| E diele, 24.08.2008, 07:58 PM |
Në Qindvjetorin e Faik Konicës 1876 – 1976
Faik Konica
FAIK KONICA DHE MARRËDHËNIET ME AUSTRO-HUNGARINË [1]
Konica në Dritën e Lëvizjes Kombëtare - Rilindjen kulturore e Letrare
Në studimin e jetës, veprës, mendimit politik, fizionomisë intelektuale dhe morale të F. Konicës, në ndriçimin e rolit të tij në Lëvizjen kombëtare shqiptare-Rilindjen kulturore dhe letrare, është shkruar mjaft, janë dhënë shumë mendime– mjerisht në shumicë kontradiktore, subjektive, të përcipta dhe shpesh të përziera me pasione personale, të imponuara nga organe politike, siç ndodh edhe sot.
Nga Prof. Dr. Hasan Kaleshi
Nuk ka tjetër personalitet nga historia e Lëvizjes kombëtare shqiptare dhe nga letërsia shqipe për të cilin të jenë thënë aq lëvdata nga një anë, dhe aq mendime negative nga ana tjetër. Arësyeja kryesore e një gjëndjeje të tillë duhet kërkuar në faktin se ende, në dhënien e gjykimeve, né kryesisht mbështetemi në qëndrime politike, në temperamentin tonë, në tablonë që ka vizuar ky apo ai dhe sipas të cilëve i kemi ndarë njerëzit e të kaluarës sonë në “të bardhë” dhe “të zinj”, në “patriotë” e “tradhtarë”; ne i mbështesim mendimet tona në disa “autoritete” e jo në gjurmimet e vërteta shkencore, në studimin e materialeve arkivale, në analizën e kushteve objektive politike në të cilat ka jetuar dhe vepruar ky apo ai, në realitetin politik në të cilat ka jetuar dhe vepruar asaj kohe, në shqyrtimin e kushteve subjektive në të cilat ka jetuar ky apo ai.
Rasti i Konicës është me siguri rasti më flagrant që provon mungesën e studimeve serioze shqiptare në një anë, dhe paaftësinë tonë që të xhvishemi nga ndnjenjat subjektive dhe politike, të çlirohemi nga psikologjija tipike shqiptare dhe ta studjojmë Konicën me gjakftoftësi, sine ira et studio. Nëse i marrim dhe i analizojmë të gjitha shkrimet kushtuar Konicës do të shohim se ato s’janë larg nga impresionet gazetareske, nga letërsia e memoareve, dhe se na ende s’kemi një studim serjoz dhe të saktë mbi Konicën – dhe lere më një monografi.
E nëse ka njeri i cili meriton një monografi të plotë, ai është pa dyshim Konica.
Për ta provuar këtë tezë se Konica ende nuk e kemi studjuar, se ndoshta ende jemi në fazën fillestare të studimit të tij; unë do të përmend vetëm dy çështje:
Revista “Albania” dhe zëri i saj
1. Edhe dashamirësit e Konicës dhe mohusit e tij theksojnë, vazhdimisht, se ai ka qenë bej, njeri sallonesh, i dhënë pas jetës dhe epshit, dhe prandaj ka prodhuar shumë pak–duke marrë parasysh aftësitë e tija dhe e krahasuar me shkrimtarë të tjerë, me Nolin. Këto thënie janë të vërteta vetëm në dukje, vetëm nëse marrim parasysh veprat e botuara të Konicës, të cilat me të vërtet mund të numërohen me gishtat e dorës. Mirëpo, menjëherë shtrohet pyetja: a thua vetëm këto janë veprat e Konicës?
A nuk ka shkruar Konica edhe gjëra të tjera? Kush është ulur të bëjë një bibliografi të të gjithave shkrimeve të Konicës? A kemi bërë ndonjë përpjekje që t’i ribotojmë të gjitha shkrimet e Konicës?
Kush ka hartuar një pasqyrë të artikujve të Konicës mbi problemet e ndryshme politike, gjuhësore, letrare të botuara shqip apo frëngjisht?
Kush ka dhënë një pasqyrë të përkthimeve të Konicës nga letërsitë e ndryshme të botuara në “Albania”?
A i kemi grumbulluar artikujt polemizues të Konicës të botuara nëpër revistat e ndryshme françeze, angleze apo amerikane? Vallë, a nuk mund të kenë artikujt e shkurtën plot domethënie, të qartë e të mprehtë, siç kanë qënë ata të Konicës, të njëjtën vlerë letrare sa disa vepra të tëra të disa shkrimtarërve të tjerë, të cilët sot i studjojmë si trashëgim letrar?
