Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Mos(keq)kuptimet tona kronike

| E hene, 22.08.2016, 08:21 PM |


Mos(keq)kuptimet tona kronike

Nga Elvi Sidheri

Kur Rashica & Co, pra, pak lojtarë si ai, vendosën jo edhe aq befas, që të largohen nga kombëtarja (gjithë)shqiptare, kori i kukuvajkave kujisëse nga të dyja anët e kufirit ndërshqiptar, duket sikur mezi ç’pati pritur që të mprehte shpatat e gjuhës shpesh më cinike të imagjinueshme, për të komentuar, shtjelluar, afirmuar, vërtetuar, analizuar, deklamuar, mitizuar dhe ndoshta edhe sajuar një Epos të ri Kreshnikësh, mbi hirin e këtij gjesti në vetvete, krejt fisnik të këtyre djemve të Kosovës fisnike.

Një “ngjarje” e këtillë, faktikisht, kudo tjetër dhe në çdo rast përveçse në atë tepër “sui generis” si ky i yni shqiptar (pa krahinë feje, krahine dhe ideje), do të kish kaluar vetëm me ndoca rradhë në ndonjë artikull gazete (sportive dhe pikë) dhe asgjë më tepër.

Sepse, thënë shkoqur, nëse ti ke lindur në Kosovë apo prindërit e tu janë nga ky vend tashmë prej 8 vitesh e ca i pavarur dhe më në fund i pranuar me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, të takon me të drejtën e federatave futbollistike dhe të Zotit, që të zgjedhësh të luash me ekipin përfaqësonjës të atdheut tënd.

Qysh këtu kjo temë do të kish qenë nevoja të ish mbyllur pa polemika të kota, mënjanë se padyshim edhe të tepërta dhe totalisht pa vend.

Kosova po krijon kombëtaren e saj në futboll, dhe në fillim të muajit tetor, ky ekip përfaqësues do të luajë ndeshjen e parë kualifikuese për në Botërorin e Rusisë në vitin 2018, ndër të tjera në Shqipëri, ndoshta në qytetin që më tepër historikisht ka gëzuar lidhje të pandashme dhe ka jetuar me martirizimin e Kosovës nga gjëma serbe, pra në Shkodrën e komitetit për Mbrojtjen e Kosovës.

Ja pra, ku ka më bukur se kaq vallë?

Pas vitesh të tëra kur lojtarët me origjinë nga Kosova, për afërsisht 14 vite kontribuan masivisht në mënyrë kyçe për mbarëvajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të nivelit sportiv, profesionalizmit dhe cilësisë së kombëtares (gjithë)shqiptare, tanimë, i takon qytetit më të fisëm dhe historikisht nacionalist shqiptar, si dhe kryeqendrës morale, kulturore dhe gjuhësore të krejt veriut mbarëshqiptar dhe gegërisë shqiptare në përgjithësi, pra Shkodrës, që të mirëpresë debutimin e Kosovës në nivel kualifikues këtë tetor në stadiumin legjendar Loro Boriçi mes Zdrales dhe Durgutit, lagjeve ndër më historike të këtij qytetit të moçëm.

Dhe... ku ta gjenim të gjithë si shqiptarë, që ku i dihet, të ndodhte mrekullia sportive dhe Kosova të ngadhënjente në këto kualifikuese, me Rashicën, Mehën, Shalën, Januzajn e këdoqoftë tjetër në rradhët e saj, dhe të kapte kualifikimin e rrufeshëm për në Rusi, duke i lënë serbët përçmues dhe rusët pordhacë me gisht në gojë dhe i detyruar t’i presin me të gjitha respektet e detyrueshme nga FIFA dhe rregullat e botës së futbollit, lojtarët e Kosovës në botërorin e 2018-ës në këtë vend që aq shumë ka bërë për mos-lulëzimin e pavarësisë së vendit të tyre.

