Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Canameti: In memorium për mësuesin Hysni Xhetani

| E marte, 31.01.2017, 08:37 PM |


In memorium për mësuesin Hysni Xhetani

Jeta ka një fund, por kujtesa nuk mbaron

Nga Bajram CANAMETI

Këto ditë u nda nga jeta në moshën 83 vjeçare, mësuesi i talentuar dhe i përkushtuar Hysni Allaman Xhetani.

Ai lindi në fshatin Derjan të Matit, në një familje me kontribute të veçanta në veprimtarinë patriotike dhe shkollën shqipe.

Historia e familjes Xhetani duhet konceptuar si një udhëtim i gjatë, që në fillimet e Rilindjes Kombëtare, me emërmadhin Ahmet Xhetani, anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe komandant i forcave vullnetare për mbrojtjen e trojeve kombëtare dhe hapjen e shkollës shqipe në Derjan, Kalivaç e Llapush të Matit dhe në Gëziq të Mirditës, për të cilën u dënua nga Perandoria Turke, në vitin 1881.

Mbështetur në traditën e kësaj familje të madhe dhe arsimdashëse, djemtë e Xhetanit u bënë një armatë e dijes. Vetëm pas vitit 1945, nga ky fis numërojnë mbi tridhjetë mësues me arsim të lartë, njëmbëdhjetë inxhiniera të specialiteteve të ndryshme, tetë ekonomistë të lartë, shtatë oficerë me Akademi Ushtarake, pesë juristë, dy mjekë, tetë agronomë e profesione të tjera si gazetari, diplomaci etj.

Vlen për t’u përmendur një nga djemtë e Xhetanajve, Elton Petrit Xhetani, ish student me medalje të artë në Univesritetin e Oksfordit për Drejtësi dhe Ekonomi e më pas Dr. Shkencave Ekonomike në Universitetin e Uorgit-WWARWIC- Angli, sot profesor në Universitet.

Megjithëse gjashtë mësues nga ky fis janë pezulluar e hequr nga puna për arsye politike, përsëri kemi tridhjetë e dy dekorime, gjashtë Qytetarë Nderi e dy Martirë të Demokracisë.

Për aktivitetin në fushën e gjuhës shqipe dhe të arsimit, gjimnazi i Derjanit mban emrin e Ahmet Xhetanit dhe shkolla nëntëvjeçare Zenisht mban emrin e mësuesit Ali Xhetani.

Hysniu, i mbështetur në traditën e familjes, vazhdoi me sakrifica shkollën.

Pasi mbaroi filloren dhe shtatëvjeçaren në Derjan dhe Lis, vazhdoi gjimnazin në Tiranë dhe Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” Dega Biologji-Kimi. Ai ushtroi detyrën e mësuesit në Dejan, Rremull, Dukagjin e në fshtara të tjerë të Matit, me përkushtim të lartë në mësimdhënie, për të cilën është dekoruar nga Presidiumi i Kuvednit Popullor me medaljen “Naim Frashëri”.

Përkushtimi në dhënien e mësimit me pasion e profesionalizëm dhe komunikimi me nxënësit, prindërit dhe kolegët, bëri që të gëzojë respektin dhe nderimin e komunitetit ku punoi për dyzet vjet si mësues dhe drejtor shkolle.

Ai mbetet një emër i nderuar në armatën e mësuesve të Shqipërisë dhe i brezave që ai mësoi, nga dolën intelektualë e profesionistë të ndryshëm, që sot punojnë në sektorë të rëndësishëm të vendit.

Thuhet se koha shëron plagët, por vdekjen jo. Ajo është e ligjshme, po për Hysniun, familjen, fëmijët dhe të afërmit qe e parakohshme.

Do të kalojnë vite e dekada pa Hysniun, por ai do të mbetet midis nesh si njeri i mirë, si mësues i talentuar, si shok i ndershëm, si mik i dashur dhe i devotshëm.

Hysni Xhetani ishte dhe mbetet një gurë i çmuar në themelin e shkollës shqipe, i cili do të kujtohet e nderohet për jetë.