| E enjte, 15.12.2016, 07:24 PM |
SHOQATA E SHKRIMTARËVE TË SERBISË – LABORATOR I PROPAGANDËS ANTISHQIPTARE
Shkruan: Adil FETAHU
Propaganda, si term dhe nocion e ka bazën religjioze, të cilën e ka përhapur kisha: “Congregatio de propaganda fide” (Kongregacioni për përhapjen e besimit-fesë). Në kontekst të luftës, së cilës zakonisht i paraprinë propaganda, serbët nga përvoja e tyre, e kanë një thënie: “Prvo dolaze popovi, pa topovi, pa lopovi” (të parët vijnë popat (priftërinjtë), pastaj topat, pastaj hajnat-plaçkitësit). Këtë varg, në një këngë të vetën një kohë e këndonte një këngëtari (serb) nga Vojvodina (Gjorgje Ballasheviq), ndërsa unë në komentet e mia të shumta, të botuara në B=92 dhe në mediat tjera serbe, e kam cituar disa herë, në kontekst të caktuar.
Propaganda politike e luftarake, ka kuptimin e ndikimit në opinionin publik, për të pranuar e përkrahë deri në konsensus ide, mendime, sjellje dhe veprime të caktuara të pushtetit e të përfaqësuesve. Përhapja e propagandës zhvillohet përmes formave adekuate të organizimit shoqëror: parti politike, pushteti, kisha, organizata të ndryshme profesionale e joqeveritare. Mjetet e zhvilluara të teknikës bashkëkohore: shtypi me fotografi, televizioni, radio, interneti, filmi, kanë bërë të mundur përhapjen e shpejtë e të gjërë të propagandës dhe instrumentalizimin e masës, duke u shërbyer me shtrembërimin dhe keqpërdorimin e fakteve, miteve dhe historisë, për të bërë ndikim e për të krijuar konsensus nacional.
Në përhapjen e propagandaës në Serbi, një rol të veçantë kanë pasur (dhe kanë) elitat intelektuale: shkencore, kulturore, fetare. Në mesin e këtyre elitave, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, me selinë e saj të njohur si “Francuska 7” në Beograd, ka luajtur rolin e zëdhënësit të propagandës destruktive pas demonstratave në Kosovë të vitit 1981, e tutje. Nën ndikimin e “babait të kombit” serb, Dobrica Qosiqit, ajo Shoqatë, si dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe, në koordinim me partitë dhe grupacionet e ndryshme ultranacionaliste, duke keqpërdorë mitet dhe historinë nacionale serbe, stigmatizuan Shqiptarët, Kroatët dhe Myslimanët si armiqë të përbetuar të kombit serb, arsyetuan dhunën, luftën dhe krimet kundër “armikut”.
Elita e shkrimtarëve të Serbisë, të tubuar në Shoqatën e tyre, u bë zëdhënëse e propagandës politike-lufënxitëse e shtetit të Serbisë, duke krijuar një model të veçantë të diskursit, të gjuhës së urrejtjes, të glorifikimit të miteve e të historisë nacionale, nga njëra anë, dhe urrejtjes e akuzës kundër armiqëve të stigmatizuar, nga ana tjetër. Kështu, shkrimtarët serbë e keqpërdorën statusin e “ndërgjegjës së kombit”, për t’u shëndërruar në etër (baballarë) të kombit, me në krye D.Qosiqin.
Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, si një organizatë parapolitike e paramilitare e regjimit, takimet e veta të rregullta e të jashtëzakonshme gjoja letrare, i shndërronte në takime protestuese, ku shkruheshin peticione e pamflete, ftoheshin serbët dhe malazezët e Kosovës për të organizuar tubime protestuese, mitingje, për të simuluar shpërngulje kolektive, për të shkuar në Beograd për t’iu ankuar organeve republikane dhe atyre federative për “presionin e padurueshëm nga shqiptarët”. Gënjeshtrat që thuheshin aty, në Shoqatën e Shkrimtarëve, i botonte shtypi ditor dhe ai revial, i transmetonte radio e televizioni, i botonin edhe revistat profesionale “Knjizevne novine”, “Praxis” “Glas crkve” etj. Gazeta “Politika” kishte një rubrikë të përhershme “Odjeci i reagovanja” (jehonat dhe reagimet), në të cilën botoheshin pothuajse çdo ditë broçkullat e propagandas së shkrimtarëve, sociologëve e filozofëve të Serbisë, mbi “gjendjen e padurueshme” të serbëve e malazezëve në Kosovë.
Në karrocën e propagandës urrejtëse kundër shqiptarëve, por edhe kundër Kroatëve dhe Myslimanëve, ishin ngjitur forume dhe organizma të ndryshme: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, Kisha Otodokse Serbe, Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë, Shoqata e Sociologëve të Serbisë, Shoqata e Filozofëve të Serbisë, Universiteti i Lirë, Këshilli për Mendimin e Lirë, shtëpitë botuese: “Srpska knjizevna zadruga”, “Praxis”, “Politika” , e të mos flasim për “Ilustrovana politika”, “Duga”, etj. Të gjitha në mënyrë të koordinuar orkestronin propagandë antishqiptare, antikroate e antimyslimane, me të cilën e përgatitën opinionin për luftërat e përgjakshmë që ndodhën pastaj, prej vitit 1991-1999.
Një shkrimtar serb, Mirko Kovaç, në librin e tij: “Elita gora od rulje” (Elita më e keqe se hajnat,banditët), botuar 2009, analizon angazhimin e shkrimtarëve në kohën e luftës dhe, ndër të tjera shkruan: “Luftërat e përgjakshme (1992-1999), si asnjëherë më parë u përgatitën nga elita intelektuale, shkrimtarët dhe klerikët nacionalistë”.
