| E hene, 16.01.2017, 07:47 PM |
CIKEL
ME POEZI
NGA BAJRAM CANAMETI
UJËVARË DIELLI
RAMUSH HARADINAJ, YLL I LIRISË
Ramush Haradinaj, o yll i lirisë,
Dukagjinas me emër historik,
Hero i Kosovës, luftëtar i drejtësisë
Gen i ndritur me gjak fisnik
Ekzemplar i provuar i pafajësisë.
Ti shkamb i tokës iliro-dardane,
Shkamb stuhish, gurrë stralli,
Rritur në flakë tramondane,
Shkamb i thinjur, prush zjarri,
Ndaluar në Francën dritëmadhe.
Shkamb ku gdhendet pavdekësia,
O lavdimadhi i këtij dheu,
Në fytyrën tënde shkëlqen pafajësia,
Franca idealet e saj gënjeu,
Para heroit që i lexohet ndershmëria.
Franca e heronjëve, iluministe,
Franca e revolucioneve dhe dishepujve,
Mos u hap udhë shovinistëve,
Që shkelën popujt me zjarr dhe hekur.
Që vranë Kosovën mbi një shekull.
Ti Francë e Balzakut, e Rusoit,
Francë e De Golit dhe Hygoit,
Hapja derën ti heroit...
Kreshnikut madhështor,
Me trupin e përgjakur gjoksdiellor.
Ata që sajojnë gjyqe e pretenca,
Me akuzë të kriminelit të Ballkanit,
Ata që thurin kulisa dhe intriga,
Ndaj luftëtarëve të lirisë e të vatanit,
Janë të mundurit nga e drejta.
Pafajësia juaj, o heroi i lirisë
I djeg ata, i bën shkrumb dhe hi,
Me zjarrin e së drejtës e të vërtetësisë,
Ti je triumfator me pafajësinë në gji!
KOSOVE HYJNORE
Drita e shpirtit martir
Shpërthen në diell e hënë,
Ulet mbi ty, Kosovë hyjnore,
Të shënjtëroi tokën e qiellin tënd
Stolisur me heroizma përjetësie!
Me plagët e luftrave të thella sa deti
Çudite planetin me forcën e qendresës,
Ishujt e gjakut, që të shkaktoi serbi
Dhe loti, globit ia kaloi peshën
Detyroi botën, që të mos heshti!
Nga varret buron himni i të rënëve
I mijëra të zhdukurve pa varre,
O tokë hyjnore, gjëmim i lirisë,
Me eshtrat dhe gjakun e derdhur
Ngrite themelet e Pavarësisë.
Ti e munde kohën e rëndë tiranike,
Kosovë martire, Kosovë e zjarrtë,
Ti fitove mbi Serbinë vrastare
Atdhe i kafshuar, mbushur me plagë
Ti munde kohën e vdekjes pa varre
Pritja e gjatë u ndal. Mori fund!
Koha kthej udhën drejt dritës,
Fillimshekulli i 21-të u shkund,
Hisen e diellit i dha shqipes.
Europa lan borxhin, vetveten korrigjon
Kosova martire plagët mjekon!
U shemb muri i vjetër i harresës,
I popullit që vdiste e lindte për liri,
I dheut të përgjakur, i popullit mbijetesës,
I popullit që mbajti lirinë në gji.
Kosova Dardane, shkëmb i qendresës,
Kreshnikja mes stuhive me dritën në sy!
Toka Dardane, gjoksi i truallit tim
Vizatohet në hartën e re të botës,
Paçka se të verbërit mendjetym
Mbetur njëqind vjet pas kohës
Kafshojnë gjuhën plot helm
Me inatin ndërdhëmbë mbështjellë!
Tashmë s'mund të dënohesh në liri,
Me plane djallëzore të njerzve të sëmurë,
Botës i është shtuar një shtet i ri
Ajo po nderon edhe një Flamur,
Simbolin tënd që valvitet në qiell
Kosovë martire mbushur me diell!
Për hir të Paqes ti lëshove shumë,
Gjaku yt i pastër s'u derdh në Flamur,
Ai iu dha shpirtit për jetë e shërim.
