Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Tahiri: Bota tregimtare e një mërgimtari

| E hene, 07.11.2016, 08:44 PM |


Sot, më 3 Nëntor 2016, në botim të ArtClubit “RIFAT KUKAJ”, shtypur në shtypshkronjën Lena Grafik, doli në qarkullim libri me tregime “Kohëthyerja” i autorit Hazir MEHMETI

Recension

Bedri TAHIRI

Bota tregimtare e një mërgimtari

(Hazir MEHMETI, Kohëthyerja, ArtClub”RIFAT KUKAJ”, Prishtinë, 2016)

Mësuesi dhe veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, z. Hazir Mehmeti, tashmë është bërë emër i njohur edhe në fushën e krijimtarisë letrare e të kulturës në përgjithësi. Disa vite mësimdhënës shembullor e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues, pedagog i zellshëm, hartues tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në Vjenë e më gjer në mërgatë; publicist, përcjellës besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve, pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore. Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë gjeti vend edhe muza e krijimtarisë artistike, duke e ngacmuar botën e tij të brendshme që me penë të skalis monumente përjetësie, derisa e nxori në dritë librin me tregime “Kohëthyerja”.

Nëse u besojmë teorikëve letrarë  kur thonë se proza është burrëria e krijimtarisë, atëherë lirisht mund të themi se Hazir Mehmeti me plot gojën e gëzon këtë epitet. Kjo nuk do shumë mend. Mjafton të shikohen vetëm titujt e tregimeve të tij. Të gjithë janë të shkurtër, përmbajtjesor dhe shumë domethënës. Më shumë se gjysma e tyre përbëhen nga një fjalë e vetme: “Porosia”,“Erëdredha”,“Ftesa”,“Hijezeza”, “Lypësi”, “Kohëthyerja”,“ Shëngjergji”,“ Hetuesi”, “Shtegtimi”, “Arkivoli”, “Busti”etj. Këtu qëndron aftësia dhe kreativiteti i tregimtarit, tek lakonizmi i stërholluar. Lexuesi i vëmendshëm, që në titull e percepton deri diku përmbajtjen e tregimit. Unë pata fatin që i pari të lexojë secilin tregim në dorëshkrim, dhe se fundmi edhe dorëshkrimin komplet të librit “Kohëthyerja”, andaj, pa hezitim e them së libri është një realizim i bukur artistik.

Të njëzet tregimet, të futura nën çatinë e përbashkët me emrin “Kohëthyerja” sikur i përshkon lajtmotivi i vetëm: Dashuria për vendlindjen dhe njerëzit e saj nëpër kohëthyrjet kobzeza. Heronjtë e tyre janë njerëzit e thjeshtë, ata që zakonisht bëjnë historinë, ashtu në heshtje, duke qëndruar vertikalisht para stuhive shkatërrimtare. Në fakt, ata në libër dalin me emra të tjerë, fiktiv, të imagjinuar (Petriti, Lam Burguri, Shpend Gurxixa, Luan Guri etj.), por nuk është vështirë të identifikohen, sepse të tillë kishte e ka  kudo në mesin tonë. Portretizimi i tyre është bërë aq mjeshtërisht e me kujdes, saqë ata janë shndërruar në prototipa letrarë që denjësisht përfaqësojnë shtresa e kategori të caktuara të shoqërisë sonë.

Autori, siç duket e ka kuptuar në thelb thënien e të madhit Dritëro Agolli kur thotë: “Nëse n? letërsi nuk hyn dhe jeta jote, atëherë ti nuk  di ç’t? shkruash”. Kështu që, në këto tregime, pashkëputshëm, si peri i Arianës, hetohen elementet jetësore, përjetimet e vetë autorit, i cili, gjithashtu, nuk e pati rrugën e shtruara me lule. Përkundrazi, ashtu zbathur eci dhe u gjakos pamëshirshëm nëpër ferra e gjemba. Ky gërshetim i natyrshëm, i ngjarjeve të përjetuara me rrëfimet e të parëve të tij, me historinë e mësuar nëpër kullat tona, na ka dhënë një panoramë të shkëlqyer të realitetit të hidhur, por krenar, të gjithë historisë sonë kombëtare. Në këto tregime shpaloset kujdesshëm e me përkushtim e djeshmja dhe e sotmja jonë, duke e plotësuar njëra-tjetrën aq bindshëm, saqë në imazhin tonë krijohet profil i qëndrueshmërisë e pathyeshmërisë së popullit shqiptar nëpër shekuj, duke mbrojtur trojet e veta stërgjyshore.