Marrëdhëniet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës me atë të Serbisë
Pas vdekjes së J.B. Titos (1980), pas demonstratave në Kosovë (1981), pas publikimit të Memorandumit të AShAS (1986), dhe veçmas në kohën e fillimit të ndryshimeve të kushtetutës federative dhe asaj republikane (të Serbisë) dhe të Kosovës (1988-89), marrëdhëniet serbo-shqiptare u acaruan në të gjitha sferat dhe në të gjitha nivelet. Kjo atmosferë e acarimit u manifestua edhe në marrëdhëniet midis Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe asaj të Serbisë, por edhe midis shkrimtarëve shqiptarë me shkrimtarët serbë, brëndapërbrënda Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Shkrimtarët serbë e malazezë në Shoqatën e Kosovës ishin “kali i Trojës” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë. Në një takim të Shoqatës së Shkrimtarëave të Kosovës me ata të Serbisë, me temën bosht: “Serbët dhe Shqiptarët në Jugosllavi sot”, që u mbajt në Beograd (më 26 e 27 prill 1988), e që ishte takimi i fundit i përbashkët midis këtyre dy shoqatave, shkrimtarët serbë e malazezë nga Kosova ishin ftuar dhe kishin shkuar atje veçmas nga Shoqata e Kosovës. Në atë takim, ku kishte edhe shumë mysafirë e gazetarë të huaj, Ibrahim Rugova kishte paraqitur një referat (“Strategjia negative”), në të cilin kishte elaboruar strategjinë e përpunuar antishqiptare që zhillonte propaganda serbe. Ja një pjesë e atij referati: “Fatkeqësisht, sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita-ditës. Kjo do të thotë se për Kosovën nuk ka më kuptim njerëzor, ndaj ka rënë në shkallën më të ulët të mundshme (…). Nëse vetëm pak më kujdesshëm e shohim këtë sistem të etiketave, do të kuptojmë se kemi të bëjmë me një çështje krejtësisht të njëjtë, me një strategji antishqitpare, së cilës tash e shtatë vjet po i prinë një pjesë e shtypit të Beogradit, pastaj një pjesë e institucioneve kulturore e shkencore dhe asociacione të tjera. (…) Thënë më qartë, e tërë kjo strategji e ka fillin në strategjinë e përpunuar antishqiptare nga ana e borgjezisë serbe nga fundi i shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtijshekulli, e cila si e tillë për të gjithë ne është e njohur.(…) Kjo do të thotë se këtu kemi të bëjmë me ngjalljen e logjikës udbashe të veteve ’50 dhe ’60 ndaj Shqiptarëve.(…) Ajo stategji ka për qëllim që shqiptarët t’i bëjë të gjunjëzohen përpara masave të reja, që elementi shqiptar të zvogëlohet, të bëhet i durueshëm, dhe simbolik”.
Për referatin e Ibrahim Rugovës, të paraqitur në atë takim, akademik Rexhep Qosja, që është një kundërshtar i zjarrtë i Rugovës, në “Ditarin” e tij, në librin e kujtimeve, thotë se Ibrahim Rugova në atë takim paraqiti një referat që ishte më i mirë së që kam pritë unë, dhe se ç’ kanë pritur shkrimtarët e Kosovës.
Duke treguar përshtypjet e tij nga ai takim, akademik Qosja që me fjalën e tij në atë takim shkaktoi reagim të vrazhdë të shkrimtarëve serbë, thotë se megjithëse kryesuesi i tubimit, Aleksandar Popov, kryetar i ShShS e kishte kufizuar diskutimin (fjalimin) në 15 minuta, unë sapo e mora fjalën i thash se “do t’i them para jush të gjitha ato që kam menduar se është e nevojshme t’i them, kurse ju, besoj, nuk do të jeni pa kurreshtje që të më degjoni. Kryesuesi, heshti dhe nuk e kundërshtoi përgjigjen time. Unë i hoqa 4 faqe nga referati im, që më dukeshin më pak ndikuese. Kur fillova ta lexoj pjesën e referatit për Konferencën e Bujanit, dëgjuesit reaguan: uuu! Kur e lexoja pjesën për ardhjen e popave në Pejë, dëgjoj reagimin e dytë më të gjatë: uuuuuu! Kur e lexoja pjesën për shpërnguljën e serbëve e malazezëve, si pasoje e moszhvillimit të Kosovës dhe e mospajtimit për barazi me shqiptarët, e jo pasojë e ndonjë trysnie, e dëgjoj reagimin e tretë, që zgjatë sa dy reagimet e para:uuuuuuuu! Kur e lexoja pjesën për privilegjet e jashtëzakonshme që po u krijohen serbëve e malazezëve në Kosovë, dhe padrejtësitë e mëdha që po u bëhen shqiptarëve, reagimet: uuu… , zgjasin dhe zërat ngritën jashtëzakonisht shumë. Kryesuesi Popov i qorton reaguesit dhe kërkon heshtje. E vazhdoj fjalën, duke pritur goditje në kokë me ndonjë gjë prej dëgjuesve (…)”, thotë profesor Qosja.
Në përfundim të ditës së dytë të atij takimi, ishte konkluduar që të vazhdohet biseda serbo-shqiptare, në takimin tjetër që do të mbahej në Shkup, në muajin maj, por që ai takim, dhe asnjë tjetër nuk u mbajt më, ngase S.Millosheviqi në një telefonatë që u kishte bërë udhëheqësve të Kosovës, u kishte thënë: “Dosta tih pljuvotina” (mjaft më me ato pështyrje, jargitje). Për vete, akademik Qosja thotë, se Sinan Hasani kishte kërkuar nga shkrimtarët tjerë shqiptarë që të distancohen nga Qosja dhe fjalimi i tij nacionalist.
