Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nebi Dragoti: Lirikat e Dumresë

| E diele, 25.09.2016, 08:55 AM |


NEBI DRAGOTI

 

LIRIKA : LIRIKAT E DUMRESÊ

 

ÇMENDURI VJESHTE

 

Vjeshtë e çmendur dashurie,

nuk ngopesh me gjethet e verdha;

gjethet e verdha i rrufit në kulm urie,

duke vallëzuar e dallgëzuar në vreshta

marrëzisht e dashuruar tretesh xhelozie,

xullufe florinjta, e çmendura histerike!

 

Vjeshtë e çmandur, diellin për flokësh e kap,

e ul nëpër ara të pjekësh shalqinj,

e ul të pjekësh e zverdhësh bostan…

 

FLOKËVERDHË MOJ

 

Flokëverdhë moj, bjonde lozonjare,

ta bëj si vjeshta me gjethet e verdha

të rrëzoj dhe të shtrij mbi çarçafë gjethesh,

ta  xhvesh veshjen aromë trëndeline

e të mbuloj me trupin tim të kolmë,

flokëverdhë moj,bjonde, e hajthme,

pas teje ç’rrëmbehem në shtjella bukurie…

 

ZJARR VJESHTE

 

U dogjën gjethet e u trembën dallëndyshet në degë

e flakërojnë nudo si balerina gjithandej,

e farfurijnë në ajrin e freskët me shtergë,

luhet e lyhet muzika e vjeshtës me një temp…

 

Zjarr bubulak vjeshte dhe mua më ndez,

prandaj… më lejoni të dashur,njerëz,

njerëz u dua: dëshira ime,dashuria ime

me këta zjarre nëpër duar dhe në mendje

pyje margaritarësh poezie të pjek.

 

QIELL E DIELL VJESHTE

 

Vete e shtrihem me vjeshtën në zabele

me këngë e flatra bilbilash mbi kokë,

me qiell vjeshte e diell vjeshte,

shtruar kam rreze qendisur teminash,

mbulesë kam lirika me gajtan serme…

 

Nën qiell e diell vjeshte

mbushur cicërima zogjsh,

në kor pyesin shpezëria:

-Vdekur a gjallë është Nebiu!?

 

Atëherë, përgjigjet vetë vjeshta:

-Ka ngritur pjedestal a varr përrallor

prej liriku.

 

ME VJELËSIT,VJELÊSET NÊ VRESHTA

 

Si vjelësit dhe vjelëset në vreshta

me shporta, me kanistra,kaçile e kosha,(…)

vete me ta edhe unë poeti me vjersha

me vjeshtën, vjelësit e vjelëset në vreshta.

 

Me dardha, me pjeshkë, me ftoj e shegë,

plot, ngarkuar e kërrusur degët për tokë.

“Poet, nxiti me vargje të vjelin më shpejt

me duart e shkathta me gishtat sqep zogjsh!”

 

Përdhunshëm dimri këmbëbardhë e vello nusërie

vjen e përzhit prodhimet e vjeshtës egërsisht

dhe nuk ngopet duke dëmtuar si shpirt  ligësie

ka qejf që natyrën të shkretë ta sodisë.

 

Vjeshtë e begatë mua më grish miqësisht

dhe sinqerisht ma servir arin për vjersha.

Unë të gjithëve ua kthej servirjen bujarisht:

i kam për vjeshtën, vjelësit, vjelëset në vreshta…

 

FJALÊ VJESHTE NÊ VJERSHA

 

Drurët lëshojnë fjalë vjeshte

me hënëza breshëri si reshje.

 

Ikën, ikën fjala vjeshtë,

dimri e përze me purtekë.

 

Bien si gjethe,shkronjat bien,

xhevahiret e drurëve xhvishen.

 

Nuk ka ikja e tillë trishtim,

lozin stinët:venë e vine.

 

Më bëhen mua fjalë vjershe,

në vargje strukturohen këto gjethe.

 

DASHURI JETE

 

Kam dashuri për lëndinat valëzore,

për arat me dallgë ngjyrë flori;

kthehem i qeshur mbrëmjeve hënore,

oborreve kuajt ngopen me qetësi.

 

Zbriti hareja këtu tek ne,

ja, tek ne ne lumturia erdhi,

këngën fëshfërim gruri s’e le,

me ëmbëlsi hëna fushat veli.

 

Kurorën e bardhë dardha e hapi

me këngën e zoçkave në gji;

ja, kështu Dumre më kapi,

më kapi për ty e zjarrta dashuri.

 

Ti mbytna me gëzime jete,

toka jonë,mëmë e dashur…

Këtë qiell e diell plot rreze

ne, e mbajmë ne mbi shpatull.

 

Veç gëzime paçi, ju vise blu,

vitet stoli Shqipërisë i ngrenë;

ulem një çast mbi dhe në gju

ndëgjojë token ç’melodi shpërthen.

 

Këngë shqipesh ti më kumbo,

viseve krifëgjelbërt thurju ti,

jepna krah e zemër e jeho

ëndrrat tona t’i kthejmë në lumturi!

 

Dehna, pra, me gëzime jete ti,

Atdhe, me rreze drite shpëlarë;

Atdhe martir,ke bukuri e pasuri,

ngjatjeton këtu kombi im shqiptar.

 

PASTORALE

 

Moj pastorale,

po pastorale më ngele ti

me qumështin e syskave e bejkave,

me këmborë e zile në male

kullotave verore vërri më vërri,

tund këmborë e zile në qafë.

 

Netëve malore me hënë mbi bri,

hëna në vedër zgjat kryet e pi

dhe fletorkën time me poezi,

dhe kulloshtrën tënde të bardhë

të ëmbël, të ëmbël si mjaltë,

hëna netëve në vedër ç’u zbardh!

 

Pastaj, pastaj unë lutem si poet:

-Dele leshartë, na lind një qingj,-

hënës i them,-

dhe gjirin tend lëshoje mbi stan!

