| E marte, 10.01.2017, 06:55 PM |
NDALIMI I HARADINAJT – AKT ME PASOJA POLITIKE
Nga Xhelal Zejneli
Ndalimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, i kryer në bazë të urdhërarrestit të Interpolit, është një akt i paarsyeshëm. Arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës ka dimension politik dhe pasoja politike. Lideri i AAK-së, z. Haradinaj, i njohur për qëndrimet e tij demokratike dhe properëndimore, në vitin 2004 la postin e kryeministrit për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare.
Më 29.11.2012, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, e liroi Ramush Haradinajn nga të gjitha akuzat, e shpalli të pafajshëm dhe e la të lirë.
Nga sa më sipër del se arrestimi i tij nga autoritetet franceze është akt, në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare.
Z. Haradinaj, qëkur është liruar nga Gjykata e Hagës, ka vizituar shumë vende të botës dhe askund nuk është ndaluar, përpos në Slloveni, me ç’rast u lirua sakaq.
Franca duhet ta dijë se në vitet 1998 dhe 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare. Serbia ndërkaq, që nga vitit 1912 deri në vitin e çlirimit më 1999, ka ndjekur në Kosovë politikë kolonialiste, duke ushtruar edhe gjenocid ndaj shqiptarëve. Serbia në Kosovë, në periudhën e viteve 1912-1999, ndoqi politikën e Ilia Garashaninit, të Vaso Çubrilloviqit dhe të Memorandumit të janarit të vitit 1986, të hartuar nga akademikët serbë, në krye me Dobrica Qosiqin.
Thelbi i kësaj politike ishte ekspansioni, pushtimi, hegjemonia, sundimi, dominimi, politika e forcës, represioni, shfrytëzimi, deri në dëbim, deportim dhe pastrim etnik, sipas elaboratit çubriloviqian.
Politika e sotme e Beogradit, e udhëhequr nga kryetari Tomislav Nikoliq, nga kryeministri Aleksandër Vuçiq dhe nga ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq, nuk ka kurrfarë dallimi nga ajo e karagjorgjeviqëve, e Nikolla Pashiqit dhe e S. Millosheviqit. Politika e sotme serbe, e ushqyer nga Kisha Ortodokse Serbe, është antiperëndimore dhe proruse. Serbia, kjo satelite politike e përhershme e Rusisë, vazhdon të jetë faktori kryesor i krizës në rajon dhe i destabilizimit të tij. Ajo është kriza vetë.
Arrestimi i z. Haradinajt rrezikon t’u japë fund bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit që zhvillohen në Bruksel.
Uashingtoni dhe Berlini duhet të ndërhyjnë te autoritetet franceze për lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj.
Franca e di fort mirë se lufta e Kosovës më 1998-99 nuk u zhvillua në Serbi por në Kosovë. UÇK-ja nuk luftoi në Serbi, por në Kosovë. Ishte Serbia me forcat e veta ushtarake, policore dhe paramilitare që kishte ardhur në Kosovë si pushtuese. Shqiptarët ndërkaq zhvilluan luftë çlirimtare kundër forcave serbe të sipërthëna.
Serbia ka qenë e përkëdhelura e Francës që nga viti 1914, pra që nga Lufta e Parë Botërore. Por, autoritetet franceze duhet ta dinë se dishepujt e sotëm të ideologjisë retrograde, anakronike, antidemokratike, antihistorike dhe të vjetruar serbe, nuk mund të ndjekin politikë të re.
Për lirimin e z. Haradinaj janë angazhuar autoritetet politike të Kosovës dhe të Shqipërisë. Për lirimin e tij u mbajtën protesta në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Evropë dhe në ShBA.
Arrestimi i tij nga Franca, e cila mori pjesë në çlirimin e Kosovës dhe e njohu pavarësinë e saj, është akt absurd.