| E enjte, 08.09.2016, 06:59 PM |
Prej
cilës anë të shoh?!
-Cikel poetik nga Zog Hysenaj-
Njerkë-Dheu im
Ti, o vendi im,
Ç’të bëj me ty, e ç’të bësh ti me mua?
Se si “pykë” e si tepër po i dalim njëri-tjetrit,
Për ditë nga një “unë” po të ikën
E çdo ditë, unë-t po i braktisë,
O vendi im i zbehtë meit,
I zverdhun e i përdreqavun, s’po di se ç’të bëj me ty
E s’po di sesi me të thirrë
Nga frika se nuk po të shaj…
Se….
A e di si më dukesh, o atëdhe?
-Bash si një pellg i ndotur
Që pinë ujë vetëm bagëtia,
O njerkëdheu im!
Asnjë pikë ujë nuk ka mbetur për unë-t e tu
Asnjë “bri ngjitë” nuk ta lanë
Zotërinjtë, zota shpie
E asnjë dhëmb në gojë,
E ne, “unë-ve” na nxorrën jasht,
Nuk po na lënë të të thërrasim as Mëmë
As At‘,
Njerkë ndoshta do të na lejohet
Të të thërrasim një ditë.
Ma jep pak nderë ti, Shqipëri
Se baballarët e ustallarët na e morën
Nderë e erz…
E…
Po na vjen pak keq të tregojmë që jemi të kësaj ane
Se, atllarë-shtetarët e tu:
(Të majtë e të djathtë,
Të poshtër e të epërm,
Të parëm e të mbrapëm,
Kalamaj të plakur)
Po na bëjnë, për fat të keq,
Të mos ndihemi mirë që jemi shqiptarë
Prej në Koshare po shkruaj
Ikën larg, shumë larg e përtej largut
(Ku e çon sorra ashtin),
E së pari e nisën atë rrugë
Ku shigjeta, bërë prej pendës se shqypes
Shqiponjën gjuan
E korbat lëpijnë kockat e trojeve t’mija,
Fërkojnë mustaqet me undyrën e mallit tim.
Kësaj toke, zbut prej gjaku,
Këngët po ia u këndon ai rrapsodi,
(Me zërin e tij me duket se këndon)
Me fjalë vajtimi,
Kosharja qanë e përloshet,
Qafa e Morinës, si kapuçi i Zeqir Halilit,
Sytë po më shkojnë te Verrat e Lluk’s,
Shpati i atij mali, brinjtë e Shaban Binakut,
Qendisur me qystekë mitanash
E sumulla jelekësh,
Se prej “matanë” po e shikoj
E po më dhimet,
Shumë herë s’po di se prej cilës anë ta shoh
E si po më duket…
Pastaj kthehem dhe i them veti:
Si po iu duket atyre që e shikojnë nga poshtë?
Ende i rrëzuar
Ende përmbys gjysma e Shqypes sime...
-Koshare me 14 korrik 2016-
Prapë këtu do të të gjej
Mirëmëngjes o vendi im
O vendi ku unë linda e “rash n’lesh të delmes”,
Se, po të mos ktheja shpinën
Kurre nuk do ta kishe gjithë këtë mallë
E kurrë nuk do të të doja kaq shumë.
Mirëmëngjesi rrëpira,
Rreshpet ku u mrrota qindra herë në fëmininë time,
Prozhmi im i bukur,
Sa qenke hí e shkurtue moj “Ara e gatë”,
Sa shumë qenke tharë,
Se gurra në oborr u shterr e pusi paska hupë,
Baçja sipër shpisë qenka shemb e ra poshtë
E nuk paska mbetur më baçe.
Mirësetëgjeta shpia ime e shkurtueme
E mbetur vetëm një kat,
Sa u rrita unë, ti fillove të zvogëlohesh
E …
Atë ditë që u rrita, ika e të lash aty.
Mirëmëngjesi, dita që pata ikur atë ditë
E mirësetëgjeta
Prapë të gjeta
Të freskët si atë ditë
E ti,
A po më njef.
Se mund të mos më njohësh ...
E pra jam e mbetem
Copë e thyer e brinjeve tua...
-Jam Zogu:
Zog Hysenaj
Me mend çdo ditë në Gegysen!
./.
-Per ZemraShqiptare, Shtator 2016-