Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Bob Dylan, poet i absurdit

| E enjte, 29.12.2016, 02:44 PM |


ARTISTI QË PREKU ZEMRAT E MILIONA ARTDASHËSVE

Bob Dylan, poet i absurdit

Poeti pohon:kërkova të vërtetën në sytë e njeriut, por goditja ndaj vetes vjen si revansh dhe sytë e njeriut janë bosh

Nga Ilir Muharremi

Jetojmë në një botë të politizuar/ Dashurisë s'i kanë lënë vend/ Jetojmë në kohën kur njerëzit bëjnë krime/ E krimet nuk kanë fytyrë/, poezia "Bota e politizuar"

Bob Dylan në këngën "Përpiqem të hyjë në Parajsë" kërkon ndihmën e Zotit dhe parajsën, nga kjo na del se nuk duhet gjykuar Zotin e madh në këtë botë. "Përpiqem të hyjë në parajsë para se të mbyllet dera", shkruan ai. Ai këtë e rrëfen nga klithma e krenarisë së ekstazës, dehjes dhe arti konteston realen. Vazhdon ta ngrejë zërin për barazi, të drejtat e njerëzve me ngjyrë dhe në këtë rast artisti kërkon ta denoncojë botën për padrejtësi, por kërkon të krijojë drejtësi totale të cilën ai vetë e krijon. Artisti e di mirë se për ta krijuar të bukurën duhet ta kontestojë realen, por në disa aspekte ta lartësojë. Ndonëse qëllimi i artit qe këtu. Mos të harrojmë se Dylani merr nga legjendat, figurat e moçme të perëndimit, përdor me mjeshtri figurat biblike, po ashtu edhe influencohet nga piktorët e mëdhenj. Për të folur për parimet poetike të Dylan-it, unë kam afër një poezi të plotë me trajtim të thellë që titullohet "Vdekja nuk është fund" Kur je i trishtuar e i shkretuar /Dhe miku s'të gjendet kund/ Sall mbaje mend, me vdekje gjë s'merr fund. Sipas feve, s'ka vdekje, vetëm fjetje, kapërcim në të përjetshmen e papërvojë. Në këtë pikë e kam të nevojshme të theksoj se vargjet ngulin inatin e ardhjes jo të kotë në këtë botë, porse e vërteta është vdekja e shpirtit para trupit, dhe këtë nuk e pranon Dylani. Pra, vdekja është e padobishme, ashtu siç është edhe Zoti, ndonëse asgjë nuk kërkojnë nga njeriu, veçse njeriu ngul shpresë të rreme. Vargjet ngacmojnë, por për nga domosdoshmëria psikike janë të përkohshme. Pra, shkalla e ngacmimit nuk ka ndonjë zgjatje të përjetshme kompozicionale, pas disa orësh, vargu lodhet, humbet, zmbrapset, realisht poezia nuk është më e gjatë se shpirti. Poezia mbetet poezi nëse nuk këndohet.

VDEKJA RRI PEZULL MBI FATIN TONË

Unë artin e Dylan-it në këtë rast e shoh vetëm si poetik. Poezia tjetër "Nuk është errësuar ende", është edhe këngë e Dylanit. Njeriu na del i kotë përballë vdekjes (pra kuptimi i jetës afër vdekjes), ai vazhdon duke thirrur vdekjen: "Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër". Vdekja rri pezull mbi fatin tonë, është e aftë të sterilizojë gjithçka, dhe kuptimi i saj se kur vjen dhe kur na merr me vete, as Dylani nuk mund të jetë i vëmendshëm. Mund t'i këndojmë kësaj parajse të paqartë. Në këtë shkallë apokalipsi bëhet vlerë (pra vargu), gjithçka këtu përzihet, humbja e humanizmit, shpresat e kota, vdekja, ndërgjegjja dhe fajësia e njeriut. (për shkak se ndjek fatin e tij dhunshëm në këtë botë të pamëshirshme.) Atëherë, ky univers i poezisë dhe këngës së Dylan-it, ka dalë jashtë orbitës nuk ekziston tjetër përpos botës së humnerave, dhe nuk rrokulliset bota, por njerëzit duke u kënaqur butësisht me krimet e tyre, dhe në fund mallkojnë krijuesin, ose vetveten. Vetë Dylani është i pamëshirshëm kur shkruan: "'Humanizmi më ka humbur thuajse, pas së bukurës gjithmonë fshihet dhembja". Njeriu e humb humanizmin, sepse ballafaqohet me njeriun dhe botën. Bukuritë e botës kanë përfunduar në humnerë, është skëterrë e gjallë. Kjo sepse sipas Schopenhauer-it udhëhiqet nga vullneti i verbër pa qëllime madhore. Atëherë, lumturia arrihet duke e nënçmuar vullnetin dhe anashkaluar vuajtjet. Derisa njeriu jeton vuajtja ka kuptim dhe e udhëheq. Ky është një pohim absurd, kontakti i njeriut me botën. Qenia duhet të vdesë, jemi dakord, dhe artistët e bëjnë të shkëlqejë para vdekjes. Por, sido që të jetë, të jetosh dhe të vdesësh, prapë asgjë nuk ndryshon, më e rëndësishmja është të vdesësh. E dimë që gjithçka lëviz dhe vërtitet kah hiçi, i poshtëruari mban krenarinë. Vetëm përmes muzikës shpirti arrin të jetë aq pranë fundit të madh (vdekjes), të kapë fundin sublim. Nganjëherë vetë ne njerëzit ndjemë, rrëqethemi nga kjo copë toke, kur dëgjojmë nota që mund të mos jenë të pazakonta, e që ngjajnë me engjëjt. Shkrirja e poezisë me muzikën kumbojnë të bukurën. Poezia na vjen si krijim i bukur ritmik. Muzika e afërt me shpirtin dhe vdekjen. Kam rrahur të gjithë lumenjtë dhe të gjithë detet/Preka edhe fundin e botës të mbushur me gënjeshtra/Madje nuk pashë asgjë as në sytë e njeriut/Barra tanimë është bërë e papërballueshme/Errësira nuk ka rënë ende por është në rrugë e sipër. Humbja e shpresës në këtë botë, kërkimi i humanizmit dhe gjetja e gënjeshtrës e intrigës kulmojnë në fund. Me ndjenjën e së bukurës (instinktit të pavdekshëm), e që është i rrënjosur brenda shpirtit, normal përmes artit ai i këndon pakënaqësive. Njeriu s'mund të jetë i vetvetes, sepse vetë Dylani pohon: kërkova të vërtetën në sytë e njeriut, por goditja ndaj vetes vjen si revansh dhe sytë e njeriut janë bosh, dhe nuk i mbetet gjë tjetër veç të presë vdekjen me shpresë që ajo të vonohet.

