Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Kadiu: Trimi i heshtur Seladin Ferro

| E diele, 13.11.2016, 09:20 AM |


TRIMI I HESHTUR SELADIN FERRO, NJË NGA NJËMIJËEGJASHTËQIND PARTIZANËT E DEVOLLIT

Nga Kadri Kadiu

Kur trimëria rri bashkë me urtësinë, formon atë që quhet karakteri burrëror i njeriut. Seladin Ferro i pati këto cilësi, i tregoi gjithë jetën, në luftë dhe në punë, i gëzon edhe sot, pas vdekjes, në kujtesën e shokëvë, të miqve, të mbarë devollinjve dhe bashkëluftëtarëvë të tij në gjithë Shqipërinë.

Seladini u lind në tetor 1912 në Mançurisht të Devollit, në një familje të fisme dhe të njohur për ndjenja atdhetare. Pushtimi i Shqipërisë nga të huajt, Seladinin e gjeti të martuar, me katër fëmijë dhe të preokupuar me ekonominë e vet familjare. Por ai nuk mund t’i shmangej luftës. Qysh në fillim u njoh dhe u lidh me drejtues të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Devoll si Fuat Babani, Demir Progri, Zija Kambo, Todi Vogli, Xhemil Hoxha, Ismail Gjata etj, dhe u bë promotori i futjes në  vallen e luftës të djemve më të mirë të Mançurishtit, pesëmbëdhjetë prej të cilëve, pasi u kalitën në aksionet që kryente Njësiti Partizan i Prespës, kaluan në formacionet e Ushtrisë Partizane.

Më 13 shkurt 1943 në shtëpinë e Seladinit po bëhej një mbledhje e këtij Njësiti, për të komunikuar detyrat e marra nga Komanda e Çetës “Morava” të Devollit. Shtëpia e tij, një shtëpi e madhe dykatëshe e rrethuar me avlli, ndodhej në anë të Fshatit, pak e veçuar nga shtëpitë e tjera. Për zhvillimin e mbledhjes së Njësitit, Seladini kishte marrë masa sigurimi, duke lënë roje vëllain e vet, Rahmiun, në drejtimin e rrugës nga Gollobërda dhe kushëririn, Fidaiun, në drejtimin e rrugës nga Progri. Por edhe Balli kishte mundur të informohej për këtë mbledhje, kështu që në mesnatë, dhjetra ballistë e milicë, që vinin nga Progri, po i afroheshin shtëpisë. Fidaiu i diktoi, dha sinjalin, kështu që Seladini me shpejtësi i nxorri shokët e Njësitit përtej avllisë, në bahçet e Ormaneve. Pastaj u kthye dhe i thotë nënë Salushes: O nënë; nuk mund të qëndroj më në shtëpi. Sot po iki në mal dhe do të kthehem vetëm kur Shqipëria të bëhet e lirë. Po të le amanet katër fëmijët dhe nusen shtatzënë.Po u lind djalë, emrin do ia vini Lirim, po u lind vajzë, do e quani Liri. I përqafoi nënën dhe nusen, Pashuken, hyri në dhomën ku flinin fëmijët dhe i puthi në gjumë, duke i larë me lotë, Skënderin, Diturijen, Manushaqen dhe Ismihanen. Dhe pastaj iku e u bë erë.

Kur ballistët e milicët u futën në shtëpi dhe nuk gjetën ata që kërkonin, u xhindosën, dhe s’lanë gjë pa prishur e pa përmbysur. Fëmijët u trembën e u lebetitën nga tmerri që po përjetonin. Kapoja i ballistëve, një eksponent i njohur në atë zonë, i bërtiste nënë Salushes se po nuk i nxorre nga i ke futur ata këlyshë partizanë, do ta djegim shtëpinë. Por nënë Salushja, që i njihte mirë “trimëritë” e tij, shkon në qilar dhe del nga andej me një bidon me vajguri. Na ; i thotë ballistit, merre, dhe po ta mbajti, digjma shtëpinë. Por ti e di që unë s’kam djalë vetëm Seladinë, kam edhe Rahminë, kam nipa Safetin dhe Fidainë, kam dhe tim vëlla Gurtali Syrixhinë, kaçakun e maleve që të gjen në çdo vrimë.

Kapoja, pas këtyre fjalëve, i thirri mendjes, i ranë pendët, mori larot e vet dhe vuri nga majat, thembrat.

Si partizan në Çetën “Morava”, e më vonë në Batalionin “Fuat Babani”, Seladini spikati për trimërinë dhe pjekurinë që tregonte në shumë luftime e përpjekje me armikun, si në Pojan më 20 shkurt 1943, në fshatrat e rrëzës së Korçës e të Gorës në maj-qershor 1943, në luftimet për çlirimin e Përmetit e të Leskovikut në korrik 1943, në luftimet e ashpra që u zhvilluan me forcat gjermane në qytetin e Bilishtit në shtator 1943, ku mbetën të vrarë 30 gjermanë dhe u kapën shumë robër, armatime e municione. Por këtu u vranë dhe disa partizanë, midis tyre dy shokët e Seladinit, djemtë e Mançurishtit, Gani Rusi dhe Xhelal Demo.

