| E diele, 27.11.2016, 03:54 PM |
Homazh për shkrimtarin dhe poetin e mirënjohur Novruz Xh. Shehu
Nga Keze Kozeta Zylo
Jeta është e mbushur me plot të papritura që mbart natyrshëm gëzimin dhe hidhërimin brenda saj… Dhe vjen një dite si kjo sot, kur përballesh me një lajm shumë të hidhur që ta kanë servirur në tryezën e ekranit të përbashkët përreth globit si kupë helmi me ndarjen e parakohshme nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të mirënjohur të ndjerin Novruz Xh.Shehu. Lajmin trishtues e ka shpërndarë me pikëllim i biri I tij, një lajm që përhapet si vetëtimë me shpejtësi, sepse është një lajm që lajmëron ikjen nga kjo botë të një Njeriu, ikjen nga kjo botë të një babai, ikjen nga kjo botë të një studjuesi dhe shkrimtari…
Kur përballesh me keto lajme tejet trishtuese dhe sidomos kur personin e njeh direkt, nga se ke komunikuar, ke ndarë së bashku mendime të ndryshme, ke realizuar projekte të dobishme, lajmi bëhet dhe më i dhimbshëm, më gërryes si gjëmimet në kohë me vranësira të labërisë tepelenase që përplasen ethshëm dhe thyejnë kokën në malet hijerënda të Salarisë, aty ku i ka rënë koka Heroit legjendar Selam Musait, aty ku lindi biri dhe poeti i saj Novruz Shehu.
Në mënyrë marramendëse me shpejtësi drite më enden në kokë si fijëza të arta gjithë krijimtaria letrare dhe gjithçka të vyer që i la botës së letrave shqip, dhe kjo është tejet ngushëlluese për bashkëshorten e tij fisnike, fëmijët e tij, të afërmit e shtrenjtë dhe lexuesit e shumtë që krijoi nëpërmjet penës së tij serioze.
Kujtova poezinë “Meridianët i mjekon bukuria” në librin e poetit Novruz Xh. Shehu “Të vdekurit na përgjojnë” për të cilën kam shkruajtur esenë me titull: “E bukura e Dheut kreh flokët me vargjet e poetit tepelenas” botuar në gazetën “Dielli”, “Illyria” si dhe në librin “Diaspora krah shqiponje” dhe për pak çaste s’do ta mendosh kurrë shkrimtarin Shehu se ka ndërruar jetë, pasi shpirti I Tij mjekohet me bukurinë, me bukurinë që poetët e kësaj race e duan shumë.
Nëpërmjet poezive të tij aq të ndjera na shfaqet kudo e Bukura e Dheut, në gjokset e saposythura, apo në odat e gjetheve të virgjëra të nusërisë, që lajnë dhe fshijnë sytë, duke e veshur ajrin me një cipë të mëndafshtë laureshash.
Autori Shehu ka një kod krejtësisht të veçantë lirizmi, një lirizëm të hollë që vjen pikërisht nga mënyra se si e percepton dhe e shijon ai të bukurën, me një etje të përjetshme, ndaj dhe vargu i tij këndon:
Natyrisht e pashë/ Rrrinte mes nesh e Bukura e Dheut!
Ai mjeshtërisht di ta vesh vargun me një fustan të bukur nusërie, duke hedhur në breg dallgë me valë ku dhe foletë e pranverës së blertë mbushen me vezë zogjsh, nga dashuria për të Bukurën e Dheut!
Dhe të ngjit kjo ndjesi e ëmbël ngase ka çelur në plagë poetësh, në buronjat e dhembjes të cilat me llambat e shpirtit i djegin ngadalë, fare ngadalë, ndërsa e Bukura e Dheut varet në degëzat lotues të vështrimeve të poetit, ku sytë e tyre së bashku notojnë në valëza të kaltra dhe buzë të vesta...
Brenda palcës së fjalës shprehet se nuk mund ta konceptojë dot jetën njerëzore pa atë perëndeshë bukurie ndaj dhe vargëzon:
“Hamall akullnajash përzënë nga ajsbergët/ do të isha/ pentagram/ me solin të humbur/ do të isha/ shpellë (gojë e hapur kufome)/ kambanë e zhveshur nga jehonat/ zog me flatra të rëna nga rebelimi do të isha/ nën këtë qiell me dashuri ulëritëse”.