Pas atij takimi, shkrimtarët serbë e malazezë të Kosovës (27 sish), në tetor 1988, kishin dhënë dorëheqje kolektive nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, me shpresë se kështu do të shuhet aktiviteti dhe Shoqata, por hesapi nuk iu doli ashtu, ngase Shoqata e Kosovës u bë edhe më aktive, sikurse edhe Shoqata e Serbisë që vazhdoi propagandën e saj me intensitet të shtuar kundër shqiptarëve, me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, duke shpifur dhe etiketuar me epitetet më të vrazhda e të ndyta.
* * *
Duke mos qenë i informuar për anulimin e takimit të caktuar që të mbahej midis shkrimtarëve shqiptarë e serbë, shkrimtari Rexhep Hoxha, në pritje të takimit të radhës, kishte përgatitur një diskutim të tij, të cilin nuk pati rastin ta lexonte, dhe me sa di as nuk është botuar ndokun. Prandaj, e quaj me interes për lexuesit, që ai referat të bëhet publik, për të parë se çfarë kishte shkruar asokohe profesori e shkrimtari Rexhep Hoxha. Në vazhdim mund ta lexoni tekstin e plotë të atij referati, të pandryshuar, të titulluar “Diçka rreth Millan Komneniqit me shokë”:
“DIÇKA RRETH MILLAN KOMNENIQIT ME SHOKË
Lajmi, se do të ulën të bisedojnë shkrimtarët shqiptarë të Kosovës dhe ata të Serbisë rreth temës: “Serbët dhe Shqiptarët në Jugosllavi sot”, inkurajoi shumkend, duke menduar se në pjekjen e kushteve për të biseduar sinqerisht, me pietet reciprok, pa emocione të ndezura e zëra të egërsuar, me një ndieshmëri shkrimtarësh, që dijnë të krijojnë klimë mirëkuptimi mes njerëzve, mes të kombeve e kombësive, mbasi, si thotë edhe Miodrag Bullatoviqi: “Shkrimtarët gjithmonë janë të parët, avangarda e çdo populli dhe avangarda e botës, që të parët e shohin shpresën, të parët e ndiejnë krizën dhe të parët mbi çdo gjë flasin”, për t’u vënë themele të forta urash të afrimit, pa tentim inkriminimi të ideve, për t’u vrarë ato nga njeri apo tjetri, për të triumfuar ai afrimi i sinqertë, pa ndjenja grandomanie, shpifje, fyerje, të cilat janë bërë habitués të njeriut të kohës sonë.
E vërteta njerëzore nuk është as serbe, as shqiptare. Ajo është universal dhe varet se kush i del zot. Po një pyetje është për t’u shtruar qysh në fillim të këtij diskutimi, se pse Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë ftoi për bisedë në Beograd vetëm shqiptarët e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse Serbët, anëtarë të po kësaj Shoqate, i ftoi veçmas? Është për t’u thënë se ky nuk ishte gjest për t’u lëvduar për Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë.
Vetë shkrimtari serb, Petar Sariq “u bënë vërejtje kolegëve nga Kosova, që s’i kanë ftuar për Beograd shkrimtarët serbë nga Kosova – ka ngjarë sikur ata janë paraqitur si ilegal në këtë mbledhje, arsyeton në anë tjetër gazetri Millan Damnjanoviq. Vërejtje me vend kjo e Sariqit, nëse është e vërtetë se shkrimtarët shqiptarë s’u kanë thënë shkrimtarëve serbë të shkojnë së bashku. Përndryshe, ashtu si ka vepruar Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, të le mbresën e atij langoit, i cili e ka zënë lepurin, po ai në vend se ta hajë, në njerën anë e puthë, në tjetrën e kafshon. Me fjalë të tjera, të shkon mendja se me shkrimtarët serbë të Kosovës ka pasur për qëllim të vejë një pusi kundër shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës, të bëjë një diversion politik për të krijuar me qëllim situatë të elektrizuar midis shkrimtarëve të Kosovës, dhe kjo në një kohë kur të gjitha fuqitë subjektive përpiqen për të krijuar një klimë të mirë në hapësirën e Kosovës.
Po, për t’u habitur edhe më shumë nga një pritje jashtë suazave të hospitalitetit, janë fjalët e Millan Komneniqit, kur ngrihet e thotë: “Unë me ju s’kam çka të flas; zotërinjë ne jemi në luftë; aspak nuk ju besoj; në mes nesh pajtim nuk ka as pajtim nuk mund të ketë”, fjalë këto të cilat u pritën me ovacione nga të pranishmit në sallë, për t’u cilësuar në shtyp se “Komneniqi është poet i fjalës së fqishme”, për të na u kujtuar fjalët e dikurshme të Hitlerit, të cilat, para se ta sulmone Poloninë, ia pat thënë njenit nga ministrat e saj: “Unë jam në luftë me ju”. Po vendi ku flet Komneniqi, kuptohet, nuk është Gjermania e Hilerit, por Jugosllavia socialiste vetëqeverisëse, e lindur nga dheu i zhbruhur me gjakun e njëmilioneshtatëqintmijë dëshmorëve. Kurse Komneniqi, del mirë në shesh vetëm si Komneniq dhe asgjë më tepër, një Don Kishot qesharak, jo ai që do ta kthejë barazinë e dikurshme të njerëzve, por të ngritet mbi pushtetin socialist të Jugosllavisë së popujve të barabartë, për t’u shpallur luftë Shqiptarëve. E për të qenë edhe më atraktiv para masës së tubuar të dëgjojë “poetin e fjalës së fuqishme”, Komneniqi vijon me ngacmime frapante para mysafirëve të ftuar: “E kuptoj plotësisht se Shqiptarët nuk duan të jenë jugosllavë, ata dëshirojnë të jenë ata që janë dhe kjo është legjitime, e kuptoj se nuk e duan as himnin në të cilin përmendet shpirti sllav, as flamurin, as gjuhën, as zakonet morale, asgjë”.
