| E premte, 16.12.2016, 10:45 PM |
Neo-Fashistët “ante portas”
Nga Elvi Sidheri
Në këto kohë kur aq shumë flitet edhe krejt pa vend, ose ekzagjerueshëm për të ashtuquajtura “kërcënime” të sigurisë kombëtare të Shqipërisë gjithësesi anëtare të aleancës më të armatosur të planetit, pra NATO-s dhe sa herë që fqinji jugor bën stërvitjet e veta të rradhës, qoftë edhe pranë kufijve shqiptarë, ndoshta edhe qëllimisht kapardisshëm sa për t’i treguar muskujt “aleatit” verior në NATO (neve), e kur në Tiranë nisin kujat jashtë kohës, realitetit dhe hapësirës, për “gjasme” kufijtë tanë të rrezikuar ? në ndërkohë, jo shumë larg kufirit shqiptar, në mes të Shkupit, “dhomat e gazit” për shqiptarët “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, ringjallen porsi të qenë fantazma asnjëherë të venitura nga mendjet e çartura dhe gojët e ndyra të mbështetësve sllavë të partisë më të madhe politike në IRJ Maqedoni.
Ky është realiteti i ditëve të fundit në kryeqytetin maqedonas, ku KSHZ-ja (Komisioni Shtetëror Zgjedhor) e këtij vendi, e gjendur nën rrethim konstant të mijëra mbështetësve të VMRO-së të sjellë me autobuzë nga të katër këndet e IRJM-së, rreket nën kërcënime pafund linçimesh e hakërrimesh nga më të egrat, të vlerësojë apo të hedhë poshtë ankimimet elektorale të Lëvizjes Besa apo LSDM-së opozitare.
Janë mijëra njerëz (gjykuar nga dialekti, kryesisht fshatarë trutharë gjysëm bullgarisht folës nga lindja e vendit) që kanë dalë, sipas tyre, për të mbrojtur të ashtuquajturën “fitore” të VMRO-së dhe liderit të tyre Gruevski, ndaj opozitës sllave të Zaevit, ndaj atij që me bindje të plotë e cilësojnë si “komplot gjithëbotëror” kundër Maqedonisë, popullit (inekzistent) maqedonas dhe maqedonizmës në përgjithësi, dhe veçanërisht (qershia mbi tortë që nuk mungon dot kurrë në “evenimente” të tilla shovinisto-fashiste) ndaj shqiptarëve terroristë me bisht.
Ja pra, në pak rreshta shpërfaqja e tërësishme dhe gjithëpërfshirëse e një mendësie dhe injorance pandemike raciste dhe fashistoide që jo edhe aq papritmas, u ngjall përsëri me tërë fuqinë shtytëse të padijes, analfabetizmit historik dhe identitar, sa edhe të urrejtjes mesjetare për këdo që mendon ndryshe, dhe domosdo që në veçanti ndaj Perëndimit (kundrejt dashurisë së pamasë ndaj gjyshit rus) dhe shqiptarëve padyshim.
Jo më larg se gjatës natës së mbrëmshme (15-16 dhjetorit) mes acarit të natës shkupiane, përballë KSHZ-së maqedonase, ambienti oshëtiu nga thirrjet për rimishërimin e “Natës së thikave të gjata” (atëherë kur Hitleri nisi heqjen qafe masive të kundërshtarëve brenda dhe jashtë partisë së vet, të shoqëruar më pas me Holokaustin ndaj hebrenjve dhe Luftën e Dytë Botërore), nga thirrjet edhe nga zyrtarë të VMRO-së kundër ambasadorit amerikan (kujtojmë që në 2001-in, humbjeve të rënda në terren nga UÇK-ja, ithtarët fashistoidë të VMRO-së, i përgjigjeshin me djegien e Mc-Donalds-it apo sulmin ndaj ambasadës amerikane në Shkup), dhe (të ndodhte ndryshe s’kish se si) nga brohorimat gjithëpopullore për “dhomat e gazit” për shqiptarët.
