Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Çumani: Dritëro Agolli - frymëzues epokal

| E shtune, 04.02.2017, 09:20 AM |


POETI DRITËRO AGOLLI ME AUTORIN ILIR ÇUMANI

DRITËRO AGOLLI, FRYMËZUES EPOKAL

I MEMORIES  TONË ?KOMBËTARE

-In Memoriam -

NGA ILIR ÇUMANI

Një lajm i kobshëm për mbarë kombin shqiptar erdhi si një rrufe me vetëtima në këtë dimër shumë të vështirë. Iku poeti e poetëve. U largua fizikisht i madhi i të mëdhejnve, një nga figurat më të shquara, më të ndritura dhe më të dashura për të gjithë bashkëkombasit  e Tij, këndej dhe andej kufirit.  U shkëput një meteor nga “galaktika”  e hapësirës mbarëshqiptare. Dritëro Agolli, ka qenë dhe mbetet një emër simbol, një mëndje e ndritur e iluminuar, një energji e pashtershme dhe burim i nevojshëm si drita dhe ajri që thithim. Ai është dëshmitar dhe protagonist i rëndësishëm i dy epokave të mëdha të historisë së Shqipërisë, poet, romancier, tregimtar, gazetar, publicist, skenarist, dramaturg, eseist, intelektual  dhe akademik, me  një formim dhe kulturë të gjerë erudite, një politikan i kualitetit të lartë,  patriot dhe atdhetar i shquar, një mëndje e ndritur e letërsisë dhe e kulturës tonë kombëtare. Iku poeti, por jo të gjithë e kanë fatin të ikin si Dritëroi. Ngase Ai la pas shumë dritë dhe vepra të mëdha, për të na kujtuar të gjithëve se ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë këtu, gjithmonë mes nesh, duke na ndriçuar njëlloj edhe kur ishte gjallë.  Lamtumirë poet i shekullit, liriku i tokës, Profet i Fjalës...!!! Ka raste të veçanta që  edhe vdekja e shkel “protokollin” e ritualit të saj. Në rastin Tënd, nuk  e pranon dhimbjen, as institucionin  e heshtjes, ngase Dritëro Agolli i përket edhe jetës, edhe përjetësisë.... Nga sot, çdo shqiptar, çdo fëmijë, çdo i ri edhe plak, çdo foshnjë që do të lind në tokën që poeti ynë i këndoi me kaq shumë gaz e dashuri, do të ketë në qënien e vet si trashëgimi një copëz nga dielli i artë i Dritëroit, sepse nga sot, Ai do të përjetësohet përgjithmonë si monumenti më i gjallë frymëzues dhe epokal i memories tonë kombëtare.

Të qoftë e lehtë balta naimiane që të ngazellëu dhe të frymëzoi kaq shumë... E jotja qoftë parajsa patriarku i mençur dhe i urtë e letërsisë shqipe!

Tiranë, 03.02.2017