E kuptoj edhe unë sa provokativisht tingëllojnë fjalët e zotëri Komneniqit për shkrimtarët shqiptarë të Kosovës. Tribuni i “fjalës së fuqishme”, djallëzisht di të prekë mu aty ku mund të vibrojë shpirti delikat i njeriut. Po zotëri Komneniqi, kuptohet, niset nga vetvetja. Ai vetë s’kishte për të pranuar të jetë shqiptar kur është serb. Po, më në fund, cilit shqiptar do t’i duhej ai serb, që shitet për shqiptar e ështëserb? Si kishte për të pranuar të këndojë një himn në të cilin këndohet për shpirtin shqiptar, kur ai është sllav? Si kishte për ta dashur flamurin shqiptar, gjuhën shqipe dhe zakonet morale, kur ka flamurin serb, gjuhën serbe dhe zakonet morale serbe? Poashtu dhe unë do t’i thoja se kjo është plotësisht legjitime. Por, zotëri Komneniqit me falangën tjetër të shkrimtarëve serbë të njëmendimi, dua t’ua them qartë, se është shpirti sllav i popullit sllav, të cilin e respektojmë, dhe “shpirti sllav” i zotëri Komneniqit, i prirur kah dezertimi prej kuptimit njerëzor. S’është e vërtetë se s’e duam gjuhën serbe, gjuhën e Svetozar Markoviqit e të Vaso Pellagiqit, Zhivojin Zhujoviqit e Mita Ceniqit, Ilija Krasojeviqit e Dimitrije Tucoviqit, e të sa e sa revolucionarëve tjerë serbë, por nuk e duam gjuhën serbe të komneniqëve, me të cilën mbjell farën e helmit, që inspiron urrejtje kundër shqiptarëve. Edhe zakonet morale të popullit serb ne i respektojmë, njësoj sikurse zakonet morale të të gjithë popujve të tjerë, por s’i mohojmë zakonet tona, historinë tonë, gjuhën dhe traditën, që na cilësojnë si popull, trimat tonë si qenje historike, të lira dhe kreative.
Por, o Komneniq, po të ishe i fortë, s’do të kishe folë ashtu.Poetit të vërtetë, që është shpirti i kombit të vet, që ngre zërin kundër pushteit të padrejtë të një kombi, autokratëve e burokratëve të tij, të padrejtëve e tiranëve, e jo kundër një kombi si komb, s’i ka hije të flasë në atë mënyrë. Fjala e drejtë e poetit jeton edhe pas vdekjes së tij. S’kanë jetuar shumë ata poetër, që kanë nxitur urrejtjen e popullit të vet kundër popujve të tjerë. Popujt si popuj janë vëllezër mes tyre. Mirëpo, të zunë ovacionet e të pranishmëve dhe harrove etikën e shkrimtarit e të mikpritësit ndaj mysafirëve të ftuar qëllimmirë. Këtu mund të dalin plotësisht me vend fjalët e Bullatoviqit, kur thotë : “Ka lexues që më shumë i duan polemikat tona, se veprat tona letrare”. Dhe, po të thotë ty ky shqiptar, që s’i ka dale zot kurrë të pavërtetës, që e ka vëlla vetëm njeriun e vërtetë, pa marrë parasysh çfarë kombi është apo çfarë gjuhe flet, se vepra jote letrare, o Komneniq, nuk zbehet ndryshe, se vargjet tua nuk mund të rreckosën më keq se sa janë rreckosur para mysafirëtve të asaj tribune. Vargjet tua që mbjellin farën e urrejtjes nacionale, kanë për të mbirë barishta helmuese, të cilat vetë populli serb do t’i çrrënjosë. Njerëzit e tillë, që ngrehin zëra të tillë, kërkojnë shkaqet e pasukseseve personale deri sa, më në fund, në replikën e tyre të fundit, të mos ballafaqohen me vetëveten, të vërtetën më të idhtë të jetës.
Ka shumë arsye njeriu për t’u revoltuar kur vie në pyetje dhunimi i femrave, thyerjet e varrezave e manastireve, dëmet në fushë, prerja e pemëve në pemishte, por të gjitha këto nuk qëndrojnë në kurrëfar raporti me ideologjinë, kombin, besimin. Po aq sa revoltohet serbi, po aq revoltohet edhe shqiptari për akte të tilla të poshtra. Po ujku i Ezopit, kur vendos ta hajë qëngjin, edhe pse ndodhet në anën e poshtme të prrockës, ai gjen shkak se “po ia turbullon ujin”. Po këtë nuk duan ta kuptojnë shumë zhurnalistë, sa të thjeshtë aq edhe të vrazhdë, nga ata të kallapit të Matija Banit e të zhurnalistëve të tjerë të kohës së Vidovdanit, e anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, të cilët, për t’u bërë sa më atraktivë, sa më “patriotë”, “rodolubë” të vërtetë të Jovan Sterija Popoviqit, “liderë të kombit serb”, shtyhen se cili më shumë do të lëshojë thirin helmues kundër shqiptarëve.
