Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Shpella e Zezë e Pëllumbasit

| E diele, 04.12.2016, 02:10 PM |


SHPELLA E ZEZË E PËLLUMBASIT, DESTINACION TURISTIK QË NUK DUHET HUMBUR!…

NGA PËLLUMB GORICA

Shpella e Zezë e Pëllumbasit është një ndër gjashtë shpellat më unikale në Europë. Flitet se është e 10 mijë vjetëve më parë, por s’dihet prej sa kohe është zbuluar, veç faktit se studiuesit e fushës speleologjike e kanë zbuluar tepër vonë këtë mrekulli natyrore shqiptare. Ajo ndodhet rreth 25 kilometra nga Tirana, në lartësitë shkëmbore të malit të Pashkasheshit, dhe në të majtë të luginës së lumit Erzen. Misteri që e rrethon po zgjon një kuriozitet të veçantë dhe përherë e më tepër po shton vizitorët.

Për këtë shpellë dhe vendndodhjen e saj deri para disa vitesh askush nuk dinte për të, veç vendasve, por edhe prej tyre rrallë e kishin vizituar. Edhe pse është zbuluar vonë ka patur informacione interesante në kuadrin e gjurmëve të lashtësisë, sidomos ai i gjuhëtarit elbasanas, Kostandin Kristoforidhi.Duke iu referuar pozicionit gjeografik, Shpella e Zezë e Pëllumbasit ndodhet rreth 350 metra mbi nivelin e detit. Vetëm 20 vite më parë janë kryer studime rreth saj, duke përcaktuar disa periudha të zhvillimit njerëzor që nga neoliti, e bronzit dhe e hekurit. Nga gjetjet arkeologjike me interes janë zbulimet me vlerë të disa enëve, kocka të kafshëve e sidomos të arinjve të shpellave.

Për të shkuar tek ajo rruga kalon përmes një zone të populluar gjatë gjithë gjatësisë së saj, e ku ndihet më shumë dora e njeriut me ndërtime çlodhëse, që i kundron me tërë hollësitë. Gurgullima e lumit Erzen të shoqëron kilometra më tej dhe e ndjen thellë atë. Erzeni është një prej rrjedhave ujore më piktoreske të Shqipërisë së Mesme, që i tërheq vizitorët me shumëllojshmërinë deri në lartësitë e shpateve malore. Ndaj kënaqësitë që pret të shijosh janë të shumta, por edhe njëkohësisht ndrydhje në shpirt për Tiranën e mbuluar nga smogu.

Aty ku rruga gëlon nga trafiku i shumtë i makinave me hyrje-daljet për në Tiranë merr kthesën majtas, duke u ngjitur kodrave drejt vendbanimit të Pëllumbasit.  Ai shtrihet në një hapësirë të madhe, tërësisht të hapur nën këmbët e malit të Pashkasheshit, ku ashpërsia shkëmbore e tij i qëndron si mburojë. Mali i Pashkasheshit i veshur me drurë dhe bimësi të shumtë, të bën përshtypje me pasurinë e pafundme dhe të shumëllojshme të tyre. Kush ka ardhur këtu e nuk është mrekulluar nga madhështia e tij, dhe e majave të tjera të larta: Priska dhe mali i Dajti përbri, që ngrihen si një gardh madhështor në lindje të Tiranës dhe pellgut të saj!…Nga kjo lartësi pamjet e hapësirave të largëta që sheh syri, të shfaqen si në pëllëmbë të dorës deri tutje, e të duket vetja sikur do të fluturosh i shoqëruar nën simfoninë e zërave të ndryshëm, dhe erës që hedh valle me flatra pëllumbash, nën rrezet e diellit bujarisht e ngrohtësisht, që të mbushin me gjallëri. Këtu duket se merr kuptim edhe fjala: të mbushesh me frymë, sidomos për ata që jetojmë në Tiranë. Të mungojnë fjalët për të përshkruar më shumë këtë peizazh, por të udhëtosh, jo vetëm fizikisht, edhe me pasionin për mrekullitë natyrore, është më të vërtet një kënaqësi e madhe. Udha këmbësore është tepër e ngushtë, dhe ngjitja nëpër të përpjetën e një varg kodrinash, të cilat ulen para rrjedhës gjithë dredha të Erzenit e vështirë. E mbrojtur nga parmakë druri, dhe nëpër disa valëzime shkallaresh, të ndërtuara vitet e fundit, ajo hijeshohet nga një pyll i dendur. Aty këtu ca stola prej druri të krijojnë mundësinë të qëndrosh për të bërë pushim, apo më mirë të themi të shpihesh pakëz nga lodhja e ngjitjes së mundimshme.