 

Hapsira të mbushura me blegërimë të bardhë,

nëpër kullota shqiptare verore u mburrem poetëve

me fyellin  e blirtë poetik që më dhatë.

 

ERÊ DIMRI

 

I bie morsit,rrugët i fshin,

zgërdhin a kuis dimrit në xham,

dallgët e ujrave me jele shkume i rrit;

me jele shkume pulbardha u zbardh…

 

BISEDÊ ME BLIRIN

 

-Në erë, në fllade, në acar

si ka ardhë jetën kemi bërë;

ne na ka ngarë jeta si kale,

jetës kuaj të urtë i kemi qënë.

 

Veç klimë tjetër ka në bregdet,

pra, t’i shtrijmë rrënjët dhe këtu.

Belkëputura durrësake mos të qeshë,

mos të na përgojojë keq nën buzë.

 

Ti,  mik bli,o i dashur,bli,

ma ke veshur lirikën me vjeshtë;

ah, dikur, në të qeshurën rini

kam kënduar për ty e për të tjerë.

 

Ke lëshuar rrënjët ndanë bulevardit

dhe erëzon e pastron ajrin në qytet,

teksa sjell ndërmend korijet e fshatit,

ku lirikën e parë hodha në fletë.

 

Hapsirat e lira, të buta fshatare

me ditët e netët veshur qelibar

me sy kërkojnë, pyesin kureshtare:

-Tani Nebiu dhe bliri ku janë?!

 

Kush lëviz, për keq nuk lëviz

dhe nga kjo pendim s’kam aspak,

dhe qoftë sistem i ri demokratik

për Shqipërinë rrugë më e begatë!

 

Këto qytetare me minifund

nga kemi ardhur, jo, nuk e dinë,

veç na tunden gjithë naze me parfumm,

por  kjo ne aspak nuk na gudulis.

 

Përcillmi fjalët nëpër stinë

me aromën e luleve që përhap…

Këtu për poet s’ e njohin Nebin,

tërë jetës do këndoj si fshatar.

1998.

 

HÊNA DHE POETI

 

Hënë e Pozhokut në dhjetor

si vajzë përralle në qiell,

fjongon e Devollit në kokë

lidhe si vashat e Dumresë!

 

Me vete ç’këndoj nuk e di,

s’di as kjo erë ç’më flet,

kësaj nate që kullon flori,

o, më paske ti mua poet!

 

Zilka gjethesh tringëllin

ti apo era  përmbi fushë?!

Ç’të bëj?Kacavirrem në një rimë,

tek një burim të puth ty në gushë.

 

Zile gjethesh më bëhen muzikë,

unaza tingujsh në një pellg;

eh, ç’më rrëshqet jetë e mirë,

dalëngadalë burrërohem si poet.

 

Hënë e Pozhokut në dhjetor,

vozit si pëllumb në qiell;

në iki unë nga kjo botë,

bota nuk mbetet pa poet!

 

PÊR VETEN

 

I pasur nuk bëhem me ty poezi

sikur edhe të bëhem me famë;

dëshirë: siç thur vargun tani,

kam nisur udhën për larg…

 

Ç’iku, ç’ka vjen me ritmikë

është më mirë se ç’ shkon rrëmujë;

kënga e shpirtit tim lirik,

po s’ ndriti, do të mbetet gjurmë.

 

Njeri, ndodhka në jetë dhe kështu

vetes t’i këndosh se kush je;

mos qofsha vetëtim në qiellin blu,

shterpësi vetëtima qiellit pa re.

 

Me ty poezi,jo, s’bëhem i pasur,

(i varfër mbetem sikur të bëhem me fame).

Të mbjell për popullin tim kam dashur,

farë gëzimesh e shpresash me art!

 

PIKTURÊ DETI

 

O det, s’u plakëke ti, det,

përdridhesh,shtiqesh, buçet.

 

Flet me jele, flet me dallgë;

dëgjomë,  mua poetit,një varg:

 

Mëngjeseve me gishta magjish

me diellin lahesh lakuriq.

 

Mbrëmjeve gjithë hir poezie

pikturon pikturë  perëndie.

 

BALADÊ E GJALLË

 

Baladë me diell,

diell e purpur Dardanie

performuar

me gjakun e Adem Jasharit,

ngritur

me gjakun e Adem Kosovarit…

 

Ademi,

Paqa

-një bozhur madhështor

ngre Kosova e lirë,

bozhur fantastik qiellor!

 

Qe Ademi…

Qenë Ademët…

Êshtë Ademi,

janë Ademët,

të gjallë, të gjallë!

Ooo, ju të tillë sokola

jeni, kosovarë!

 

KARAKTER

 

Shqip: besës

i them besë;

trimërisë trimëri,

nderit

nder i them.

 

Bëhem tendencioz në jetë e në art,

argasur e brumosur mish e kockë e gjak;

virtytet i kemi aliazh qëndrese e jete.

 

Kemi në këtë aliazh…

Karakter shqiptar!

 

PAQÊ

 

Shqiptari i lindur për liri e paqë:

rron në paqë, rreze paqe përhap.

 

Vargjeve u qëndis hënëza për krah,

për kontinentet ide jete vargjet janë.

 

Vargjeve xixëllonja e hënëza u dhash,

për paqën njerëzimit t’i përcjellin mesazh.

 

FÊRSHÊLLIMÊ

 

Sa kot me fërshëllimë dal në rrugë

për të harruar se xhepat i kam bosh;

shtymë, moj erë, përkëdhelmë në fushë

si unë edhe ti në xhepa s’ ke një groshë.

 

Të dy tek bredhim si varfanjak,

ooo,ti me një selvi bëke dashuri

e vargjet e Kahjamit ia var në qafë,

e zjarre dashurie i mëkon në gji.