Nuk mund të numrohen faqet e shtypit se sa herë është përsëritur se si Shqiptarët po i dhunojnë femrat serbe, se si po i shkatërrojnë varrezat e tyre, manastiret, po bëjnë presion në serbë e malazezë që t’i lënë vatrat e tyre stërgjyshore, e sa e sa inkriminime të tjera, pa i theksuar fare edhe motivet tjera, kërkesat për të gjetur punë, për t’i shkolluar fëmijët, për t’i ikur fshatit të izoluar, rrugëve plot ferra e baltë, lakmive për t’u stabilizuar nëpër metropole. Është e vëretë se kanë ngjarë gjëra të tilla zotërinjë, por a është e vërtetë se ato i kanë bërë vetëm shqiptarët? Jo, zotërinjë, ajo është një shpifje monstruoze, që mund t’i bëhet një kombi. Vepra të tilla kanë bërë edhe serbët. A s’është serb Zhivojin Millenkoviqi nga Lipjani, i cili tentoi ta dhunojë shqiptaren nga Gllogovci, duke i shkaktuar edhe lëndime trupore, dhe i cili u dënua vetëm me 60 ditë burgim? A shqiptar është Predrag Iviqi nga Vitia, që tentoi ta dhunojë Fadile Grasin? Po, a shqiptarë ishin vëllezërit Millan e Zoran Cvetkoviq nga Uça e Istogut, të cilët dhunuen punëtoren tridhjetepesëvjeçare serbe të Qendrës Medicinale në Mitrovicë, duke i shkaktuar edhe lëndime rënda trupore? E, për t’ua lënë shqiptarëve atë vepër të ndyrë, edhe flisnin shqip! Dhe çka do të kishte ngjarë për shqiptarët sikur nga organet kompetente të mos ishte zbuluar se ajo poshtërsi është kryer nga serbët. Me siguri do të ishin mbledhur të gjithë serbët e Kosovës e edhe më gjërë, për të protestuar kundër shqiptarëve. Gjëra të tilla njerëzit e guximshëm nuk bëjnë. Të shkojmë edhe pak më tutje: a shqiptar është Radosav Jovanoviqi nga Vitia, i cili theu varrezat në Verbovc, Gërmovë e Viti? Po a shqiptar ishte i mituri i kombësisë serbe nga Kufca e Epërme, i cili dëmtoi manastirin e Drancës dhe kalli malin afër të tij? A shqiëtarët i prishën pemishtet e Stojan Dimiqit, Ratomir Makiqit, Milladin Simiqit dhe Trajko Antiqit nga Poneshi? Po me siguri shqiptarëve do t’iu kishte mbetur, sikur të mos ishin zbuluar nga organet kompetente, se ato akte vandaliste i kanë kryer, Bozhidar Stojiqi, Sergjan Stojiqi, Negovan Ristiqi dhe vëllai i tij Vlladimiri, po nga Poneshi.
Këto kohët e fundit, në Lipjan, njëfar Vehbi Lama nga Krajishta, është futur në Kishën e Lipjanit, është deshur lakuriq dhe i ka ra kambanës. Menjëherë kanë intervenuar organet dhe e kanë identifikuar aktorin, një i sëmurë mental, i cili tash sa kohë u sheruaka në Spitalin e Bardovcit, afër Shkupit, dhe në Shtëpinë e Pleqëve në Shtimje. Mirëpo, për çudi të madhe, ky rast i një psikopati, u cilësua si rast armiqësor që ka për qëllim “destabilizimin e situatës, intensifikimin e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve dhe minimin e gjithë asaj që po bëjnë forcat progresive”!
Zotërinjë, si është e mundur që, me një të çmendur të idenfitikohen të gjithë shqiptarët. Kjo do të thotë se tash e tutje shqiptari duhet të ruhet edhe nga sëmundjet mentale, që të mos ketë konsekuenca politike, duhet të ruhet edhe nga sëmundja e turbekulozit, sepse përhapë mikrobe nëpër hapsirë dhe bëhet shkaktar i shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova. Në një situateë të këtillë, do ta skllavëroja shpirtin tim të guximshëm po të mos pyetja se a është komedi kjo, apo tragjedi? Gjithësesi, edhe njëra, edhe tjetra.
Këto janë fakte, që flasin në mënyrë apodiktike. Dhe nëse, o Komneniq me shokë, të shkon mendja se na e merr anën me forcë, ne pranojmë se jemi më të vegjel, por mbrojtja nga të padrejtat na e bënë shpirtin më të fortë se graniti. I vogël ishte nga forca skllavi i vuajtur romak, Epikteti, por zemra e tij e guximshme dhe durimi për t’iu përballuar shpifjeve e presioneve të skllavopronarëve, ishte më e madhe se Koloseumi i Romës.
Shpeshherë është marrë nëpër gojë se pse po heshtë inteligjenca shqiptare. Sa herë është përsëritur në shtypin e përditshëm dhe atë revial se inteligjenca shqiptare duhet të flasë. Por, vie pyetja se si duhet të flasë. Kuptohet, gjithësesi të flasë lirisht ashtu si ka folë Hasan Kaleshi e si flasin sot çiftat e Sefedin Sulejmanit. Duhet ta mohojë të kaluarën e tij, shtetin e tij si komb, të pranojë vdekjen e historisë, që do të thotë vdekjen kolektive të kombit, ta qesë në treg shpirtin dhe ndërgjegjën e tij, të flasë ashtu si duan komneniqët dhe eksponentët tjerë të nacionalshovenizmit.
Kur inteligjenca shqiptare ngre zërin kundër mohimit të të drejtave kushtetutare të shqiptarëve të Maqedonisë, ajo shpallet si paternaliste, separatiste e nacionaliste. Akuza të turpshme këto, për më tepër kur nëpër tribuna politike çirren duke foluar për barazi kombëtare, humanizëm socialist dhe vetëqeverisje. Inteligjenca shqiptare, për të fituar “besimin” në qarqet shoveniste serbe e maqedone, duhet të flasë mu ashtu qysh s’i ka hije njeriut, t’i përfillet një diferencimi ideor që të ketë për qëllim kompromitimin moral të njërit apo të tjetrit, për t’u bërë cukël e fëlliqur para botës njerëzore.
Si të flasë inteligjenca shqiptare zotëri, kur, sipas fjalëve të një funksionari të lartë të Federatës, i bëhet me dije se “shqiptari, po e nguci shqiptarin, nuk luan rol. Shqiptari po e nguci serbin, kjo është për ndëshkim të rëndë”. Pse ashtu zotëri? A s’janë para arsyes dhe ligjit njësoj si shqiptari si serbi? A s’është i keqi i keq si për shqiptarin, si për çdo komb tjetër? A s’duhet të ruhet jeta, liria dhe dinjiteti njësoj për të gjithë njerëzit? Cilit shqiptar do t’i vinte keq kur gjyqi të vendosë drejtësisht kundër fajeve të cilit qoftë, shqiptar, serb apo dikush tjetër?
