Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nebi Dragoti: Ç'dreq poeti qënkam

| E marte, 25.10.2016, 05:02 AM |


NEBI DRAGOTI

 

Ç’ DREQ POETI QËNKAM

 

PARAJA KURVË

 

O paraja murdare

Që bën botën avare

Që gjesdis parai zagare,

ja  di kimenë parasë.

Hasan Zyko Kamberi

 

Ha-ha-ha! Kurva politikë

për para është bërë kurvë,

zihen, grinden pozitë-opozitë,

për paranë sa s’bëjnë pushkë…

 

Ha-ha-ha dhe hi-hi-hi,

o paraja zuskë murdare,

e bëka politikën lesh e li,

troç, e lënke pa brekë fare…

 

Paraja kurvë dalka qartë,

dalka qartë; drogon njerinë,

e, trafikon me drogë, sakaq,

karakterin e njeriut e nxinë.

 

Kurvë paraja qënka më keq,

livadhis e mendje çorodit,

ta blen nderin edhe ta shet

kurva më e qelbur në praktikë.

 

Paraja të bëka hajdut,

paraja të bëka kriminel,

kurvë paraja, e keqe kurvë,

kuçka punëson dhe killerë.

 

Eh, Hasan Zyko Kamberi, eh,

sot paraja njeriun po prish,

është buçe që del pa brekë,

pa brekë bythët tund në politikë…

 

 

DREJTËSI KORRUPSIONI

 

Me sopatë në dorë

sipas qejfit,

sipas oreksit

pret

para,

mbrapa,

djathtas,

majtas,

dhelparake,

bishtpërpjet,

fjalë naze-naze

duke dredhur plot marifet:

rrugë i hap xhepit të vet.

 

Ka trurin e mendjes tek xhepi:

vret e pret,

xhepin me parushka

pale-palë ta ketë,

ta ketë përplot, deng.

 

 

MINISTËR BIÇIM

 

Ministër biçim,

biçim minister…

 

Ministër guackë,

guackë minister…

 

Ministër kolltukofag,

kolltukofag minister…

 

Ministër mediokërr,

re pordhe minister…

 

Ministër dordolec,

dordolec minister...

 

Ministër biçim,

biçim minister…

 

 

RRODHJA

 

Shqiptarkë bukuroshe,

e di a s’e di?

Rrodhja ka fare të ëmbël,

e ëmbël je dhe ti.

Kështu jam dhe unë,

mos bëj, mos bëj çudi!

 

Mos t’u shqitsha,

rrodhe t’u bëfsha;

t’u ngjitsha në gushë,

t’u ngjitsha në buzë!

 

Fushës, e kam zët,

kur keq më ngjitet rrodhja;

rrodhja në fushë të ngjitet dhe ty,

teksa unë gajasem ha-ha-ha,

se me veprimin e rrodhes ngjasoj

edhe më shumë.

 

Rrodhe,

rrodhe

t’u bëfsha unë.

 

 

NJERËZORE

 

Të shoh nuk desha buzë rrugëve

duar të shtrira për lëmosh,

duart të ngrira fëmijësh e plakash,

nuk desha të skamur të shoh

që mezi venë një kafshatë buke në gojë.

 

Nuk desha skamja t’i vrasë,

se dhe ata e duan jetën si të gjithë.

Kanë zemër, kanë ëndrra, kanë gjak.

Ç’ problem kemi, të dashur miq,

se si ne, si ju njerëz janë…

 

 

NUK DUA PEMË PA KOKRRA

 

Pemë pa kokrra nuk dua;

nuk dua buzërrugëve,

mezhdeve,

nëpër parcela të mbjella

drithëra buke plot,

nuk dua pemë për hije!

 

Mbillni, mbillni

drurë me kokrra,

të hanë të skamurit

që s’i blejnë dot në treg.

 

Sa zët,

Zët e ka edhe toka

të rrisi drurë të tillë,

“drurë parazitë”.

