Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënderbeu në bocetin skulpturor të hungarezit

| E hene, 18.08.2008, 07:58 PM |


shkruan Kujtim Buza

Mbas shumë kërkimesh, në Fjalorin Biografik Hungarez (1000-1990. Magyar Eletrajzi Lexikon) dhe shfletimin e studimeve biografike për të nga Boeck U., Major M., Kovacs P., shkrimi i Venturi L. “Dodici litografie di Tot”, Roma 1960, arrita të gjej të dhëna të sakta për skulptorin hungarez Imre Toth që në Proces- Verbalin e fituesve të Konkursit – Skënderbe – 1937, shkruhej: Amerigo Toti – italian. Ai, në atë kohë jetonte dhe punonte në Itali, në Romë, Via Giulia. Studion e kishte në Via Margutta, aty ku jetonin dhe krijonin shumë piktorë e skulptorë të shquar vendas dhe të huaj, aktorët, poetë e prozatorë, muzikantë etj. Siç duket, pjesëmarrja në Konkursin për Skënderbeun-1937, angazhoi disa nga artistët që krijonin në këtë “Rrugë të Artit”, ku punonin dhe bullgarët vëllezër Assen dhe Ivan Pejkov, etj. Pastaj artistët hungarezë i tërhiqte figura e Skënderbeut për lidhjet e hershme historike me Huniadin, por edhe ato aktuale, për nder të mbretëreshës Geraldinë. Në ato vite kanë ardhur në Shqipëri nga Hungaria edhe piktorë të ftuar nga Oborri Mbretëror për realizimin e disa portreteve dhe motiveve nga Shqipëria, për të cilët do të kem rast të shkruaj.
Skulptori hungarez Imre Toth (Amerigo Toti) ka lindur në Fehérvarcsurgo më 27 shtator 1909 dhe ndërroi jetë në Romë – 13 dhjetor 1984. Ai i filloi studimet në Shkollën e Lartë Hungareze të Arteve të Bukura Industriale, në degën e grafikës, me pedagogë mjeshtrit e shquar: Ferenc Helbing dhe Gyorgy Leszkovsky. Më vonë shkon në Paris ku qëndron disa muaj për të vazhduar studimet më tej me bursë në shkollën Bauhaus-Dessau. Duke mësuar në këtë shkollë nga dolën shumë artistë të mëdhenj, nga viti 1931-1933, me artistin e madh hungarez Laszlo Moholy-Nagu, ai mësoi dhe u fut në botën e një figuracioni të madh artistik. Shkon në Berlin për pak kohë dhe largohet pas ardhjes në fuqi të Hitlerit. Kalon kufirin në këmbë për në Itali, ku menjëherë u shqua për talentin e tij të veçantë, duke marrë dy herë çmimin “Giovani Artisti”. Emërohet pastaj në Akademinë Hungareze të Romës, ku dha mësim e përgatiti talente të reja, deri në vitin 1930.
Merr pjesë në Konkursin Ndërkombëtar për Monumentin – ekuestër të Skënderbeut, në vitin 1937, me pseudonimin “Manca il motto” dhe fiton çmimin e dytë, 3000 fr. ari, bashkë me arkitektin Mario Seno, që të dy nga Roma (kështu shënohet në Proces-Verbal; arkivi personal A.B.)
Çfarë paraqet maketi arkitektonik i Mario Seno-s dhe boceti skulpturor i Skënderbeut punuar nga Amerigo Toti (Imre Toth)?
