| E diele, 24.08.2008, 01:26 PM |
Nga Bujar Hoxha
Si në gjithë Shqipërinë dhe Elbasani përjetoi një tmerr të vërtetë nga grupet kriminale, që lindën si kërpudhat pas shiut.
Anarkia krijoi terren të përshtatshëm për lulëzimin e kriminalitetit nga njerëz të prirur për akte të tilla. Fuqizimi i bandave kriminale në këtë qytet filloi të japë efektet e veta, numri i anëtarëve rritej çdo ditë. U përvijuan tre banda që për disa muaj do të futeshin në analet e policisë shqiptare si "Banda e Mandelës", "Banda e Kateshit" dhe "Banda e Cërrikut".
Zonat
Në Elbasanin e rebeluar bandat e armatosura ndanë zonat e tyre të influencës dhe me mesazhet kërcënuese të armëve që mbanin në dorë kërkonin "haraç" për çdo lëvizje nëpër territoret e tyre, në të kundërt përballeshin me kërcënime reale deri në vrasje. Në fakt, pjesa më e madhe e banorëve të këtij rrethi ishte armatosur, por pjesa më e madhe e këtij arsenali armësh ranë në duart e këtyre banditëve, të cilët i ekspozuan hapur për të treguar forcën dhe diktatin e tyre. E veçanta e këtyre bandave ishte qëndrueshmëria kolektive dhe organizimi i përsosur për të kryer krime të planifikuara me objekt për hakmarrje, larje hesapesh me njëri-tjetrin, kundërshtimi me armë ndaj forcave të rendit si dhe ekzekutimi mafioz i anëtarëve të dyshuar si informatorë të bandave rivale.
"Mandela" rekruton femra spiune
Banda e Mandelës përbëhej nga 40 anëtarë me bërthamë familjare të qëndrueshme, së cilës i bashkëngjiteshin edhe persona të tjerë brenda fisit dhe më gjerë. Në organizimin e tyre dallohej hierarkia absolute dhe zbatimi i porosive pa asnjë hezitim nga kryetari i saj, Eduard Peqini, i njohur me pseudonimin "Mandela". Poshtë tij vinin katër vëllezërit të shoqëruar me kushërinj, të afërm dhe lidhje shoqërore të besuara, të cilët sipas detyrave të ndara bënin studimin e shpejtë, lëshonin rekomandimet tek "kapoja" dhe rekrutoheshin. Mbi bazën e vlerësimeve u jepeshin edhe "ofiqet" duke imponuar seriozitetin e veprimtarisë së grupit dhe kryerjen me besnikëri të detyrës. Mandela organizoi njerëz të afërt, të besuar, të cilët të maskuar lëviznin në zonat rivale për të siguruar informacion të nevojshëm, kryesisht femra të hijshme dhe që kishin dhënë prova se ishin të afta të kryenin detyra të tilla. Nga ana tjetër, vendosi rregulla të forta për ruajtjen e sekretit duke përcjellë mesazhin e frikshëm të ekzekutimit ndaj çdo personi që tradhtonte. Duke qenë tepër i vendosur dhe mizor, urdhrin e dhënë për ekzekutim ndaj personave që tradhtonin do e zbatonte vetë, duke ekzekutuar I.SH. nga fshati Kuqan dhe E.D., të cilët jepnin informacione për bandat kundërshtare.