 

Blirit kapeleja ç’u zverdh krejt,

ç’ ëndërronjës ish në blerimin e parë,

tani vjeshta flakët shtyn e ndez

e loz në pyje me klithma si e marrë.

 

Ty fshat me rreze të ngrohu mëngjesi,

veç unë s’po të josh ty me asnjë varg

dhe sot,kur prapë zë këndon këndezi

me ç’gjë të mburrem unë poeti nuk kam.

 

Gjallë, me gëzim romantiku mbeta gjallë,

askujt s’i jam qarë si shpirt i ligë;

shelgjishtetve kam trembur, shaluar kuajtë

e,me ty moj erë,ia marrë me fërshëllimë.

 

KAÇURRELJA TJETÊR

 

Çobankës bukuroshe s’ia kam varur,

netëve dumrerake s’e përgjova në çair,

tantellë qëndisur fustanin e përflakur

dikur asaj ia lagu vesa në lëndinë…

 

Godiste me purtekë mëzkën larushe,

tjetrës kaçurreli i varej mbi ballë,

në qiell si zogj yjet mblidhte Arusha,

kur unë provova të parën disfatë…

 

Dashuria dhe qyrramanit i buzëqesh,

edhe ai ka shanse në jetën e gjatë(…)

Po prapë këndoj,fërshëllej e s’hesht

e, buzë lumit me këngë ia marrë

 

Bredh po s’e gjej më kaçurrelen e verdhë

dhe yjet e prushëruar m’u ulën mbi ballë,

teksa fustan i përflakur i çobankës në kujtesë,

prapë ç’më rri i lagur nga vesa mbi bar.

***

Të thjeshtë jemi tek ky vend,

pse ti gjithë naze vjen më çmend?

Zhaurin dallga, shtrihet, qesh,

kur pulpat lan ti në liqen,

ma tund,ç’ma shkund atë gërshet?

 

Lindja e diellit shtron brilant

siç shtron dhe perëndimi xhevahirë;

afromu,dumrerake, sa jemi gjallë

këndojmë plot afsh të ritë

për ç’jetë me diell, purpur, brilant!

 

Të thjeshtë jemi dhe me mend,

asgjë të re më s’thur unë, jo,

Tasha e Tushajve përse u çmend,

pra, për atë ezmerin, domosdo,

ai, kur më s’e desh, u mbyt ajo.

Atëherë ish si sot, si ky mëngjes

që flakëron purpur e ne na ndez…

 

KÊNGÊ DIMRI

 

Vis i vendlindjes, shkurtin me serm,

bëma kollare a rrip mezi ma jep…

 

Prehërin me liqene me brymë pudrosur,

vallë flokun tim ti ke çngjyrosur?!

 

Kodrat e buta ngjyen dimri me serm

si vashat faqet e bardha me krem.

 

S’më dhe kollare e rrip zbukurimi,

veç, nesër,  mbulomë me vello qefini!

 

***

Dehem, hutohem, rrënqethem krejt,

ti rakinë ç’ma zbutke me limon,

peshkun ma servirke me kripë.

 

Meshollë,ti buzagas e hire plot,

rakinë mos ma zbut, moj, me limon;

dehem, lumturohem, dashurohem krejt!


NJÊSHI

 

Njëshi le të jetë ushtar

edhe kur ngjit shkallët e karrierës lart.

Njëshi për popullin e vet

arkitekt

e kaluar arkitektit

si poeti të jetë!...

 

A s’është njëshi më bukur kështu?...

Njëshi le të punojë për popull,

se pa popull…dakort,

është  “zero, fyl”,

dakort dhe me ty, Majakovsk.

 

Largoj qëndrime herezie si heretik,

se nuk desha që njëshi

ta mbajë veten për lider karizmatik

e të mos jetë njeri

dhe kurorë meritash pastë me bollik

e të nderohet si perëndi!

 

Njëshi-kult (?!)

Për demokracinë

është ujk…

 

LODÊRTAR  POEZIE

 

Vë në kurriz daullen e poezisë,

i bie dhe unë

e bares kodrave valëzore të Dumresë

si eksploruesi lirik

i më të bukurës rivierë.

 

Do të thoshin 84 liqenjtë:

-Nga zbriti,

nga mbiu ky qafir,

ky djallo poet?!

 

Për sot e për nesër

mbaj në kurriz këtë daulle

mbushur me ajër e rreze Shqipërie

dhe i bie e i bie si lodërtar

me shufra vargjesh të artë.

 

DETAJ POETIK

 

Përshtypje më bëri bariu i tufës me dhi:

dhitë s’i linte të mrizonin vapës tek stani,

me thuprën e thanes i ngiste vërri më vërri,

që koha e kullotjes më e gjatë të ish;

kështu do t’u fryheshin , do t’u rëndoheshin gjinjtë.

 

Këtë, o kritik, unë e quaj detaj poetik;

zilkat dhe këmborët të tunden i dua,

se, kur dëgjoj ato, mendoj: kullosin dhitë

dhe qumështi na shtohet si uji në krua.

Këtë, o kritik, unë e quaj detaj poetik.

 

NÊ ATDHE

 

Mbi pluhurin e vjeshtës hapat hedh,

tok me shtergët era rend e rend;

nga kjo lëvizje veç një gjë unë di:

më shumë nga era nuk shtegton njeri!

 

S’i kam aspak zili largimet e kota

larg strehës prindërore, viseve të ngrohta:

qumësht dallandysheje tek vatra na prêt…

Mëkona qumësht dashurie, strehëz e shenjtë!

 

MATEMATIKÊ

 

+,

Për mirëqënie u shtofshin prodhimet!

-,

U tëharrshin të këqijat njerëzore!

:,

Të mirat sociale u barazpjestofshin!

x,

U shumëfishoftë paqa ndërshtetërore!

 

Katër shenjave matematikore,

u realizofshin, u realizofshin

veprimet e foljeve dëshirore!