Pra, grumbullimi dhe botimi i këtij materiali do të provonte se sa i frytshëm ka qënë Konica, sa probleme ka trajtuar, sa gjëra ka paraparë shumë më heret se bashkëkohorët e tij. Njëkohësisht do të na jipnin mija të dhëna të panjohura mbi problemet e ndryshme shqiptare të asaj kohe, si një mori materiali të ri për ta njohur më mirë si Konicën ashtu edhe kohën e tij;
2. Në shkencën shqiptare, si një e metë politike e Konicës merret se ai ka qënë i lidhur me Austrohungarinë; se ka qënë në shërbim të politikës imperialiste të saj; se nuk ka pasur një qëndrim “revolucionar” ndaj Qeverisë turke dhe ndaj çështjes së autonomisët shqiptare; se ka pranuar të bëhet konsull i Zogut; se ka nënçmuar patriotët e tjerë, dhe njëmijë akuza të tjera. Të gjitha këto kanë një dozë vërtetësie; por mund të rrëxohen shumë lehtë që të gjitha një nga një, aq tepër se të metat i kërkojmë tek Konica, kurse tek shumë të tjerë - të cilët kanë bërë gabime edhe më të mëdhaja – né i mbyllim sytë. Kur themi gabime, ne mendojmë në mënyrë relative për shkak se janë vlerësime nga perspektiva e sotme, pa mos hy në realitetin politik të kohës kur ka vepruar Konica me shokë. Kështuqë, s’është subvencionuar vetëm “Albania” nga Austrohungaria, por një varg gazetash tjera shqiptare, që ! botoheshin nga fundi i shekullit 19 e deri nga mbarimi i Luftës së Dytë botënore, duke përfshirë edhe ato të Egjiptit, Sofjes, Manastirit, Selanikut, Stambollit, Trieshtës, Veprat e Fishtës, Gjeçovit [Gjeçajt] (“Agimi i Qytetënisë”) dhe të shumë shkrimtarërve katolikë janë botuar direkt me shpenzimet e Austrohungarisë.
Pra, nuk është subvencionuar vetëm “Albania” e Konicës, siç përpiqen ta paraqesin por shumë gazeta të tjera, të cilat sot zyrtarisht konsiderohen si patriotike. Kush ishte në gjendje të botojë një gazetë dhe ta shpërndajë vetëm me shpenzimet e veta?
Së pari - kjo ka një rëndësi edhe më të madhe për mua në lidhje me marrëdhëniet midis Konicës dhe Austrohungarisë – së dyti, është fakti se mendime të këtilla jipen pa studijuar dokumentat që ndodhen në Arkivin shtetënor të Vjenës. Në këtë arkiv, përveç tjerash, ndodhen nja njëqind letra të Konicës, shkruar frëngjisht me dorën e tij, drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, Goluchowski.
Secila nga këto letra është një dokument historik me plot informata mbi Konicën, punën e tij, fletoren “Albania”, bashkëpuntorët, gjendjen politike në Shqipëri, kolonitë shqiptare e, mbi të gjitha, marrëdhëniet e Konicës me Austrohungarinë. Këto letra si edhe një varg raportesh të konsujve austriakë në një anë, ndryshe na japin mundësi në lidhje me Konicën që ta analizojmë deri në hollësi evolucionin e marrëdhënieve midis palëve, krizat, baticat e zbaticat dhe në fund ndërpremjen e marrëdhënieve në mënyrë definitive, të zhgnjyerit e plotë të Konicës me politikën austriake, sidomos me mosinteresimin austriak për kufitë e Shqipërisë së Jugut, gjë që e brengoste Konicën vazhdimisht.
Duke u mbështetur në këtë lëndë arkivale të Vjenës, nga një kompleks çështjesh do të përpiqemi të sqarojmë vetëm një: si filloi interesimi i Austrohungarisë për revistën “Albania” dhe rrejdhimisht si filloi subvencioni i saj nga Austrohungaria dhe çfarë modifikimesh bëri Konica në fizionominë e revistës në bazë të kërkesave të Ministrisë së Jashtme austro-hungareze.
Pikësëpari duhet theksuar se katër numërat e parë të “Albania” i botoi Konica vetë, ndoshta me ndihmën e ndonjë grupi shqiptarësh apo nga ndonjë burim tjetër; por me siguri pa ndihmën e Austrohungarisë. Simbas të gjitha gjasave, midis presonaliteteve austriake, interesimin e parë për “Albania e çfaqi konsulli i Austrisë në Shkodër, Theodor A. Ippen, njeri jashtëzakonisht i mësuar, njohës i mirë i kushteve shqiptare të asaj kohe, autor i një vargu veprash historike dhe gjeografike mbi Shqipërinë. Konica ka ditur mirë se cili është Ippeni, sa e rëndë është fjala e tij në Ministrinë e Jashtme, kur është puna për çështje shqiptare. Prandaj Konica i ka dërguar Ippenit në Shkodër katër numrat e para të “Albania” me një dedikim.
