| E diele, 15.01.2017, 11:39 AM |
Stavri Risto
Mirmëngjes njeri!
1.
Më thoni një përrallë siç më tregonte nëna
Dhe buzëqeshjen e saj më ofroni tek më nanuriste,
Dhe unë në mes të acarit të dimrit
Do t’u dhuroj lulet dhe kopshtet më të bukura
Të pranverës së përrallave!
2.
Unë jam gënjeshtra!
Ti je premtimi!
Jemi pa fat,dhe ti e di përse..
Ndaj,
Hapi perdet e dhomës së mbyllur
Hidhi sytë lart,larg,përtej shatërvaneve,
A e shikon gjëkund heroin?!...
3.
Mos u mashtro nga sjellja e mirë e Bobit!
Lëri paratë!
Poshtë borselinove fshihen mendime çnjerzore!
Lypësi është më fisnik!
Në barrakat me llamarina ngrihen ëndrra rrënqethëse,
Me shumë yje
Me shumë diej!..
4.
Boll i zhgënjyem njerzit!
Turmat janë të rrezikshme kur nisin të lëvizin!
Ylli i spektaklit ku luajnë putanat
Mund t’ua ngatërroj marshimin drejt statujave...
Dhe ahere,mjerë ju!...