 

KAM DASHUR

 

E di sa kam dashur,

sa më kanë dashur s’e di;

për ç’muzgje të spërkatur

me margaritar e me magji

s’e di sa më kanë dashur.

 

Më lodhi vërtet kjo jetë,

kjo jetë dhe më gëzoi;

dikur, ah, ezmerkë,

diku pylli me fletë

gjithë zjarr na përqafoi.

 

Sa më kanë dashur s’e di,

veç e di sa kam dashur;

vallë prapë krahëhapur

prêt një plep, një lajthi,

prêt fushë e përmallur?!

 

LIRIKÊ

 

Hallakatur mbrëmjeve të heshtura,

vonë, kuaj azganë e hamshorë

kam ndjekur viteve të qeshura

në Dumre, në visin përrallor.

 

Ujin e kaltër të liqenjëve dua,

dua njerëzit, lisat, arat me grurë,

unë grushte me ujë pi në krua

dhe freskia më buron në buzë.

 

Dumre baltëëmbël, Dumreja ime,

ti këmbëzbathurin e bëre poet;

në një steh tëndin ti më linde,

këtu prindët më nxorrën në jetë…

 

Poezi,ty të jap tonin e pastër

edhe zjarrin që ngrohtë të mbanë;

mëngjeseve, mes thëllimit të ashpër,

dimrit më skuq gjaku në damarë.

 

Si gjithë poetët thur këngë

në udhëtim me jetën në lulëzim,

me zemër, që fëmi , ju kam thënë:

gjithçka e dua thellë me shpirt!

 

TANGO

 

Luan tango shelgu i xhveshur në korije,

ç’i lutet të qëndrojë pak lejlekut në ikje.

 

Era si vagabonde me gjuhë i gudulis

me gishtrinjtë gjethe e pupla shpupuris.

 

Paqë rash në këta tinguj i dehur krejt

me një të dytë…me belkëputurën vjeshtë!

 

KRUTANE

 

Boçet e gështenjave kopshtit janë pjekur,

të të ftoj, krutane, bashkë për t’i vjelur.

 

Në bisedën time shkurt mos m’u përgjigj:

desha të të kem mike e të më kesh mik.

 

Moj, në bisedën time kot ti skuqesh,kot;

pa gostitmë me rrush e gostitmë me mollë!

 

Shih se si,  tutje,  thanat kuqëlokan,

moj, me raki thane le të mbushen gotat!

 

BALADÊ E HERSHME

 

Varfëria kaltërsinë e mbrëmjes e trazoi,

si ta lante borxhin dumrerakja veten  mundoi…

I tha djalit, tek i jepte lopës ujë në liqe:

“Bëmë ç’të duash, s’kam ç’të jap për be!”

 

Liqeni rruthte dallgët në sytë e zezë të saj,

me gjuhë valësh fliste: “Në gjirin tim të marrë,

engjëll do të mbetesh, ti,  bukuroshe,  në legjendë,

zgjidhe tani: me nder a të mbetesh pa nder!”…

 

Vrënjtur buzë liqenit djalit mendimi i shkrepi,

ç’panë çafkat, kur thikën nxjerr nga xhepi…

Ziente mbarë e mbrapsh fjala në katund,

ah, ëndrra vashërore tretet, ja si merr fund!...

 

Kaltërsi e mbrëmjes u  çmend, u ça gjithkund,

nga gjaku njëri-tjetrit pinë tri pika me fund:

nderi gjallë të mbanë, si ai në botë nuk ka,

dumrerakë qenë të dy; mbetën motër e vëlla!...

 

R.SH.

 

Republikë e Shqipërisë,

bukurinë

zonjë e kaluar zonjës e ke

siç ke dhe pasurinë.

 

Fuqinë

ta japim ne;

ne të japim

madhështinë.

 

Republikë e Shqipërisë,

të shoh krenare,

ecën vigane dritëplot

me kurorë dafine e ulliri,

me kurorë dielli në kokë.

 

FUSHA TÊ MBJELLURA

 

Fusha të mbjellura me farëra,

të mbarsura shtriheni, mufateni

në vetëkënaqësi nga vlaga.

Thellë ua ndjej aromën e bukës,

që mbani në gji,

(kujtim i hidhur)

për të cilën kam qarë fëmi…

 

MBRÊMJE

 

Ka stoli një korije ajo çezme;

mbrëmjeve vashat mbushin ujë,

asaj rruge të dashur të vetme

fëmiria me ëndrra më ka humb.

 

Në pellgje kuajtë jelet pinë,

hingëllijnë gazmor, të paqetë;

he,ç’m’i trembin vashat fqinj,

kur kalojnë vrap në këto net.

 

Pjeprin e hënës e mbusha

me mjalt të shpirtit poetik

me lulekëmbane nga fusha

e panorama muzgjesh fantastik.

 

Ulen shpendët edhe pinë

në burime e kroje të kristalta;

fshati ç’erëzon trëndelinë

e diellin me çarçaf mbuloi nata.

 

KUR TÊ MOS JEM

 

Kur të mos jem,

e, kur të merr malli për mua,

kujto ditën me trëndafila maji,

kur të thash të dua.

 

Kur të mos jem,

mos u hidhëro e mos u mërzit

asnjë cast.

 

Shikomë tek dielli, kur lind çdo mëngjes;

jam unë aty dhe veç ty të buzëqesh…

 

Êshtë kaq e thjeshtë,

është kaq e thjeshtë,

kur të mos jem.

 

VIJA E UJIT

 

Vija e ujit e hollë,

gjarpërushe e argjendtë

tërë muzikë ikte në përrua,

përroi në lumë

e lumi thyen qafën në det…

 

Vranë mendtë e i ndryshuan rrugë

bashkëfshatarët llërëpërveshur:

-Ik  e mrizo në liqe,

do na duhesh në verë!

 

Edhe uji këtu marrka

misione të tjerë…

 

IMITIM BALADESKË

 

-Shikomë nudo mua e lajv më dëgjo,

-deti më thotë,-poet, buçit, këndo!