Do të ishte një shaka madhore e fatit që do t’i shkonte fort përshtat fabulës së krijimit dhe zbritjes së parë kualifikuese në fushë të këtij ekipi përfaqësues, duke i bërë kështu homazhin e duhur sakrificave dhe mundimeve të futbollit kosovar në dhjetëvjeçarë të shumtë, para dhe pas Vokrrit dhe brezit të tij, duke kaluar nga Cana dhe shqiptarët e Kosovës që bashkë-kontribuan krah vëllezërve të tyre nga Shqipëria për të ëndrrën e realizuar të kualifikimit dhe fitores së parë të paharrueshme të kombëtares së Shqipërisë në EURO 2016, e deri te brezi që në mos në këto eliminatore që pritet të nisin, padyshim që ka për t’ia rritur nderin Kosovës shumë shpejt në të ardhmen e afërt.

Çdo sorollatje e mëtejshme mendësore dhe konspiracioniste lidhur ekzistencën zyrtare të dy kombëtareve shqiptare, është një non-sens logjik në kufijtë e të pakuptueshmes apo edhe të ligësisë së qëllimshme vetë-urryese tipike shqiptare.

Miloti, që gëzon emrin e një qytetthi verior shqiptar, Albani që shenjtëron me përkushtimin e tij në fushë emërtimin ndërkombëtar të popullit të vet dhe Herolindi që nuk do shumë mend, se heroizimin e bashkëlindur të synuar nga prindërit e tij, do të dijë ta shpjerë në realizim një ditë, nuk kanë sesi të jenë tradhëtarë në asnjë formë kurrësesi.

Sepse që të zgjedhësh me vullnet të lirë të luash për vendin tënd, është një nder pikësëpari, në mos detyrë patriotike e mirëfilltë.

Asgjë më pak dhe asgjë më tepër!

U kuptuam besoj.

Teoritë brendshqiptare të konspiracionit provincial, gjithaq bien krejt në ujë (të qelbur kënete marrëzie), ndërkohë që marrim parasysh faktin se Milot Rashica nuk ka luajtur asnjë ndeshje kualifikuese me Shqipërinë, që Meha nuk thirrej në kombëtare prej dy vitesh dhe se Herolind Shala po ashtu nuk është se bënte pjesë në planet thelbësore të De Biasit.

Pra, që do të thotë se largimi i tyre nuk ka sesi të jetë bërë për të dëmtuar ecurinë e ekipit tonë përfaqësues (të Shqipërisë).

Gjë kjo që nuk rreket aspak të mohojë vlerat e pakrahasueshme futbollistike të lojtarëve në fjalë, që shpejt këta djem kanë për t’i dëshmuar më së miri me ekipin përfaqësues të vendit të tyre, Kosovës.

Është fare e lehtë të kuptohet, kur mendojmë me tru të ftohtë, se në kushtet që jemi, pa frymuar së koti jashtë realitetit dhe u ushqyer me romanticizma folklorike, Xhamadanin vija-vija, do bënim mirë ta vinim në shërbim futbollistik edhe të Kosovës edhe Shqipërisë, e jo ta tërhiqnim atë secili nga ana e vet, duke rrezikuar ta shqyenim krejt, duke krijuar kështu një ndarje tejet artificiale tepër të rrezikshme për kohezionin tonë mbishtetëror kombëtar si shqiptarë pavarësisht se ku jetojmë.

Jemi populli që edhe shqiponjën e flamurit të Gjergj Kastriotit e kemi dykrenare, si një ogur që brezat e mëparshëm na e kanë trashëguar, duke nga shpërfaqur unitetin tonë të pandashëm kombëtar, pavarësisht dy shteteve që tashmë gëzojmë pas shekujsh lufte dhe përpjekjesh.

Jo më kot, këtë qershor, në EURO 2016 qemë dëshmitarë të dy kombëtareve irlandeze, që arritën me dinjitet 1/8 e këtij kampionati, si Republika e Irlandës, ashtu edhe Irlanda e Veriut.

Mos pandeh ndokush se së paku, katolikët vendas të Irlandës së Veriut, kanë qenë të kënaqur me ndarjen arbitrare të thuajse një shekulli më parë nga Irlanda e pavarur gjë?

