| E hene, 18.08.2008, 11:01 PM |
Nga Dhurata Hamzai
Poeti i njohur Skënder Sherifi nuk do ta harroj kurrë faktin që i madhi Ibrahim Rugova, për të cilin pohon se ka qenë “udhëheqësi shpirtëror i popullit të Kosovës”, paska përkthyer në shqip poezitë e tij. Në atë kohë Skënder Sherifi ishte një shqiptar që jetonte në Belgjikë, por edhe poet që gëzonte një famë të madhe dhe përkrahje të madhe nga rrethet intelektuale dhe sidomos nga poetët më të shquar të Francës, të cilët e çmonin për origjinalitetin, kërkimin e formave të reja dhe dlirësinë poetike. Ishte kohë e artë për poezinë e Skënder Sherifit atëherë në Europë. Emri i tij nisi të pushtonte faqet e gazetave perëndimore krahas kopertinave të librave me vepra të botuara nga ai. Në Shqipëri fama e tij nuk lejohej të bëhej e njohur. Pengohej nga regjimi i Hoxhës, sepse diktatori Hoxha, këdo që kishte ikur matanë kufirit të Shqipërisë, e shpallte armik të komunizmit dhe të këtij vendi të shtypur në atë regjim. Familja e Skënder Sherifit edhe pse iku e detyruar nga kërcënimet e regjimit komunist, sepse babai i tij ishte një oficer i lartë i mbretit Zog, mori me vete në Belgjikë të gjitha traditat, zakonet, gjuhën. Ajo mblodhi në vatër të mërguarit e tjerë shqiptarë dhe kjo e pasuroi atë me vetëdijen e të qenit një shqiptar, pavarësisht famës. Kjo mundet të ketë qenë një nga arsyet madhore, krahas vlerës, që Ibrahim Rugova të niste ta përkthente në gjuhën shqipe poezinë e Skënder Sherifit të mbushur plot stilizime moderne, të cilat ende ishin gjë e rrallë për krijuesit shqiptarë të ndikuar nga metoda e varfër e realizmit-socialist. “Më vjen mirë që i vetmi poet që ai ka përkthyer isha unë”, pohon pa e fshehur krenarinë Skënder Sherifi, ndërsa ka në dorë ribotimin librit të tij me poezi “Lojë dhe kundërlojë” të botuar më 1980 nga Rilindja, përkthyer prej frëngjishtes në shqip nga Ibrahim Rugova. Ai sapo është kthyer nga Prishtina ku ka festuar me intelektualët atje vëllimin e ribotuar, këtë herë nga shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, dhe nuk i ka ndryshuar asnjë presje këtij libri, përfshi edhe një pjesë studimi të modelit tipik soc-realist të shkruar nga R. Musliu, kur dihet që poezitë e tij nuk kanë lidhje me atë metodë krijuese. Megjithatë vëllimi poetik i Skënder Sherifit është shumë interesant dhe në atë kohë duket se u është dhuruar krijuesve shqiptarë të Prishtinës si një rrymë e freskët poezie, plot kolorit tematik, spontanitet në të shkruar dhe sinqeritet shpirtëror të pakrahasueshëm. Këto veti duhet ta kenë bërë për vete Ibrahim Rugovën, i cili e përktheu me dashuri poezinë e një shqiptari që ishte në koherencë me poezinë moderne europiane dhe atë botërore, i rritur si poet mes të huajve, por që nuk i munguan asnjëherë poemat për Shqipërinë, Kosovën dhe poetët kombëtarë. Liria e të shprehurit në raport me ndjesitë fizike dhe shpirtërore i japin karakter impresionues dhe ekspresiv poezisë së Skënder Sherifit. Përbrenda vargut rri si ndër gishta, po ta prekësh, një ritëm muzikor i veçantë të cilin mund ta ndiesh njësoj si në prekjen e një tastiere dhe këtë e kupton më mirë nëse disa nga poezitë e tij nis t’i lexosh sikur je gati për t’i bërë këngë. Edhe pse e mbarsur me mesazhe mbi raportet e sjelljes së njeriut me botën dhe jetën, poezia e Skënder Sherifit ledhatohet