Nuk është se do të mungonin edhe urimet për “varrimin” e ardhshëm dhe mundësisht të shpejtë të udhëheqësit kryesor opozitar maqedonas, atij Zaevit që siguroi dhjetëra-mijëra vota shqiptarësh pikërisht për shkak të antagonizmit të tij ekstrem kundër Grujos dhe mbështetësve të tij barbaro-injorantë (gjë që të bën të mendosh se për shumëkënd ndër sllavët e IRJM-së, sidomos për “homo VMRO-istensis”, të qenët “barbar” ka mbetur një konstante e mendësisë, origjinës dhe sjelljes së tyre, ndaj shqiptarëve dhe jo vetëm).
Jemi mësuar në fakt tanimë me “dhomat e gazit” për shqiptarët, me ulërimat çjerrëse “smrt za shiptari” apo fyerjet, sharjet e çmos më tepër në këtë kontekst racist, fashist e shovinist.
Janë kërcënime e hakërrime që për një pjesë të popullatës sllave të IRJ Maqedonisë, përbën diçka si “bukë e djathë”, një dukuri e qëndrim tejet të zakonshëm.
Por, nëse zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së dalin sheshit në mes të Shkupit dhe i bashkohen këtyre thirrjeve e për më tepër, i shprehin ato haptas krejt të shpërfytyruar nga urretja antishqiptareedhe vetë, atëherë gjërat marrin një konotacion sa të papranueshëm, aq edhe të rrezikshëm.
Diçka që do të meritonte një përgjigje adekuate, së pari nga vetë përfaqësuesit politikë të vullnetit zgjedhor të shqiptarëve të IRJM-së, por gjithashtu edhe Ministria e Jashtme shqiptare e më gjerë.
Mjaft është toleruar në mënyrë krejt të pakuptueshme Gruevski në marrëzinë e tij të çartur shoviniste antishqiptare, në krahët e të cilës është kredhur fort prej dhjetë vitesh, jo vetëm duke mos marrë kurrë përgjigjen e duhur, por duke gëzuar njëkohësisht edhe kokultësinë e partnerëve jetëgjatë shqiptar në qeverisje e opozitë (BDI dhe PDSH), si dhe heshtjen mendjengushtësisht mirëdashëse të faktori shqiptar rajonal në emër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me këtë vend dhe stabilitetit në rajon.
Për Gruevskin nuk është gjë e vështirë që “kopesë” së tij 450 mijëshe (aq sa qenë votat e VMRO-së në këto zgjedhje) t’i prijë dhe ta vërë atë në lëvizje duke i treguar përralla me “fitore” të vjedhur e komplote konspiracioniste përmes të cilave mëtohet që “pasardhësve të Aleksandrit të Madh”, t’u vidhet e ardhmja dhe dominimi mbi IRJM falë “zgjedhës” nën të cilën këtë vend e ka dergjur prej kohësh regjimi i Grujos & CO me bekimin e hapur të Moskës.
Faktet për njerëz të tillë, që përfaqësojnë gjithësesi rreth ¼ e banorve të IRJ Maqedonisë, janë të kota, në mos të tepërta.
VMRO-ja, nëse ka fituar 51 deputetë, 50 apo më pak, sidoqoftë nuk qeveris dot në një parlament të ardhshëm me 120 deputetë.
Asnjë “fitore” nuk po i vidhet kësaj partie domethënë.
Humbja e Gruevskit dhe partisë së tij është aq madhore, saqë shpresat e vetme për qeveri të këtij njeriu, varen kryekëput pashmangshmërisht vetëm nga shqiptarët dhe katër partitë e tyre në parlament.
Për të arritur shumicën minimale prej 61 deputetësh, Grujos i nevojiten së paku dhjetë deputetë shqiptarë pra!
