Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Pengu

| E diele, 25.09.2016, 09:15 AM |


P  e  n  g  u

Nga Mehmetali Rexhepi

Rexhep Elmazi, Beqir Musliu, Mirko Gashi, Azem Shkreli, Teki Dervishi, Federik Reshpja, Ali Podrimja e një mori shkrimtarësh dhe unë...

Mësymja: te Ngazëllimi për t`i uruar banesën e re. Shmangem nga ai grumbull pa dashjen time. Më shmangin nga anëtarët e LSH-së lidhëzat e këpucëve të mia dhe çorapët e trasha të leshta. Assesi të jem në hap me ta. Ata tashmë kishin ikur. Arrij i paqartë para një ngrehine pesëkatëshe të palyer. Futem brenda, por kujdestarët e ngrehinës ku ishte Ngazëllimi më pengojnë.

Thanë: -Është ngushtë të futesh edhe ti.

- Prit sa të dalin ata! - Prite marsin!...

Por ata nuk i pashë se kah dolën e ku vajtën. Ndoshta secili në banesën e vet të fundit?

U  mllefosa në vetveten për ngathtësinë time, për formatin e këmbëve, për këpucët, lidhëset e lidhjet  e mia të ngatërruara, secilën herë në çastet e fundit.

Po prisja te hyrja e ngrehinës me barrën e hidhërimit. Mësymjes sime i dalin rojet e banesës së Ngazëllimit. Ndeshem me një mur të gjallë, të pakalueshëm.

- Ju lutem, dua ta takoj Ngazëllimin, sikurse zotërinjtë më parë, për t`ia uruar banesën e përjetësisë!

- Ngazëllimi është i zënë- më thanë në kor.

- Po, por, por...

U turbullova, ndaj po më katrohej shqiptimi i një kërkese të vetme, që po më bëhej gjithnjë më e gjakuar.

- Uuu...Unë... Dë...dë... Dëgjoni! Unë, unë jam, jam, jam njëri nga, nga, nga... Ata të Lidhjes që sapo u futën brenda dhe, dhe nuk po i shoh të kenë dalë?

Sërish përgjigjen dy persona përnjëherësh:

- Ngazëllimi është i zënë, a kupton ?

U them: - Dua vetëm ta takoj dhe t`ia uroj vendbanimin e ri. Me siguri, Ai do të ketë pakëz kohë edhe për mua, siç pati për të tjerët.

Tashmë mllefit tim i duhej vetëm një shkëndijë për të shpërthyer, por Arsyeja ende e kishte shkrepën në dorë, për të mos i lejuar hapësirë një shpërthimi që mund të ishte i pistë.

- Zotërinj, po tash?

- Çfarë po bën Ai pasi u larguan miqtë e tij?

- Ngazëllimi po ha mish!

Mpirje!...

* * *

Intonacioni i pohimit u shfaq krejtësisht i natyrës zyrtare. Nuk pikasej ironia në fytyrat e tyre të  rruara si dhe kokat, qafat me kollare të zeza mbi këmisha të bardha e kate të hirta. Ndonëse pohimi i tyre plekste diçka enigmatike, tingëlloi si një cinizëm i llojit tejet të veçantë. Fjalët nuk më ndërtonin dot trajta kuptimi. Shteruan krojet e shprehjeve. Nuk po i hapej udha pozitës së sedrës sime mes hutimit mpirës e fyerjes djegëse.

Përsëritja në vete: Ngazëllimi po ha mish! Ngazëllimi po ha mish! Çfarë  fsheh ky pohim pas atij intonacioni të ftohtë e thjesht zyrtar?

Ngarendje pas të nëmurës...

Mendja  ma thoshte se kishte ngjyrime gjithfarëshe në atë frazë: ironi, përbuzje ose gjithçka ngjizej në stilin e një burokracie djallëzore. Dhe nuk mund t`i shqitesha asaj formule të anatemës, që  sa vjen e më bëhej më e ndërlikuar: e larmishme, sfiduese fyese, provokuese, neveritëse. Sillesha vërdallë, por nuk ia kapja dot as  fillin, as fundin nëntekstit.

Marrëzi të pashpirtësh!

Jep e merr, merr e jep dhe: shkrap! U këput shiriti i një torture...

* * *

Sytë që më ishin ngjyer me të kuqen e të zezën e sfondit të tej botës mbanin po ato ngjyra. Ndjeja rrokullisjen e sumbullave të vala të djersëve që po e lanin sedrën e fyer, ndërsa jashtë rigonte shi i ftohtë, si të donte, pa artileri bubullimash, t`i përzinte kërpudhat e joshura nga korriku  në kallnor.

E shtyp çelësin pran shtratit me gishtin tregues: errësirë e shoqërisë... Seç më rikthehet një fije kujtese gati e këputur e të djeshmes, përderisa çaste më parë e kishte kapur e rilidhur, por në dëftoren e vet, ëndrra: takimi i shkrimtarëve përpara kryqit të një apostulli tokësor të shkrimit shqip.

Dhe endem në sferën e torzosë fluturuese të ndjenjave...

Nga dyzetekatër temperatura bie në katër gradë celsius. Sherri planetar i dykëmbëshit zgjeron dhe zgjeron rrathët koncentrikë vertikalisht, aq sa ombrellën tonë të ozonit do ta bëjë një shoshë vigane. Dhe radari i reumës sime do të parashikojë zjarrmi në kub për çdo trup.

Ndoshta e paskam lajthitur ditën, pse ëndrra erdhi për ta lypur pjesën e saj të huazuar të pakthyer. Ndaj erdhi për të dëshmuar ndryshe dhe qortueshëm, ngase borxhi nuk mund të fshihej. Kur përmbyset imagjinata shpifet dita si rutinë e një burgu të hapur.

Vallë, pse mes gravitetit të së prekshmes e të së imagjinuarës mbetem pezull dhe i papeshë? Në kopshtin  e iluzionit kam bletën dhe polenin e fshehur të mjaltit tim. A do t`i shpëtojë e vetmja pronë imja e paluajtshme ligjit për tatim?

* * *

Ironia  e ëndrrës përtrollit mjerimin e zhgjëndrrës.

Ai hante bukën e ngjyer në gjellën e çdoditshme të kureshtjes: përzier supë e zier me eshtra të gjahut të muzës, mëlmesë duhani, copëza metaforash hedhur orë e çast mbi pako cigaresh, mbi gazeta e kudo ofrohej fleta, gjethet që vishnin degët dhe ia shlyente kufirin ditë-natës. Hyri  në shtjellë të rrëfimit dhe nuk doli më, por hyri pa drojë t`ia merrte mandatën thellësisë.

Tori e tori një karakter që në variante të shumtën i doli i denjë për ferr. Peshoi e ri- peshoi, vendosi, rendoi e ri-vendoi, arriti deri në verën e qëmtimit.

Dhe Ai u betua: dua të mbëltoj që nga e zeza deri në pigmentin e thinjur të flokut tim, të latoj, kompozoj e praroj, të vjel gonxhe filigrani në qafëbardha gjerdani, sintaksë e paepura plis-shkrepave dhe e kap-pakapshmja e sublimes sime!

* * *

Dhe sprovës Tij i besova. Gjithë maksima e ngrit-zbritjes njerëzore u përmbyllka në një rrokje, në ofshamën e ngërthesës: “Oh!”

Gjilan, gusht 2004