Në pjerrësinë shkëmbore të malit të Pashkasheshit dhe pikërisht atë më të thiktën, të murrme dhe të shpërlarë nga agjentët atmosferikë, nis hyrja e shpellës. Por, pak përtej pamjes së saj, një farë mërzitie të shkaktohet nga blana ngjyra – ngjyra emrash dhe datash të shkruara prej vizitorësh të papërgjegjshëm. Zhgarravinat mbi monumentet natyrore dhe historike janë një mungesë e theksuar kulture! Si kudo në Shqipëri kjo është kthyer në një fenomen shqetësues, dhe një realitet i zymtë, i cili fatkeqësisht po vazhdon të dëmtojë jo pak vlera të papërsëritshme të natyrës dhe lashtësisë tonë.

Jo pak legjenda e bëjnë këtë shpellë vend tepër mistik, që ka ushqyer besëtytni, të cilat lidhen me fenomene të ndryshme. Sipas njërës prej tyre të treguar; dikur këtu jetonte një qenie misterioze që nuk pranonte të hynte askush në shpellë. A mund të besosh të vërtetën e kësaj besëtytnie? Legjendat dhe mitet ndonjë herë qëndrojnë shumë pranë realitetit. Ndoshta bëhet fjalë për dinozaur apo për një krijesë përrallash!…Por ajo që qëndron është fakti se, këtu në vitet e Luftës së Dytë Botërore është strehuar e gjithë popullsia e krahinës së Bërzhitës.

Shpella e Zezë e Pëllumbasit shtrihet në një thellësi prej 300 m (e eksploruar) dhe të tërheq vëmendjen me ndërtimin e brendshëm, të ngjashëm me thellësinë e një galerie të stërmadhe miniere. Që në hyrje përfshihesh nga gjithë ato emocione dhe para syve me zemër i mbledh ato. Siç do të shohësh më tutje ajo të fut në një botë misteresh, të një ndjesie ndryshe, ku mendimet kthjellohen e humbasin në hapësirën e pafundme të përfytyrimeve. Elektrikët e dorës çajnë errësirën, dhe i zhytur për ta eksploruar atë ecën lehtë nën impresionet e pamjeve dhe të freskisë së ajrit të lagësht. Në thellësi duhma e lagështirës të zë frymën, dhe heshtja thyhet nga hapat e kujdesshëm, shushurimat e turbullta të lakuriqëve të natës, dhe pikave të ujit më kumbuese që bien nga tavani shkëmbor.    Udhërrëfyesi ynë, që i njeh kalimet kaq mirë, na tregon udhën nëpër kënde të panumërta ku vështron stalagmite dhe stalaktite gjithfarë formash, dikur të shumta, por sipas banorëve të Pëllumbasit janë dëmtuar nga njerëzit. Interesante janë gropat në dysheme, por edhe tavani i shpellës me togëzimet gëlqerore të gurëzuara, dhe me trajta të çuditshme gjeometrike. Më tej shfaqen si skulptura të gdhendura prej shekujsh, kolonat, ku më shumë e ku më pak janë ruajtur nga dëmtimet.

Shpella e e Zezë e Pëllumbasit është një nga mrekullitë e natyrës këtu, pasi kjo zonë ka dhe shumë të tjera, që përbëjnë pjesën më interesante, jo vetëm për një adhurues të natyrës, por edhe për një vizitor të thjeshtë. Na mbetet vetëm t’i admirojmë e sigurisht t’i fotografojmë ato, për t ua bërë të njohur të tjerëve. Shpella e Zezë e Pëllumbasit, sa afër dhe sa e panjohur për kryeqytetasit!…