Në vitin 1944 Seladini qe inkuadruar në Brigadën e XV sulmuese, me detyrë komandant toge në Batalionin e III-të. Më 29 qershor 1944, në luftimet e zhvilluara me Ushtrinë Gjermane në vijën Alarup-Podgorie, ai u plagos rëndë në krah. Për disa javë qëndroi në spitalin partizan në Çesme të Pogradecit por u kthye përsëri në formacionet e Ushtrisë dhe nuk u nda për asnjë çast nga lufta, megjithse në prag të çlirimit u plagos përsëri, por këtë herë më lehtë.

Mbas çlirimit, pa u shkëputur nga Ushtria, dërgohet në Tiranë në Shkollën e Kualifikimit të Oficerëvë të Luftës. Në vitin 1945 këtu merr gradën nëntoger dhe caktohet si kuadër Ushtrie në Delvinë. Kur mbërriti në Delvinë, Komanda e Vendit, para se t’i komunikonte detyrën, i dha njoftmin se një telegram nga Bilishti lajmëronte për vdekjen e nënë Salushes. E ngushëlluan shokët dhe e këshilluan të duronte pak ditë sa të gjenin ndonjë mjet për ta çuar në Devoll.

Por Seladini nuk mund të priste asnjë çast, atë nuk e mbante vendi, po bëheshin tre vjet që ishte larguar nga shtëpia dhe tani nuk do ta shihte më nënën. I kishte premtuar se do të kthehej kur të çlirohej Shqipëria, por nuk kishte mundur. Ndërsa nënë Salushja i kishte plotësuar amanetet e tij; ishte kujdesur si burrëreshë për fëmijët dhe nusen. Edhe vajzës që lindi nusja, emrin Liri ja kishte vënë, sipas dëshirës së të birit. Madje Seladini e dinte që, pas ikjes së tij, nënë Salushja shtëpinë e kishte kthyer në një bazë të Luftës. Në atë shtëpi u krijua dhe bënte mbledhjet Këshilli Nacional-Çlirimtar i Fshatit, me Kryetar nipin e shtëpisë Safet Kadiun, në atë shtëpi u krijua dhe zhvilloi aktivitetin Organizata e Gruas Antifashiste të Fshatit, me Kryetare Pashuke Becolli Ferron, nusen e Seladinit.

Dhe ashtu, me këto mendime në kokë, i emocionuar, me shpirt të përvëluar nga dhimbja për nënën, me peshën e premtimit të pambajtur, për katër ditë e katër netë, duke ecur me këmbë, rrugë e pa rrugë, nëpër male e nëpër shkrepa, Seladini arriti nga Delvina në Devoll. Dhe u çlodh, i zbrazi lotët e u qetësua mbi varrin e nënës.

Në Delvinë e Sarandë Seladini shërbeu deri në vitin 1947, pastaj u transferua në Korçë.

Në provokacionet e Ushtrisë Greke në kufi, në gusht 1949, ai ishte në vijën e parë të frontit, me detyrë Komandant i Baterisë së Mortajave. Aftësitë dhe trimëria deri në vetëmohim e Seladinit u shpalosën dukshëm në këto luftime, sidomos në betejën më të fortë që u zhvillua në Kapshticë në lartësitë e Malit të Palegut, sa që ish Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, aty , në pozicionin e luftimit, vuri në gjoksin e Seladinit dekoratën e shtatë, Urdhërin e Trimërisë dhe e gradoi Kapiten i Parë.

Seladini shërbeu në Ushtri deri në vitin 1955 në detyra të ndryshme si Komandant i Shkollës së Përgatitjes së Nënoficerëvë në Korçë, Komandant i Forcave të Lira të Rrethit etj, dhe më tej u kthye në vendlindje në Mançurisht, ku kishte familjen. Për pjekurinë dhe aftësitë organizative që kishte, për respektin dhe dashurinë që gëzonte në bashkëfshatarët e vet, këtu u zgjodh Kryetar i Këshillit të Bashkuar të Kooperativës së Progrit, detyrë që e kreu deri në daljen në pension.

Më 25 gusht 1991, në shtëpinë e Seladinit në Mançurisht, kishte shumë njerëz. Bashkëfshatarë e devollinj, por edhe shokë, miq, bashkëluftëtarë  nga gjithë Shqipëria; kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën trimit gojëëmbël, atdhetarit si Ai, Seladin Ferros.

Por trimat nuk harroen kurrë, ata mbesin gjallë përjetë në këngë. Bilbili i këngës Devollite, artisti Ali Kondi, që i ka kënduar trimërive të devollinjve, nuk mund të mos thurrte e këndonte një këngë edhe për mikun e shokun e vet të Luftës, Seladinin e Mançurishtit:

Ishte gushti në të dalë

Seladin o ajkë djalë

Kur qëlloje me mortajë

Mbi grekët bëre hatanë

 

Seladin o trim me fletë

Armiq vrave sa deshe vetë

Luftove për Shqipërinë

Deshe paqen dhe lirinë...