prej disa frushullimave dhe zërave muzikorë të begatë, veti të cilën ia japin lëvizjet e fjalëve të shkruara natyrshëm, butë dhe në harmoni me ndjesitë shpirtërore dhe fizike të poetit. Poezitë e tij të lënë përshtypjen se shkruhen në rastin më të parë, si një bisedë ose dialog pa u redaktuar prej poetit më pas. Kanë një rrjedhë të vetvetishme stilemash metaforike, të mbarsura me elementin mitik të shpirtërores, pasuri e poetit, dhe atë praktik të ekzistencës, veç vargjet e kanë zanafillnën kah mitikja. “Duhet patjetër të dalim/ nga sëmundja mentale/ dhe copëtimi psikik”, shkruan poeti. Madje poezia e parë që çel këtë libër nis vërtet me një autoportret, ashtu si e ka dhe titullin. Poeti shkruan: “Në këto qytete vetmie dhe tmerri/ Po vë një maske oksigjeni/ Që të jem imun ndaj zhurmës dhe indiferencës/ Dhe kur hyj ndonjëherë në valle pa dëshirën time/ Në këtë vrapim të pështejllueshëm që na shpie në kaos gjeneral/ Mundohem t’u qëndroj agresioneve publiciste/Midis ftohtësisë së neoneve dhe kancerit të konsumit…”
E poeti vijon mbrojtjen metaforike nga e gjithë kjo gjë që qytetërimi i sotëm sjell. Duke iu kundëvënë logjikisht e shpirtërisht konsumizmit dhe manipulimeve të shkencës, gjë e cila e mban atë në ankth parandijor se mos merr fund ndoshta civilizimi dhe kulturat shpirtërore që ka trashëguar njerëzimi deri në këto kohë. Vëllimi poetik “Lojë dhe kundërlojë” mund të quhet fare mirë një libër i frikësuar nga venitja dhe brerja e shpirtit njerëzor. “Dalëngadalë do të mbërrijmë në ato tip botësh që krijojnë diktatura të Big-brother-it, diktatura pa emër, sepse ti s’di me kë lufton” thotë poeti Skëder Sherifi duke komnetuar se njeriu sot është në presion psikologjik, sado e refuzueshme të jetë për të ecur baraz në botën moderne. Poeti nuk e do këtë botë. Qëllimi i tij është për ta lidhur njeriun me esencën e tij : “Atëhere i ik asaj frike të tmerrshme që më zë për fyti/ dhe në këndellje të rinisë sime të dehur,/ zien një dashuri e marrë për jetën”. Me poezinë e parë të librit poeti i kundërvihet agonisë universale në të gjitha portat e ndjesive njerezore dhe ai e quan pirg plehu këtë botë ku çdo ndjenjë, përfshi dhe seksin është kthyer në virtualitet dhe objekt konsumi.
Megjithëse rrëfen ashpër, poezia e Skënder Sherifit në librin “Lojë dhe kundërlojë” nuk e përdor urrejtjen si stigmë, por si një vrundull ndjesish që shprazen për t’u hapur dritare ndjesive të tjera, shumë më të bukura. Misioni i tij poetik është të zbulojë dhe të mbjellë të bukurën njerëzore tek vetvetja dhe njeriu. “Atëherë këndoj, kërcej, vajtoj dhe qesh/ pranë të marrëve që më duan dhe i dua/ i lumtur të jem më në fund ai që jam”. Vëllimi poetik “Lojë dhe kundërlojë” i ngjet sa një ditari human aq dhe një kalendari stinor, ku përfshihen ndjesitë për të gjitha ngjyrat e jetës. Gjen këtu Iluminacion, Det, Dashuri, Homazhe, Projeksione, dhe Dëshira, që janë struktura të lëvizshme dhe që shkatojnë bashkë me lëvizjen prekjen e njeriut tjetër. Poezitë e Sherifit të ardhura natyrshëm nga brenda, kanë një rrezatim spektakolar të fjalës me ndikim të shpejtë për shkak të koherencës me lojën dhe kundërlojën e jetës që poeti përqas. Nga leximet tek takimet e sinqerta dhe të përzemërta me njeriun tjetër, shqisat e tij poetike preken, lëndohen, rebelohen dhe nuk heshtin derisa bëhen varg.
