Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Pesha e mallit për vëndlindjen

| E marte, 27.12.2016, 03:24 PM |


PESHA E MALLIT PËR  VENDLINDJEN ....

(Zeqir Lushaj: ”Duhama e Valbonës”, poezi, 2016)

Nga Tahir Bezhani

Zeqir Lushaj, është njëri ndër poetët më karakteristikë të Tropojës, mbase i gjithë Malësisë së Gjakovës, i cili me stilin e  vetë të veçantë të vjershërimit, zgjoi interesimin e lexuesve anekënd vendit tonë, për t’u lexuar, por edhe për ta studiuar. Në të gjashtë  veprat e botuara në vitin 2016, posaçërisht në librat me poezi, lirizmi poetik i z. Lushaj, pothuaj se ka të njëjtën zjarrmi shpirtërore, thurur në stilin e njëjtë, ku  vërehet pesha e mallit për vendlindjen në çdo pore të jetës, që nga fëmijëria e deri në moshën e “pleqërisë”, ku frymëzimet e tij janë si një vullkan i mbushur me zjarrin poetik.

Kurbeti thelloi edhe më shumë mallin për vebndlidnjen dhe atdheun

Zeqir Lushaj, tani një krijues i dëshmuar në letrat shqipe, (në poezi e prozë), me kohë ka trasuar rrugën e tij krijuese, por, pjesa e tashme krijuese, nëse mund të thuhet kështu, i takon një kohe e cila lënë vragë të thella në shpirtin krijues të poetit, e ajo është periudha e kurbeti.

Në një kohë turbullirash që karakterizonin ndryshimet në Shqipëri, pa dëshirën e tij, Z. Lushaj merr  rrugën e kurbetit në vitet 90-ta të shekullit kaluar, dhe  vendqëndrimi  i tij ishte Amerika e largët fati i tij, i cili në shpirt barti gjithë peshën e mallit për vendlindjen, për Grinë e Tropojën në veçanti, për njerëzit e afërt, për malet e fushat, për përrenjtë e lumenjtë, për krojet e kambanat e ugiçët, për tufën e deleve, të cilave u këndoi me tërë fuqinë e shpirtit poetik.

Poeti e prozatori Zeqir Lushaj, librin “Duhama e Valbonës”, e fillon me poezinë “Selman Blini”, poezi veçanërisht karakteristike, sepse, me këtë poezi, që nga koha e Austrisë, gjyshi i tij e mban për mbiemër Blini, duke ua rrëfyer pushtetarëve austriakë në një rast të veçantë në vitin 1918, kohë kur pushtetet i ndërronin ose i detyronin t’i ndërronin edhe mbiemrat e familjeve etj.  Me një talent të rrallë, një tregim a ngjarje të vërtetë, z. Z. Lushaj, me elegancë e madhështi poetike e bënë poezi të fuqishme për kohën, poezi historike. Ja, një strofë e kësaj poezie të gjatë: ”...Berqaverës prej jush o burra/E di, ka mendoni për mirë ini/E pra, llagapin tim, shkrunje:-shkrunje....-Selman Blini...”.

Kjo strofë e kësaj poezie, jo vetëm që dëshmon forcën poetike të autorit, por dëshmon edhe ngjarjet historike të popullit tonë. Poezia “Blini” dhe vetë  historia e Blinit, është thesar, ku poeti gjënë gjithë materien frymëzuese të këtij libri. Historia e Blinit, ndiqet aq larg, sa vete trashëgimia e kësaj familje, aty, ku buka e kripa kanë qenë të shtruara përherë dhe oda e tyre e pambyllur plot 24 orë,  në pritje e përcjellje të rrugëtarëve të lodhur edhe nga Gjakova për në Shkodër. Poeti me dhimbje të madhe përshkruan plakjen e Blinit, por me përkushtim e krenari përmend axhën Qazim, i cili zëvendëson të vjetrin me të riun, dhe bujaria është e pa shkëputur, aty, te Blini i Grisë në Tropojë. Blini i Grisë, tani më është synonim dhe frymëzim i pashtershëm i krijuesit Z. Lushaj. Adil Fetahu, një krijues e mik i Lushajt, hollësisht ka bërë sqarimin e Blinit si gjenetik, ashtu që asaj qasje nuk kemi arsye t’i rrekemi më.

