Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rexhep Shahu: Bala, unë dhe ministri mashtrues

| E merkure, 18.01.2017, 09:00 PM |


AGRON BALA, UNË DHE MINISTRI MASHTRUES

NGA REXHEP SHAHU

Një ditë tetori 2013, kur fshesa socialiste kundër nëpunësve që nuk i donte ose që i shihte kundërshtarë politikë, (më e hekurt se fshesa greke dikur kundër emigrantëve shqiptarë) ishte në kulmin e saj, kur vazhdonte shoshitja e gjetja e armiqve, gjetja e miqve për ndërhyrje ose gjetja e miqve që merrnin lekun dhe dinin ku ta jepnin e të siguronin vendin e punës, pra kur ishte në kulm kjo masakër kundër nëpunësve, masakër e përsëritur në Shqipëri, Agron Bala më telefonon e më pyet, a je në punë. Po, i them, jam. Çfarë thuhet për ty? Nuk e di i them, e di partia.

Pas disa llogjeve që bëmë, më thotë në fund, më prit nesër nadje aty se du me ardhë.

Pse i them, çfarë ke këtu.

Më ka marrë malli për ftyrën tande, më tha dhe e mbylli telefonin.

Në mëngjes në orën 8 më gjeti në oborr të Ministrisë.

Hajde shkojmë në kafe, i them unë pasi u përshëndetëm.

Prit, thotë, nuk kam ardhë për kafe, do ta takoj ministrin Panariti.

Çfarë ke me të, i them.

Më ka marrë malli me ia pa fytyrën or malok

Rrudha supet.

Po hajde shkojmë te kafja se ministri vjen vonë i them unë.

Jo, do ta presim këtu te dera.

Po a mund ta di unë çfarë ke me Panaritin, o qytetar (kështu i thoja shpesh kur më thoshte malok).

Ta them pastaj o malok, kur ta takoj ministrin.

Dhe ashtu duke bërë muhabete me lidhje e palidhje qëndruam në oborr të Ministrisë së Bujqësisë më shumë se një orë.

E vija re, më vonë jam kujtuar, se herë pas here humbiste si në kujtime, sikur harrohej. Nuk e kishte atë të kuqen e zakonshme në fytyrën e tij por kishte marrë një ngjyrë më të zbehtë. Ishtë bërë më pak llafazan se sa ishte zakonisht me mua.

Teksa ecnim e qëndronim në oborr, u ndal makina e ministrit te dera kryesore e ministrisë. Duke zbritë ministri, sa u ngjit në shkallë, ne u afruam dhe rreth 20 hapa larg Agroni i thirri, Zoti Ministër, Zoti Ministër. Ai ktheu kokën dhe u ndal.

O Goniii, hajde Gon, dhe bëri gjest pranimi me dorë.

U afruam të dy. Ia dha dorën Agronit, ma dha dorën mua dhe filloi të më pyeste mua si jam e si ia kaloj etj etj.

Zoti ministër, a e njeh Rexhepin, e pyeti Agroni në fund, pasi u përshëndeten dhe u pyetën me njëri - tjetrin.

Si jo o Gon, e kam mik Rexhepin...

Agroni u hesht pak. Po unë për Rexhepin kam ardhë, me e mbajtë në punë. Është...

Pa merak Gon, e kam mik Rexhepin, e përsëriti ministri dhe vijoi:

Xhepo, eja më tako në zyrë, bisedojmë shtruar, pimë kafe qetë dhe rri pa merak, të kam parasysh vetë…

Nuk kishte më nevojë Agroni të dëgjonte tjetër gjë nga ai.

U ndamë me ministrin Panariti.

Po nga ta dha truri t'i thuash për mua Panaritit, iu hakërreva Agronit sa u ndamë me ministrin aty te shkallët, ku bënë seri edhe mjaft njerëz të tjerë.

Po ti je malok vërtetë, më tha. A je i sëmurë zotrote, më pyeti,

Jo, nuk jam i thashë me një farë zemërimi.

Po ti nuk e di çfarë do të thotë të jesh i sëmurë, ma ktheu por kjo fjali i doli si e qarë.

Pata siklet për ndërhyrjen e Gonit, por kjo fjalia e tij me sëmundje më ndali.

Si nuk e ditkam unë...

Nuk e di pra… dhe bëri të ikte.

Po kafe nuk do pimë, i them unë.

Shkuam në kafe, kafe të shpejtë para godinës së ministrisë.

Nuk po i delnin fjalë, nuk po rridhte biseda.

I thashë se jam mërzitë tetë vjet në ministri, edhe të më heqin nuk ka problem, më është mërzitë gjithçka, të njejtat fytyra 8 vjet, të njejtat pamje, të njejtat dyer, dritare, pllaka, të njejtat fjalë, gjysma e njezve nëpër ministri janë tepër gjithmonë se nuk bëjnë asgjë...

Po rroga të është mërzitë o malok... A din mor se je invalid, je i sëmurë...

Jo nuk e di, ma trego ti, ia ktheva me ton përsëri.

Iu mbushën sytë me lotë.

Çfarë ke Gon, i them.

Por ai nuk foli më.

U ngrit dhe e ndoqa pas.

Pak javë më pas më larguan nga puna. Panariti nuk më priti në takim asnjëherë, fshihej. Një ditë nëntori më kishin shkruar një letër dhe ma kishin lënë në tastierën e kompjuterit, letër në të cilën thuhej se në kuadër të ristrukturimit nga sot duhet të largoheni nga puna. Atë ditë ika për një orë. I shkrova një sms në telefon Panaritit dhe e falenderova pafund për miqësinë, mirësinë dhe humanizmin e tij.

Më vonë, pasi kisha çelë shtëpinë time botuese, shkova te kafja ku takoheshim me Gonin dhe i lashë aty ca libra që kisha botuar si "Shpërngulja e shqiptarëve", të akademikut serb Vaso Çubrilloviq, "Unë i kam shumë borxh Shqipërisë" të D'estournelles de Constant, Nobelist i Paqes, senator i Francës, ish sekretar i caktimit të kufijve në veri të Shqipërisë.

Më telefonoi me zë të butë, shumë të butë, i kishin ikur tonet e larta dhe më falenderoi etj.

Do bëjmë emisione për këto libra, e pyeta.

Do bëjmë or malok, e meriton që i ke botuar këto libra. Po ku je, pse nuk erdhe më, më pyeti.

Në ato momente që po flisnim në telefon isha në spital, por nuk ia thashë se ku jam.

Kam me ardhë o qytetar, i thashë, takohena te kafja. Takohena te kafja, ishte shprehje e jona dhe nënkuptonte që do shihemi, do diskutojmë…

Dhe në të vërtetë unë takohem shumë shpesh me Agron Balën.

Por i kam shumë detyrime, shumë.

Sepse mirënjohjen nuk ia kam dhënë, nuk ia kam artikuluar sa duhet sa ishte gjallë. Edhe unë si njeri që jam nuk nderoi e falenderoj dhe nuk i dua sa duhet të gjallët, por shtirem si njerzit se dua të vdekurit, pasi vdesin.