DYLANI ËSHTË NDIKUAR EDHE NGA ABSURDI I CAMUS-IT

Ditët e errëta edhe ato më shkëlqim, prapë koha i merr me vete. Më shumë Dylani nuk mund të flasë sesa eksperimenti jetë, realisht asgjë më shumë nuk është eksperimentuar se ajo çfarë është jetuar. Në fund të poezisë, Dylani i kthehet vetvetes. Tenton ta mënjanojë absurdin, dhe kthimi ndaj vetes pamundëson kuptimin e botës dhe në botën e jashtme bën pjesë gjithçka dhe vetë njeriu, kthimi ndaj vetes shpik reflektimin e saktë dhe kjo tingëllon kështu nga Dylani: "Unë kam lindur dhe do të vdes pa dëshirën time". Këtu fillon edhe jo-liria. Ku ka kufizim më të madh se mos pyetja ndaj ardhjes në jetë? Pyetja nga brenda nxjerr absurdin (kontaktin e njeriut me jetën). Dylani nuk vdes vullnetarisht, por vazhdon të shpresojë. Në momentin kur mendimi gjykon vetveten, zbulon një kontradiktë. Aristoteli e ka shpjeguar bukur këtë: "Pohimi i kundërt nuk lejon që ajo të jetë e vërtetë dhe ai që bënë një pohim të vërtetë, shqipton në të njëjtën kohë se ai është i vërtetë, dhe kështu me radhë deri në pafundësi". Është një rreth i mbyllur dhe mendja që gjykon vetveten humbet në shumë kthesa marramendëse, ndonëse Dylani është ndikuar edhe nga absurdi i Camus-it. "Nuk mbaj mend asgjë, unë erdha vetëm për tu larguar nga këtu", shënon Dylan. Këtu nuk kemi asnjë qëllim, absurdi qëndron ndërmjet jetës dhe shuarjes (eliminimit), por kuptimi pse isha në këtë botë, ndonëse a duhet të kërkohet? Dakord me mos kujtimin e jetës, sepse për çfarë mund të thotë Dylani "E njoh"? Vetëm e të prekurit botës shpërfaq njohjen, kjo është vetëm një skicë, kurse pjesa tjetër është spekulim. Vetë zemra e Dylanit përgjithmonë do të mbesë e panjohur për të, dhe a ka më absurd se ardhja dhe ikja e mosdija e vdekjes? A ka arsye të zemërohet Dylani? Natyrisht. Në vend që shkenca të na mësojë gjithçka, bëhet shumë hipotetike, qartësia metaforë, pasiguria nxjerr vargun dhe këngën si vepër arti. Vargu i parafundit: Nuk dëgjohen madje as pëshpërimat e lutësit/ Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër. Në shtratin e vdekjes, më as Zoti nuk interesohet për njeriun, Dylani klithi se në fund të gjithë jemi të bashkuar me vetveten sepse jemi përballë jetës sonë e cila nuk jep prova të sakta për vdekjen. Përballë vdekjes të gjitha ambiciet fillojnë të mjegullohen, jemi shpresues koti në këtë botë. Vetë bota nuk është e arsyeshme, kaq mund të thuhet për të, dhe vetë absurdi (poezitë e Dylanit), thërrasin për qartësi, thirrje e cila tingëllon në thellësinë e njeriut. Jetojmë në një botë të politizuar/ Dashurisë s'i kanë lënë vend/ Jetojmë në kohën kur njerëzit bëjnë krime/ E krimet nuk kanë fytyrë/. poezia "Bota e politizuar". Krimet udhëhiqen nga pasioni e shumë prej tyre nga logjika e kënga kërkon falje në emër të dashurisë. Vetë njerëzit do të vrasin gjithkënd për të arritur qëllimet, vrasja atëherë deklarohet si e arsyeshme. Në vargun e parë politika vrasësit i bënë gjyqtarë. Forca e dashurisë është shumë e radhë, vrasja merr pamjen e thyerjes së rendit. Krimet ndiqen nga ligji, mirëpo në kohën tonë janë bërë ligj. Jetojmë në një botë të politizuar/ Urtësinë e kanë hedhur në burg/ Kalbet në qeli, është joshëse posi ferri/ Duke mos lejuar askënd të kap asnjë gjurmë./ Është një përpjekje e të kuptuarit kohën tonë si një epokë e cila robëron, vret dhe nuk është e gjykuar. Fajësia na del e kuptuar edhe e pa kuptuar, kalbje në qeli, joshëse si ferri, tirania për famë që po rrënon qytete njerëz dhe skllavi i lidhur me zinxhirë për karrocën e fitimtarit, po defilon si fitimtarë, ndoshta për hir të kënaqësisë.