| E enjte, 22.09.2016, 07:56 PM |
Medet, s’ke një shtatore!
Nga Reshat Kripa
Sot u zhvillua përurimi i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” Duke qenë i pranishëm në këtë ceremoni, para syve më dilnin vargjet e mrekullueshme të sonetit të shkruar nga miku im, Uran Kostreci, kushtuar figurës së paharruar të “Apostullit të Sqiptarizmës”, Mithat Bej Frashërit:
I Ajkës Kombit, prijs, o Lumo, o burrë, Që nga të kuqtë u shave, t’hodhën gurë, Ti, ngel profet, medet, s’ke një shtatore!
Medet, s’ke një shtatore shkruan poeti. Unë do të doja të shikoja shtatoren e tij në çdo qytet të Shqipërisë pasi ai iu përkiste të gjithëve, madje do të doja të shikoja përmendoren e tij në sheshin kryesor të kryeqytetit. Do të doja të shikoja emrin e tij nëpër libra dhe gazeta, nëpër radio dhe televizione Do të doja që emrin e tij ta mbanin institucionet kulturore më të rëndësishme të vendit. Do të doja të shikoja emrin e tij në shkollat, bulevardet dhe sheshet e qyteteve. Së fundi do të doja që eshtrat e tij të preheshin në atdhe. Do të doja që ato të preheshin në kopshtin e Institutit të Albanologjisë, ashtu siç e kishte lënë në amanetin e tij.
Kur do të realizohet një gjë e tillë? Tani jam në një moshë të thyer. Do të doja që të vendosja edhe unë një tufë me lule mbi përmendoren e tij, mbi vendin e prehjes së eshtrave të tij. Ndaj sillini eshtrat e Prometeut të Shqipërisë në atdhe! Kjo është thirrja që iu drejtohet gjithë nacionalistëve shqiptarëve që e duan me vërtetë Shqipërinë.