Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Halle të moshës së tretë

| E premte, 02.09.2016, 07:10 PM |


"Halle" të moshës së tretë

Nga Përparim Hysi

Tek do tregoj më poshtë, nuk kam se si mos i referohem romanit të klasikut të madh rus, Turgenievit, që ka  shkruar, veç të tjerash, edhe  romanin "Etër e bij". Po ta vështrosh me një sykritik këtë rrëfenjë timen, duket si një fragment i marrë nga  ky roman. Por e vërteta është krejt ndryshe. Kjo rrëfenjë imja, lindi vetvetiu. Isha duke pirë kafe tek një klub në rrugën "Him Kolli" dhe, ç'do lexoni më poshtë, është veç një "regjstrim në  ligjëratë të drejtë" të dy të moshuarave që, pse i trazonte një hall i madh, e bën bisedën pak  konfidente dhe për mua. Qenë ulur veç e veç dhe ajo e tavolinës së dytë, sado  që vetëm shpinën i shihte tjetrës,  e tundi këmborën e saj. Unë qeshë në tavolinën e tretë dhe, tek i dëgjoja mesazhet që shkëmbenin, u bëra sy e veshë. Po edhe në s'do ishe  i vëmendshëm, mesazhet qenë aq "tronditëse",  sa të vinte keq vetëm për një gjë: të mungonte një regjistrues për të qenë më  i drejtpërdrejtë.

Sidoqoftë, duke qenë i moshuar si ato zonja të nderuara, jo vetëm i dëgjova me vëmendje, por ua sjell ashtu si të"freskët" mesazhin.

***

-  Sa fëmijë ke?- pyeti  kjo e tavolinës së dytë.

-Tre!

- Po çfarë i ke?

- Dy djem e një çupë.

- Po ku i ke djemtë?

- NJërin e kam  andej, nga "Brryli" dhe tjetrin... as që e di!!!

- Më mirë që nuk e di? A e di seç më gjeti mua? Shkova në Suedi, se atje kam djalin me gjithë fëmijë. Vet e preva biletën vajtje- ardhje dhe, kur mbrrita, si thelë përmbi bishtit, darovita dhe 500 euro! Nuses mend i ra "vilani",kur më pa. Erdh u bë hundë e buzë, sikur  t'i kish ngrënë gomari bukën dhe as nuk fliste dhe as kundonte. Mua të gjitha m'i shikonte e prapta e zverkut, po ku thotë dot buza për hundën. Thashë kur do t'i përvishte djali e t'ia "shërojë vilaninë", por sa ka gorrica në  shëndre, aq zgjati she shpresa ime. Pas triditësh, këmbët e lehtae faqebardhë! Ou,-shfaqi habinë çupa kur mëpa.

- Moj mama,- foli e habitur,- deri  në Shkodër qe, që më përpara erdhe se vajte.

- Kisha nusen sëmurë me"kancer",- gënjeva.

-Ou,- bërtiti çupa,- po unë sot fola dhe zërin e kishte si pushkë.

-Pushka i rëntë në kokë,- mallkova.

E, moj motërxhani,- ndërhyri ajo e tavolinës së parë,- themi ne nga Devolli: "Vjen e bijë e botës dhe të luan çargu i kokës!!!".

Aha,- nuk duroj kjo e tavolinës së dytë. Jo, moj, jo. Nuk ka faj "e bijë e botës", po  ma ka ky, i votrës. Se djali im, por dhe yti, nuk është burrë, po shurrë.

Por ne e mbajmë hundën përpjetë: jo djali im kështu; jo po ashtu. Jo po ka blerë shtëpi. Jo po do që të më marrë me vete, por nuk dua unë. Një mutë që ta hamë e të na bëj mirë. Ky brez as do të dijë për ne, të moshuarët.

Unë mbeta jetime. Më rriti njerka. Po kur njerka u plak, kështu si jam unë sot, jo vetëm e mora në shtëpi, po e pleqërova  si nënë e kaluar nënës.

Më tha burri,- ndjesë pastë,- po ti, moj halllemadhe, njerkë e kishe.

-Njerkë e kisha, por më rriti dhe më martoi,- i them. Ti nuk ke punë me të, se  i shërbej vet dhe e mbajta si kallimisri.

Tani po na shohin sytë gazepe. Lind e  rrit një "qerre" me fëmijë dhe secili as bëhet i gjallë: as për nënë dhe as për baba.

E di seç i ndodhi një "murge" të vërsës sonë. Kishte qenë  mirë e bukur në konakët e saj në fshat. Djalit dhe asaj "bijës së botës", siç e quan zotrote, iu ngrit mendja për në Tiranë. U thotë ajo:- Unë Tiranën e kaluar Tiranës e kam këtu, në këta konakë, ku pleqërova me atë, ndjesë pastin, babanë. Por iu bënë murrielë dhe ia ngritën mendjen ( epo kot nuk thonë: Perëndia të merr mendjen në fillim e, pastaj, ymrin!), sa derëzeza ra  në grackë e tyre:  e shiti shtëpinë dhe një kacidhe nuk mbajti për vete. E blenë shtëpinë në Tiranë dhe, pa u ftohur mirë pilafi, i thonë së ëmës: -Ik andej nga farefisi, se, siç e sheh, jemi ngusht këtu. E përzunë dhe bredh e shkreta lulishte më lulishte që të kalojë natën.

Sa dëgjon dhe të vjen e të vësh duarët mbi kokë e t'ia thërresësh kujës. Se, të keqen motra, kjo "qenëria" e tanishme harrojnë që do plaken vet.

E, sa për vete, tani që u "dogja nga qulli", kam zënë e po i "fryj kosit".  Më thanë ata të"mitë "(po si këta kam tërë lagjen unë), e pra, më thanë:- Ane, po gjej ndonjë grua që të të ndihmojë se e "paguajmë" ne. Gjasme shqetësohen për mua. Po sa i njeh nëna fëmijët e saj, nuk ka tjetër që i njeh.

U them unë:- Ju shikoni  rehatin tuaj, por nënën mos kini merak. Nuk kam nevojë për"çirake" unë, por dua të marrë erën e  kalamanjëve. E,e, me atë krah bjerë!- shfryu.

Po unë e kam vendosur:- Sa më punojnë çapokët dhe duarët, jam zonjë e vetes dhe, kur të më lënë këto, kam dy hyrje: një do t'ia falë azilit dhe të pleqërojë ditët e fundit.

Duke e dëgjuar këtë bisedë kaq "konfidenciale", aq u mbresova  sa kurrë nuk më është dukur kafja më e ftohtë. Kur thonë në Myzeqe: si buzëgjysheje!

Tiranë, fundgushti 2016