Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Maqedonia qan për protektorat

| E shtune, 08.10.2016, 02:16 PM |


MAQEDONIA QAN MOTI PËR PROTEKTORAT

NGA KALOSH ÇELIKU

Interesante, kjo puna jonë e shqiptarëve. I gjithë populli shqiptar, i madh e i vogël merret me “politikë madhore”. Fenomen i çuditshëm, që nuk ndodhë askund në botë. E, asnjëri nga këto kalorës të arratisur nuk ka talent e prirje të paguhet nga shteti për politikë. Ato që paguhen për politikë, merren me biznese personale, familjare e miqësore. Shumica, brenda nate u “armatosën” me tituj shkencor nëpër Universitete private në Shqipëri, Kosvë e Ish republikat jugosllave për t’i mbushur Univeristet shqiptare me kuadër “deficitar”. Nga baltaxhinj e tollumbaxhinj, u bënë politikanë të suksesshëm: deputetë, ministra, zv/ ministra, drjetorë, zv/ drejtorë e ambasdorë nëpër botë.

Edhe, kush e ngre sot zërin në mjetet e informacionit, para kamerave televizive, jep alarm për shpëtim?! “Analistët” e sotshëm me trutë dhe këmbët në legen. Trusakatët”, që deri dje edhe ato me të katra turreshin pas titujve shkencor duke i përcjellur profesorët e tyre me dreka, darka e para deri në Qafë - Thanë e Jazhincë të Kosovës për të zënë ndonjë vend pune në Universitet. Gabimsht, e kuptuan vatrën e arsimit që u hap me aq sakrifica duke menduar se, është: Koperativë bujqësore për punësime, kultivimin e viçave të palëpi në grazhd, e jo vatër e dijes ku maten forcat intelektuale.  Fatkeqësia, ato që nuk paguhen për këtë punë institucionale (populli), ende vazhdon të merret me politikë kombëtare pas gardhit mes livadheve.

Dudumët e djeshëm, sot “intelekualë” e profesorë universitar, nateditë flasin për politikë “madhore”, e nuk kanë “haber” nga politika. Përgjumshëm flasin për arsimin, e nuk kanë “haber” nga arsimi. Këmbëkryq, flasin me palën tjetër të “vëllazërve” në një sofër për kulturën, e nuk kanë “haber” nga kultura, larg janë me vite.

Gardhin, e kërcejnë si kecat “analistët” e vonuar politik, siç i kam pagëzuar unë me këmbët dhe trutë në legen, që përnatë kotnasikoti i mbushin minutazhat e televizoneve shtetërore e të “pavarura” me “debate të nxehta” politike. Konkurencë u bëjnë reklamave propagandistike ekonomike. Ec, e bjeru në fije këtij soji të politikanëve se, çka flasin nëpër ato debate televizive. Rrotull sillen si ato  delet e nënkryeme në vathë. Fundekrye zënka personale e partiake. Fytas rroken mu si qentë endacak për një asht para kamerave televizive. Mirë, them dikur unë: “shyqyr” Zotit, që i kemi para kamerave televizive! Tekefundit, edhe pse nuk japin ndonjë ide për dalje nga kriza politike, së paku bëjnë zhurmë “intelektuale”. Papritmas, edhe ndërpritet debati nga udhëheqësi i debatit politik. Gazetari nuk është në hap me kohën. Tema politike, mbetet as në qiell, as në tokë. Zemrohem, edhe ky debat politik si të tjerët pa rrugëdalje. Mysafirët e ftuar paskan ardhë vetëm për t’u fotografuar para kamerave televizive dhe bërë propagandë parazgjedhore për partitë e tyre politike, e asnjëri për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare. Ndonjëri, edhe me shall përqafe, këmbën përmbi këmbë duke imituar Ibrahim Rugovën.