 

Lajv shpreh bukuritë e mia;

mëso nga unë: del e bukur poezia…

 

-Mbi dallgë e valë, notar dhe poet,

lajv, nudo dhe poezia ime të jetë…

 

Për art poetik qiell me diell jam,

përvlohem, digjem me vargun pagan.

 

Ndryshe, në mos qoftë kështu, lë amanet:

merrmë, bëmë ç’të duash, mbytmë, o det!

 

VDEKJA E POETIT

 

Një lule tek rrënjët e di se ç’pret,

atje tek varrezët, atje në lëndinë.

 

Poeti do të ketë një varr të thjeshtë

me ylbere mbuluar e me lule çdo stinë.

 

E di tek rrënjët një lule se ç’pret:

ah, lulet poetin e njohin shumë mirë!

 

***

Trëndafili në kopshtin e saj u çel, u ndez

dhe mbushet zabeli me çerdhe , me gjeth.

 

Unë këngë dashurie këndokam si i marrë,

vjershat e mia s’ia mbushin mendjen asaj.

 

Në mëhallë sytë hedh vagabondi i dehur

me flokët si kashtë, kurrë s’i ka krehur.

 

S’ka gjë, s’ka gjë; ajo nuk më desh,

pa vete e bëj dashuri me një jevgë.

 

NÊNTÊMBÊDHJET VJEÇ

 

Më zgjon këngë e gjelave në mëngjes,

kam mëngjeset e fshatit në shpirt;

rriten lladikat spërkatur me vesë,

arës thekrishtja fëshfërit çdo ditë.

 

Me bashkëfshatarët nisem në fushë,

gëzimin që kam unë s’mund ta shpreh,

ndaj i dua vargjet t’i kem prush

e të jenë si fishekzjarret në festë.

 

Këndoj ditët e kaltra shqiptare,

dijeni: për gjakun tim unë këndoj.

Këtyre mëngjeseve të shëndetshëm alle

unë, nëntëmbëdhjet vjeç, gjithçka u dhuroj!

1966.


PARA POEZISÊ

 

Kam dëgjuar më parë

vargjet e patave në qiell,

që mbanin mbi krahë

daullet e bubullimave në vjeshtë…

 

Kam lexuar më pas

vargje dallandyshesh në jetë

me tjetër stinë varur në qafë;

kam duartrokitur e thirrur: pranverë!

 

Pastaj, moj vagabondja poezi,

me ty në adoloshencë

u bëra rob në gjirin tënd magjik,

e, me ty u solla vagabond dhe vetë.


MIK  FSHATI

 

Mirë se të vish ti, mirë se të vish,

për miq të mirë fshati ka nevojë,

po se mos pengohesh arave me shalqinj,

ku aty më gjen , aty do t’më takosh.

 

Rriskë e hollë e hënës ulet prapë

mes grigjës,në shtrugë, qumësht rrjedh;

kam për të servirur një gotë dhallë,

më e mirë është se boza në qytet.

 

Dhe mos prit ti të dërgoj ftesë,

se rrushi duhet vjelë, kemi punë.

Ah, në ardhsh me diellin në mëngjes,

do të them : e dashke fshatin shumë!

 

Hëna lahet zhaurimës së liqenjve,

këtu hapsirë e gjërë qesh dhe ndrit,

duket sikur fshati është iso kënge

sa dhe delja rud gazmore blegërin.

 

Ç’ka na duhet, toka i prodhon të gjitha…

Ti mirë se të vish, mirë se të vish !

Në ardhësh me mëngjesin, kur agon dita,

kam për të thënë: ta kthejmë një kupë, or mik!

 

ESENIN

 

Ndryshoj me ty, Esenin i Rusisë,

doemos, në vargje dhe karakter.

I dehur me votkën ruse, o lirik,

i ndezur në grackën e jetës re keq…

 

Megjithatë, dije: shqiptari Nebi,

o bilbil i Rusisë, ruan respekt.

Vërtetë, shumë ndryshojmë, Esenin,

por…për të kënduar erdhëm në jetë.

 

POETI QESHI

 

Sedërsëmuri kritizer

inatin e nxjerr;

(jo,jo s’e botoi bukuroshen lirikë)

dhe përgjigjes shpejt

vegjen ia gjen:

-Vrite “mizën”

prozaizëm!...

 

Atëherë,

qeshi e theri

gjithë ironi poeti.

 

HAIQET E POLITIKÊS

HAIQET E POLITIKËS

1-

Politikë e re me politikanë të rinj

jo të rrinë në hije e karrike,

por të bëjnë progres, të bëjnë Rilindje!

2-

Politikë e dehur, politikë çorap,

demokracia dalur nga shinat

me totalitarizëm ushqen shtet partiak.

3-

Politikë oligarkie e paskrupullt

majtas, djathtas,djathtas, majtas…

Lëkunden me pordhë nëpër brek.

4-

Kjo politikë kërkon privim lirie,

dënim me burgim të përjetshëm;

gjykatësi popull të japë pretencën.

5-

Sharlatanizmit të politikave dhelpër,

buçë klyshësh ushqyer me korrupsion

u duhen prerë rrënjët e fijet me votë.

6-

Vërtet Rilindje, duhet Rilindje,

duhet shtet ligjor, duhet vërtet…

Lokomotiva politike arrin në destinacion.

7-

Doli shejtani nga shishja,

në qypin e politikës u fut…

Hahaha…e ndjen veten të sigurtë.

8-

Shejtanin e politikës mos e zgjo!

Fle vetë dhe zgjohet po vetë

për të realizuar plane korrupsioni…

9-

Gruaja shejtanin e mbylli në shishe…

Politika e nxorri, se i duhej vetë,

në koliben e shtetit ujk e kthen.