“Të etshme nga një gjuhë
Dhe refleksi i shkumës
Të lindur në dhembje
I thithin ashpër
Ato pak çaste të ngadhënjimeve tona”,
shkruan Skënder Sherifi tek poezia e dytë e këtij libri-“Iluminacione”. Edhe struktura e ndërtimit të këtij vëllimi poetik të titulluar “Lojë dhe kundërlojë”, po ta shohësh është njësoj si t’u përgjigjesh pyetjeve të një interviste- se si është ndërtuar jeta dhe njeriu i sotëm modern dhe si sillet poeti përballë botës-e cila nis dhe mbaron me ciklet Autoportret, Moderne, Oksigjeni, Prishja e logjikës, Të vdesësh së jetuari. Por më tepër kjo poezi është si një guidë e cila kurë nuk të zhgënjen për destinin.
Poezi të Skënder Sherifit nga libri “ Lojë dhe kundërlojë”
Iluminacione
Në det,
Kristale zjarri
I shndrisin gjinjtë e tu
Të magjepsur
Nga ëmbëlsira e përkëdheljes
Dhe, rëra e praruar
Që merr trupi yt
Shkrihet në djersimën
E ekstazës sonë të pafund.
Në det,
Perlat e erës
Freskojnë kujtimin tënd
Të magjepsur nga kënga e zogjve
Njësoj si fluturaket memece
Ne emigrojmë në dëshirë
Fëmijë të instiktit tonë të egër
Në det,
Kumbojnë violina
Vdesin mbi buzët e tua
Të etshme nga një gjuhë
Dhe refleksi i shkumës
Të lindur në dhembje
I thithin ashpër
Ato pak çaste të ngadhënjimeve tona
2.
Lojë mbi ironinë
Anri Misha dhe unë
Kemi të përbashkët
Kërkimin e hapësirës së brendshme
Dhe magjinë e vijës
Robert Desnos dhe unë
Kemi mësuar në shkollë
T’i hipnotizojmë mizat
Përkundër guacave të detit
Që kanë një teksturë të re
Pol Elyar dhe unë
Të veshur me armurë shëtisim nëpër Paris
Se duhej të mbroheshim
Nga thyerja e të folurit
Dhe e ngadhënjimit të absurditetit
Sikur thonë:
Imbicilët e pandërgjegjshëm
Le të lirojnë terrenin
3.
Të vdesësh së jetuari
Budallenjtë krijojnë art me lajkat e zonjave
Deti më tërheq me tërbimin e fjetur
Anija ime lidhet në metaforë
Nuk kam kohë të humb përtej esenciales
Një fallxheshë më tha: së shpejti do të vdesësh
O le të më dehë kjo jetë e le të tretë
Të desha në kohët e madhështisë së brishtë
Kur mullinjtë e erës dhe nomadët e urtë
Mbushnin netët e akullta me tornado
Në dolce vita maçorri im krihte pleshtat
E unë dridhja shtratin në bregun e liqenit të bukur
Oh le të më lidhë dashuria me ekstaza të pafundme
Brenda një nate i derdha lotët e tokës
I vetëm në gëzimin tim, me triumf mbi fshehtësi
Që rasti i vuri në mes të rrugës sime
Por ylli më ndihmoi ta gjej fillin e humbur
Këto xhungla të virgjëra mbetën pa i gjurmuar
Oh le të më ndritë drita deri në amshim
Më preu historia në të kthyer
Njerëzit më zhgënjyen me shfrenim
Sa bukur duken zogjtë në vallen ajrore
E agimet do ikin për të ndjellë të nesërmen
Djaloshi si unë ka ecur në hënë.
Shqiptari
Unë jam ai poeti shqiptar
Me shikim të çeliktë
Me 3000 vjet histori në fytyrë.
Fjala ëme është më se e shenjtë
Miqësinë e kam kult,
Për besnikëri e jap jetën
Jam martir dhe i sakrifikuar
Pak më duhet për të qenë i lumtur,
Ujë, ajër, bukë e kripë.
Pushka qe bërë miku më i mirë,
Liria ishte ditë që s’vinte kurrë
Me shekuj luftë për të mbetur gjallë,
Duke i vështruar të huajt nga lartësitë e shkëmbinjve.
Rezistenca ime është e plumbtë, shpirti i palodhshëm
Gjithnjë kam pamje hijerëndë dhe kokëfortë.
Bujaria ime është festë,
Dhe jam i gatshëm të ofroj çdo gjë
Veç plisit të bardhë që më mbulon kokën.
Vështirë u besoj të tjerëve
Aq shpesh më kanë tradhëtuar,
Le të marrin fund apostujt.
