Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Po vjen lumi turbull-o

| E enjte, 06.10.2016, 07:11 PM |


Po vjen lumi turbull-o

Përsiatje mbi poezinë “Vjen një trim i mbytur-o” të Petrit Rukës

Nga Timo Mërkuri

Ishim në natën e dytë të Manifestimit Poetik “Trirema Joniane” që zhvillohej në ambientet e resorsit Bungovilja në Sarandë, kur mes një grupi poetësh u ndez biseda mbi poezinë e Petrit Rukës “Vjen një trim i mbytur-o”. Duke e mburur me superlative këtë poezi, madje deri aty sa u bëri përshtypje dëgjuesve, ju luta Petritit që, kur ti vinte radha për recitim, të recitonte këtë poezi.

Dihet që poetët janë recitues të dobët dhe stonojnë kryesisht në recitimin e poezive të tyre, por unë e kërkova recitimin e kësaj poezie, jo aq për të admiruar interpretimin e saj prej Petritit, se sa për klimën poetike që më krijohej nga dëgjimi i vargjeve të saj. Xhanëm, manifestimet poetike këtu e kanë edhe sekretin e suksesit të tyre, te klima poetike që krijohet te poetët pjesmarës edhe nga njohjet mes tyre. Se po të jetë për poezitë e tyre, do mjaftonte leximi në vëllimet poetike (apo interpretimi nga aktorët).

Në fakt, kur lexova fillimisht këtë poezi, mu zgjuan kujtime të fëmijërisë. Unë fillimisht këtë tekst e kam dëgjuar si një këngë. Këngë që e këndonte motra ime e madhe. Me një zë të përvajshëm, siç ishte teksti. Por ama e këndonte. Dhe unë nga ajo e mësova fillimisht, dhe si fëmijë që isha  fantazoja skenën e rendjes  të mëmës  bregut me gurë e drurë, duke u gëricur nëpër kërcinj e gjunjë dhe duke u çjerë në faqe, me gjëmë e logori. Të qarët me ligje e me kuje, të gëricurit të faqeve gjatë vajit, e njihja sepse e kisha parë nëpër morte, te të mitë. Më von, kur nisa të merem me iso-polifoninë, e studiova me imtësi ritin mortor dhe elementët e tij.

Por le të kthehemi te nata e Manifestimit Poetik.

Petriti ma plotësoi dëshirën, madje duke e lexuar poezinë nga telefoni celular, sepse nuk e kishte të printuar. Unë e dëgjova sy e veshë, por s’di pse në mes të poezisë më erdhi të bërtisja e ti thoshja : Mjaftë, ndonëse vetë e kisha kërkuar këtë recitim.  Petriti mbaroi dhe u ul mes duartrokitjeve  ndërsa unë u ngrita e dola në heshtje nga salla. Dhe, në heshtje e vetmi, nisa të vërtitem nëpër ambinetet e Bungoviljes.

Pikërisht atëherë mu kujtua një ditë prilli e para disa viteve, në brigjet e Vjosës, te Gryka e Këlcyrës..

Ishte një ditë e bukur prilli, kur ne, punonjësit e Petrol Albës në Gjirokastër shkuam te një lokal në Grykën e Këlcyrës. Ndërsa shokët po sistemoheshin në ambientet e lokalit, mua më tërhoqi pamja e lumit që shkiste me rrëmbim teposhtë, dhe, duke u përplasur në shkëmbinj e nëpër rrënjët e rrepeve, shkumëzonte si kal frelëshuar. Një robë e errët , që rrokullisej nëpër valë, më krijoi një imazh, diku të parë apo të parafytyruar. Dhe vetvetiu, nga nënvetëdija ime doli një akord muzikor në formën e një vargu…Po vjen lumi turbull-o. Nuk ishte këngë, ishte në formën e një logatjeje.

Ishte vargu i parë i një vaji të njohur. Unë nuk e di pse në atë moment, mu krijua bindja se ky vaj ishte vajtuar pikërisht në brigjet e këtij lumi. Madje edhe tani jam i bindur se vetëm aty, në brigjet e Vjosës ujërrëmbyer ishte vajtuar ky vaj. Pra, atë ditë, ndërsa më konturohej bindja se ky vaj ishte vajtuar fillimisht dhe vetëm në brigjet e këtij lumi, buzët e mia logatën vargun e dytë…Turbull lumi, turbull-o. Pra , as e recitoja si poezi dhe as e vajtoja si vaj, por thjeshtë e logatja. Diçka midis vajit e këngës. Si mbi një urrë që lidh dy brigje. Dy brigje të një lumi të turbullt. Vjosa vetëm në vjeshtë turbullohet, kur fryhet nga përenjtë. Në një vjeshtë të tillë qënkish mbytur ky trimi, që nëna e vajtonte lemerishëm brigjeve. Dhe që e vajton edhe sot e kësaj dite.

Por  në qoftë se unë e logata atë ditë prilli, Petriti e ngriti në poezi këtë ditë tetori. Me siguri edhe Petriti në brigjet e lumit Vjosa  ka nisur  ta shkruajë këtë poezi në atë maj të 1999.

Del e jëma bregut-o/Turbull lumi, turbull-o/Dhe i lutet lumit-o/ O lumë të keqen-o/Nxirma djalin zallit-o…

Nuk e di pse këto vargje, ku nëna i lutet lumit, madje e mer me të mirë dhe me përkëdheli i thotë…të keqen-o atij lumi që i mbyti të birin e vetëm-o, pra ky varg, sidomos, më kujton Priamin që, duke i puthur duart Akilit, ato duar që i vranë  Hektorin, i lutej ti jipte trupin e të birit që ti bënte nderimet e fundit. Kjo nënë, kallogreja mëmë, e bregut të Vjosës, me siguri që as e ka lexuar ndonjëherë Iliadën dhe as që e vret mëndjen për poezinë. Ajo thjeshtë vajton e kërkon trupin e të birit, që valët lumit e rrokullisin  dhe e përplasin gurëve e drurëve, për ta çuar aty, ku ja ka taksur fati i tij i zi.

Dhe e kërkon me kujë e me gjëmë,  sa që, kuja e saj dhe jo lumi,  rrepet i mer tatëpjetë, jo shtirë, por në këmbë.

…Gjithmon kemi thënë se kënga jonë iso-polifonike ka lindur nga vaji.

Por ja që kjo poezi e Petrit Rukës na tregon se, edhe  poezia mund të ritet mbi vajtimin, ashtu si një manushaqe mbin e ritet mbi trupin zgërbonjë të një lisi të rrëzuar..

Dhe mua, s’di pse më lindi dëshira ta logatja edhe poezinë e Petrit Rukës atë mbrëmje të 1 Tetorit 2016, ndërsa vija vërdallë nëpër ambientet e resorsit Bungovilja.

Këtë poezi të lindur nga një dhimbje, të  ushqyer e të rritur me lotë vaji…