Mbi një platformë njëzet shkallësh, rrethuar me një friz në lartësi dymetërshe në formë harku, është vendosur një piedestal në formë katërkëndëshi, që zbret bashkë me shkallët deri në rrafshin e sheshit. Mbi të ngrihet monumenti i Skënderbeut. Sipër një kali të stërmadh, që ecën me dy këmbë në tokë, ndërsa me këmbën e parë të djathtë dhe të majtën e pasme ngritur, bishtin ulur përtokë e bashkuar me këmbën e pasme të djathtë për të ruajtur ekuilibrin dhe peshën e monumentit, ngrihet figura e Skënderbeut. Heroi ynë është konceptuar nga skulptori si një luftëtar popullor verior, me kapuçin karakteristik në kokë, flokë të gjatë, veshur me tirqe dhe openga. Nga pas zhvillohet mbi krahë guna, një volum në lëvizje e me pala të mëdha për t’i dhënë hov e dinamizëm figurës. Në dorën e djathtë, poshtë, gati mbështetur mbi trupin e kalit, Skënderbeu ka nxjerrë shpatën, në pozicion luftimi, ndërsa me të majtën shtrëngon frenat e kalit, që e ka kthyer kokën paksa nga e majta.
Ky bocet i punuar nga A.Toti është i veçantë ndërmjet veprave të tjera paraqitur në konkurs, pasi është realizuar mbi një koncept tjetër të modelimit plastik të figurës dhe kalit, mbështetur në principe të skulpturës monumentale-dekorative të formave të mëdha dhe mënjanimit nga përpunimi i detajit dhe plastikës realiste, ndjeshmërisë ndaj materies dhe hollësive që ngarkojnë tradicionalisht skulpturën klasike të monumenteve-ekuestër.
Edhe fragmentet e zmadhuara në proporcion me dimensionet e figurës, portreti i Skënderbeut dhe dora në shpatë që shoqërojnë bocetin konkurues janë punuar me profesionalizëm dhe në mënyrë origjinale, gjë që e ndihmuan Jurinë ta klasifikojnë këtë variant ndër fituesit në Konkurs. Katër përfaqësues të Jurisë: Vangjush Mio, Abdurrahim Buza, Anton Lufi dhe Skënder Luarasi (arkitekti), ishin për t’i dhënë çmimin e dytë. Dy përfaqësuesit e Komisioneve të Arkeologjisë, përkatësisht atij italian me Pivo Markonin dhe francez me Leon Rejin, ishin për t’i dhënë Amerigo Totit çmimin e parë. Ndërsa Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit dhe Kryetar Komisioni kishte votuar për një skulptor belg. Sidoqoftë, edhe varianti i A.Totit renditet ndër veprat me vlerë kushtuar Skënderbeut që, edhe pse në dimensione të vogla si skulpturë e imët, i shtohet serisë së punimeve që janë krijuar për Heroin tonë Kombëtar.
Në vitin 1938 Toti kthehet në Hungari dhe merr pjesë në “Konkursin Munkaçi”, ku vlerësohet me çmim të dytë mes artistëve bashkëkombas, ndërsa më 1939, gjithashtu fiton çmimin për monumentin e Madachit. Gjatë viteve të luftës 1943-44, si përfaqësues i rezistencës italiane kundër gjermanëve, ai merr kontakte me forcat jugosllave dhe hungareze. Pas luftës, gjatë viteve 1946-49, ai punon si konsulent artistik në Akademinë Hungareze të Romës.