Donin ta ndërronin gjuhën dhe zakonet
Po kësaj s’ia doli kush,
E kujtimet tona flenë mbi dunë.
Eja mik, merri erë oxhakut tim,
Aty më ka rritur gjyshja.
I dua bisedat rreth zjarrit të madh,
Për të jetuar u desh të jem më i fortë se Zoti.
Urdhëro raki e cigare,
Nëse ke uri, je në shtëpinë tënde.
Jetoja me familjen time në një kullë të vjetër,
Në mbrëmje mblidheshim rreth sofrës,
Një mes simbolik i ngrohtësisë dhe dashurisë.
Një plak i lodhur i zgjonte epopetë,
Me zërin e lahutës dhe çiftelisë,
Me dhembje të madhe që na shkrehte në vaj.
Unë jam shqipe e vetmuar,
Që shumë pak qesh
Fëmijë e legjendës krenare,
Që vjell zjarr.
E gjithë historia ime është tragjedi
Ndërsa e kaluara aq prezente,
Jeta më bëri tigër e gjarpër.
E dua gruan por kam frikë,
Seksi ynë është flakë që të kallë datën
Obsesion therës që prapë e kemi,
Njëfarë hipokrizie kushedi për çfarë arsye.
Nuk jemi gjithmonë të arsyeshëm me vetveten,
Të veshur me komplekse që shpesh na kurthojnë.
Krenaria ime shpallet dhe s’e ka shoqen,
Kurrë s’kam mundur të jetoj i shtrirë.
Paraardhësit e mi kanë luftuar si luaj,
Për këtë tokë martire, për këtë popull fisnik.
Jam një qenie aq e papërkryer,
I gatshëm për mort e për aheng
I marrë nga pasioni, i dehur në zemër,
Hiç më shumë se një shqiptar i thjeshtë.
Dhe, duhet të punojmë, çdo gjë vjen nga toka
Zhelet ngjiten në djersë
Në mbrëmje kthehen të rraskapitur
Të kënaqur që mori fund dita
Gratë ndezin zjarrin e sjellin bukë
Tregohen ngjarje të ndryshme
Gjithnjë në sfondin e lehtë të muzikës
Yjet xixëllojnë në dehjen e vet
Natyra është gjeniale në vetminë e rëndë
Pak klithje misterioze e shqetësuese
Dalin nga mbretëria e kafshëve
Duhet fjetur sa më parë për të pritur agimin
Ah, sa e mirë është dashuria me gruan
E pastaj gërhitja si e qengjit
Ajo ta kthen thuajse s’pati asgjë
Natë mbretëron në Mbretëreshën
Burri sundon Mbretin
Në një varfëri ekstreme…
Lajme nga Kosova
Në autostradën kryesore
Makina e luksit gjashtëcilindërshe
E drejtuar nga borgjezi i trashë barkmadh
Ndesh si në artin modern
Pleqtë e qepur zhele
Me turbanë si për kokë elefanti
Duke mbajtur varfërinë në kafshët e tyre
Bën vapë që të shkrin
Transporti publik rrjedh nga Neandërtali
Burimi i ujit të ftohtë
Ma shuan etjen deri në palcë
Insektet më infektojnë rrugës
Djersa m’i djeg sytë
O natyrë fisnike, më jep freskinë tënde
Unë eci pa u ndalur, maratonist i vërtetë.
Malet flakërojnë me drita të gjelbra
Duhet luftuar për të ekzistuar
Qyteti është larg si uji në shkretëtirë
Lypësit më fyejnë kur kërkojnë lëmoshë
Sepse unë aq pak e kuptoj shtrirjen e dorës
O zot, ma fal këtë dehje të pafund
Dobësia e rrëmben tërë trupin tim
Të dua, e dashur, të dua, por ç’e do
I ndal me gisht dy lopë zelandase
Që mezi tërheqin një karrocë ciganësh
Këmbët më janë përgjakur, po vdes urie
Erdha te pazari pranë xhamisë
E ndaj bukën me një katundar
Që më kall datën me tre dhëmbë në gojë
S’është kopsht me lule për të gjithë, po ju them
Të dobëtit janë të mallkuar, adios amigo
Ah, Zoti është lojë e vjetër, në emër të Zotit…
Përktheu nga frëngjishtja në shqip: Ibrahim Rugova