Kur nëpër tubime serbomalazeze, etnikisht të pastra, dëgjohen zëra se “të gjithë shqiptarët janë njësoj, se nuk jetohet me shqiptarë”, inteligjenca shqiptare nuk guxon t’u thotë se ato janë nacionaliste. Kur botohen libra, tregime, vjersha si të stilit: “Keops”, “Zbrazti e plotë” në “Knjizhevna reç” e në publikacione tjera, me të cilat sulmohet publikisht sistemi, frytet e revolucionit dhe personaliteti i Titos para qindra e mijëra lexuesve, inteligjenca shqiptare njësoj duhet të pajtohet se ato janë “lëshime e dështime redaktuese” dhe asgjë më tepër. Kurse, për t’u gjetur te ndonjë shqiptar ndonjë shirit magnetofoni me këngë trimërie kundër zaptive të dikurshëm, ndonjë copë qilimi si suvenir me dimensione 35 x 25 cm, në të cilin është e qëndisur me dorë shqiponja, e vënë për dekorim afër dritares në dhomën e pritjes, atëherë gjykata atë e kualifikon si “vepër kundërvajtëse, që ka fyer ndjenjat patriotike socialiste të qytetarëve”, dhe e dënon pronarin e qilimit me 60 ditë burgim. Ndërkaq, inteligjenca shqiptare, ajo duhet të pajtohet me një masë të tillë, nëse s’do të alarmohet si inkofidente që të merrën edhe masa administrative kundër saj.
Shqiptari “kafshoi mollën e sherrit” dhe tash është shkak i volitshëm për t’u legalizuar superioriteti i kombit të madh të Jugosllavisë ndaj “minoritetit” shqiptar. E si shfaqet? Për të mos rënë në pozita të palakmueshme të do faktorëve politiko-shoqëror, të cilët ndryshe flasin e ndryshe mendojnë, tjetër është morali i tyre intern e tjetër ai publik, e them se ai shfaqet nga kërkesat e arsyeshme e deri te ato të paarsyeshme, të paligjshme e drastike.
Serbi i Beogradit, kur e pyet bashkëvendasin e tij se “si po kalon”, ai i përgjigjet: “si serbi në Kosovë”. Duke e shfrytëzuar situatën e krijuar, serbi i Kosovës ka gjetur mënyrat më të përshtatshme për të gëzuar privilegje e beneficione të ndryshme. Derisa, për nga përqindja e popullatës së Kosovës, serbët dhe malazezët janë shumë më pak se shqiptarët, inkuadrimi i tyre në punë, në banesa shoqërore e të drejta të tjera qytetare, sipas shumë statistikave zyrtare të publikuara në shtypin e përditshëm, është më i madh. Edhe pse ligjet janë të trajtuara njësoj për të gjithë qytetarët e vendit, për serbët dhe malazezët e Kosovës ekziston një tretman i posaçëm. Zgjidhjes së problemeve të tyre me çdo kusht duhet dhënë prioritet. Për ta, nergut ngritet fabrika, asfaltohet rrugë, hapet paralelja edhe vetëm me një nxënës, angazhohet mjeti i udhëtimit, posaçërisht u ndahen troje e kredi me kushte shumë të volitshme. S’luan rol konkursi i shpallur për punë, ndonëse qindra e mijëra shqiptarë janë të papunë, familje shumëantarëshe pa kurrëfar të ardhurash, që detyrohen meshkujt të marrin botën në sy për kafshatën e bukës, lënë vatër e fëmijë e shpërndahën në vise të ndryshme të vendit për të kryer punët më të rënda fizike, duke ngrënë bukë e qepë, për t’i kursyer të hollat për t’ua dërguar kërthinjëve në shtëpi, e në anën tjetër, edhe të fyer e të përbuzur nga padronët e ndryshëm, kurse serbit e malazezit duhet t’i sigurohet puna, banesa, puna për gruan, për djalin, për renë.
Një Vehbi Lama, i sëmurë mentalisht, një shqiptar psikopat, një llopov si çdo llopov i kombit tjetër, që është në gjendje ta vrasë edhe vëllaun e ta dhunojë edhe motrën, bëhet shkak për t’u mbledhur në tubime protestuese qindra e qindra serbë e malazezë nga mbarë Kosova, ku flasin me arsye e pa arsye, drejtësisht e padrejtësisht, ku insistohet për zvogëlimin e të drejtave kushtetutare të shqiptarëve, duke u kërcënuar edhe me armë, duke fyer kombin dhe gjuhën e shqiptarëve, fytyrat më të shëndritshme të historisë së tyre, dhe askush s’guxon t’i marrë në përgjegjësi. Janë prezentë faktorët politiko-shoqërorë, por kush s’i dëgjon ata. Për t’u njohur pak më mirë me profilin specifik të tyre, duhet kujtuar vërejtjet e serbëve e të malazezëve se “shqiptarët po i zgjedhin në udhëheqësi serbët dhe malazezët më të dëgjueshëm, që s’i do kombi i vet”. Ka aty të vërtetë. Po një metodë të tillë e kanë aplikuar më parë serbët, duke zgjedhur nëpër ofiqe shtetërore, deputetë, funksionarë, drejtorë, jo njerëzit më lojalë ndaj ligjeve, por njerëzit më lojalë ndaj poltronit, me tiparet më të përkryera të ushtarit të mirë Shwejk.