"Kateshi", banda pa ngjyrë
"Banda e Kateshit", mori emrin e kryetarit të saj, Artan Kateshi nga Elbasani. Kishte një shtrirje të gjerë me mbi 30 persona. E kundërta e "Banda e Kateshit", përbërja e saj ishte me njerëz të bardhë, megjithatë lejoi të futen edhe persona me ngjyrë. E veçanta e kësaj bande ishte fakti se anëtarët përbëheshin nga njerëz të dënuar më parë për krime të ndryshme dhe futja në radhët e saj e personave të larguar nga burgjet shqiptare, të cilët dolën prej andej për shkak të hapjes masive të tyre. Këtu e gjetën veten e tyre edhe disa persona të tillë që ishin nga rrethe të tjera si Tirana, Korça dhe Fieri. Kryesisht dominonte pjesën lindore të qytetit, që përfshinte pjesën e unazës, lagjen Shënkoll deri në fshatin Bradashesh. Njëkohësisht arriti të kishte në zotërim edhe "Rrugën e Namazgjasë", ndërsa si bazë kryesore ishte lagjja "Brigada e Parë Sulmuese" në banesën e një pjesëtari të bandës që i besonte. "Kateshi" arriti të organizohet shpejt dhe të vendoste rregulla të qarta për të gjithë pjesëtarët, shërbim të vazhdueshëm ditën dhe natën, ndërsa armatimin që dispononin bashkë me njerëzit i vendosi në pika dominuese të qytetit për të kontrolluar çdo lëvizje të bandave rivale, dhe forcave të rendit. Në taracat e disa pallateve do të shiheshin dukshëm edhe kundërajrorët, ndërkohë që poshtë tyre rrinin në gatishmëri autovetura, furgonë dhe motoçikleta. Në kuadrin e rregullimit strukturor "Kapoja" kishte përcaktuar edhe katër ekzekutorë që do të kryenin detyra të rëndësishme ndaj kundërshtarëve që rrezikonin aktivitetin e bandës, ku më i rrezikshmi paraqitej njëri prej tyre, që kishte marrë pseudonimin "Cikja". Drejtimi i bandës bëhej nga gjashtë personat më të besuar, ndërsa "i pari" mbetej Tan Kateshi, që urdhëronte për veprimet finale të bandës. Aktiviteti kriminal i kësaj bande nuk kishte kufij, vinte gjoba ndaj personave që mendohej se kishin pasuri, vjedhje me dhunë të lokaleve dhe shtëpive të piketuara, marrje pengjesh për qëllim fitimi etj. Gjobat i vendosnin sipas rëndësisë së aktiviteteve që tregtarët elbasanas ishin njohur, të mëdhenjtë ishin më të lakmueshmit e "Kateshit", çka i siguronte të ardhura më të shumta. Me pretekstin e sigurimit të tyre dhe pasurisë që kishin në administrim, apo shoqërimit të mallit, tregtarët e frikësuar detyroheshin të kërkonin mbrojtjen e kësaj bande, natyrisht kundrejt pagesave të majme që ata vendosnin.
Banda e "Cërrikut"
Banda e Cërrikut kishte numër më të vogël, rreth 15 persona, 10 prej të cilëve qëndronin vazhdimisht bashkë duke treguar një qëndrueshmëri më unike. Ashtu si e para, njerëzit e saj ishin njerëz me ngjyrë dhe kryesohej nga Arian Toska, që megjithëse kishin një ngjyrë me "Mandelën" mbetën kundërshtarë të egër me njëri-tjetrin. Duke parë epërsinë e "Mandelës", detyrohet të lërë Elbasanin dhe të vendoset në Cërrik, nga ku edhe mori emrin "Banda e Cërrikut". Ndërkohë që largohej, për shkaqe sigurie, tërhoqi pas vetes njerëzit më të besuar dhe u vendos në banesën e kushëririt të tij, Tomorr Buzanit, që banonte në lagjen 3 të këtij qyteti. I detyruar nga rrethanat, studioi me kujdes dhe rekrutoi disa persona me ngarkesë kriminale të njohur në atë qytet dhe të rekomanduar nga njerëzit e tij besnikë, që do t'i përdorte për shërbime të dorës së dytë si postblloqe për sigurimin e rrugëve të qytetit dhe sigurimin e informacioneve të tjera që lidheshin me dy bandat e tjera kriminale, veçanërisht me "Mandelën", nga e cila edhe ruhej. Djemtë që iu bashkëngjitën bandës përpiqeshin të përfitonin nga emri i saj dhe kryen vepra penale të vogla si