10-

Bobobo! Shejtani në parlament,

ç’spektakël:hidhet e përdridhet,

kërcen, kërcënon, bërtet, buçet…

11-

Hahaha dhe hahaha,

qesh e plas prej marazit:

ta varim, t’i vemë zjarrin shejtanit…

12-

Kryetari nuk ka as orar pritje;

punonjësit e bashkisë imitojnë atë…

Puna pa disiplinë e mulliri pa ujë…

13-

Lotët e krokodilit i mori shejtani.

Përdridhet,mbulon me vello krimet

duke grricur në parlament njëri-tjetrin.


RUBAI

1-

Rini,dashuro; rini jetën dashuro!

Je lule, je forcë, je madhështi,

je këngë e bukur, këngë këndo!

Dashuro,rini, jetën! Rini, dashuro!

2-

Cjapit përçor i vunë këmborë

edhe pse erë përç kundërmon,

pa le, në politikë del triumfator:

dhitë budallaqe i vunë kurorë!...

3-

Kur s’ke zotësi ç’kërkon , o i marrë,

të hipësh në kolltuk për rrogë të mirë?!

Votuesi të të jep shpejt një kërrabë

me këngë baritore: je për çoban…

4-

Me gaz e iluzione thurur kjo botë,

gdhihet, ngryset e jeta të ikërka;

bukuri e jetës magjishëm të josh;

ka ngjyra lulesh ky kopësht kaltërosh.

5-

Kjo jeta qënka rrotë në lëvizje,

kushi s’e kupton , rrotën s’e zotëron.

S’e merr veten , kur has në rrëshqitje;

sa keq e më keq pakthimi në ikje…

6-

Po qe se pi: çmenduri ke pirë,

rakinë, të paktën, pije për vete!

T’u bëftë gjak e të bëftë mirë;

thumb i pirë mos godit me brirë!

7-

E lyp mëshirën, o i penduar,

po pse arrite të lypësh mëshirë?

Më mirë të jesh i vetëkorigjuar,

se sa fatin e lë në tjera duar…

8-

Vaj medet, fajin o i mallkuar,

para se ta bësh nuk e gjykove;

sa keq që nga koka e ke pësuar

e jetë e brengosur s’ka të mbaruar.

9-

Jo, nuk ta desha fjalën me hile,

ooo, fjalë miqësie derdhke kot…

Në shpirt ti qënke ujk me zile,

mallkuar qofsh,s’paske sens njerëzie…

10-

E hoqe hallin! Hall mos paç!...

Njeriut hallet,jo, s’i ndahen,

një kalon, vjen tjetri hall

shtrigan kalë plak gërdall…

11-

Mburren mburracakët buburreca,

se kanë intelekt, kanë intuitë,

si poetë shpejt zhgarravisin vjersha,

mburren mburracakët buburreca.

12-

Kush të tha të rrish me budallenjtë?

Kjo botë ka soj e sorollop sa të duash…

Njeri, llogaritë bëji mirë në jetë!

Kush të tha? E pësove nga budallenjtë!

13-

…se mos unë s’jam marrë me budallenj,

se mos unë s’jam marrë me të mençur,

por, fundja, kam bërë siç di vetë;

kam mendjen time, pa hile më ushqen.

14-

Optimizmin, o njeri, ta kesh Everest,

optimizëm gjen në vjershat e mia,

se, veç fitore, desha të keni në jetë.

Optimizmin, o njeri, ta desha Everest!

15-

Njeriu ruan moralin, gjithsesi,

i iku morali? S’quhet më njeri,

kafshë po, që kot livadhis

e askush s’i jep një dorë tagji…

 

TRE RRATHËT


Indiani mori shkopin,

një unazë vigane u hoqi dy rrathëve përqark,

“Kjo është ku i bardhi dhe i kuqi

s’dinë asgjë”.

Carl Sandburg.

 

Polemikë  a dilemë, apo ç’djall ish

me rrathët vizatuar si grafik mënçurie;

atje, mbi rërën e largët ç’simbol filozifik:

rreth i vogël, rreth i madh meditim poezie...

 

Rreth i vogël:”Kjo është  çfarë di indiani”;

rrethi madh mbi të voglin:”Ja çfarë i bardhi di”.

Çuditën këta rrathë dhe të voglin, dhe të madhin:

vërtet, kush kish apo nuk kish mençuri?!...

 

Sentencë e saktë dhe mesazh njëkohësisht,

Sandburg u hoqi dy rrathëve unazë vigane:

një mendje e mburrur, një mendje është hiç;

këtë ia them gjithë elitës politikane...

 

Unë e bëj vjershën me fjalë sa më pak,

unë e bëj vjershën të shkruar dhe shumë,

po domethënien,kuptimin ta ketë të qartë,

si e shkurtëra, si e gjata të kalojë lumë.

 

“Ooo, unë di atë, që ju nuk e dini,

ooo,atë që ju dini, unë nuk e di !”

Bashkohemi bashkë si në orë mësimi,

bashkë bëjmë dhe shkencë, dhe filozofi!

 

KRITIKË

 

Çfarë je ti që vlerën

s’e marrke për vlerë?!...

Kush është vlera s’e di.

Marrka vlera  kutin tënd.

 

Kuti yt të dirigjojë dashka,

veç ty të ushqejë në koritë;

të ketë tagji në koritën tënde.

Aaa, qënke magjari “ kritik”!

 

Kuti yt vlerë nuk di,

kuti yt të shpie në skëterrë!...

Antivlerë ky kuti yt,

kuti yt antivlerë.

 

Vlera ka gamë të gjërë,

është si deti i thellë,

është si burim kristal,

e ngroh njeriun si diell...

 

Vlera është horizont,

është si fusha me grurë,

që ne me bukë na ngop

e na fisnikëron si askush...

 

KUPTO

 

Po, po, kur s’e ke pulën

(dakort jam, dakort),

për mish haje sorrën...

 

Veç pulën mos ia lë dhelprës,

dhelpra të ha trutë e kokës...

