Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pierre-Pandeli Simsia: Kisha e Shën Thomait, Berat

| E shtune, 04.03.2017, 12:00 PM |


Disa kujtime nga KISHA E SHËN THOMAIT, BERAT

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Kishë e shenjtë,

Ndërtuar mbi shkëmb,

Vetë shenjti aty ku qendroi,

Shenjtërinë e tij kish' lënë në atë vend...

Kisha e Shën Thomait ndodhet në fund të lagjes Gorricë, Berat, në rrugën nacionale Berat - Përmet, ose, siç njihet nga banorët, rruga e Drobonikut.

Sepse, pikërisht në vendin ku ndodhet Kisha e Shën Thomait rrëzë Malit të Gorricës të gjelbëruar me pisha, ndahen edhe dy rrugët: Njëra rrugë, e poshtmja, të çon në Bilçë dhe tjetra, sipër, të çon në Drobonik.

Kisha e Shën Thomait, Berat, është e ndërtuar në Shekullin e 18-të, për t'u shkatëruar, vjedhur, ashtu siç u shkatërruan të gjitha kultet e tjera fetare në vitin e "çmendur" 1967, ku Shqipëria u shpall shtet ateist dhe, për t'u riparuar përsëri pas vitit 1990.

Pas vitit 1967, ajo Kishë, krejtësisht e boshatisur brenda, vetëm murret, tavani dhe dyshemeja i kishin mbetur, u përdor edhe si sallë mbledhje e Frontit, Këshillit të lagjes, duke u shoqëruar edhe me minikoncerte, për t'u shndëruar pastaj në depo të Muzeut, ashtu si edhe Kisha tjetër e Shën Spiridhonit që ndodhet në qendër të lagjes Gorricë.

Shtëpitë e moçme të lagjeve muze karakteristike të Beratit, Gorricë, Mangalem, Kala ishin nën mirëmbajtjen e Muzeut të qytetit, ku, ndërtimi, riparimi i tyre bëhej vetëm nga muzeu duke ruajtur të fasadën e jashtëme të shtëpive.

Pikërisht, ato dy kisha të shenjta u shndëruan në depo, magazina për "strehimin" e lëndëve të ndryshme të ndërtimit.

Vargjet e mësipërme që kam shkruar dhe që vazhdojnë me vargje të tjera në formë vjershe, i kam shkruar në mesin e viteve 80-të, pas një ngjarjeje që ndodhi në qytetin tonë, në Berat me Kishën e Shën Thomait.

Që kur ishim të vegjël, fëmijë, kishim mësuar nga më të mëdhenjtë se, në një nga shkëmbinjtë ku edhe është ngritur muri i jashtëm i Kishës, buzë rrugës nacionale janë tre forma të çuditshme, madje shikohen dhe dallohen edhe sot e kësaj dite: një formë shishe, një formë kupë gjuri dhe një formë shputë këmbe që, sipas gojëdhënës, janë gjurmët që ka lënë Shenjti Thoma... Prandaj, pikërisht në atë vend u ndërtua edhe Kisha e Shën Thomait.

Qytetarët, kryesisht banorët e lagjes Gorricë, në shëtitjet e tyre të përnatshme nga Udha e Shën Thomait, ose nga Kumsalla siç njihet nga banorët e vjetër, përveç kryqit që bënin me dorë, ndalonin dhe shikonin tre format e çuditshme.

Përveç kësaj, Kisha e Shën Thomait ka edhe misteret, mrekullitë e saja që banorët e Beratit gjenin shpresën e ndihmës.

Pasi hyn në portën kryesore të Kishës, të shfaqet avllia, obori i gjelbëruar me bimë, lule të ndryshme dhe në krahun e djathtë të saj, gjelbërimi i përhershëm i pishave ku është e ngritur edhe këmbanorja.

Në hyrjen kryesore të Kishës, nga ana e djathtë, rrëzë shkëmbit, është një si shpellë e vogël e thellë.

Ajo shpellë e vogël mban misterin e saj; njihej si vendi më i shenjtë i Kishës, sepse ishte edhe vendi i ndezjes së qirinjve.

Mbaj mend që, jo vetëm banorë të shumtë të moshave të ndryshme ndiznin qirinj në atë vend, por më të preferuarit ishin edhe nxënësit e shkollave, veçanërisht para ndonjë provimi të vështirë.