Në shenjë falënderim Ippeni i dërgon Konicës një letër konvencionale në Bruksel, të cilën letër mjerisht nuk e kemi në dorë (por ndoshta ndodhet në fondin e korrespondencës të mbetur pas vdekjes së Konicës). Pas marrjes së kësaj letre, Konica i përgjigjet Ippenit me një letër dërguar nga Brukseli më 18 Gusht 1897. Letra e Konicës Ippenit i është dukur tejet interesante dhe ai, me një letër përcjellëse, ia dërgon kopjen Goluchowskit në Vjenë.
Këtë letër të Faikut shkruar frëngjisht e kemi zbuluar në Vjenë. Ajo është shumë indikative dhe instructive, dhe jo vetëm për temën tonë.
Shkëmbim letrash me konsullin austriak të Shkodrës
Zotri Theodor A. Ippen,
E mora letrën me të cilën më nderuat duke ma dërguar për veprën dhe nuk di se si t’ju falënderoj për urimet që Ju shprehni për punën që kemi ndërmarrë. Përgëzimet dhe urimet Tuaja kanë aq më tepër vleftë sepse vinë nga ana Juaj: Konsujtë e Austrisë kanë ndihmuar, kush më pak e kush më shumë, në rilindjen shqiptare; a nuk ishe një konsul i Austrisë Hahni, që punoi dhe mendoi plot tridhjetë vjet për botimin e monumentit të parë e të çmuar mbi Shqiptarët?
Nga pikëpamja letrare, unë besoj se ndërmarrja e jonë tashmë ka një qëllim të kufizuar: të frymëzoj shumicën e Shqiptarërvet me dëshirën që të anojnë nga unifikimi i gjuhës së tyre, duke i shkrirë në mënyrë racionale ndryshimet dialektale të Shqipërisë. Ne, gjithashtu, ia kemi arrtitur që t’i japim gjuhës një shtrirje të gjërë dhe fjalorit një pasuri më të madhe.
Në fushën politike, sado që influenca e “Albania” shtrihet në një rreth të ngushtë duke qënë se ajo bie në duart e gjithë atyreve që drejtojnë lëvizjen shqiptare, ne kemi mundur të krijojmë midis këtyreve një rrymë të gjallë kundër helenizmit dhe synimeve centraliste të Turqëve. Mjerisht, propaganda italiane – e mbështetur tek pseudoshqiptarët e Kalabrisë dhe Siqelisë, bën një përparim shqetësues midis qarqeve nacionaliste; ndërsa mjetet tona nuk na kanë lejuar t’i luftojmë në mënyrë të frytëshme intrigat andej anës së Adriatikut. Duke shfrytëzuar paditurinë e bashkatdhetarëve tanë, Italianët besojnë me gjithë mend t’ua mbushin kokën se bashkimi i Shqipërisë do të ishte shumë i dobishëm; kurse një bashkim me Austrinë do t’ishte një fatkeqësi. Por Shqiptarët e zgjuar e dinët fare mirë se një bashkim me Italinë do ta çonte Shqipërinë në mizerje dhe në shkatrrim të plotë ekonomik dhe se, e bashk! uar me Austrinë, ajo do të zhvillohet lirisht në tri pikapamje: nacionale, ekonomike dhe intelektuale.
Ky opinion – të cilin unë kam patur rastin ta vë ré shumë herët te një numër i madh Shqiptarësh – sado që politika e tashme nuk na lejon ta themi botërisht, është njëkohësisht edhe opinioni im dhe miqve të mij që, nëse një autonomi politike e plotë do të jetë për ne gjë e pamundur, prapë do t’ishte një fat nëse me një bashkim politik dhe ushtarak me Perandorinë austriake..
Koha ndoshta do t’na lejojë që një ditë t’i mësojmë bashkëkombasit tanë të gjykojnë në mënyrë më të shëndoshë mbi çështjet, e jo t’u binden thënieve të intriganëve dhe pseudoshqiptarërve.
U lutem të pranoni, Zotëri, shprehjen e ndnjenjave të mia më të shquara.
