| E diele, 18.09.2016, 10:09 AM |
Shefi
i truprojave të Azgan Haklajt Qamil Rustemaj pas njëzet viteve në mbrojtje të
sigurimit të jetës të deputetit Azgan Haklaj largohet nga Shqipëria
Nga Ndue Malaj
Pas atentatit të 28 qershorit ndaj zonjës Afrime Haklaj dhe fëmijëve të saj, Qamil Rustemi është larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar hakmarrjes ndaj tij dhe familjes. Ai njihet si një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe si një nga veprimtarët më aktivë e të vendosur të opozitës antikomuniste në Tropojë dhe si njeriu që ka përkrahur pa rezerva shtresën e të persekutuarve politikë dhe të drejtat e tyre legjitime për tu integruar denjësisht në shoqërinë shqiptare. Gjatë viteve të terrorit jakobin që banditët me uniformë, shërbimi i fshehtë, forcat speciale dhe policia e shtetit e dirigjuar nga krerët e mafies politike Meta e Klosi në Tropojë, janë vrarë 175 djem dhe burra, të cilët nuk pranuan vendlindjen e tyre ta kthenin në një bastion të bandave dhe të krimit shtetëror.
Pasi bandat qeveritare ekzekutuan barbarisht në Vlorë mikun e tij Lekë QOKAJ dhe dhjetëra demokratë të tjerë, në prilll të vitit 1997, banditët e frymëzuar dhe të paguar nga qeveritarët revanshistë i bënë atentat vëllait të Qamilit, Sebi Rustemaj, duke e plagosur rëndë dhe duke e lënë invalid të përjetshëm. Sepse mjekët, nga breshëria e plumbave që kishte marrë, u detyruan ti prisnin njërën këmbë. Që nga viti 1997 z. Rustemi, me profesionalizëm besnikëri dhe me një kurajë të pashembullt, së bashku me njerëzit e tij besnikë, ka shërbyer si truprojë e z. Azgan Haklaj, duke qenë dëshmitar okular i përpjekjeve të vazhdueshme për eleminimin fizik të tij dhe të familjes së tij.
Dosja e përgjakur e Tropojës e pazbardhur akoma dhe sot pas njëzet vjetësh është kthyer në një gjenerator të krimit politik dhe të hakmarrjes së pushtetit të sotëm ndaj qëndresës së banorëve të kësaj zone kundër revanshit të egër të atyre që erdhën në pushtet me armë me banda dhe me zjarr në vitin 1997. Vetë organizimi i popullit të Tropojës në mbrojtje të familjeve të tyre, të nderit dhe dinjitetit është edhe meritë e pamohueshme e Qamil Rustemit dhe shokëve të tij qëndrestarë të vendosur, të cilët nuk lejuan që Tropoja të kthehej në një tokë të djegur nga falangat e pushtetit të Metës, Nanos dhe nga bandat e fshehta të dirigjuara nga Fatos Klosi.
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se Qamil Rustemaj është larguar drejt një vendi perëndimor së bashku me familjen e tij, sepse duke parë rikthimin e skenarëve të vjetër dhe atentatin e kohëve të fundit ndaj motrës së tij Afrime Haklaj dhe fëmijëve të saj ka krijuar bindjen se tashmë është vënë në shenjestër të goditjes.
Është paradoksale dhe tragjike që, edhe pas zhurmës së madhe politike për dekriminalizimin, edhe pas votimit të ligjit në Parlament, nuk duket asnjë shenjë që përgjegjësit për qindra vrasje politike në Tropojë dhe për dhjetëra atentate ndaj familjes Haklaj të dalin një ditë përpara drejtësisë.
Ata që përgjakën Tropojën të veshur me uniformë dhe grada të shtetit jo vetëm nuk janë vënë përpara drejtësisë por përkundrazi janë shpërblyer me para dhe poste të larta për zellin kriminal që kanë treguar ndaj eprorëve të tyre që edhe sot pas dy dekadave vazhdojnë të qeverisin vendin dhe të dirigjojnë krime të tjera ndaj Qamil Rustemit dhe të gjithë atyre që në vitet e terrorit 97-98 nuk i lejuan të kenë pushtet politik dhe moral në Tropojë.