Ai është në Qiell me penën e tij që është një bisturi shpirti, dhe lëshon pikëza dielli poezie, për të thurur tantella si shkumë e bardhë në maja malesh Labërie dhe Shqipërie aty ku Perënditë kanë fronin.
Të vdekurit na përgjojnë.../I veshur me pushtetin e ajërt/ Në poltronmortin qëndron/ Mediton, vëzhgon/ Faik Konica!
Në poezinë “Faik Konica”, poeti Shehu duket gati si shenjt, sjell botën e përtejme pranë nesh, nga se amanetet e tyre jane akoma të pakryera dhe sipas filozofisë së popullit: “Amanetet nuk i tret dheu”
Pena e tij pikon dhimbje dhe brenga për ata që ikën papritur nga kjo botë, aksidentalisht ose me tmerr.
Autori ka parë një kafkë dhe era luan me zgavrën e saj si fëmija në lisharëse, ndërsa një miush bën aerobi në këtë godinë fosforeshente.
Çuditërisht me emrin kafka lidhet shkrimtari i famshëm Kafka, por me ndryshimin se ne jemi të divorcuar me famën dhe emrin e tij.
Poezia sjellë një monolog nga bota e përtejme, një monolog që e bëjmë ne me veten, sepse kafka jemi ne thotë autori, prekshëm...
Shkrimtari dhe Poeti Shehu mjeshtërisht sjellë dhe respekton ne gjak figurat e ndritura kombëtare si tek poezia: “Shën Tereza”, lexuesi mjekohet nga duartë e saj si fashot e buta të mëndafshta, e cila shëron plagët e shkaktuara nga të verbërit e pasurive.
Ajo ecën bashkë me Skënderbeun, krah nesh thotë poeti, si ëngjëllore duke mbajtur diellin në dorë dhe Gjergj Kastrioti e arrin mbi kalin prej tingulli dhe i jep shpatën: Për ty e mpreha – i thotë/ për ty i lashë pas vdekatarët/ për ty i mblodha të gjitha këngët që m’u kënduan/ Shën Tereza e puthi/ shkriu shpatën dhe thirri Paqen/ që t’ia bekojë botës unazën më të bukur!
Eshtë e pamundur të shpreh në këtë shkrim homazh gjithë krijimtarinë e Tij, por arti I fjalës është si tek Ansambli i Deave/ sërish i kthen shpejtë tek detet/ me porosinë e vetme/ të tregojnë brigjet/ Këngëtarja Elena Mërkuri/ pi një filxhan diell/ dhe nxjerr nga gjiri/ vajzën e porsazgjuar të valëve...
Pena e autorit duket sikur merr butësi dhe mirësi Vaisliqie, nga gruaja e Ali Pashë Tepelenës, bukuri hëne të Haidesë, bijës së tij, dhe ndriçim nga ylli i Jataganit...
Vasliqia shprehet autori me nje puthje e vuri në gjumë Janinën, dhe mbi kuaj hipi detin e shtrirë...
Si familje kujtimet me autorin janë të shumta dhe ajo që na lidhi më së shumti së bashku ishte ardhja në këtë botë e mbesës tonë Dea, I cili u frymëzua ndjeshëm ashtu sic dine të frymëzohen shkrimtarët dhe njerëzit e vërtetë, si dhe hapja e Shkolles Shqipe “Alba Life” në New York.
Konceptimi i shkrimtarit me njerëzit që ikën nga vendi, dhe mosharrimi I rrënjëve të të parëve, I dhanëpoetit fuqinë e Muzës, perëndeshen e frymëzimit dhe dërgoi si dhuratë nga më të cmuarat librin “Letrat Deas në New York”. është një komunikim I magjishëm midis një shkrimtari dhe fëmijëve me prindër shqiptarë që lindin matanë oqeanit. Poezitë në libër janë mesazhe tejet emocionuese, drithëruese, patriotike, që Dea kur të rritet dhe do të dije të lexojë shqip të ndjejë historinë shqiptare dhe atë tepelenase, atje ku I kanë rrënjët gjyshërit e saj shkruan autori.
