| E diele, 06.11.2016, 09:12 AM |
Ferit Fixha
P O E Z I
MALLI NUK U THINJKA
Grishin vegimet,
rendin shtigjeve
trembje të befta laureshash.
Regëtima shpirti
nginjen
takimeve.
Malli nuk u thinjka.
Syve të vegimeve
vidhet hëna e vajzës së kostarit
përndritet në pjergullën e dëshirës, pritja.
THJESHTË NJERI
A jam det?
Flirt i lidhur,
me fjongo horizonti,
tallaz në lakun e ëndrrës
në dalldi ?
Mos jam lumë?
Shtratbubullues,
në ujësim qiejsh,
paqëtues brigjesh e dëshirash
në dashuri ?
Ndoshta , përrua?
Shtjellë rrëkeshë
në theqafje trilli,
zgalem bohem pa qiell
fluturimi?
Apo burim?
Sy diellor,
fllad në agshol,
kthjelli ku etjen shuan
hëna e vonë?
A mos jam erë që fryj
e dehem në poret e lëkurës tënde?
Kur zgjohem jam thjeshtë njeri,
dhe zgjimin e pres me ëndje.
PLAZHI I ZANAVE
Nën korije, ndanë gërxhit,
ndal vrapin lumi rebel.
Pjalmi i vjetër i hënës,
deh kupen qiellore.
Nën regëtima legjende,
ikin kalorësit e kuq,
me diellin në zenith,
duke pirë
qumështin e Ajkunës.
Ikin,
duke shtyrë përpara
arkën e Noes.
Ngashënjyese
nojmat e zanave në plazh,
mikluese puhiza
e rrjedhës së lumit.
Me shkumë deliri lahet agimi
në sytë e etur për burrë të Tanushës...
PËRJETIM I TRAZUAR
Të trazoi një çast vegimi mashtrues,
ardhur me muzgun krahëthyer
nga qielli i arnuar i besimit;
vështrimet i tret në mjegull,
nënqeshja – statujë e dyshimit.
Po zhegu i mallit të pashuar
ta rreshku tulin e buzës,
si ndryshku një portë xhevahiresh;
drithërima e epshit të strukur
në vlimin e ëndjes pa cak-
tej vathës së ngujimit –
galop kali hamshor.
Gufmet e paciflosur të ndjenjës
na verbojnë si rrezet në zgafellë;
pendulin inatçor të mospërfilljes
e akullon mardha e harrimit,
puthja si shpata nga milli.
NDËR KRAHË MIRAZHI
Fjalët,
si shpirtra të vdekur,
pa tingull,
pa jone, pa ëndrra;
nën lëvoren e trurit,
mendimet,
lukuni vërsulen mbi bedena,
ku flamujt e shqyer
të idilit,
nën qiejt pa re,
gufmojnë,
në stinën e barit të ri.
Mirazhi është aty:
i huaj për fjalën,
i huaj për ty,
por akoma më i huaj
për vetveten.
BISQE TË ËNDJES
Ngërthyer në mosdurimin që s’firon,
dehur nga hiret tuaja ndjellëse,
në detin me furtunë po e nxjerr
anijen
e dashurisë së munguar.
Enkas do të zhytem
në gjirin e kurmit tënd;
zalisur
nga vlimi përvëlues
zjarrminë do ta shuaj aty,
mes dallgëve të pasionit.
Reshte vështrimin e vakët
ndaj pëllumbit tim të dëshirës
në fluturimin lakmitar
prej folesë së motshme;
zboje ngulmimin dyshues,
të harbojnë
bisqe të rinj të ëndjes.
Tiranë më 18 Gusht 2012
REJA
Krahët e mbrëmjes vjeshtore,
na gjetën nën një strehë;
si gjethe në ajër,
lëngëzonin retë.
U ngjita e u ngjita
pas litarëve ujorë,
dhe mbërrita
tek sytë e tu
qiellorë.
Aty qrimconin yjet,
në galaktikë pa fund
dhe ti e gjitha
hyre tek unë.
Çfarë ëndërronim
me sytë e shtrirë përdhe?
Mbase natën ta gdhinim doje,
të dy mbi një re.
GJIRI I FATKEQIT
Varkën që gdhenda
me thagmën e shpirtit,
ma përpiu një shtjellë,
në detin tënd të trazuar.
Një korb,
që endet mbi atë gji,
krakëllimën
akoma se ka pushuar.
SYRI YT
Kur buzëqeshjet i shpëlamë te kroi në mal
më flladiti freskia e syrit tënd kristal.
Në ujin e vakët kur u degdisëm në lumë,
kaltërsi e syrit nën qepikë s’tu përgjum.
Kur rrezja përthyhej ndër dallgët në det,
syri yt rrezatonte si diell i vërtetë.
Kthjetësinë e jep oqeani i shpirtit,
jo uji i kroit, lumit apo detit.
Nëntor 2006
PUTHJE
Me njomshti zemre
të putha.
Dhe ti heshte
ashtu e purpurt.
Mbase s’doje
ta zbrapsje puthjen,
mos akullohej,
mos bëhej e gurtë?...
NËN QIELLIN E ULQINIT
Rryma flokët m’i shpleks,
yshtje e detit përkarshi,
kur unë të puth
e në gjoks të ngjesh.
Kalamendet mur i kalasë,
bregu e dallga
si dashnorë ngërthehen,
në rërën e praruar
gjurmë lënë.
Me ç’pigmente
nga uji i njelmët
i detit të pagjumë,
do e ngjyrosim ditën
e çastit fatlum?...
VETMI
Rreze të vakëta
dimërore,
ti, sylëbyer në dritare,
shkrin gjurmët e mia
të akullta.
Me zogun çukitës
pas xhamit,
dëgjoj psherëtimat e tua
në fyellin e erës.
Më shtang në vetmi
buzëqeshja e portretit tënd,
thyer në dysheme.
DIMËR BRAKTISJEJE
Nderur një lëvere e bardhë
lodron me lulekumbullat
në puhizën e marsit.
Nën degë të blirit –
fërgëlluese si zemra,
malldhimbje për ty.
Lulen që ta solla
e mbuluan gjethet mbi stol.
Dimër braktisjeje...
LOZONJARES
E fsheh, s’e fsheh dot
shkëndijën e syrit të zi,
në gufim të gjinjve,
thithkat më tregojnë si gishti,
shkelës kurore.
Ti strukesh si urna
djegur nën hi
a si manaferra
nën gjethe xhumblore.