Atë e mbajti toka për paqe e liri,
Vetëm shtizën ke nga eshtrat martire,
Sfondin e Flamurit mbush me mikro-etnishë,
Këtu rrjedh drita e demokracisë,
Të voglin mbështet me dorën e Perëndisë!
Në luftën për çlirim ti pate aleatë
Bllokun e Lirisë, të fuqishmen NATO
Ajo Rezoluta dymbëdhjetë dyzet e katër,
Eshtë një fjalë boshe, një kartë e djegur.
Paçka se djajtë krimin nbajnë në zemër.
Ti je shkëputur njëherë nga Serbia
Këtë e shikon qorri, e di dhe fëmija!
Ata, që akoma tundin këtë kartë
Janë hasmit e tu, mëkatarët e ngratë,
Janë miqtë e Sllobodanit që vdiq në Hagë,
Akuzuar për krime e shfarosje të njerëzisë,
Hitler i Ballkanit, vrasës i Lirisë!
Kosovë e përflakur me Himnin e Lirisë,
Amanetin e të rënëve kurrë mos harro,
Lirinë e fituar mbro dhe respekto,
Vetveten korigjo, pastro dhe reformo,
Drejt Perëndimit vrapo, fluturo!
Shtegto...fluturo o pjesë e trupit tim
Në sfidën e madhe që koha na thërret
O pjesë e kafshuar që sot u bëre shtet,
Sofra Europiane me mirënjohje po na pret!
Unë jam mes teje në çdo gëzim,
Unë jam pranë teje në çdo udhëtim,
Ti je gjaku dhe eshtra ime Kosovë,
Ti je nderi, që emrin ma lartëson,
Ti je shpirti, që jetën ma gjallëron
Ti je zemra, që gjakun ma pulson,
Ti je princesha e dhimbjes sime,
Plagët do shërohen, liria çel agime.
Ne jemi një, bijë të Lirisë
Kosovë Dardane, gjoksi i Shqipërisë!
MITROVICË,
MOJ SHPATULL E THYER!
Ah… kjo shpatull e thyer
në trupin tënd, Kosovë,
që dhunohet e përgjaket çdo ditë.
Legjendë Dardane…
Dhimbje, acar e ngricë
këtu në të moçmen Mitrovicë.
Aty sherri u la i ngritur…
Mbi lumin e Ibrit, lidhësja urë
Për habitë e njerëzimit bëhet mur!
Mitrovica përgjaket me dhimbjen mbërthyer
Kjo pjesë shqiptare, shpatull e thyer!
Kjo ngricë çdo ditë vret
provokon, shkatërron e djeg;
qytetin vdekja kërcënon
hasmi mbi trishtimin tënd vallëzon
e lashta Mitrovicë rënkon!
I lëshoj një zë botës,
Të ndezë semaforët e jetës
për Mitrovicën që rënkon.
Një klithmë për drejtësi
në këtë dimër të lashtë
Zëri i botës zgjon.
Tashmë nata po plaket
dhe pozicioni i yjeve tregon agimin,
vdekja me ty ka luajtur një shekull
hasmi ka mbjellë kafshimin.
Presim të zbardhë dita e palindur
dielli të shkrijë të egrën ngricë
moj shpatull e thyer Mitrovicë!
Mitrovicë më 26 qershor 2000
PRESHEVË, O KRAH I PRERË!
Jam një këmbanë që vi nga varret
të zgjoi shenjtorët që flejnë
mes botës që kallet.
Të ngrihen e të shikojnë
Preshevën me diell të uritur
nën qiell të përzhitur
me pranverë të grabitur
Preshevën e gjakosur
Me liri të prangosur!
Në këtë Luginë kam varret,
tokën, vatrën dhe zjarret,
bashkë me hirin, gjuhën dhe këngët.
Nën qiellin tim stërgjyshor
kam emrin tim shumëshekullor
së bashku me historinë mijravjeçare
lindur me legjendën shqiptare.
Kjo këmbë e prerë shqiptarie
binjak me gurin ka lindur
mijëra breza në këtë luginë ka rritur.
Lugina e Preshevës mes padrejtësisë
Mbetur peng në duart e Serbisë
në hije të syrit të Botës
në kërthizë të Europës!