Kupto thellësinë e sentencës.

 

KUMURITË

 

Shiu kumuritë i lagu tërë natën.

Kumuritë tërë natën i ngriu era.

Unë, poeti,

zemërdhimshur

dhe për to mendoj,

ku t’u ndërtoj një strehëz,

një strehëz, ku t’u ndërtoj?!

 

Strehëz për kumuritë

e ngre poezinë;

paçka,

paçka,

se poezinë

kryesisht,

kryesisht

e thur për njerinë...

 

Tërë natën kumuritë u lagën,

nga ngricat dhe era u rrahën...

Sakaq,

në mëngjes,

sa kaq(...)

kumuritë ia nisën këngës prapë.

 

PÊRGJIGJE PÊR DASHURINÊ

Poemë

l-

Dhoma ime kubike sa një kabinë,

brenda shkruaj unë

që botën s’e shoh me syrin meskin.

 

Ngre këngën

me forcën e zërit në zenit,

fjalën e zjarrtë të zemrës

e ngre për njerinë.

 

E di:më mungon një,

e di:më duhet një shoqe e mirë

ta shohim jetën drejt e në sy,

krah për krah si dy zogj

në një çerdhe

ta bëjmë jetën të lumtur të dy.

 

Kështu e nisa poemën,

po ti mos u tremb;

si kalit ia shtërngoj frerin,

dashuria para të ecë !

 

I bindem e bindu dhe ti

duke qëndruar korrekt:

ka rregulla jeta,

jeta ka ligje

objektivisht

për njeriun

siç ka dhe për shpendë,

(shpendët kanë instikte,

njeriu ka ndërgjegje)…

Mbaje mend

e mos u tremb,

mos u tremb,

kësaj t’i qëndrojmë korrekt!

 

ll-

Zogjtë më çuçurisin në xham

me zëra melodik;

e kuptoj gjuhën e tyre si mors

dhe shkruaj vargje lirikë:

thyej koncepte,

shtërngoj nofullat

e bluaj sentimente,

sepse, sidomos sot,

në shekullin  XXl

qënka koha e tillë…

 

Hej, e kam dhe me ju , poetë,

mbi shfaqe plagësh shoqërore,

drejtojeni edhe ju penën bajonetë!...

Të kontriubojmë dhe ne.

 

lll-

E xhvesha dashurinë,

u fola zogjve në xham,

me gjuhë zogjsh u fola

sigurisht,

më dëgjo edhe ti:

dashke jetë të gatshme,

Esmeraldë,

Esmeralda  de-li-ka-te?!

 

Ka filozofi edhe dashuria,

ashtu siç ka jeta,

por kjo duhet njohur mirë,

duhet veçuar nga dashuriçkat e lëpira,

nga dashuriçkat e liga

arnuar me intriga,

që lidhen sot buzëbukur

e ndahen nesër buzë shëmtuar

me lotë,

se nuk gjetën jetën delir,

se nuk gjetën ditët e lumtura.

 

Lumturia s’është livadh me lule,

ku të shtrihesh e qetë

e të shikosh hënën që vozit

duke qënë në këtë univers

thekshëm një parazit…

 

Esmeralda,

delikatja Esmeralda,

fushë me zëmbakë e karakafte

s’është jeta,

nga qielli nuk vinë të mirat,

Esmeralda,

nga qielli veç yje bien,

nuk bien thasë me para !

Ti  fry,

erë e rreptë e mendimit mbi të,

e mendimit real e parimor

mbi të shfry!

Gris !

Fshi !

Rregullo ç’nuk është dashuri !

 

lV-

Vargje , kërceni nga poema,

dilni në rrugë si erë dhjetori,

pastroni ndjenjat,

ç’nuk është njerëzore

shkallmoni,

horizonteve gjëmoni!

 

Unë pastroj veten,

(duhet lartësuar figura e njeriut),

mbeturinat i largoj,

i përze

si bujku bimët e egra

në parcela nuk le.

 

Esmeralda,

kështu duhet të bësh edhe ti

po qe se do

të bësh me mua dashuri,

koncepte kundra jetës

gris,

fshi !

 

V-

Janë mbushur seancat e gjykatave

me divorce,

me urrejtje fëmijësh,

lemeri:

“O nënë,

o baba,

ku më le !”

Me lotët çurk

lahen pllakat…

 

Divorceve sus,

sus dashuriçkave,

stop,stop, stop,

që të mos lindin

e rriten fëmijë

jetim,

fukarenj,

harbut !

 

Vl-

Përjashtë

loz muaj i parë i pranverës,

ulet mbi tastjerë muaj mars,

me blerimin vallen e shpejtë hedh.

Ooo,sa bukur, sa bukur , Esmeraldë,

ka rregulla dhe lulëzimi pranveror,

a e sheh?!

 

Ja, mendueshëm rri unë,

mbush vija me rezervën blu mbi letër

me dorën mbi ballë mbledhur grusht.

 

Ja , vjen Esmeralda,

e njoh nga kërcitja e takave të gjata…

Ja, më del para, Esmeraldë:

unë, shpirt njeriu, të buzëqesh

mes ajrit të llagartë.

 

Mos m’i  përdrith buzët,

të buzëqesh ty, Esmeraldë !

Mos më kërko të kem pasuri,

miliarder të jem:

jam unë që jam:

shpirt punëtor,

i ndershëm,

i thjeshtë,

gazmor.

 

Dashuria jote dhe imja bashkë

a s’janë më i madhi kapital?!

Ty, të pyes ty,

përgjigjmu , Esmeraldë!

 

Fëmijtë t’i rrisim të dy

si pëllumba

me plot dashuri,

Esmeraldë,

më shih drejt në sy,

rrugëve mos të ketë,

fëmijë

lypsarë,

endacakë!

