| E shtune, 24.12.2016, 08:07 AM |
Vullnet Mato
DASHURIA, MBRETËRESHA E BOTËS
Dashuria është vet perëndia,
ndonëse nuk e shohim me sy,
ekzistencën e shfaq te ndjesia,
brenda qenies tek çdo njeri;
Është gjaku, lindur prej gjakut,
të kuqëlojë gjer në përjetësi,
vajza dhe djali, në sup të plakut,
të çojnë stafetën në pafundësi;
Dashuria është fara e mbirjes,
në tokën pjellore, ku pjalmon.
Ajo është fokusimi i dritëhijes,
në sytë tanë pamjen qartëson;
Dashuria është fuqi graviteti,
mban Tokën pezull lart në qiell,
është uji që ngrihet nga deti,
të blerojnë gjethet nën diell;
Dashuria gjeneron energjinë,
në të gjithë lëvizjen jetësore,
shumëzon kudo veç mirësinë,
dhe shkatërron urrejtjen mizore;
Dashuria është shkreptimë,
mbi sytë e spikatur për bukuri,
shpirti që kërkon binjakëzim,
diku larg, tek një tjetër njeri;
Dashuria është grua e bukur
dhe burrë energjik, i pashëm.
Është eksplozion i strukur,
ndizet me fitil të ngadalshëm;
Dashuria i jep inercinë zemrës,
të trokojë me revan, pa pushuar,
mashkulli të vlojë në gjoks, femrën,
të bëhen trup e shpirt, të njësuar;
Dashuria është përkushtimi,
për fatkeqin njeri, të sëmurë,
është shpresa jonë dhe durimi,
për të mos vdekur kurrë;
Dashuria ka flatra të shpejta,
për të fluturuar, pa u ndalur,
udhëve të gjata, të përpjeta,
ku e pret njeriu i dashur;
Dashuria shpesh artikulon fjalë,
më të ëmbla se vet ëmbëlsia,
nga të gjitha lulet me nektar,
të deh me aroma, si magjia.
Dashuria e vërtetë nuk blihet,
as me florinjtë e bosëve të pasur,
por vlera e saj, as nuk shitet,
falet te personi më i dashur;
Dashuria në glob, është kryetruri,
njerëzimin në çdo skaj komandon.
Dashuria është Everest prej guri,
që edhe pas vdekjes mbijeton;
Dashuria i jep jetës sonë kuptimin,
në hapësirën e kohën, ku jetojmë,
është fryma, me oksigjen aspirimin,
që na ushqen qelizat të gjallojmë;
Dashuria është mbretëresh’e botës,
zgjojet e kontinenteve, ripopullon,
me krahë raketash e avionë të sotëm,
në lëndina galaktikash, lulnaja kërkon;
Pas mijëra shekujsh, heshtje qiellore,
në shtatë qiej kozmik, me koshere bosh,
krijesat e mjaltëzimit të dashurisë tokësore,
kosheren tonë vigane kanë mbushur plot...