| E diele, 19.02.2017, 01:23 PM |
DEFINIMI I UNIVERSIT NËPËRMJET FJALËVE
(Engjëll I. Berisha, Mosha e fjalëve, Amanda Edit, Bukuresht 2017)
Nga Daniel Marian
Akordimi i ambientit me ekspresionin e tij të paskajshëm, në rezonancë me brendinë e zotëruar nga dëshira për mirëkuptim, është provokimi më i madh që i ka dhënë gjithmonë nxitje artistit. Përndryshe, askund thellësia nuk është më afër lartësimit se sa mveshja e fjalëve të zgjuara në përditshmërinë tonë drejt brigjeve të befasive permanente, si një mister i koncentruar i poezisë. E them këtë me krejt bindjen, dhe me siguri, edhe me rezikun për të qenë i përsëritur, por çdo herë duke patur shansin për të prurë argumente të reja.
Gjatë një analize të aplikuar, duke vajtur gjurmave të një vetëdijësimi të kujdeshëm, poeti Engjëll I. Berisha, vendoset aktivisht në perimetrin e definuar për të qenë mjeshtër i fjalëve të eksploruara të multidimensionales, për të cilën ka dhënë kontributin e vet të veçantë. „Mosha e fjalëve” del në dritë nën shenjën e introspekcionit dhe ekstraspekcionit, duke qenë rezultati i një inspiracioni adekuat, i transponuar me luciditet, dhe në të njëjtën kohë duke qenë fin në kuadrin e një realizimi poetik të jashtëzakonshëm.
Vëllimi është i strukturuar me elegancë mbi një platformë kategorike me harmoni dhe sensibilitet, duke filluar me „Udhën e tamblit”: „Ata që tregojnë/ Për viset e imagjinatës/ Me sytë e tyre asgjë më shumë s’kanë parë/ Se sa mendja ime këtu më poshtë// Më këmbë s’mund të zbres sonte/ Deri te udhëkryqi i sheshit/ Udhën e tamblit/ Ja ku po e bëj në këtë fletë letre/ Si dikur Galileu”). Është një pozicion singular, i shpjeguar dhe justifikuar në kundërshtim me të vërtetën e ashtuquajtur, unanimisht të pranuar, ngase poeti kalon tejmatanë konvencionales, duke i mbetur besnik percepcionit të tij të zgjedhura, që vijnë nga një kapacitet i pakontestueshëm dhe (ri)konstruktiv.
Mbi një platformë identike, të kuptueshme dhe të implikuar, gjejmë „Stoli” të një rëndësie të mirëfilltë: „Një det pa fund në trupin tim/ Me baticë nxori/ Myshk e rrënjë dhe një safir/ Një amforë porcelani// Në dhomën e librave/ Si eksponate unikate stoli/ U varguan fjalë a objekte/ U zgjuan/ Kohët që prapsojnë/ Ëndërr ishte/ Apo e shkuar// I ruajti deti i harruar”. Këtu imagjinata e poetit është mahnitëse, e përshkuar me mjeshtëri artistike nëpërmjet filtrit personal. Lidhja me botën përforcohet fuqimisht, për dallim nga ajo që po ngjet te shumë atutorë tjerë, atëherë kur kjo lidhje shpërndahet, degdiset, shkëputet.
Nëpërmjet një parabole të medituar, të përjetuar dhe të shprehur, arrijmë në shpjegimin e njërit nga paradokset të bukura që e shoqëron lidhjen tonë me botën në të cilën duam apo s’duam, i prodhojmë ëndërrat dhe përmbushjet, duke i anashkaluar deziluzionet. Kështusoj: „Posa zura nga birë e gardhit pamjen/ Dritaret i pashë të shtëpisë përlotur/ Shqip më lehu qeni me kërcënim/ Kufirit këndej dhe andej gardhi/ Midis trupit tim shtëpia/ Në hejben time testamenti/ Në brez shpata// Nata pesë shekuj zgjat” (Bisha besnike).
Implikimi i fatit, shpesh herë mund të realizohet, por duke i vetëdijësuar fort mirë ngjarjet, pa e harruar një shembull të mirëseardhur si ky: “Dhe Zoti tha, bëje paqen/ paqja me vetveten i çliron të tjerët/ kush e pa shpirtin e zi/ e nuk foli/ botën e ka parë me një sy// Kush ia pa këmbët gjarprit e nuk tregoi/ do ta mbajë në gji këtë ligësi/ siç i mban zemra e ngurtë veset e liga/ veset e liga e zemra e njeriut/ takohen një herë në ditë”. (Veset e liga).
Përndryshe, ja se si në një moment të caktuar, autori e koncepton në mënyrë të admirueshme “Ndërgjegjen”: „Nga Zoti frikohen paganët/ të tjerët janë frika vetë// Zoti i dashurisë nuk është letër nga pushteti/ pushteti, njeriu e ndërgjegjja/ nuk e di ku takohen.”. Engjëll I. Berisha është një poet i ekuilibrit, madje dhe atëherë kur vetë gravitacioni i hapësirave dhe kohërave, vetëproklamohet, por kjo nuk don të thotë se mund të jetë i mundur apo i pushtuar! Me rëndësi për ne është fakti se poeti shqiptar i pushton edhe zemrat e lexuesve të huaj.