| E shtune, 22.10.2016, 09:54 AM |
Ndjenja
e krenarisë për shqiptarët
Nga Gjekë Gjonaj
E martja e dytë e muajit të ardhshëm për shtetasit amerikanë do të jetë e veçantë. Atë ditë, më 8 nëntor, amerikanët kanë për t’ju drejtuar qendrave të votimit për të dhënë votën e tyre, për Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në zgjedhjen e presidentit më të fuqishëm në botë do të votojnë edhe amerikanët me origjinë shqiptare, që janë shtetas. Komuniteti shqiptaro-amerikan do të ketë mundësinë të përcaktohet me votën e lirë për kandidatin demokrat Hillari Klinton dhe atë republikan Donald Tramp. Të njëjtën ditë votuesit shqiptarë me psaportë amerikane do të mund të hedhin votën e tyre edhe për të gjithë anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe për një numër anëtarësh të ri të Senatit Amerikan.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve amerikane do të përdoren formularët e votimit edhe në gjuhën shqipe në Nju-Jork. Kjo mbase do të jetë një ndër arritjet më të mëdha e shqiptarëve në Nju-Jork, të cilën e bëri të mundur asamblisti i parë shqiptar në Asamblenë e shtetit të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj. Ai në një deklaratë për mediat amerikane ndër të tjera është shprehur "Barriera e gjuhës ka qenë pëngeseë për shumë qytetarë të Nju- Jorkut dhe jam i gëzuar që ky shtet ka ndërmarrë hapa që demokracia të jetë gjithëpërfshirëse. Kjo ka qenë një nga prioritetet e mia që kur jam zgjedhur, që të punoj që zërat e të gjithë komuniteteve të dëgjohen dhe te sigurojmë që ata të kuptojnë më mirë procesin e votimit dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, diçka me shumë rendësi për demokracinë tonë."
Lajm tjetër i mirë për të gjithë ne shqiptarët është edhe njoftimi zyrtar se prokurorja aktive shqiptare Suzana Shkreli, e bija e Zef dhe Maria Shkreli, me prindër nga Amulli i Ulqinit dhe Gruda e Malësisë së Madhe, e cila emigroi në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen e saj në kërkim të një jete më të mirë, është nominuar për kaandidate në Kongresin Amerikan. Ajo do të ketë shansin e vështirë por jo të pamundur që në zgjedhjet e përgjithshme amerikane më 8 nëntor të këtij viti të hyjë në histori si shqiptaro-amerikanja e parë në Kongresin Amerikan në shtetin e Michiganit, si kandidate e Partisë Demokratike të Amerikës. Mbetet të besojmë dhe të shpresojmë se Suzana Shkreli, me mbështetjen e fortë të kandidates për president të Amerikës Hillari Klinton, partisë së saj dhe me votën e amerikanëve dhe shqiptarëve të zonës së saj elektorale në distriktin e 8-të do të bëjë atë mrrekulli që nuk e bëri asnjë femër shqiptare para saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse ndodh kjo fitore historike e Suzana Shkrelit të gjithë shqiptarët do të ndihen krenarë.