Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Derrat e Serbisë e kumbullat e rakisë

| E marte, 18.10.2016, 08:02 PM |


Derrat e Serbisë e kumbullat e rakisë

Nga Gani MEHMETAJ

Kur pas Luftës së Parë Botërore Franca i dha kredi Serbisë për armatim e modernizimin e policisë, atëbotë shtypi francez i shqetësuar, pyeste qeverinë e vet: si do ta kthejë Beogradi kredinë? Me kumbulla të rakisë e më derra të Serbisë, nuk e mbulon borxhin, ndërsa industri nuk kanë, vajtonin francezët për paratë e humbura.

Beogradi industri nuk ka as sot, por është prodhuesi më i madh në Ballkan i kumbullave të rakisë e i derrave të Serbisë.

Pa e ditur përvojën e hidhur të francezëve, dashamirët  e mi në FB, të ekzaltuar më thanë: Serbia premtoi investime të lakmueshme në bregdetin shqiptar. Ku do t'i marrin paratë, e pyeta njërin nga ta. Nuk e dinte, por besonte se ata kanë para të fshehura. Më lindi dyshimi edhe mua: se mos i kanë fshehur serbët dinak paratë nën dyshek për bregdetin shqiptar!

Mali i Zi i dëboi nga bregdeti i vet, edhe pse e flasin një gjuhë, mbi 80 vjet e patën shtetin e përbashkët, Beogradi e shpalli huan popullore më detyrim para 50 vjetësh për hekurudhën Beograd -Tivar.

Dashamirët e mi në FB nuk e dinë se serbët e shkret e presin shpëtimin nga Allahu. Arabët u premtuan t'ua modernizojnë kryeqytetin mbi ujë, turqit infrastrukturën.

"S'ke pse i urren serbët. Të gjithë do t'i kthejmë ne fenë islame", me tha vjet një djalosh 25-vjeçar me mjekër të gjatë vehabi e pantallona mbi zog të këmbës, ditë më diell në një rrugicë të lagjes sime, në kryeqytet. Mbeta i shastisur nga ky lajm-bombë!

Lum si serbët që do bëhen myslimanë e të lumtë shqiptarët që besojnë në serbë.