vjedhje banesash, lokalesh, vjedhje me dhunë ndaj qytetarëve, pasagjerëve etj, por nuk arritën apo u shmangën ndaj konflikteve që nisën mes bandës së tyre dhe asaj të "Mandelës". Nga ana tjetër, bërthama e qëndrueshme prej 10 personash pasi organizoi shërbimet e kontrollit rutinë me të tjerët që rekrutoi, nisi aktivitetin kriminal duke grabitur banesa dhe lokale, ndalonte automjetet e transportit masiv dhe pasagjerët detyroheshin të jepnin gjithçka kishin me vete. Në një rast ndaluan një person me automjetin e tij dhe pasi e torturuan, e mbajtën peng për 5 milionë lekë të reja. Dumreja dhe Belshi do të ishin kufijtë e bandës duke mos lejuar asnjë lëvizje pa kontrollin e tyre dhe natyrisht duke paguar gjobat e vendosura. Megjithëse banonte në një lagje të zakonshme të qytetit, fizionomia që mori nga organizimi mbrojtës i dha formën e një kalaje, me armë të të gjitha llojeve, duke veçuar edhe flakëhedhës. Edhe sot në Elbasan i ruajnë kujtimet e atyre episodeve që ndriçuan dhimbshëm disa aspekte të luftës midis dy bandave të krijuara ato ditë; sjellin në kujtesë, mes të tjerash, goditjet me të gjithë arsenalin e armëve që kishin në duar; të vrarët në frontin e betejës dhe terrorizimin e atyre njerëzve, që nga dritaret e ballkonet të habitur pyesnin: Kush është armiku?
Lufta e evgjitëve
Një ndër ta, "Mandela" - Eduart Peqini ishte një elbasanas me trup mesatar, por të lidhur, i shëndetshëm, me flokë të dendur të zinj. Mbi shpinën e tij do të përcilleshin të gjitha hallet e shtëpisë së madhe, prandaj dhe truri i tij punonte në çdo sekondë. Me autoritet të dallueshëm impononte çdo mendim që për të tjerët kishte formën e një urdhri. Opinioni në qytet, kryesisht në lagjen ku banonte, e cilësonte gangster të rrezikshëm, që nuk fliste dy herë për të njëjtën gjë dhe nuk hezitonte të zhdukte këdo që për të bëhej kërcënues. Duke parë rrethanat në të cilat jetonin, Mandela dhe familja e tij, duhet të kenë menduar me trishtim për pozicionin e shtrirë të familjes si pjesë e komunitetit që përfaqësonin, të nënvleftësuar dhe përbuzur nga të tjerët. Tepër të varfër, vetëm dhe të përulur në një shoqëri indiferente për ta, do të zgjoheshin për të fituar atë që Mandela e kishte menduar prej kohësh. Meqë fati i trokiti në derë, ai do të organizohej për të krijuar komunitetin e tij, të forconte pozitat e tij dhe shoqërinë me ambiente që deri dje e kishin përbuzur. Ndërkohë që fuqia e tij rritej, studionte ambientet dhe rivalët e tjerë, veçanërisht Arian Toskën, që problemet e së kaluarës nuk i kishin harruar dhe gjykonin se kishte ardhur ora për t'i zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Nga kampi tjetër, vigjilonte Ariani, i zgjuar dhe dinak, që rrethin e krijuar kriminal nuk e kishte të zgjeruar, natyrë e një karakteri të kujdesshëm për të pasur nivele, në numër të pakët, por cilësor dhe të kontrollueshëm. Edhe kur u vendos në Cërrik, pjesëtarët e bashkuar qëndruan në skalionin e dytë, pa kuptuar vendimet që merreshin në "shtabin" Toska. Ajo çfarë do të ndodhte mes njëri-tjetrit, në të vërtetë ka mbetur një mister. Akoma nuk është sqaruar plotësisht si arriti "Banda e Cërrikut" të vriste vëllain e Mandelës, por supozohet për shkaqe të "nderit familjar", çka Mandela ishte betuar se do të hakmerrej. Shumë shpejt makinat e mbushura me "ushtarë" të Mandelës qëndronin të gatshme për të vepruar. Ndërkohë, armët e zjarrit oshëtinin nga të dy krahët, për t'i treguar njëri - tjetrit se beteja mund të fillonte nga çasti në çast. Më pas, qytetarët e alarmuar dhe të terrorizuar nga gjendja e krijuar do ta quanin "lufta e evgjitëve".