Sa herë flitet nëpër konferenca e plenume partiake për marrëdhënet e ftohura nacionale. Po, zotërinjë, a mund të nxehen marrëdhëniet kur, në një situatë të tillë shqiptari shpirtërisht e ndien inferioritetin e vet para superioritetit të serbit e të malazezit? Cili shqiptar kishte për t’u thënë serbëve se “aspak nuk ju besoj; në mes nesh pajtim nuk ka”? Atë merr guximin ta thotë vetëm Millan Komneniqi i lazdruar.
Po ç’qëndrim, vallë, do të merrnin ndërgjegjet e zgjuara të opinionit progresiv jugosllav ndaj një fushate të tillë antishqiptare? Ç’do të mendonin shkrimtarët dhe shkencëtarët europianë, si një Bernard Rasel, Ginter Gras, Xhon Osborn, Zhan Pol Sartër, e sa e sa koka tjera të opinionit progresiv ndërkombëtar, të cilët, për lirinë, nderin dhe integritetin e njeriut, bijnë në kolizion gjithkund e me gjithkend? Po kjo, po duket sheshit, në shtetin tonë të ligjeve socialiste, dëgjohen zëra të egërsuara të borgjezisë shoveniste, nga rrënjët e Nikolla Pashiqit, që ngriten mbi atë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Asamblesë Kushtetuese, për të mohuar vlerat e revolucionit popullor, për të shthurë vetëdijen e masave të gjëra, se në Jugosllavi shqiptarët s’i meritojnë të drejtat që i kanë. Në të vërtetë, Komneniqi me shokë, me violencë duan ta marrin vetë në dorë fatin e Kosovës, e cila, është thënë sa herë, është problem jugosllav, që do të thotë se edhe duhet të zgjidhet në kuadër të krizës jugosllave e jo të euforisë së çmendur të komneniqëve, të cilët duan ta kthejnë atë sistem i cili do t’ua mohonte të drejtat kombëtare shqiptarëve.
Unë nuk merrem me histori, për arsye se më tepër më preokupon njeriu konkret i kohës. Historia flet për gjyshër e stërgjyshër. Po njeriu i kohës, nëse vet është i zoti, stërgjyshërve mund t’ua heqë kapelen. Nga ky koncept më mbetet të di se shqiptarët e kohës sonë nuk janë ata të kohës së Knjaz Milloshit, kur shqiptarit i është treguar me gisht se vendin e ka për t’iu lutur Zotit në xhami, kurse serbit për të mësuar në shkollë. Këtë e them për arsye se shpesh është marrë në gojë nëpër tubimet etnikisht të pastra serbe, se fshatarët janë të mirë, por intelijenca është e rrezikshme. Shqiptari i Jugosllavisë socialiste është dashur të shkollohet, të kryejë fakultet, të bëhet profesor e mjek, ixhinier e agronom, të shkruajë libra, por në të njëjtën kohë të ruajë edhe kokëultësinë e skllavit para padronit, të gëzojë mentalitet leblebixhinjësh e simitxhinjësh, pastruesish të rrugëve të metropolit, t’iu shetisin qenët zonjave të Beogradit nëpër paraqet e Topçiderit.
Por, jo zotërinjë, atë cilësi s’e kanë pasur njerëzit e këtyre trojeve. Me atë kompleks të shëmtuar të inferioritetit s’kanë lindur këta njerëz. Ai është krijuar më vonë, nën presionin e pamëshirë të forcave skllavëruese. Mirëpo, tik-taku i orës mund të ndalet, por koha jo. Ajo ecën përpara me gjithë përpjekjet për ta penguar hapin e saj kah progresi dhe emancipimi shpirtëror i njeriut të kësaj ane. S’është më Kosova e plisave analfabetë, të shkelur e të përbuzur shekuj me radhë. Është Kosova e re, e bashkësisë vëllazërore të të gjithë popujve të Jugosllavisë, e lindur nga zjarri i luftës nacionalçlirimtare dhe betejave fytafyt me armikun. Është Kosova e shkrimtarëve dhe e poetëve që nxjerrin zërin nga zemra e dheut për t’i kënduar jetës dhe aspiratave më progressive. Poeti i Kosovës, duke mësuar nga legjenda mbi poetin antik, e bënë një poezinë me token, e bashkon shpirtin me qiellin, që t’i jepë diell e jetë, për të mos pësuar disfatë edhe para fortunave më të tmerrshme të kohës. Është Kosova e mijëra e mijëra nxënësve, studentëve, intelektualëve e fshatraëve syçelë që prodhojnë grurë e miser, e punëtorëve që nxjerrin plumb e hekur, e inteligjencës krijimtare në të gjitha fushat e jetës ekonomike dhe kulturore.
Po nga kjo inteligjencë, shkrimtarë të njohur e publicistë, të ftuar për bisedë rreth temës së lartëpërmendur nga Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, u zgjodhën për të përfaqësuar shkrimtarët më të njohur e publicistët. Mirëpo, zotërinjë, s’u pritën si duhet nga i zoti i shtëpisë. Nuk u zhvillua, si ishte paraparë, dialog dinjitoz e në nivel shkrimtarësh. Erdhën në bisedë mu ata, që as s’kanë dhunuar, as s’kanë bërë presion në shpërnguljen e serbëve e të malazezëve, as nuk kanë thyer varreza, as nuk kanë bërë dëme në fushë, as nuk kanë thyer manastire, por që, sikurse ju, kanë shkruar libra për të dëshmuar se shqiptarët nuk janë e as që dëshirojnë të jenë grup shoqëror margjinal në Jugosllavinë e kombeve të barabarta. Erdhën shkrimtarë, që lindën dhe u rritën në epokën e humanizmit socialist, shpirti i të cilëve ka dalur nga guaca e egocentrizmit nacional, që të marrë rrugën kah realieti, që kështu, me mendje e me zemër ta transformojnë botën kah e mira, ta humanizojnë atë për t’i realizuar ëndërrat shekullore të njeriut të këtij trolli.