Të njëjtët shqiptarë që mbështetësit e tij do t’i vrasin në dhoma gazi, që do i therin, do i rrjepin të gjallë, të cilëve u urojnë hareshëm “smrt-in” (vdekjen) sipas nofkës përçmues “shiptari” që nuk lenë rast pa e përdorur plot ngazëllim fashistoid.
Të ketë ndonjë kontradiktë këtu vallë???
A nuk duket kjo situatë pakëz si e dalë direkt nga ndonjë teatër absurdi?!
Të themi të drejtën, PO.
Por çështja është se VMRO-ja, Grujo dhe mbështetësit e tij, përbëjnë pikërisht mishërimin e haluçinacionit jetësor dhe identitar në avujt drogues të të cilit gjallojnë gjithë këta njerëz, të mëdyshur mes të qenët sllavë apo maqedonas antikë sipas origjinës, mes të qenët ish bullgarë apo serbofilë në preferenca etnike, mes dashurisë për gjyshin rus dhe nevojës për t’u antarësuar në BE dhe NATO e shumëçkaje tjetër gjithaq.
Pika e vetme ku këta njerëz nuk kanë aspak dyshime, është veç urrejtja patologjike për shqiptarët në përgjithësi.
Këtë s’e luan topi.
Sepse fundja, një siguri duhet ta kishin, një pikë orientimi, një yll polar në qiellin e tyre të murrëtyer, të errët e krejt pa diell apo hënë identitare.
Por, nëse njëherë të vetme në jetë Gruevski do të tregohej i sinqertë, ithtarëve të tij racisto-fashistë, ky njeri do të duhej t’u tregonte haptas se “tatkovinën” (atdheun) maqedonase, ai paskësh për ta shpëtuar nga zyrtarizimi në nivel tërë-shtetëror i gjuhës shqipe, nga federalizimi faktik dhe buxhetor, nga shqiptarizimi i nëmur e çmos tjetër, pikërisht duke qenë i detyruar të bëjë koalicione të detyrueshme numrash (jo thjesht pragmatikë për shkak të dy-etnitetit shqiptaro-maqedonas të vendit) me shqiptarët!!
UPS!!! Si i bëhet pra?
Që domethënë se krye-vojvoda i nacionalizmit të maqedonizmës, praktikisht është i detyruar “sine qua non” që t’ua plotësojë shqiptarëve të mallkuar të gjithë kërkesat, cilatdo qofshin ato.
Gjuhën shqipe në nivel shtetëror dhe jo vetëm rajonal, të barabartë me maqedonishten, ndarjen e drejtë dhe të barabartë të buxhetit edhe për komunat me shumicë shqiptare, njërin nga postet kyçe në drejtimin e vendit (kryetarin e parlamentit, kryeministrin apo presidentin) e çfarëdoqoftë tjetër.
Nëse drejtuesit e partive shqiptare nuk do ta shisnin prapë dhe tradhëtonin vullnetin e qartë të votuesit shqiptar të kanalizuar kryesisht kundër Gruevskit dhe klikës së tij antishqiptare oligarkike filoruse (të vërtetuar me dobësimin e BDI-së aleate qeveritare jetëgjatë të VMRO-së dhe votat e shumta për LSDM-në sllave opozitare), atëherë politikanët shqiptarë tekstualisht Grujos mund t’i kërkojnë edhe t’i uli cazë poturet apo të këndojë gjer në çjerrje “Xhamadanin vija-vija” si kusht për bashkëpunim, dhe shovinisti i madh antishqiptar, do të jetë i detyruar të bëjë “di necessita virtu” (të pranojë me pahir) dhe t’u bindet jo vetëm kërkesave, por edhe tekave të shqiptarëve.
Nëse mbështetësit e tij fashistë do ta dëgjonin këtë të vërtetë të pakëndshme për ta, atëherë padyshim do të ligështoheshin e do të iknin me bisht ndër shalë në shtëpi, por Grujo dhe të tijët, vijojnë të jetojnë përherë sipas motos “Të dhjerë, por krenarë”.