Trank Spiro Beg
Pikëpamjet e Konicës ndaj propogandës së Italo-shqiptarëve
Letra e Konicës, dhe pikëpamjet e tij me propogandën e Italisë me anë të Italoshqiptarërve; mendimet e tij të volitëshme ndaj Austrohungarisë, e kanë nxitur Ippenin që të ndërhyjë tek Ministri i Punëve të Jashtme të Austrohungarisë, Goluchowski. Më 3 Shtator 1897, Ippeni i shkruan një letër Goluchowskit dhe pasi që i shpjegon se si ka marrë një përgjigje interesante nga Konica dhe për ç’arsye, i dërgon atij kopjen e letrës së Konicës (letrën që dhamë më sipër).
Ippeni, përveç që na duken interesante, prandaj do të ndalemi pak në ta.
Ippeni thotë se Konica i ka studjuar mirë të katër numrat e revistës, ai ka mbledhur edhe disa informata mbi Konicën, njëkohësisht flet edhe mbi disa probleme, ka marrë pseudonimin “Trank Spiro Beg” nga romani “Hasan Jeniçeri” (Hasan le Janissaire) i shkrimtarit françez Leon Cahin. Pastaj Ippeni i përkujton Goluchowskit letrën që ka marrë nga ai më datën 29 Qershor dhe përgjigjen që ia ka dërguar Ippeni më 29 Qershor të të njëjtit vit në lidhje me një projekt për themelimin e një gazete shqipe, të cilën do ta ndihmonte Austrohungaria, dhe e pyet Goluchowskin nëse ka marrë ndonjë vendim mbi këtë gjë. Simbas mendimit të Ippenit, do t’ishte gjë e rrezikshme sikur të themelohej një gaeztë e re, prandaj në letrën e atëhershme, i ka propozuar Goluchowskit që Austria të financojë gazetën “Shqipëria” që botohej në Bukuresht. Mbasi që e ka marrë revistën “Albania” të Konicës dhe e ka analizuar, Ippeni e ka ndr! uar mendimin rreth gazetës “Shqipëria” të Bukureshtit dhe i propozon Goluchowskit që ta përqëndrojë vëmendjen në revistën “Albania”.
Me këtë rast Ippeni i propozon Goluchowskit që t’i shtrojë Konicës këta kushte:
1. Një ndryshim të programit të revistës “Albania”: Konica e ka quajtur këtë “Organ i Partisë Autonomiste-revolucionare”, kurse Ippeni propozon që fjala “revolucionare” të hiqet dhe Konica duhet t’i evitojë sulmet e hapura kundërs Qeverisë turke;
2) Në çdo numër, Konica duhet të botojë ndonjë artikull që “ne do t’i dërgojmë në dialektin gegë dhe me ortografinë e pranuar nga ne”.
Në të njëjtën letër Ippeni bën edhe një vërejtje: “është për të menduar në lidhje me një gjë: Trank Spiro Beu ose i mashtron Italo-shqiptarët dhe gazetën e tyre “La Nazione Albanese”, ose mua – thotë ai; sepse midis asaj që shkruan në revistën e vet dhe asaj që më shkruan mua në letër, egziston një kundërthënie diametrale”.
Fill mbas kësaj, Goluchowski ka thirrur Konicën që të vijë në Vjenë për të biseduar me të. Bisedimet janë zhvilluar më 25 Nëndor 1897 në Vjenë. Që në ditën e nesërme, mbas bisedimeve, Konica i shkruan Goluchovskit një letër nga Viena, në të cilën bën një përmbëledhje me shkrim të bisedimeve dhe paraqet idetë e veta mbi revistën, mbi kushtet e reja, mbi punët që duhen kryer e të tjera. Kjo letër është me të vërtet një program i propogandës që duhet bërë në të gjitha lamitë e jetës politike dhe intelektuale. Letra ësht një provë se sa e madhe ka qenë veprimtaria e Konicës, sa shumë dhe sa larg ka menduar për çështjet shqiptare.
Meqenëse letra na duket me shumë rëndësi, do të japim tekstin e saj në frengjisht dhe përkthimin shqip. Mjerisht koha dhe vëndi nuk na lejojnë të bëjmë komentin e shumë ngjarjeve dhe problemeve që Konica përmend në këtë letër; ndoshta këtë do ta bëjmë më vonë, nëse do të kemi mundësi t’i hyjmë punës së botimit të kësaj korrespondence në përgjithësi.
PS
Një “Monografi” e pambaruar e Dr. Hasan Kaleshit; vdiq në Prishtinë (1976) kur festonim qindvjetorin e F. Konicës.
E riprodhoi për botimin elektronik në “Zemra Shqiptare” z. Qazim Rrushaj