 

Dua efektivitet gjihtandej,

dua siç bëj unë:

unë nuk thur vargje

dokrra,

vargje pa kokrra…

 

 

POETUCI

 

Në rrugë has një poetuc.

Ç’të bëj unë që i thashë të vërtetën?

Ç’kritik dreqi jam?

 

Nuk shkruhet poezia kështu:

poezia kërkon objektivitet social,

kërkon art,

kërkon përkujdesje,

kërkon djersë

si bima në arë.

Ç’dreq poeti je?

Nuk shkruhet poezia

pa pikë, pa presje

e rregulla gjuhësore

duke shkelë…

 

Per këtë ai

më mbaka zemërastë,

mëri…

 

Nuk desha unë

askush

të shkruaj kot…

Shkurt, shkurt,

nuk desha të mbetesh

mbrapa

më shumë,

se një bisht,

O poetuc.

 

 

SIKUR

 

Sikur ta kasha në dorë

burimin e pasurisë për njerëzit,

sikur ta kasha në dorë!...

 

Barazim social do të shpërndaja:

të shihja veç njerëz të begatë,

të lumtur t’i shihja,

t’i shihja njerëzit buzagaz!

 

Po të isha udhëheqës,

po të isha kryepolitikan

Botëror,

por ç’e do…

Veçse poet

jam…

 

 

POETI DO TA DIJË

 

Mendueshëm eci nëpër lagje:

dhe poeti do ta dijë

pse qan ai fëmi?!

 

Është pa bukë,

është tekanjoz,

ka kërkesa shumë?...

 

Pse qan ai fëmi,

poeti do ta dijë,

se është i dhimbshëm,

poeti jepë dhe edukatë

me vargje të artë.

 

Fëmijtë i desha fort,

fëmijtë me përkëdhelje i marr në krah.

Poeti do të dijë për fëmijtë,

gjithçka.

 

 

Ç’DREQ POETI QËNKAM

 

Kopshtin metaforik

mirë e kam,

e kam mirë kopshtin poetik…

 

Po ç’dreq poeti qënkam?!

Me dorën time një spec nuk vjelë,

një domate, një patëllxhan,

një misër të njomë të pjekë,

të këpusë një kokërr shalqi,

“të ther” në arë një kokërr bostan.

Ah, sa keq,

arën e lashë atje në fshat…

 

Mëkatë, ah, mëkatë

pse harruakam vallë?!

Djersa

dhe prodhimet e tokës

na mbajnë gjallë.

 

 

PËR KUJTESË

 

Pak rërë nga bregdeti shqiptar,

nga Shqipëria pak dhe si bukëvalë

dhe hajmali

dy-tri guriçka

i marrin për fat

shqiptarët emigrantë.

 

Kur do të marrë fund

ky djall problem ekonomik,

kur do të marrë fund?

 

Nesër dhe unë,

dhe ti,

dhe ai,

mundet, të nisemi për rrugë.

 

Kudo ku shkojmë

marrim me vete pak Shqipëri,

e marrim testament,

që të mos harrojmë

të kthehemi përsëri.

 

 

TOTUAZHI IM

 

Totuazhet i përbuzë plot neveri;

të rinjtë e të rejat që bëjnë totuazh,

do të pendohen keq në pleqëri…

 

Në më detyron kush

të bëj totuazh,

totuazh tjetër nuk bëj në gjoks,

veç…me gjithë qejf…

Hartën e Shqipërisë etnike.

 

Atë e kam në gjak,

e kam ëndërr shekullore

vulosur në kockë,

e kam në kockë

totuazh…

 

 

HAKMMARRJA DERËZEZË

 

Keq kanë bërë ndaj meje,

e, unë nuk bëj hakmmarrje,

se hakmarrja është derëzezë…

Hakmarrja, për dreq, është keq.

Keq kanë bërë ndaj meje.

 

Pse bën keq, o keqbërës,

jetën tënde dëmton rënd,

filozofinë e ke shumë të cektë,

kur jetën mbush me sherr e vrer.