Mirëpo, ju s’i pritët si mikpritës të vërtetë, por si njerëz të inkriminuar për t’u përgjegjur në bankën e zezë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, me fjalët: “Unë me ju s’kam çka të flas – u drejtohet mysafirëve me ton furioz Komneniqi – ne zotërinjë jemi në luftë” – vijon me ton histerik e gradacion shqiptarofobi, kontribut i mirë ky qëndrimit të Dasanka Maksimoviqit, sipas së cilës “nuk mjaftojnë vetëm fjalët dhe vjershat”. Po çka mjaftojnë, Desanka? Burgjet, topat dhe tanket kundër fëmijëve, të cilët kanë mësuar përmendësh vargjet e vjershtares si “Përralla e përgjakshme” e tregjadisë së nxënësve të Kragujevcit?
Aspak më të matura s’janë fjalët e Borisllav Mihajlloviqit-Mihizit, sipas të cilit “është koha e fundit që serbët dhe malazezët e Kosovës të mos vijnë më në Beograd e në Serbi, por Serbia të niset në Kosovë”, sikur atje të ndodhet ndonjë ushtri e huaj, e jo ajo e Titos. Qëndrimi i tij na i kujton edhe fjalët e Patrikut German, mbajtur me rastin e dorëzimit të Urdhërit të Shën Savës Patrikanës së Pejës, të cilën shekuj me radhë e kanë ruajtur vetë shqiptarë, që t’u japë zemër serbëve se “nuk jeni vetëm, me ju është zoti dhe populli dhjetëmilionësh serb, i cili është shkëmb graniti, nga i cili u thyen tri perandori të fuqishme”. Shkelqësi, për pozitën e juaj të lartë fetare ju marr dorën,por k y zotërim i juaji bie në kundërshtim me egzegtikën biblike. Ju e dini, por edhe unë dua t’ua them, se Jezu Krishti këshillon: “Puthni armiqët tuaj, i ndjeni ata që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju ndjekin”. Prandaj, më duket pak e çuditshme të pyes, se cila është ajo forcë në Kosovë që duhet të thehet, si u thyen ato perandori të fuqishme: ushtria e Titos, apo fëmijët, punëtorët dhe fshatërt që e përbëjnë popullatën e Kosovës? Unë mendoj se pak kanë për të dalur nga dhjetë millionët serbë, që t’i bashkohen ekspeditës kryqtare për të manifestuar etnocentrizmin serb dhe elitizmin ortodoks në dëm të një kombësie të Jugosllavisë. Si është e mundur të flitet kështu, kur vendi ynë, me aq renome në arenën ndërkombëtare për luftën kundër skllavërisë së popujve në botë, kundër aparthejdit, kurse Millan Komneniqi don të shpallë një miniaparthejd në Kosovë. Mirë e ka Miodrag Bullatoviqi kur thotë se ”Ndjesia nacionaliste është ndjesia më e rëndë. Ajo shpie kah çdo depresion, kah çdo dogmatizëm. Urrej ndjesi të tilla të ulta të çdo njeriu, e edhe te vetvetja. Nëse je nacionalist, vetvetës dhe të tjerëve ditën ke për t’ia errësuar”. Kjo është më se e vërtetë. Është sëmundje e të gjitha sëmundjeve, që brenë trurin, zemrën dhe shpirtin e njeriut. Krijon egon e tmerrshme dhe shpirtin kriminal, me të gjitha qëndrimet aversive. Dhe do t’i çmoja me pietet ato fjalë, sikur zotëri Bullatoviqi t’i fliste me sinqeritet. Se në këtë rast i mungon ajo cilësi e lartë, që duhet ta ketë shkrimtari, duket nga fjalët panegjirike për bisedimet e shkrimtarëve serbë kundër shqiptarëve në “Francuska 7”. Ajo, thotë Bullatoviqi, “është tribuna e shkrimtarëve të Serbisë, institucion i madh i hapsisë, ku janë thënë gjëra të urta viteve të fundit. Prej tyre duket se Kushtetuta e vitit 1974 është e gjymtë, e papranueshme dhe e dëmshme për republikën tonë”. Po, në të vërtetë, mu në atë “institucion të madh”, me eufori të shfrenuar u manifestua pezmi kundër shqiptarëve të Kosovës. Vërshoi helmi, fyerjet më mikroskopike dhe histeria antishqiptare, mendimet dhe qëndrimet serbe të para një shekulli, shprehjet më anakronike të stërgjyshërve analfabetë, që janë tërhequr për hunde nga politikanët shqiptarofobë.
Por, ne Shqiptarët e Kosovës, në saje të ndihmës vëllazërore të të gjitha kombeve dhe kombësive të vendit tonë, të Kroatëve të Mirosllav Kërlezhës e të Ivan Goran Kovaçiqit; Serbëve të Svetozar Markoviqit e të Dimitrije Tucoviqit; Sllovenëve të Franc Preshernit e të Ivan Cankarit; Malazezëve të Peko Dapçeviqit e të Velko Vllahoviqit; Muslimanëve të Veselin Maslleshës e të Ismet Mujezinoviqit; Maqedonëve të Jan Sandanskit e të Nikolla Vapcarovit; Vojvodinasve të Jovan Veselinovit,- do të bëhemi të fortë. Përndryshe, ashtu si flet e shkruan Millan Komneniqi me shokë, ne do të bëhemi shkrimtarë martirë, kurse ai, jo shkrimtar i kombit serb, por kriminel i rrezikshëm. Njegoshi s’e tha vetëm për kohën e tij dhe vetëm për malazezët, por për të gjitha kohërat e për të gjithë njerëzit se: “Ujku ndaj deleve ka të drejtën e vet, si tirani ndaj njeriut të dobët. Por tiranit t’i dalësh përballë, është detyra më e shenjtë njerëzore”.
Rexhep Hoxha