Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Keka: Kruja e Kastriotit, shkëmbi dhe diga

| E shtune, 26.11.2016, 09:18 PM |


Kruja e Kastriotit, shkëmbi dhe diga

Me rastin e 573 vjetorit te ngritjes se flamurit në Krujë

Nga Gjon KEKA

Historia në përgjithësi konsiderohet si një studim i rëndësishëm dhe i këndshëm,aq më tepër kur shkruhet e gjurmohet për periudha dhe personalitete të rëndësishme historike të një kombi.Në këtë rast për personalitetin mbikohor të Gjergj Kastriotit ,rikthimin e tij në Krujë dhe ngritjen e flamurit kombëtare arbnor si flamur të identitet tonë kombëtar europian, fitores dhe lirisë.Shpesh kur trajtohen apo shkruhen ngjarjet e rëndësishme historike si kjo e 28 nëntorit 1443, domosdoshmërisht na bëjnë të reflektojm në punën dhe rrugëtimin e tanishëm të kombit tonë,kjo parasëgjithash për të mbajtur ritmin me rrethanat e kohës të cilat janë të mbushura me udhëzime të së kaluarës e që sot mund të kenë ndikim në ndryshme të mëdha pozitive dhe të përfillshme të shoqërisë ,respektivisht popullit tonë i cili aspiron t'i rikthehet shoqërisë së qytetërimit të përbashkët të familjes Europiane. Që në fillim të këtij shkrimi po nënvizoj se ishte Gjergj Kastrioti dhe Gjon Huniadi dy strategët e kohës që zmbrapsën Turqinë,respektivisht Perandorinë babrare turke e cila kishte orekse të pushtimeve të hapësirë së kontinentit europian.Këta dy historia e përgjithshme e Europëës i konsideron si mbrojtësit më të mëdhenjë jo vetëm të lirisë dhe atdheut të tyre ,por edhe të civilizimit të përgjithshëm të kombeve të familjes europiane. Dhe kështu jo vetëm kombi ynë i detyrohet dhe duhet t'i detyrohet për shpëtimin e qenjes së tij,për dhuratën e flamurit kombëtar europian, për vlerat që ruajti ai dhe që trashëguan pasardhësit e denjë të tij, Por duhet t'i detyrohet edhe Europa e sotme ,Europa e cila duhet ta rikthej shikimin tek këta dy heronjë, këta dy strateg për të marrë mësime të mëdha për kohën e sotme.Në rast se princat dhe mbretërit europian po ta kishin konsideruar siç duhet Gjergj Kastriotin ata do të gjenin tek ai sigurisht një njeri të aftë për të bërë revolucionet më të mëdha në historinë e Europës dhe kjo duke i dhënë atij ndihmë e fuqishme në luftën kundër pushtuesit osman, ndihmë kjo që mungoj dhe trojet arbnore pas vdekjes së tij u pushtuan dhe u sunduan barbarisht nga osmanët.

Në fakt për projektin e madh të shpëtimit të Europës ishte zgjedhur për ta kryer heroi ynë i jashtëzakonshëm ,madje vetë Papa Piu II. ishte aq i bindur që Gjergj Kastrioti do të fitonte dhe Europa do të shpëtoj, ngase ai pas manifestimit publik të këtij ide-projekti e kishte emëruar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun komandant i përgjithshëm i trupave ushtarake të kombeve europiane.Por ndërsa ky mbretë i madh i kombit tonë dhe Europës kishte dizajnuar hartën për shkatërrimin e plotë të pushtetit osman vdekja e rrëmbeu atë nga krahët e fitores që e shoqëronin atë gjithnjë dhë në të gjitha betejat.Duhet ditur se Gjergj Kastrioti ishte i gatshëm shpesh të surprizonte në mes të betejës duke i shkaktuar çrregullime të vazhdueshme dhe lënë me humbje të mëdha trupat e sulltanit.Ai ishte njeri i surprizave të mëdha, po të mbështeteshin princat dhe mbretërit tjerë europian në planin e tij sot Europa do të ishte e tëra e bashkuar, sot Konstantinopoja do të ishte arbnore dhe me të tjerët dhe sot arbnorët nuk do të humbnin kohë ,por do të ishin sigurisht të bashkuar edhe shpirtërisht për nga besimi ashtu edhe si komb fizik në familjen europiane.

Gjergj Kastrioti ishte i pushtuar nga të gjitha cilësit e mira të një udhëheqësi ,të një heroi, të një trimi ,të urti dhe mbreti, për atë si dje ashtu edhe sot ai është më i preferuari si ndër popuj ashtu edhe ndër kombet,dhe më i përmenduri për nga shembujt e mirë të nxjerrjes së kombit në liri dhe udhën e sigurtë të së ardhmes.

Ndërkaq sot bëhen 573 vjetë kur në Kështjellën e Krujës u ngritë flamuri i identitetit tonë, flamuri që do të bënte hejonë në mbarë kontinentin Europian si një flamuri i pathyeshëm jo vetëm i kombit arbnor ,por edhe flamuri i fitores përballë turqve pushtues.Krujë si vend nuk ishte edhe aq i njohur sa në kohën më të lavdishme të Gjergj Kastriotit.Kështu Kruja në këtë kohë u bë kryeqytet i arbërisë, selia e komandës, qendra e lëvizjes jo vetëm kombëtare arbnore ,por edhe e lëvizjes së madhe të rilindjes europiane dhe të mbrojtjes së vlerave civilizuese të këtij kontinenti nga barbarët turq. Kruja kjo qendër ku kombet europiane mbanin shpresën e saj ndërsa princat dhe mbretërit e saj nuk lëviznin nga kolltuket e tyre, ku kombet kishin rikthyer shikimin dhe prisnin shpëtimin nga i vetmi dhe i pathyeshmi Gjergj Kastrioti,ndërsa të tjerat u bënë spektatorë në këtë kontinent, në vend se t'i bashkonin forcat me Gjergj Kastriotin dhe të dëbonin përgjithmonë barbarët osman nga këto troje.

