| E shtune, 28.01.2017, 10:09 AM |
DASHURIA SI VYRTYT HYNJOR DHE SHËPTIM
Shkruan Muharrem KURTI, shkrimtar
“ZOT I DASHURISË”, autor Engjëll I. Berisha, libër me poezi, botoi shtëpia botues ndërkombëtare “Bogdani” , Bruksel, 2016.
Po behën dekada, që autori Engjëll I. Berisha është prezent si krijues, sidomos me poezitë e tija interesante, me kolumnet e shquara të publicistikes dhe më prozë dhe monografi. Emri i tij, dallon në brezin e vet, se ka një qasje krejtësisht autoriale, si për nga tematika dhe forma e vargëzimit .
Në përmbledhjen më të re “Zoti i dashurisë”, Engjelli , ka prit do kohë, derisa e ka realizuar, por ka godit në shenjë duke na sjelle, një poezi të pjekur poetikisht dhe të rritur artistikisht, sa cilësore dhe përmbajtjesore.
Prandaj, tematika e krijimtarisë së Engjëllit, edhe në librin me të ri me poezi , në të cilën është e kaluara e jonë e ndritur si identitet, me disa kohë të zeza, nga pushtimet e gjata dhe barbare, sidomos me ato të errësirës aziatike dhe të aktualitetit tonë jo stabil.
Madje në tërë librin, autori, ka arrit të prezantoj, shqetësimet e mëdha të kombit tonë, here –herë apokaliptike, duke i dhënë theks të veçantë të tashmes së lëkundur ( gati në të gjitha poezitë ) të fituar me gjak dhe me shumë sakrifica, të brezave të shumtë, dominon klima e vitit të mbrapsht, kobësjellese tek ne. Herë –herë shfaqen do dridhje të forta, nga pro-ideologjitë antinjerëzore, antidashuri dhe antijetë. Thirrja që lëshon autori, është njerëzore, e cila buron nga dashuria hyjnore e Zotit shpëtimtar të njerëzimit.
Pra, për ta nxjerr në pah të ligën dhe të zezën obskurantiste, e të keqes sonë , hijen e saj djallëzore, vet diskriminim dhe vet fajësinë, autori poetizon vargje të shquara për dashurinë dhe figurat e shquara te identitetit tonë, që i kanë dhuruar dashuri njerëzimit .
Në qendër të të cilave është zoti i dashurisë, me dritën e mirësisë, të mirëkuptimit, përparimit si sinonime të së mirës.
Prandaj koha si definicion, në librin e Engjëllit, ka edhe dritë të dashurisë hyjnore, ka edhe dilema dhe vet fajësi. Po ashtu dhimbja me pranin e saj , në vargjet e autorit , është e vjetër dhe e re, ashtu siç i ka plagët vendi ynë, identiteti ynë , të kahershme dhe të freskëta.
Historia dhe aktualja , gërshetohen qëllimshëm në libër, për të na kujtuar, se shkrumbi i librave dhe i çative të vatrave tona , i lodrave të fëmijëve tanë dhe ikonave dhe kulteve , ende liron duhmë shkrumbi , në eshtrat e karbonizuar të sapo gjetura nën rrënoja të luftës së fundit shkatërrimtare , në rivarrimet e lirisë sonë plot plagë dhe viktima. Ceket kjo poetikisht, për të venë në pah përgjegjësinë tonë ndaj vetes dhe tonës.
Në librin “Zoti i dashurisë”, jeta e jonë e ka një shpëtimtar – dashurinë reciproke, që është pro tonës dhe për tonën. Engjëlli na thotë hapur, me vargje të fuqishme, se vetëm dashuria e mbron identitetin tonë të atakuar . Se vetëm dashuria , sidomos ajo hyjnore na nxjerr dhe shpëton nga errësira shekullore e urrejtjes dhe mjegullës , sepse ajo është dhurata më e mirë dhe më e mrekullueshme qe Zoti ia dhuroj njerëzimit.
Në një varg autori thotë: “Etja nuk shuhet me urrejtje”, faqe 13, poezia “Edhe ky dhjetor”.
Po le ti kthehemi dhimbjes që përvëlon, e cila si metaforë realizohet bukur dhe me fines: citoj vargjet: “Dhembja shtrydhte plagën shekullore/ rrudhave të ballit tim / shkruante dhimbja/ ku ta ruaj shekullin tim të vogël/ nënë lëkuren time fle frika/ lufta behët edhe për një fele nganjëherë” . Etj,
Shikuar në tërësi , si strukturë, libri “Zot i dashurisë” është vazhdimësi e poetikes së autorit. Është poetizim , herë si bashkëbisedim , herë si vet deklarim, apo si përkushtim ndaj disa personalitete të identiteti tonë letrar dhe human. Vargu i Engjëllit është i lirë, brenda të cilët flet mesazhi me zë revolte dhe të së mirës kundër të keqes .
Pra, është një poezi e pjekur nga mendimet e bardha dhe dashuria shpëtimtare , kundër urrejtjes dhe intolerancës . Poezia e librit “Zot i dashurisë’ është strukturuar në shtatë cikle me nga shtatë poezi, sikur donte të na thotë autori , se të shtatë ditët e krijimit të botës nga Zoti i shpëton vetëm dashuria e tij e dhuruar njerëzimit.
Libri ka një përmbajtje mbresëlënëse , që e karakterizon thirrja që të duhemi dhe që të mirëkuptohemi, derisa nuk është bërë vonë.
Autori Engjëll I. Berisha, që në hapat e parë të krijimtarisë së vet është prit mirë nga kritika letrare , që nga libri i parë dhe deri të ma i riu ”Zot i dashurisë”, i cili sapo ka dalë nga shtypi. Po ashtu , poezia e tij benë pjesë në antologjinë” Sprovë për antologji” me autor Ali Podrimën e madh, brenda të cilës janë përfshirë autor kryesisht të moshës së Engjëllit.
Rrugëtimi poetikë i krijimtarisë së Engjëllit ka pasur sukseset e veta edhe në përkthim. Poezia e tij është përkthyer në gjuhën angleze nga Peter Tase , në gjuhën rumune nga Baki Ymeri dhe në disa gjuhë të tjera . Autori ka vjelur edhe frytet e krijimtarisë së vet , duke u përfshi ne dy “Word Poetry Yearbook , 2013 , 2016. Në revistën indiane “Prospesia” dhe ka korrë edhe çmime ndërkombëtare .