…Këmbana lëshon thirrje kumbimi
Bota fle… para këtij trishtimi!
Presheva e Bujanovci
mes Lindjes e Perëndimit!
Prishtinë më 30 qershor 2000
PËRMENDORE SELITE
Kushtuar poetit, Gjokë Beci
Përulemi para jetës tuaj,
tempull drite.
Parajsa zbret nga qielli,
të përgëzon.
Ti Gjokë Beci, rrënjë e Arbërit,
Përmendore Selite,
Kurora dhe Munella dy male,
të ngjasojnë.
Shpirti juaj mbushur me diell,
shpërthen rrezet e dritës.
Bashkë me vargjet përkundet,
në djepin e këngëve të Mirditës.
Stolisur me ar
I bukur si bora e bjeshkëve,
Kristal-qelibar.
Këngët tuaja poetike,
ndër festivale.
Gëdhendur me lirikën magjepëse,
mbetën lapidare.
Në udhë telash çiftelie
pambarim,
Sa që dielli detyrohet të përshendes,
me nderim.
Mbi krah engjëjsh rryme drite,
fluturon shpirti jot.
stolisur me diell.
Bashkë me këngët tuaja poetike,
pranverë e lulëzuar
Vallëzon me yjet në qiell.
Ti ike... O mik i yjeve
në kopshtin e Parajsës.
Ali Podrimja të pret me mall.
Si dy ylber përallor përqafoheni
Si Drini i Zi, me Drinin e Bardhë.
PERËNDESHËS SË KËNGËS
Nderit të Kombit, Vaçe Zelës
Ti ike në parajsën e Qiellit,
o ujëvarë e Niagarës në shtegtim,
veshur hijshëm me rrezet e diellit,
Perëndesha e Këngës e Atdheut tim.
Shpirti yt larë me diell,
o Vaçe, moj kurorë e artë,
porsi një engjëll përmbi qiell,
mbushur me dritë e ndezur me flakë.
Bilbilat e thëllëzat po lotojnë,
Për ikonën e këngës shqiptare.
Yjet e qiellit lot pikojnë
Bashk’ me hënën e bukur lozonjare.
Ti ike dhe mbete përmendore e jetësisë,
O Vaçe Zela me zë të kristaltë...
Atje në duart e Zotit të Gjithësisë,
trego brohoritë e popullit të ngratë.
Që tingulli yt i lumturonte,
edhe se dhimbja ish e madhe,
kur kënga jote i ledhatonte,
atëherë kur diktatura mbillte varre!
Ti ike dhe mbete e shtrenjta stoli,
e i dhe Atdheut një thesar.
Në zemrën e popullit ke mbi,
Si trëndafil i rrall’ veshur në ar.
Si Paganini do mbetesh për ne, legjendare:
Violina e tij dhe zëri yt, binjakë Perëndie...
Edhe ti do kujtohesh për botën shqiptare,
Brohori pa mbarim, kurorë lavdie.
LEGJENDËS SË HUMORIT
Artistit të Popullit, Skënder Sollaku
Ti mbete majë mali,
veshur me gurë diamantesh.
Mbyllur me një qark ylberi,
galeri e pasur karakteresh,
stolisur me korniza ari.
Ti ishe dhe mbete mbret i humorit,
Që shkrinte ajsbergun e kohës gri,
Në kohët e rënda të terrorit,
i dhurove popullit gëzim në sy,
me lojën tënde të aktorit.
Ti i bëre të qeshnin të mjerët
Edhe kur ishin të pangrënë,
Me shpirti ndër dhëmbë.
Kur rrobet e tyre ishin zhelet,
bashkë me këmbët e zbathura,
E liritë u shkeleshin me këmbë.
Ti bëre të qeshnin të vuajturit,
Që ndodheshin në burgun e ferrit.
Për pak çaste i gëzove të mundurit,
që i ndau koha e Enverit,
në mallkues e të mallkuarit.
Ti bllokmenet i detyrove të heshtnin
edhe kur i thumoje me finesë nga pak.
Për çudi i bëre ata të qeshnin,
Paçka se turinjtë i kishin me gjak!