Fillimi i konfliktit
Kapoja i "Bandës së Cërrikut", Arjan Toska, me inteligjencën praktike kishte arritur të siguronte një informator në radhët e Mandelës. Enver Beqiri, i afërt i Mandelës, e paralajmëroi Arianin për betejën që e priste, ndërkohë që në takimin me të e informoi për lëvizjet kontrolluese të vëllait të Mandelës në afërsi të zonës së tij. Arjan Toska, duke kuptuar përfundimisht që lufta mes tyre ishte e pashmangshme, caktoi dy njerëzit e tij që të vrasin Gazmir Peqinin. Vdekja e vëllait qe një goditje e fortë për Mandelën, ndërkohë që thirri mënjanë dy njerëzit më të besuar, Marashin dhe vëllain e tij, Vladimirin dhe pa gjykuar rrjedhën e kësaj lufte, vendosën t'i përgjigjeshin bandës rivale në shenjë hakmarrjeje. Fill pas vrasjes së të vëllait, në shenjë hakmarrjeje Mandela së bashku me dhjetë pjesëtarë të bandës brenda ditës, me breshërinë e kallashnikovëve derdhin mbi familjarët e Arjan Toskës mijëra fishekë. Në këtë batare të lëshuar, Mandela nuk bëri përjashtim as për gratë dhe fëmijët, që për fat, të mbuluar nga zjarri vetëm se u plagosën. Duke mbrojtur krahët, pjesëtarët e "Bandës së Cërrikut" vendosën të plagosurit në një furgon dhe u nisën me shpejtësi për në spitalin e qytetit, ndërkohë që mundoheshin të tërhiqnin vëmendjen e njerëzve të Mandelës, që qëndronin fort në pozicion luftimi. Duke kuptuar lëvizjet mashtruese të kundërshtarit, Mandela i egërsuar, ngarkoi një grup të vetin për të goditur furgonin e mbushur me gra e fëmijë të plagosur, që të lemerisur dëgjonin plumbat që çanin kabinën e furgonit. Të ndodhur para rrezikut të krijuar, detyrohen të devijojnë nga rruga që të çonte drejt spitalit, duke u futur nga rrugicat e lagjeve që dominoheshin nga njerëzit e Arjan Toskës. Në rrethanat e diktuara, ndihmën e parë të plagosurit do e merrnin nga njerëzit e tyre, që shihnin tmerrin dhe gjakun që shpërndahej gjithandej. Errësira që pllakosi në qytet, detyroi grupin kriminal të tërhiqej. Njerëzit e mbledhur në shtëpinë e Mandelës prisnin marrjen e gjakut, por dështimi që solli me vete rinisi më keq vajin për njeriun e tyre të humbur.
