Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Mani: Takimet e vendlindjes 2008

| E premte, 22.08.2008, 07:11 PM |


Kadri Mani
Kadri Mani

TAKIMET E VENDLINDJES 2008
/çdo të diele të fundit të korrikut/

Fshatin tim të bukur, seç e  kujtoj shpesh
Vend pasiv po i lumtur, është atje në malësi
Me një emër të lashtë, e quajnë Makresh
Ku nëna ime e dashur, bartte tambël me kusi!

Kam dëshirë të flaktë, atje të shkoj shpesh
Dhe ia mësyj më këmbë, shkoj sikur në kalë
Më tërheq guri i oxhakut, ku hanim përshesh
Me bukë misërnike, edhe me qumështin valë!

Dhe çdo vit shkojmë bashkë, në atë solemnitet
E me rrobat e trupit, zgjedh nga ato më të reja
Dhe mirë të organizuar, oh sa fort paska lezet
Grupe-grupe çehreqeshur, prehemi nga hareja!

Këngë e valle e muzikë, galdime dhe recitime
Gra e burra e fëmijë, edhe me mysafirë të ftuar
E me ritmin e çiftelisë, po loz fort kjo zemra ime
Sot Katundi ynë feston, ju ngrehni dolli-gëzuar!

Takimi një dasmë e madhe, e jo hiç individualë
Ngarendin sekush ta shtojë, harenë e solemnitetin
Manifestimi rritet papare, me temp shtuar ngadalë
Që rretherrotull të na shohin, gazmendin marifetin!

Bashkëvendësit tanë fshatin, shpesh po e zënë n’gojë
Me nostalgji fëmijërie, dhe me të reja të të prurave
Do t’i kthehen më të pjekur, e me më shumë përvojë
Për ta ringjallë e begatuar, mbarë jetën e kulturave 

Dhe kur të na vijë korriku, edhe kur të na vijë vera
Gëzohen edhe varret, e gëzohet çdo motër dhe nënë
Dhe do të buçasin sazet, me hov e zulmë si nga hera
Jehon kënga edhe surlet, e varg krushqit me tupanë!

Prishtinë, më 22.8.2008