Jo, aspak, por kushtet patën qenë të atilla që irlandezët nuk mundën dot atëherë që të vendosin 100% për fatet e tyre si komb, dhe për rrjedhojë, një pjesë e tyre e patën gjetur veten të detyruar të jetonin për dekada të tëra si qytetarë të dorës së dytë në Irlandën e Veriut, pjesë të Britanisë së Madhe, të shtypur nga protestantët ardhacakë, të sjellë aty për shekuj me rradhë nga anglezët si kundërpeshë ndaj pranisë vendase keltike.

Ndërkaq, sot, në mungesë të ndonjë lufte servanteske me mullinjtë e erës, irlandezët e kuptojnë që me luftë dhe folklorizëm nuk arrijnë dot gjë, dhe vjelin ç’të munden nga kushtet demokratike në të cilat jetojnë, dhe për shembull, dy kombëtaret e tyre, marrin pjesë në një kampionat europian, dhe për më tepër kalojnë edhe fazën e grupeve duke kapur 1/8.

Ç’na pengon vallë ne, si kombëtare e Shqipërisë, dhe Kosovën si kombëtare e shqiptarëve të Kosovës, që jo më larg se në EURO 2020, duke përfituar edhe formula e volitshme kualifikuese (2 vendet e para të kualifikuar direkt, dhe vendi i tretë në Play Off), të shkojmë dorë për dore së bashku në këtë kompeticion, ndoshta duke korrur të njëjtin sukses si miqtë tanë irlandezë?

Mund të ndodhë, pse jo?

Atëherë me siguri që ndërkaq do t’i kemi harruar dokrrat, dënglat, hamendjet konspiracioniste, sharjet reciproke, mëritë provinciale, dritëshkurtësinë, stuhitë në gotë uji, vrimat sërish në ujë, dhe autogolat vetë-dërrmues mazokistë ndërshqiptarë të këtyre ditëve të fundit, pas “kataklizmës” inekzistente të shpërthyer pas largimit të këtyre tre lojtarëve nga kombëtarja e Shqipërisë, për në kombëtaren shqiptare të Kosovës.

Për fat, si shpeshherë me ngjarje të tjera brendashqiptare, çudia më e madhe çoku zgjat vetëm tre ditë, tre ditë të turpshme akuzash dhe deliresh pafund madhështie dhe cektësie mendore të shpërfaqur paturpësisht botërisht nga shumëkush që pati marrë mundimin ta fuste gojën në punë për të gjetur qimen në qull edhe në një situatë krejtësisht vetëm sportive dhe futbollistike si kjo mes dy përfaqësueseve shqiptare.

Për ta mbyllur pra, asnjë lojtar i kombëtares së Shqipërisë, nuk kryen asnjë lloj tradhëtie në zgjedh Kosovën për të vijuar karrierën e tij.

Dhe njëkohësisht, edhe teoritë e Vitit Zero, të shprehura nga shumëkush këto ditë, sikur në Shqipëri të mos kemi ditur se ç’formë ka topi i futbollit para ardhjes vëllazërore të shqiptarëve të Kosovës në rradhët e kombëtares (gjithë)shqiptare të futbollit, është po aq tragjikomike, sa edhe tërësisht jashtë realitetit.

Breza të tërë futbollistësh shqiptarë kanë rendur pas topit me përkushtim për dhjetëvjeçarë të tërë, si në fushat e Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Prishtinës, Pejës apo Prizrenit, nën kërcënimin e bajonetave serbe, të gulagëve enveristë apo nën zgjedhën e skamjes e të mungesës së lirisë komuniste apo serbomadhe.

Si në gjithçka tjetër, shqiptarë Shqipërie apo Kosove, jemi si dy pjesët që plotësojnë njëra-tjetrën dhe tërësinë e patjetërsueshme shqiptare.

Kualifikime të suksesshme pra, Rashicë, Mehë, Hysaj, Memushaj, Manaj... Shqipëri e Kosovë.

Shihemi në Shkodër, e (ndoshta) Rusi.