Pasi u ul në fronin e atit të tij në moshën tridhjetë, ai ishte nga ajo kohë vazhdimisht në luftë me turqit.Për një kohë të shkurtër ai rimori të gjitha ato vende që kishin uzurpuar turqit ,dhe që kishin ndarë në copa të gjithë kombin arbnor dhe e kishin shpërndarë ,masakruar e dëbuar popullin. Në këtë mënyrë ai komunikoi suksesin e tij dhe europa e pa atë si një mbrojtës të madh dhe një trim të pashoq.

Megjithkëtë ngritja e flamurit në Krujë nënkupton për kohën ngritjen e yllit të vetëm europian si shpresë për Europën dhe shpëtimin e saj.Ndërsa rikthimi i Gjergj Kastriotit përbën për kombi arbnore rikthimin e të vërtetës së tij ,shpëtimit dhe ringjalljes.Sepse pikërisht më 28 nëntor të vitit të bëkuar 1443 ai ngriti jo vetëm flamurin ,por edhe bëri thirrje që të gjithë të rikthehen në identitetin arbnor dhe kështu të bashkuar të fillonin të ndërtonin shtetin e arbërit, të zhvillonin ,forconin dhe të vazhdonin betejën kundër pushtuesit turk.është fakt historik sado që të tentohet të shtrembërohet që Gjergj Kastrioti urdhëroj që në ditën e parë që të gjithë që t'i rikthehen identitetit të tyre, duke i shqyer dhe hedhur për tokë të gjithë elementet e pushtuesit turk që kishte lënë. Kjo u relizua në vazhdimësi gjerë në vdekje të tij në trojet arbnore nuk kishte simbole të pushtuesit turk.

Për ta përforcuar këtë po nënvizoj atë që shkruan Clement C.Moore në veprën e tij për Gjergj Kastriotin të vitit 1850 :“Skema ishte e suksesshme; ai zëvendësoi qeveritarët turq me shqiptarë që kishin ndjekur atë...kështu ai shpalli armiqësi të menjëhershme kundër Sulltanit, ai i sulmoi me tërbim dhe rreptësi trupat e turqve të cilët ishin vendosur në pjesët e Shqipërisë...nga 300 njerëzit që shoqëruan atë nga e beteja, ai zgjodhi disa të cilin ai vendosi të marrë me vete në Krujë...Herët në mëngjes, para se të gdhihet, duke qenë fundi i vjeshtës, ai, me një shoqëri të vogël të pranishme e mori rrugën drejt Krujës.Mëngjesin tjetër ai bëri atë që do të shpallej me tingullin e burive, që të gjithë ata që ishin të gatshëm për t'u pagëzuar të vinin tek ai të paarmatosur dhe të pranohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë në të gjitha pjesët e Shqipërisë duke i dhënë kështu dinjitetin vendit; por të gjithë ata që nuk pranuan këto kushte u konsideruan armiq të vendit. Kështu që në qytetin e Krujës të gjithë shenjat e turqëve u shqyen dhe u djegën kudo ku gjendeshin dhe të gjitha gjurmët e pranisë së tyre të mëparshme u shlyen. Kastrioti dërgoi disa nga personat kryesore të qytetit, mbi vendet brenda juridiksionit të tij, për t'i njohur banorët me sukses e veprimeve të tij.Ndërsa ata vetëm ishin duke pritur udhëheqësin i tyre. Kështu Skënderbeu bashkoj të gjitha forcat e tij...”

Nga kjo mësojm se Gjergj Kastrioti u bë shembull i rilindjes, i rikthimit të vlerave të vendit, i strategjisë së madhe kombëtare të lirisë dhe ndërtimit të shtetit arbnor europian. Rikthimi në Krujë, shpalosja e flamurit kombëtar dhe shtetëror të arbërisë në kushtet e atëhershme përbën hapin më të madh të kombit tonë në historinë e tij.Sepse pikërisht atë ditë jo vetëm arbëria u bë kryeqendra e kombeve europiane dhe e luftës kundër pushtuesit barbar osman. Poashtu atë ditë arbnorët u njohën për hapin e tyre historik, për trimërinë dhe urtësin e vizionin e lidershipit të Gjergj Kastriotit. Kjo tregon se ai lulëzoj aty nga mesi i shekullit XV për t'u bërë një dritë e madhe më pas për nga veprat e tij heroike dhe të qeverisjes së mirë.

Arbëria u zgjua në kohën e Gjergj Kastriotit për lavdinë dhe fuqinë e të parëve të saj, dhe u bë shkëmbi e diga kundër sulltanit barbar.Ndërsa Perëndimi duhet t'i detyrohet shpëtimit të saj figurës më të madhe të historisë së saj europiane Gjergj Kastriotit ,sepse ai dhe Kruja u bënë penges dhe mburoja e Europës.

Ndërkaq sot është koha të zgjohemi Ne për lavdinë e të parëve tanë dhe të ecim rrugës që trasoj Gjergj Kastrioti, rrugës së natyrshme të kombit arbnor europian dhe rikthimit në familjen tonë të përbashkët europian ,jo vetëm si shtet por edhe si komb brenda trupit të këtij kontinenti të lashtë.