Shejtan keqbërës, pse bën keq?

 

 

LLUMI

 

LLumi

llumin ka qejf,

se llum ka në gjak,

në mendje ka llum;

kërkon shoqërinë llumi të marrë.

Turbullon gjithandej,

tek ti, tek unë,

por s’ia arrin dot.

Jemi shumë.

 

 

O KALË

 

O kalë, vlerën ia shton kalorësit,(…)

tërhek edhe plugun,lëron dhe në arë

dhe shpërblim

një trastë tagji…

U lodhe , o kalë vërtetë,

si ti edhe unë u lodha me poezi

e marrë shperblim

moralin

dhe emrin poet.

 

Punëtor ti,

punëtor unë…

O kalë,

pasanik nuk do të bëhemi

kurrë në jetë.

 

 

PARTUIA IME, DEVIZA IME

 

Anëtar partie nuk jam

as majtas,

as djathtas;

elektorat

Popullin  tim kam.

 

Anëtar partie në qendër,

tendencioz i thekur,

centrist,

gjithpërfshirës e kryekëput social

i përkushtuar në këtë poliitkë…

 

Kjo partia ime,

deviza ime politike.

 

 

ABSURDITET

 

Një mijë fe ka në botë;

në botë i mburren njëra-tjetrës,

i hakërrohen,

dhe bashkë me to

akoma edhe më shumë

alternative fiktive partiake ka

pa punuar e djersitur,

kot janë,kot…

Kot jetojnë si shushunja,

gjersa ka luftra,

(vritet njeriu ),

gjersa ka varfëri

për njerinë.

 

Nuk na duhen mijërat hiç,

shterp,

pa kripë,

nuk na duhen filozofira,

filozofira mbarsur me mashtrime,

që na shiten

për perëndi

si verdikt…

 

 

KATRAHURË POLITIKE

Poemth

28 mars 1997,bilanc tragjik në Otranto: 108 të mbytur, që lanë Atdheun për një jetë të qetë e të mirë

 

Tallaz ndjenjash

përvëluese,

ngre tallaz poetik

me goditje dridhjesh

më të forta se sizmike,

me goditje dhimbjesh

me të larguarit nga Atdheu im.

 

Shi lotësh,

qajnë gra,

qajnë fëmijë

rrugëve të botës…

 

Në detin humnerë,

në detin kuçedër

humbin jetë

thellësive të ujrave

108 shpitra,

108.

 

Ju, politikanë pushtetarë,

ju , parlamentarë,

nuk e dini,

ju, rrogëtarë

të kapur,

të majmur,

të dhjamur,

nuk doni t’ia dini

kurrë, kurrë, kurrë

për këtë katrahurë!...

 

Të ikurit derdhin lot,

mbyten në dënesë,

në dheun e huaj me ngricë,

kanë ftohtë

nën qiell të hapur,

gjithë pendesë

për largimin larg,

larg;

në lotë kthejnë zemërimin

në lotë,

në lotë,

saqë loti avullon lart

e yje e hënë lag.

 

Të ikurit

shajnë zot,

soj e sorollop,

shajnë shkaktarët

e fenomenit kanceroz…

 

Ju,”shurdhë”,

ju “qorra”,

ju, ju, ju

drejtues të vendit,

bëni rolin e shurdhit,

rolin e qorrit bëni,

bëni rolin e indiferentit,

e, për këtë,nuk ia dini,

e, nuk doni t’ia dini!...

 

Shi lotësh,

rrugëve të botës

qajnë edhe të gjallë.

Ata për Atdheun

digjen në mall.

 

Edhe yjet qajnë për emigrantët,

gjersa rrëzohen nga lart,

edhe yjet qajnë.

 

Deri kur kështu,

kështu

deri kur?

Ç’ katrahurë politike!

Pjellë e politikës

kjo katrahurë.

Tetor, 2016.