Në prologun e librit Ai i drejtohet bebes Dea ne menyrën më poetike dhe më të ngrohtë:
Ashtu si udhëtarët që, në herëshmërinë e banorëve të këtij planeti, preferonin yllin e mëngjezit si pikë referimi për të mundësuar rrugën e duhur, preferova pikërisht Dean që disa ditë mbas lindjes. Unë kështu arrita të komunikoj me një kontinent tjetër me lexuesit e denjë dhe njëkohësisht në një kohë tjetër, kur Dea të rritet e të mund të asimilojë e artikulojë historitë e vendit nga kanë rrënjët mamaja dhe gjyshët e saj. Ati i saj amerikan me prejardhje angleze dhe gjermane bëri dasmën në Shqipëri e pikërisht fotot tek lokali pranë Varrit të Ashikut, duke realizuar kështu në një farë mënyre portretin e dashurisë universale, ndersa dasmen tek . Këtë ndodhi do ta përshkruaj ,në një libër tjetër, por ishte pikërisht kjo ndodhi një pikë tjetër referimi artistik njerëzor dhe historic për t’i dhënë hapësira mbarënjerëzore ndjesësië, dashurisë,b ujarisë, humanizmit, paqes dhe mbi të gjitha Lirisë.
Ai frymëzohet nga ardhja e një bebeje shqiptare dhe ja si i këndon: “Mirëseardhe! Uaaa! Paske ardhur/ si maket i Hënës ke zbritur në New York/ Ti erdhe befas, kur se prisnim/ me gjithë floririn e botës mbi flokë”!
Shkrimtarin Shehu i cili ushtroi tërë jetën profesionin e mësuesisë e patëm së bashku me një delegacion vitin e kaluar pranë nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” në New York, të ftuar nga drejtori dhe themeluesi e kësaj shkolle z.Qemal Zylo. Anëtarët e delegacionit ishin znj.Nora Malaj, z/v ministre e arsimit dhe e sporteve, znj.Ermioni Cekani drejtore e arsimit të Bashkisë së Kamëzës, drejtori i gjimnazit të Kamëzës z.Sherif Koldashi, znj.Albana Muhametaj z/v drejtore e shkollës në Paskuqan si dhe vajza simpatike, më e reja e ekipit zonjusha Klestia Cekani. Ata vizituan shkollat shqipe “Alba Life” në Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan.
Me shkrimtarin Shehu dhe skulptorin Vladimir Llakaj, stafin e TV “Alba Life” patëm fatin të merrnim vleresimin e merituar për regjisorin e famshëm hollivudian me origjinë nga Dragoti I Tepelenës dorëzuar nga kryetarii I Bashkisë së Tepelenës z.Tërmet Peci dhe më vonë shkuam pranë shtëpisë së regjisorit të famshëm hollivudian në Dragot për të parë dhe prekur nga afër portën e “argjendtë” të këtij Burri të madh të Kombit. Më duhet të shtoj se ideja e hedhur nga Shkrimtari Shehu në bashkëpunim me TV “Alba Life” dhe Bashkinë e Tepelenës për ta vlerësuar Stan Dragotin me çmimin më të lartë “Nderi I Kombit” u bë realitet në muajin Shtator ku presidenti I Repbulikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani ia dorëzoi z.Zylo në emër të Stan Dragotit, në mjediset e “Russian Tea Room” në Manhattan.
Jam e sigurtë se pena me krijimtarinë e Tij do të udhëtojë lumit të Vjoses që kthehet herë i kthjellët dhe herë i trazuar dhe që derdhet deteve të thinjur, detyrimisht do të trokasë si kambanë mureve të kalasë së Aliut, do të çeli si manushaqez Naimi tokës së ringjallur, do te çajë mjegullnaja kokëfortë dhe pastaj Shpirtin e Tij si Dritëz do ta lerë të prehet qetëisht dhe hyjnisht në botën e përtejme, ashtu siç e meritonte.
Amen!
Staten Island, New York
24 Nentor, 2016