 

Kapital është të duash njerinë,

të duash dashurinë e sinqertë,

ky është progresi social,

ky është progresi më i mirë,

që kurorëzon dashuria në jetë,

merr formë dhe kurorëzohet

lumturia e blertë,

e vërtetë.

 

Vll-

Nder flatrat, moj pranverë,

se kështu të desha;

drurë, fusha, male

bleroni,

blero, ti jetë,

lulëzofshin dhe dashuritë

plot shëndet!

 

Nëqoftëse nuk vjen tek unë,

kështu siç jam Esmeralda;

unë ju betohem:

as desha të krekosem para jush

që ndonjërën ta bëj për vete

me proçkulla,

vajza!

 

Artificet i urrej,

sharlatanizmat,

mashtrimet gjithashtu:

njeri,

njeri,

të jem në jetë!

 

Esmeralda, nëqoftëse s’të pëlqen,

dije, në jetën time:

pështyj e urrej

lodërzat dashuriçka

që ngrihen sot

si flluska sapuni

e çbëhen nesër paturpësisht.

 

Paçavuret,

dashuriçkat

t’i fshijmë si plehërat

siç i degdis,

i syrgjynos

era.

1986-2016.


THIRRJE GJAKU

-Qemal Stafës, Vojo Kushit, Mujo Ulqinakut.

Poemë.

l-

Ditëluleve të Paqës shqiptare

portat e zemrës u kemi hapur

dëshmorëve ,

heronjëve

me ballin rreze mendimesh në kohëra;

në gjithë kohërat e ardhme

i kemi si yje e diej kaltërsive, lart.

 

Kurrë për t’mos i harruar

ngrohur,madhëruar

nga zjarri i idealit

e baroti i luftës;

meditojmë,

flasim për plagët dhe gjakun,

për gjakun e ëndërrave

dhe kafshatën e bukës.

ll-

Qemali i bie violinës,

nëpër tela dalin këngë revolucioni:

me këngë lirie janë mbushur luginat,

fushat,malet me borë

dhe blerimet e kësaj kohe

na kujtojnë këngën:

“Bashkohi, shokë!”

 

Atdheu bijtë i rrit trima,

trima të sakrificës gjer në fund,

trima që vdekjen s’e përfillin

dhe petrita qëndrojnë vëllazërisht

si grusht.

 

Mësim,

shembull na japin

me këtë lajtmotiv…

 

Kredo: në duar

-flamurin praruar me lotë!

Kredo: në duar

-flamurin kuqezi në demostratë !

Kredo: flamurin

-të pastër në sulme e shqotë!

Kredo: shtërnguar fort

-lart flamurin lagur me gjak!...

 

Bijtë, “Petritat e nënave” betuar,

bijtë arkitektët e “Botës së re”

për Shqipëri të çliruar,

për Shqipëri të shqiptarëve.

Bij të rënë,

si t’u harrojmë vallë?!

Emrat me dashuri zemre

ua kemi shkruar e zbukuruar

si me kostelacione yjesh

në qiellin shqiptar

ose më mirë:

jeni ju

kostelacione yjesh  në qiell,

o ju rreshta të gjatë me partizanë.

 

lll-

Ecte hëna e përgjakur

pasqyruar nëpër pellgje gjaku,

pasqyrë e kuqe në qiell hëna ecte,

ndërsa qëndronte granit,

mbi fashizmin qëllonte

Mujo Ulqinaku.

Hëna kullonte,gjak!

 

Bijtë nëpër tufan

me një torbë fishekësh

e pushkën në krah;

nëpër tufan plagëshumta Shqipëri.

 

Liria mësynte me kondak,

Liria çapitej,

mëgjunjaz ngrihej nëpër gjak!

 

Toka u thosh:”Mbahuni mbas meje!

Ecni! Nuk do të rrëzoheni kurrë!

Ecni! Në token tuaj jeni perëndi,

ecni edhe shembni tirani!

 

Toka e mirë,

bukëëmbla  jonë gjak rrithte;

kush pati më tepë urtësi

nga ç’pati kjo tokë,

toka me buzët e zhuritura,

burimeve, anëdeteve, kaltërsive?

 

lV-

Për një centimetër tokë

vete gjaku në gju,

për një centimetër

bëhet pushkë me shekuj,

se kjo centimetër tokë

është e Shqipërisë

dhe e askujt tjetër.

Dhe do shqipëtari që të rrisë lule,

të prodhojë bukë në Paqë

edhe për botën;

tamam si për veten

mendon ky popull martir!

 

Violina binte e pushka kërciste,

ju burrëroheshit

në rrugët e revolucionit.

 

Koha lehonë e lindjeve të mëdha,

koha pa dështime historike,

koha shumonte “Të birtë e shekullit të ri,

e “djelmëve” për ditët e lira.

 

V-

Nën thundra çizmesh gjermanësh

Borova digjej,

digjej Borova(…),

por Borova himn fitoreje lartësohej,

ngrihej Borova që digjej…

 

Vojo Kushi

nderte trupin mbi tank;

tanku fashist mposhtej,

tankut fashist

trupi i Vojos u bë barrikadë…

Barrikadë gjaku…

 

Thirrja e gjakut:

Liria skuqej me gjak,

me gjak bij nënash Shqipërie;

për Paqë

gjaku thërriste…

 

Në çengelet e historisë

janë vendosur amanetet

e lëna nga gjaku i derdhur

për ne.

Ne, amaneteve u qëndrojmë

besnikë.

 

Vl-

Buçisnin këngë partizane:

“Rroftë Shqipëria demokratike!

Vdekje egërsirës fashiste!”

 

Jehon sot e nesër:

“Në jetë të jetës

vdekje,

vdekje,

vdekje !”

 

Dakortësi botërore

kjo,

e popujve të botës dakortësi,

në unison

zë popujsh të bashkuar:

“Fashizmit,

luftrave

vdekje përgjithmonë!”

 

Fashizmi

është shporrur

me arkivol !

 

1987-2016.