Bota tregimtare e Hazir Mehmetit është e larmishme dhe përplot ngjyra ylberore. Gjuha e pastër dhe e pasur me fjalë të bukura shqipe dhe, shpesh, edhe fjalë të reja-kompozita, narracioni i lehtë dhe i rrjedhshëm, i plotësuar edhe me digresione e përshkallëzime, monologët dhe dialogët e natyrshëm, përshkrimet e gjalla e të figurshme, evidentimi dhe rikujtimi e shumë dromcave etnografike dhe toponimia e pasur origjinale (Bjeshkëqyqja, Lëndina e Mushkës, Ahu i Ariut, Lugina e Dragoit, Kodra e Kalasë, Mali i Bardhë etj.), që veç po i mbulon pluhuri i harresës, letrarizimi i shumë ngjarjeve historike si edhe shumë e shumë elemente të tjera, bëjnë që libri “Kohëthyerja” të lexohet me një frymë, siç i thonë një fjale dhe të lë mbresa të mira kujtimi. Skeleti i tyre real historik është brumosur e veshur mirë me petkun letrar dhe, duke iu falënderuar edhe imagjinatës së tij të bujshme, ngjarjet defilojnë lirshëm në sfondin e një aureole universale. Liria e protagonistëve është e pakufishme në kohë e në hapësirë. Ata i gjen kudo e kurdo: kuptohet, kryesisht në vendlindje, gjegjësisht në Kosovë, por edhe në Austri, edhe në Durrës, edhe në Ulqin, edhe në Gjermani...Ata veprojnë edhe në kohët e hershme të zezonave tona, qysh nga paganizmi ynë i hershëm (Shëngjergji), paskltaj gjatë luftërave e mbijetesave historike (Arkivoli, Busti); në kohët më të liga, kur cerberët karpatianë shqelmonin para se të jepnin shpirt dhe ushtronin egërsi të paparë mbi etninë tonë, veçan mbi inteligjencien (Ftesa, Hetuesi); në kohën e luftës së artë të UÇK-së (Qielli tymzi), për të arritur deri tek përditshmëria e mbarësur me sfida e të papritura, që gjithashtu është një kohëpërthyerje.

Rrëfimet, në përgjithësi, kanë një rrjedhë të logjikshme dhe disi spontane, me kapërcime të lehta ngjarjesh e situatash, që tek lexuesi krijojnë një ndjenjë të mirë njohëse e çlodhëse, herë-herë duke ngjallë  katarsisin e nevojshëm aristotelian. Syzheu i tyre nuk është krejt i thjeshtë, por përbën një univers që do zbërthyer me kujdes për ta kuptuar si duhet. Është një prozë e tipit të veçantë, me përthyerje tradicionale moderniste, me sintetizime, sublimime e me përmbyllje të befta, që lexuesin nuk e lënë të qetë fare, por e angazhojnë dhe e shtyjnë në meditime e thellime mendore për të nxjerrë konkluzionet e veta.

Librin ”Kohëthyerja” e kanë kompletuar dhe plotësuar për mrekulli edhe ilustrimet përkatëse për secilin tregim të dorës së artë të piktorit të njohur Gazmend Freitag. Të mos harrojmë, të gjitha këto tregime do të botohen edhe në gjuhën gjermane.

Në të përfunduar, pa u lëshuar në analiza më të hollësishme, këtë e bëjnë vetë lexuesit, pa modesti mund të konstatojmë se libri “Kohëthyerja” i Hazir Mehmetit, i pari me tregime, është një realizim i bukur artistik, me vlera mbi mesataren, që autorit i bën vend në mesin e tregimtarëve më të shquar të letërsisë së sotme shqipe, me prirje drejt modernizmit. Librit i dëshirojmë lexueshmëri e depërtim nëpër biblioteka e në çdo shtëpi, ndërkaq autorit suksese dhe prurje të reja artistike.

Prishtinë, më 3 Nëntor 2016