Fama e atij vendi të shenjtë i kishte kaluar kufijtë e Beratit. Më kujtohet, disa të rinj në ato vite , që na u prezantuan të ardhur nga Fieri, në besimin tonë dhe me shpresën e madhe që kishin ardhur për ndihmë, na kërkuan se ku ndodhej pikërisht vendi i ndezjes së qirinjve në Kishën e Shën Thomait...

Në mesin e viteve 80-të, duhet të ketë qenë viti 1987 ose 1988, Kinostudioja Shqipëria e Re, siç njihej në atë kohë Qendra e vetme e Kombëtare e Kinematografisë Shqiptare, realizuesit e një filmi, kishin menduar që një pjesë e atij filmi të ri të zhvillohej në Berat dhe, kryesisht në Kishën e Shën Thomait. (Berati është zgjedhur disa herë si vend në realizimin e filmave të ndryshëm)

Ajo që ndodhi me Kishën e Shën Thomait me realizuesit e filmit, indinjoi jo pak banorët e hershëm beratas.

Për të dalë filmi sa më origjinal, organizatorët kishin menduar që ajo kishë e boshatisur, duhet të digjej edhe ato skëlete që i kishin mbetur.

Disa kamera të Kinostudios ishin vendosur jo vetëm në Lagjen Gorricë pranë Kishës, por edhe në pjesën tjetër të qytetit, në bulevardin kryesor ku ndodhet busti i të ndriturit Babë Dudë Karbunara nga ku Kisha duket përballë në vijë të drejtë.

Qytetarë të shumtë beratas, kuriozë, si çdo herë kur realizoheshin filma të ndryshëm, ishin grumbulluar dhe prisnin realizimin e radhës.

Muzgu sapo kishte filluar të binte mbi Berat, kur, nga organizatorët e filmit u dëgjua: Gati, gati...

Të gjithë prisnim me padurim se ç'do të ndodhte.

Por... çfarë ndodhi! Ajo që nuk pritej! Papritur, Kisha e Shenjtë u përfshi nga flakët e mëdha të zjarrit; dritaret, dyshemeja, tavani i kishës, drurët që kërcisnin nga zjarri i madh, dukej se po rrënkonin dhe, bashkë me atë rrënkim, po ndjenin dhimbje edhe zemrat e qytetarëve të ndryshëm.

Si të komanduar, qytetarët panë dhimbshëm në sy njëri tjetrin; nuk folën, në heshtje tundën kokat majtas djathtas, si shenjë mallkimi dhe si për të thënë: Edhe këtë e bëtë?!

Mes heshtjes që kishte kapluar, papritur u dëgjua një zë i fuqishëm: "Moooosssss! Moooos! Ç'patët me Kishën, edhe ajo u mbeti pa u djegur?!

Ishte zëri i qytetarit të nderuar beratas Llazar Frashlliu që, bashkë me dhimbjen e madhe që po ndjente, me sy të përlotur fliste.

Disa bashkqytetarë, moshatarë të tij: Lika Shyti, Gaqi Angjeliu, Zoi Samarxhiu, Vasil Prendi, Ndini Tavanxhiu, Llazar Oço, Lili Karabina, Koli Kolani, Gaqi Samarxhiu, Nani Cylaku, Lluka Naska, Koço Mishaxhii, Angjellar Tavanxhiu, .. iu afruan në heshtje si të ndanin dhimbjen bashkë me të.

Llazar Frashlliu, me dhimbje në zemër, me sy të përlotur vazhdonte të fliste: "Ju po e digjni, por, keni për ta parë, nësër ajo Kishë do jetë prap e ndërtuar, ashtu siç ka qenë..."

Të rinjtë aty pranë, disi të habitur nga ato fjalë të pabesueshme që dëgjuan, ditën tjetër prisnin me padurim të shikonin Kishën ashtu siç kishte thënë Llazari.

Por, jo vetëm të nesërmen, por edhe në ditët, vitet në vazhdim, Kisha e Shenjtë e Shën Thomait, mbeti ashtu e djegur, e gjymtuar, e skëletosur me vetëm murret e gurtë të nxirrë nga tymi dhe flaka.

Kisha vërtet u dogj, por, ajo mbeti e ngritur, e ndërtuar në mendjet dhe zemrat e qytetarëve besimtarë beratas, për t'u rindërtuar me dëshirë, me vullnet, me ndihmën e madhe të pakursyer të vetë qytetarëve berates.