Shkaku i këtij debati është se, kësaj radhe: ligji i dëshmitarit të mbrojtur i zonj. Katica Janeva, pjesmarrësit shqiptar në debat i rrok njëri me tjetrin për partitë e tyre politike, e jo me problemin shekullor të shqiptarëve. Problem i madh, të cilin nëpër shekuj e ka pasur mbi shpinë populli shqiptar. Fantazmë e drejtësisë e cila e ndjek edhe sot e kësaj dite si lugat që nga koha e Serbisë e Turqisë popullin shqiptar. Dëshmitarë të rrejshëm, populli shqiptar ka pasur qysh në ato kohëra të errëta, që shumë burra të pushkës e penës i kanë marrë më qafë, rrasur faj e pa faj në burg. E, si mund t’i besoj sot populli shqiptar dëshmitarit të mbrojtur të cilin ia përzgjedh zoj. Katica Janeva, ose Gjygji i IRJ të Maqedonisë pa vullnetin e tij si popull?! Hiç fare. Aqmëpak, t’u besojë partive politike VMRO-DPMNE e LSDM -ës, parti politike që po të kishin dashur ta zgjidhnin problemin e përbashkët me shqiptarët, moti do ta zgjidhnin me kohë. Edhe sot, po të duan e zgjidhin brenda natës. Po, nuk duan, ky është problemi kryesor mes shqiptarëve dhe “maqedonasve”. Ende, vazhdojnë ta mbajnë gjallë në skenën politike të “vëllazërim-bashkimit” popullin shqiptar me manipulime e premtime, shtetin e “përbashkët” politik. Arsye, që shqiptarët më nuk u besojnë këtyre përrallave arabe të Njëmijenjënetëve. Shqiptarët dje, i ka djeg tambëli, tashti i fryejnë edhe kosit. Përmëtepër, kur këto dëshmitarë të mbrojtur nga shteti me para edhe të shqiptarëve të përcillen në pushime verore turistike me vite jashtë vendit.

Shqiptarët, sotpërsot mund t’i besojnë vetëm Gjygjit Ndërkombëtar. Nuk mund problemet gjygjësore dhe krizën politike në IRJ të Maqedonisë ta zgjidhin individët që e kanë shkaktuar atë krizë politike, por një Gjygj ndërkombëtar. Përmëtepër, ato parti politike që e kanë prerë degën në të cilën qëndronin me vite. Edhe, e pyes veten para televizorit, pse rroken me kaq egërsi Dy Deshët e Abetares mbi urë: krahun me bar që ua ka hedhur partia e tyre politike, torbën me taxhi përqafe, apo për ndonjë post politik?!

Vështirë e ke të përgjigjesh në Ditën e Sotshme. Debatet politike kohën e fundit i ke me qerre, saqë nga ngarkimi i tepërt - mullar, mallërat ekonomik me afat të sakaduar rrugës, ngecin ferrave. Populli shqiptar, siç duket kishte qenë popull “analistë”, i lindur që në djep. Jo, rastësisht e kemi këtë fenomen shqiptar edhe tek këngët e djepit. Nëna kur i këndon djalit: Biro, flej se të bënë mirë gjumi!/ Nëna ty do të baj plak katundi! Dhe, jo rastësisht, sot këto debate politike përfundojnë pa ndonjë shtegdalje para kamerave televizive. Ashtu, siç do të përfundojnë Nesër partitë e tyre politike në histori.

Dalje, do ta ngresh zërin edhe ti si lexues besnik i këtij shkrimi? Zemrimin, nuk do të mund ta përmbash dot si patriot, shpërthesh: na shurdhuat me politikë e shkrime patriotike mbi 25 vite “demokraci”, në Robëri. Mjaftëni më me premtime e dalldisje politike! Nuk, i duam këto! Sot, duam realizime!

Po, keni të drejtë, ashtu delë përfundimi i kësaj fushëbeteje. Gjithë jetën keni qenë skllever. Padronët e sotshëm ua kanë pi edhe gjakun. Fatkeqësia: ju nesër në zgjedhjet parlamentare, përsëri do t’i votoni këto padronë, që të vazhdojnë t’ua pinë gjakun.

Shpëtimi: IRJ e Maqedonisë i ka mbushur të gjitha kushtet për të përfunduar në protektorat ndërkombëtar. Nuk e shpëtoi Marrëveshja e Ohërit (2001), nuk do ta shpëtojë as Marrëveshja e Përzhinos. Aqmëpak, Prokoria Speciale e zonj. Katica Janeva. Tekefundit, nuk kemi çka humbim ne si shqiptar. Shkaku, se: as që kemi pasur ndonjëherë shtet, e as pushtet. Populli shqiptar e ka një thënie popullore antologjike: edhe unë pa nanë, ama edhe baba pa gru. Dhjetë vjet, më së paku të marr frymë në këtë protektorat ndërkombëtar, pas dhjetë vjetëve të vij në skenën politike një gjak i ri politik.

Edhe, ky është shtegu i fundit për të dalë nga kriza politike...