësore! Gjuha e njësuar sipas vendimeve të vitit 1972 është shumë me vlerë, të mos prishet, por afrimi me dialektet gege është i domosdoshëm.
11. Si mendoni ju deri kur gjuha shqipe duhet të jetë pjesë
e programit mësimor?
Ullmar Qvick: Një mësim për të
siguruar përvetësimin e normave letrare, rregullat e drejtëshrimit dhe të
gramatikës duhet të jetë me rëndësi të madhe, ky mësim duhet të marrë kujdesin
dhe vëmendjen e gjithë shoqërisë.
12. Cila është për ju bashkësia e albanologëve sot?
Ullmar Qvick: - Pyetje pa përgjigje!
Unë jam amator, nuk jam i lidhur me qarqet akademike, nuk marrin parasysh
praktikisht aftësine time sepse nuk kam grada shkencore!
13. Cila është jeta juaj, një ditë juaja kaluar me familjen?
Ullmar Qvick: Një pjesë të madhe të
ditës e kaloj në vetmi, gruaja është në shitoren e saj dhe vajza jonë ka
veprimtari tjetër. Po merrem me përkthime të ndryshme, disa me karakter
praktik, disa me karakter letrar. Mirëpo, gëzimi më i madh në jetën time sot
është veprimtaria ime për stervitje gjuhësore të suedishtes, me refugjatë nga
bota, të cilët kanë marrë strehim në Suedi. Kam një grup të rinjsh dhe të
rejash për bashkëpunim, kërkesat janë të shumta dhe mirënjohja e njerëzve të përfshirë
në aktivitetet tona është shpërblim i madh!
14. A keni ndonjë shkrimtar të preferuar, ndonjë pjesë të
preferuar në shqip?
Ullmar Qvick: Në prozë Ismail
Kadare, në poezi Fatos Arapi.
15. Çfarë do të dëshironit t’u përcillnit lexuesve shqiptarë
që ju ndjekin dhe vlerësojnë?
Ullmar Qvick: Besoj se libri im për
shqiptarët në shekullin XX-të “Më shumë heroizma se sa grurë” është me vlerë,
edhe ka marrë vlerësime shumë pozitive si në Shqipëri dhe në Kosovë etj. dhe do
të dëshiroja se shqiptarët do të marrin mësime nga përshkrimet objektive nga ana
ime. Jam shumë mirënjohës se si
mjaft shqiptarë kanë përkrahur këtë projekt nga ana ime. Në lidhje me poezinë
kam filluar të botoj në Facebook poezinë shqipe të përkthyer suedisht nga
Antologjia e vitit 2013. Besoj se interesimi im për kulturën shqipe bëhet
ndihmesë për vlerësimin e kulturës shqipe jo vetëm ndër të huajt: Kur
shqiptarët marrin vesh se si Ullmari në Suedinë e largët është i mbushur me
pasion për gjuhën dhe kulturën shqipe, në shpirin dhe zemrën e tyre rritet
krenaria, rritet vullneti i tyre për të ruajtur dhe për të zhvilluar këtë gjuhë
dhe këtë kulturë në jetën e përditshme! Nëse
kam ngulitur në trurin e tyre bindjen se sa e vlefshme është gjuha e tyre, sa e
pasur kultura shqipe, atëherë kam kryer misionin tim!
Ju falënderoj për këtë iniciativë dhe për pyetje me vlerë! Ju faleminderit”!
Ju faleminderit ju!