Duke u thelluar në faqet e këtij libri, lexuesi e ka vështirë të ndalet së menduari se “cila poezi është më e mira”, kur  nuk  ke mundësi përzgjedhjeje në një shpirt që përsiat në vazhdim më mllefin e tij, me dashurinë e tij për vendlindjen dhe trojet shqiptare në tërësi. Të gjitha dalin si një krismë poetike në vete, si një shumësi mendimesh. Në këtë  kuptim, mendoj se poezia “Nana...u nis vet”, është e pakalueshme, ngase ka një forcë poetike të pa parë, poezi që të ngërthen në vajë. Duke qenë në Amerikën e largët, malli përbrenda vetës, vetëm ajet e bëhet  gur bjeshke, ku pesha e tij është e padurueshme, me që ajo nënë është në moshën e vjetër, dhe “aludimi” se vështirë e takon më të gjallë, shpërthen në vargje shumë prekëse: ”Po, po/Erdhi Vdekja/Dhe u ndal në derë./Nuk vi në dimër/i tha nana,/vi në verë/Në verën me lule/Prap i trokiti/Ajo, Mortje-Pika,/Nuk vi edhe këtë muaj/-pres djalin nga Amerika./Erdhi djali /E përqafoj nana,/Heshti vdekja si acarit hana/Nana bani me gisht:-Qe po të kallëzoj: edhe një javë/ shpirtin ta dorëzoj/Të dielën mbas-dite/Nana ish ba gati..../Dhe.... u nis vet!...”.

Nuk mendoj se kjo poezi kaq brilante, me kaq  peshë malli  prej një gurbetqari të sakatosur nga malli, do koment!... E  lëmë për gjykim të lexuesit...

Kurbeti në letërsinë tonë është shumë i vjetër dhe shumë i pasur me këngë e balada nga më të ndryshmet, ku plagët shpirtërore mbeten të hapura deri në ditët e sotme. Kjo temë letrare, është e  mishëruar me folklor  ma herët e deri në ditët e sotme. Përherë e prekshme, e dhimbshme, por kohët e fundit, kjo plagë është dashur të jetë shumë më e vogël, ngase, shumë gjëra kanë lëvizur për interesin e kombit tonë. Pikërisht për këtë arsye, edhe është dashur që punët tona t’i rregullojmë vetë....

Duke qenë i mllefosur në këtë aspekt, poeti Zeqir Lushaj, në librin tjetër me poezi, ”Si në kurbet, bre vëlla”, në poezinë “Pluralizmi..., si lumenjtë”, shkruan: “Po, po/Pluralizmi,/Tamam si lumenjtë./Bajnë bërllogje/Turlifare/Dimër e verë/I përplasin djathtas e majtas/Kujt t’ia lanë në derë...?, dhe autori zbrazet i mllefosur për drejtuesit e padenjë: ”Nuk lodrohet kollaj,/Kali në cullak/As mes lumit vala?”

Një poezi,mendoj plot mesazh e cila e fuqizon forcën poetike të Zeqir Lushaj, si poet universal i gjithë karakterit njerëzor e shoqëror. Te poeti e krijuesi Z. Lushaj, dhimbja që shkakton kurbeti, nuk është vetëm një plagë personale, por ajo ka shtrirje në masën, pra, është plagë shoqërore. Kur poeti dhimbjen e të tjerëve e përjeton si të veten, atëherë kemi të bëjmë me  universin  poetik të krijuesit, gjegjësisht, me një krijues human, me porosi të qarta njerëzore.