Pa kaluar shumë kohë, pikërisht më 29 prill 1997, Mandela i qetësuar disi nga dhimbja për të vëllanë, merr vendimin për vrasjen e "tradhtarit" Enver Peqini, të cilën ia ngarkon të vëllait, duke qenë me të edhe Marashi, me kusht që trupin e tij ta merrnin me vete. Dy killerat, nën petkun e konfuzionit të krijuar tek njerëzit e tyre nisen për në Cërrik dhe qëllojnë njëherësh me automatik mbi trupin e Enverit, por pa arritur ta asgjësojnë. Të detyruar nga shkëmbimi i zjarrit, largohen me mjetin e tyre me shpejtësi për në Elbasan, të bindur se e kishin vrarë. Nga ana tjetër, Enveri i plagosur keq niset menjëherë për në spitalin e Elbasanit për të marrë ndihmën e parë, por Mandela që kontrollonte situatën nga larg, nëpërmjet njerëzve të tij informohet për këtë fakt dhe urdhëron Marashin të nisej atje për të çuar vendimin hakmarrës në vend. Ashtu siç e
Pasi kreu ritin e të vëllait, Mandela projektoi planin për të larë njëherë e mirë hesapet me Arjan Toskën dhe grupin e tij. Mandela e kishte të qartë se dinjiteti i tij mbetej i lëkundur, përderisa rivali i qëndronte përballë i pashqetësuar. Duke vlerësuar kundërshtarin, me idenë e goditjes së befasishme, mendonte se operacioni do të dilte me sukses. Për këtë qëllim, si njeri që besonte te vetja dhe te fshehtësia e veprimeve, bëri gati grupin prej 10 vetësh, për të vrarë Arjan Toskën. Për të shmangur çdo dyshim, shmangu autoveturat dhe me një makinë të madh tip "Saureli", të maskuar në karroceri dhe vetë në kabinë, në orët e vona të natës dhe me të gjitha llojet e armëve afrohet në zonën që dominohej nga "Banda e Cërrikut". Sapo mbërriti tek rruga që të çonte në lagjen e Arjan Toskës, akoma pa zbritur nga makina, në mënyrë të befasishme i gjithë grupi, me "kapon" në krye u gjend nën goditjen e një arsenali të vërtetë armësh, duke i shushatur për befasinë e krijuar. Por duke gjykuar me shprehjen "dy duart për një kokë", me vështirësitë e momentit zunë pozicion dhe iu përgjigjën me zjarr të fuqishëm njerëzve që u kishin zënë pusi. Lufta e vërtetë zgjati më shumë se tre orë, pa ditur pasojat e dy palëve. Në të gdhirë, Mandela me sytë e gjakosur pa me dhimbje bilancin negativ të kësaj ndeshjeje, katër të vrarë dhe disa të plagosur. Nga ana tjetër e llogores, Arjan Toska me grupin e tij festonte fitoren, pasi nga radhët e tij nuk kishte asnjë të dëmtuar.
Është paradoksale, por grupet kriminale nuk njohin ligjet e shkruara, ndërsa për ato morale as që bëhet fjalë. Kufomat e mbetura në zonën e Cërrikut qëndronin të shtrira, duke mos lejuar Mandelën për t'i tërhequr. Ndonëse e kishte kërkuar një gjë të tillë, cërrikasi "triumfues" e refuzoi atë. I tronditur nga humbja e shkaktuar, me ndjenjën e hakmarrjes së tërbuar shkon tek shtëpia e Petrit Kuminas, njerku i Arjan Toskës, e merr me vete duke e futur në bodrumin e shtëpisë dhe për disa ditë do ta torturonte mizorisht. Më pas do ta tërhiqte zvarrë deri në lumin Shkumbin duke e varrosur të gjallë në shtratin e këtij lumi.
