Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Luljeta - Gruaja që dashuron punën

| E shtune, 22.10.2016, 01:00 PM |


PORTRETE NË GËRMA

-Luljeta-

-Gruaja që dashuron punën…!

NGA DRITA LUSHI

U diplomua më 16 maj  dhe pas katër ditesh  lindi fëmijën e saj të parë.E kjo, ndodhi para më shumë se dyzet vitesh, kur ajo ishte një bukuroshe me një gërshet të gjatë…

“ Fustani i nusërise e bëri si borëbardhë…” tregon Leta, vajza që e bëri në atë kohë nuse.

Ndërsa Luljeta më tregon për veten, mendoj, që jo rastësisht njerëzve u shkojne emrat që kanë, dhe në shumicën e rasteve transmetojnë të tilla impakte ashtu si kuptimet e emrit.

Pra edhe nëse do të thirrej Lule ose Jeta do t’i shkonte bukurisë së saj prej zonje të fisme, së pari në brendi, dhe së dyti prej komunikimit të saj me anë të cilit, të krijon besimin për vazhdimesinë dhe jetën.

Nuk ka shkruar asnjë varg, por poezinë e ka të shkruar në shpirt.E dëshiron e lexon,e pëlqen ashtu si çdo grua.

Ndoshta ishte poezia ajo që na njohu,por jo vetem.Mjaft shkrime të miat si “Edhe dhimbja është dashuri”(shkruar ditën, që ndërroi jetë ime vjehrrë),dhe postime te tjera në rrjete sociale, u bënë shkas që një ditë të shiheshim në sy me Luljeten në qytetin e Saj, ku ishin të pranishme dhe miket e veta durrsake.

Ishte kaq bukur mes atyre zonjave,me të cilat biseda rrjedh e bukur dhe e këndshme, ku batutat dhe te qeshurat i japin bukuri atij takimi ku ritmi është biseda e lirë për gjëra të bukura,si për poezinë,vallzimin por dhe për shqetësime të botës femërore.

Kam menduar dhe mendoj se vete gruaja është një poezi në gjithë qenien e saj;

Kjo bindje më krijohet ndërsa vazhdoj bisedën me Lulin.

Ajo  ështe nënë, bashkëshorte, gjyshe, mike, motër, dikur nuse dhe sot vjehrrë.

I ka kaluar të gjitha stadet për mrekulli dhe kur bisedon me të, transmeton qetësi, mirësi dhe dashuri.

Të krijon adhurim kur flet për raportet, që ka pasur me vjerrën dhe sesi nuset i konsideron  mike dhe  shoqe.

Tregon për vete, por di të të dëgjojë.

Luljeta është një Grua në karrierë, është Avokate dhe gjithë jetën ka qenë në levizje dhe në punë të ndryshme ku përkushtimi dhe koha kanë qenë maksimale;

Ajo ka një profesion të vështirë për nje grua,siç është ai i Juristes por ka ditur t’ia dale, duke vënë në pah edhe në marrëdheniet me njerez të ndryshëm( që e ka përballur puna)butësinë prej Gruaje, Nëne dhe Motre, por gjithnjë në perputhje me ligjin, duke qenë vetja në çdo hap.

Ajo është e kudogjendshme, ka rritur dy djem të mrekullueshëm,i ka shkolluar dhe tani,që ata kanë famijet e tyre,përseri kanë edhe prezencën e nënës, që u përkushtohet ende sipas mundësisë dhe kohës së lirë të Saj.

Bashkëshorti Nesti për të cilin ajo flet me adhurim është në krah të saj prej më shumë se dyzet e vitesh.

Ajo thotë, që ka pasur dhe ka mirekuptimin e tij në çdo hap.

Ndërsa fundjavat i kalon me nipër e mbesa të cilët janë lumturia dhe ngjyrat më të bukura të ditëve  të saj.

Gjeja që më terhoqi tek Luljeta veç dashurisë për poezinë, për korrektësinë dhe pasionit për profesionin, është edhe dashuria e saj për punën në përgjithësi.

Nëse nuk do të ishte në studion ligjore “Petani”(ky është dhe mbiemri i saj)një studio mjaft e njohur në Durrës me një staf profesionishtësh me në krye Luljetën, do të ishte në kuzhinë duke gatuar për klientët e restorantit të saj “Teuta”, që gjendet afër Gjykatës dhe që e punon prej vitesh me familjen e saj!

Ajo është gjithnjë një grua në lëvizje, dita e saj vrapon mes punës,familjes dhe pasioneve të veta.

Luli gjen kohë për gjithçka dhe për të gjithë,.dhe jo më kot krahasova dhe gruan me poezinë, sepse a nuk është poezia e tillë, në ecje, në fluturim, në tokë, në sy,në dashuri dhe nëpër stinë?

A nuk është gruaja një poezi, madje poezia më e bukur?

Kjo është dita e një Gruaje që quhet Luljeta. mosha e së cilës nuk shkruhet në pasaportë por në shpirtin e saj të palodhur dhe të bukur.

Tiranë,Tetor 2016.