Në poezinë “Detyrim shpirtëror”, në librin “Duhma e Valbonës”, poeti përshkruan azilantin e parë të viteve 60-ta të shek. kaluar, nga rrënjëza e Alpeve shqiptare, Bajram Rexha quhej, i cili kishte lënë në shtëpi motrën Rushe, e cila vuante skajshmërisht për vëllanë, dhe nga malli që e përvëlonte, pyeste udhëtarët që lëviznin nga Shkodra: “ Motra e Tij Rusha, një grua zonjë,/Na pyeste ne fëmijët shkollarë/kur vinim nga Shkodra a Tirana:/ -Bajram Rexhen-kush a ma ka pa?/Kurrë nuk e harroj at’motër fisnike/Paçka se shumë e varfër në jetë,/Fshinte lotët lotët me mafesin a bardhë:-një vëlla që pata, thash- hupa vet”. Vërtetë, një poezi shumë prekëse, bartë gjatë nga autori në shpirtin e tij, nga një kohë që nuk kishte guxuar ta botonte me siguri. Sa të barabarta kohët!...

Shkrepat, kroi dhe Valbona janë frymëmarrja e poetit...

Cekem më lartë se poeti tropojanë, z. Zeqir Lushaj, i ka kënduar çdo segmenti të jetës, ka frymuar malli poreve të çdo lisi, kroi e përroi, ka ndie flladin e Valbonës aq larg dhe ushtimën e saj. Në opusin poetik të tij, në një libër prej 177 faqesh siç është “Duhma e Valbonës”, është vështirë të bëhet një analizë për secilën poezi, ani se meritojnë, por ia vlen të përmendim dy nga ato ku Valbona është frymëmarrja e poetit.

Poezia “Medalja e artë”, një burim i pastër shpirtëror, si vetë Valbona, poeti shkruan: ”Jetoj me duhmën e Valbonës/Muzikën që u rrita e mora kamë/Dhimbjen e shton pesha e kurbetit/Qortoj veten: sa pak kam thanë/S’ia dija kimetin kur isha aty/(Njoha saktoska gjithçka)/Me Medalje të Artë e vlerësoj: Thanje:-Vendi i huaj të ha”. Ndërsa në “Mis “Tropoja”,poeti përshkruan gjitha vendet e bukura të Tropojës, vijën burimore të gjatë, ujin e ftoftë dhe natyrën e bukur që të dehë nga bukuria përrallore. Ja ca vargje:

“N’gurra t’bjeshkve/Mis Tropoja/N’rreth të Bardhë/Merr rrugë Valbona/Bajnë ushtimë/Lumenjt e prrojet/Djepi tyre/mbeten krojet/N’daç me i plasë/rrathtë e burisë/Mbush n’Dubravç/Te Blini i Grisë”... etj.

Marrë në tërësi, poeti Zeqir Lushaj, me veprat e prezantuara opinionit lexues, jo vetëm se zgjon kërshërinë prej një krijuesi të spikatur, por meriton që penat  profesionale të kritikës letrare, të ndriçojnë thellësisht vlerat e pakontestuara letrare të tij.  Sado që të shkruaja në këtë vështrim modest, prapë i mbetem borxh  thellësisë së vargut të këtij krijuesi.  Porosia (mesazhi) që na del nga këto poezi, kanë kohën dhe vlerën e përhershme të ndërgjegjes sonë kombëtare. Pra, kemi çfarë të lexojmë e mësojmë, sepse, një krijues tropojan, i lindur e rritur në gjirin e Alpeve Shqiptare, nuk ka si të mos jetë tradicional por edhe romantik nga thellësia e shpirtit, veshur me petkun e krenarisë  universale e kombëtare.  Pra, begatia e këtij libri, qëndron e jeton gjatë falë këtyre vlerave trashëguese që na i ka dhuruar autori, Zeqir Lushaj.