Tradhëtarët
Mandelës iu desh kohë për të kuptuar se diçka nuk shkonte në bandën e tij. Edhe më parë kishte shfaqur dyshime se dikush e tradhtonte, por këtë radhë ishte plotësisht i bindur. Duke luajtur me zaret e njëri-tjetrit, nëpërmjet një femre të besuar arriti të mësojë njerëzit që e informonin Arjan Toskën. Megjithëse rregullat ishin sanksionuar që në fillim, ai përsëri u deklaronte pjesëtarëve të grupit pasojat e njerëzve që tradhtonin. Ndërkohë, Mandela do të mësonte nga informatorja e tij se tre nga pjesëtarët e bandës ishin ngarkuar nga grupi rival për të informuar gjithçka që lidhej me planet e Mandelës. Në kushtet e dëshpërimit të thellë për humbjet, do të ekzekutonte pjesëtarët e grupit, I.SH., M.D. dhe D.B. Kur gjërat u qetësuan, prokuroria do ta akuzonte për vrasje, tentativë vrasjeje për disa persona si dhe për vjedhje me armë të N.Z, XH.P dhe V.M. Në këto kushte, Mandela së bashku me katër vëllezërit e tij do të linin Elbasanin dhe do të arratiseshin në Greqi, më pas në Itali dhe në fillim të vitit 1999 do të kapërcenin kufijtë Italianë për t'u vendosur në Francë. Largimi i tyre erdhi si pasojë e informacioneve të siguruara nga elementë të korruptuar në radhët e policisë, të cilët arritën t'i njoftonin kriminelët për operacionin që përgatitej për arrestimin e tyre. Edhe në Greqi, Mandela do të ndiqej nga kundërshtari i tij, që kishte mësuar vendndodhjen e bërthamës së grupit. Të strehuar në zonën e Selanikut, një nga lidhjet e tij më të besuara që e shoqëronte, D.B. do të ekzekutohej. Në këto rrethana, Mandela bie në kontakt me lidhjet e tij kriminale në
Dënimet
Më pas policia antikrim do të siguronte informacion të saktë dhe, nëpërmjet operacionit të planifikuar, do të arrinte të arrestonte në Durrës dy pjesëtarë të tjerë, B.B. dhe T.B. Ndërkaq, kushëriri i Arjan Toskës, duke u ndjekur hap pas hapi nga policia, do të arrestohej në Gjirokastër, ku kishte shkuar për të kaluar në Greqi. Në përfundim të hetimit dhe gjykimit Mandela do të dënohej me burgim të përjetshëm, Vladimir Peqini me 25 vjet, B. Xhenja 20 vjet, A.Peqini 25 vjet, L.Peqini 16 vjet, A.Peqini 13 vjet, ndërsa të tjerë prej tyre mbi 10 vjet. Në total, kjo bandë e shpartalluar përfundimisht do të dënohej me 170 vjet burg. "Banda e Cërrikut", në total do të dënohej me 122 vjet burg, Arjan Toska 23 vjet burg, Luan Meta 23, Luan Buzati 22, Tomorr Buzati 17, të tjerët së bashku 47 vjet burg.
Kateshi
Banda e Kateshit aktivitetin e saj kryesor e ka nisur me grabitje në akset rrugore, vendosje gjobash, vjedhje me dhunë të makinave etj. Të trimëruar me armët në krah dhe numrin e madh të pjesëtarëve të grupit shumë shpejt do të nisnin edhe me krimin e vrasjes. Kështu, në maj '97, në brendësi të lagjes "Partizani" do të ekzekutohej P.S., banor i kësaj lagjeje. Krimi do të kryhej për arsye banale, për shkak të vendosjes së pengesave nga viktima për të mos u futur të tjerë në bllokun e tij. Fill pas këtij ekzekutimi do të fillonte kalvari i vrasjeve të tjera. Tan Kateshi nuk linte njeri t'i dilte përpara. Konkurrentë të fuqishëm nuk kishte, ndërsa ata që përpiqeshin të kundërshtonin apo rezistonin, ekzekutoheshin menjëherë. Konflikti i ndezur me vrasjen e P.S. do të linte gjurmë tek banorët, në veçanti te grupet e armatosura, që mbanin veten dhe familjen, që kuptonin se ndoshta veprimet e kësaj bande mund të godisnin pabesisht. Nga ana tjetër, grupi i Kateshit me pushtetin e të fortit, më 21.06. 1997 do të lëshonte një breshëri të zgjatur automatiku duke lënë të vdekur
Ritualin e peng-marrjeve do ta vazhdonin me G. G. me lidhje refugjatësh jashtë shtetit dhe pasi morën gjobën e vendosur prej 5 milionësh do ta linin të lirë. Duke studiuar njerëzit që kishin para, vendosën të ktheheshin tek një tregtar elbasanas që nuk i kishte paguar, me gjithë kërcënimet e dërguara në emër të "Gjeneralit". I tërbuar nga refuzimi, që për të përbënte një fyerje përpara pjesëtarëve të bandës, më 14.08.97, në orën 17.00 banda e ndarë në disa grupe do të afrohej tek vila e Bellajve duke qëlluar me të gjitha armët që dispononin. Nga ana tjetër, burrat e familjes të armatosur më së miri do t'i përgjigjeshin nga të gjitha anët e shtëpisë. Beteja e tmerrshme për këtë qytet historikisht të qetë do të vazhdonte gjithë natën deri në të gdhirë. Beteja, veçanërisht për gratë dhe fëmijët e kësaj familjeje do të ishte torturuese, teksa numri i pjesëtarëve të bandës prej 15 vetë, përveç armëve të lehta do të përdorte edhe kundërtankun. Zbardhja e ditës do të nxirrte në shesh pasojat: 5 të vrarë dhe 4 të plagosur, ndër ta edhe Tan Kateshi. Në këto kushte, tërhiqen nga luftimet për t'i dhënë ndihmën e nevojshme Kryetarit të tyre. Goditja që morën në këtë aksion do të ishte fatale për bandën, që do të shkërmoqej gradualisht. Për të shpëtuar veten, Kateshi i plagosur rëndë u detyrua të fshihej, fillimisht në Korçë, më pas në Itali dhe kohët e fundit të lirisë i përjetoi në Tiranë, duke qëndruar i maskuar në një banesë të siguruar me qira. Të mbetur pa kryetar, celulat e mbetura do të merrnin arratinë, ku nga 30 vetë në fillim të aktivitetit, 11 do të vriteshin, të tjerët do të shpërndaheshin duke marrë rrugët e mërgimit. Nga muaji Gusht deri më 30. 10. '97 forcat e policisë kishin arritur të arrestonin 3 pjesëtarë kryesorë të bandës, ndërkohë që kërkoheshin informacione për të tjerët, veçanërisht për Tan Kateshin. Do të kalonin gati 2 vjet që policia të siguronte një informacion të besuar se Kateshi me Taulant Balliun, Çajup Kasën dhe Gjergj Dedën qarkullonin në qytetin e Elbasanit. Informatori mundi të mësojë se këta kriminelë ishin duke pirë kafe në lokalin e C. A.-së në qendër të qytetit. Forcat e policisë me shpejtësi arrijnë të rrethojnë lokalin, por të detyruar nga prania e njerëzve të tjerë qëndruan në pritje të zhvillimit të situatës. Banditët duke shfrytëzuar praninë e personave të tjerë, largohen nga dera e pasme e klubit nëpërmjet rrugës së kalasë. Forcat e policisë vazhduan ndjekjen dhe arritën të kapin njërin prej tyre, Çajup Kasën, i cili i detyruar nga dara e rrethimit pranoi të dorëzohej duke u lutur të mos e vrisnin. Pas disa ditëve ky person do të gjendej i vetëvarur në birucën e burgut 313 në Tiranë, por edhe sot e kësaj dite nuk janë mësuar shkaqet dhe motivet e kësaj vetvrasjeje. Ndërkohë vazhdonin përpjekjet për gjetjen e Kateshit, informacioni arriti të saktësonte banesën në Tiranë, ku pas një ndërhyrjeje profesionale, pa bërë rezistencë arrihet kapja e tij. Me arrestimin e Tan Kateshit mbyllet përfundimisht odiseja e njërës prej bandave të qytetit të Elbasanit. Mbas 13 ditësh, informacioni do të orientonte policinë për vendndodhjen e Taulant Balliut, Ilir Kofshës dhe Gjergji Dedes, të cilët, në shoqërinë e dy femrave të huaja, përgatiteshin për të kaluar ilegalisht në Itali. Pjesëtarët e kësaj bande janë dënuar, ndërsa 4 të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim për krimet e kryera në këtë qytet.
Duke bërë bilancin përfundimtar, nga 30 persona të numëruar, 11 prej tyre u vranë, 10 u penalizuan dhe morën dënimin: Tan Kateshi, Taulant Balliu, Ndriçim Sadushi - burgim të përjetshëm, Spartak Çaushi - 14 vjet burg, Kastriot Dervishi - 17 vjet burg dhe Albert Topi - 13 vjet burg.