Në vitin 1949 fiton konkursin e madh artistik për realizimin e frizit të rëndësishëm prej alumini 250x128 m. në fasadën e stacionit të trenit në Termini të Romës, një vepër e vlerësuar për gjetjen artistike. Ai u ftua në shumë ekspozita brenda dhe jashtë Italisë. Fillimisht ai u vlerësua për zgjidhjet e bukura në plastikën e vogël – “Përshëndetja e Engjëllit”-1938, “Darka e fundit”-1938-39, “Juditi”-1938, “Saloma”-1938, “Valltaret”-1938, “Celestina”-1939, “Donatella”-1940, etj. Gjatë viteve 1940-45 Toti krijoi punime që e ngritën atë në nivele më të larta, veçanërisht me kompozimin skulpturor në bronz, me titull “Partenopea e bukur”. Një vit më vonë, më 1946, atij i akordohet çmimi i Shën Vincentit. Më 1948 i jepet çmimi i parë për kompozimin “Forte dei Marmi”, duke vazhduar pastaj me suksesin e arritur me “Hekurudhën” (reliefin në alumin 1949-53, Romë, Stacioni Termini). Ai fillimisht ishte nën influencën e Rilindjes italiane e më vonë ndikimi i skulptorit të madh Maillob ishte evident. Ai u dha pas kompozimeve të përbëra nga elementë të rinj, formash gjeometrike, me gjetje groteske dhe ekspresive. Dera prej bronzi, dhjetë pjesësh, në Ndërtesën ë arkës së kursimeve në Beriban (1955-56); reliefi në beton 3x10m. në Godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të Klubit automobilistik në Romë (1959); skulptura e Meteorit në beton përpara Pallatit të Sportit në Romë (1960) janë vepra të tij. Në ekspozitën botërore të Brukselit ai u paraqit me një skulpturë të dimensioneve të mëdha të titulluar “Lokomotiva monstruoze”, që pat bërë shumë përshtypje. Seria litografike e tij botuar në formë libri, si shprehje e kërkimeve të tij gjeometrike-abstrakte (Romë, 1960) për të cilat L.Venturi shkroi posaçërisht me shumë respekt e përkujdesje, ishte gjithashtu një manifest i rëndësishëm artistik për atë kohë. Seria e shtatoreve prej bronzi, titulluar “Protesta”, përfaqësojnë një kulm tjetër në jetën artistike të këtij mjeshtri, që nuk rresht së punuari e kërkuari në forma të ra moderniste.
Në vitet ’60 Toti herë pas here rikthehej në modelimin njerëzor e realist, sikundër bëri në ilustrimet e vjershave erotike të poetit italian Aretino. Në vitin 1967 ai bëri një udhëtim studimor në SHBA, Japoni dhe Indi, që ndikoi shumë në procesin e mëtejshëm krijues. Në vitin 1969 u kthye në Atdhe, në Budapest, Tihanyban, Szegeden, Debrecenben dhe Pécsett, ku mori pjesë në disa ekspozita të rëndësishme. Në kishën e fshatit të tij të lindjes realizoi shtatoren “Madonna”, ndërsa në Debrecen, një tjetër vepër të quajtur “Apoteoza e Atomit I” (relief në metal, 1980, Budapest). “Apoteoza e Atomit II” (relief në bronz, 1983, Godollo, Universiteti Bujqësor), si edhe “Mikrokosmosi dhe makrokosmosi” (1984, Kecskemet) janë vepra që dëshmojnë për talentin e tij të madh dhe forcën krijuese në skulpturë, formimin intelektual të një artisti me kapacitete dhe vlera humane.
Sikundër shihet, edhe Amerigo Toti (Imre Toth) që erdhi nga Roma në Konkursin “Skënderbeu-1937” dhe që fitoi çmimin e II, ishte një artist me vlera të veçanta, që e nderoi këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar me praninë e tij dhe veprën që paraqiti. Edhe pse ajo nuk u realizua në dimensione të mëdha, mbetet një punim me vlerë të veçantë edhe për faktin se u realizua nga një skulptor me emër, hungarez me origjinë, i cili jetoi dhe punoi për shumë kohë në Itali.
Hungaria e Shandor Petefit, Ferenc Listit dhe piktorit të madh Mihai Huntaçi, ka emra të mëdhenj edhe në skulpturën evropiane dhe atë botërore. Korenji, Shamodi, Patcai, Kish, Kallo, Mikush, Shegeshdi, Shaar, Varga, Mesaroshi, Kë, Assoni etj, i përkasin Shkollës Hungareze të Skulpturës, që ndikoi jo vetëm në thellimin e vlerave kombëtare hungareze, por që rrezatoi më gjerë në Evropë e më tej me skulptura të veçanta bashkëkohore. Por skulptori Zhigmond Kishtaludi Shtrobl, një ndër më të mëdhenjtë e skulpturës hungareze, të traditës dhe zhvillimeve më tej, në marrëdhënie me artin e skulpturës shqiptare, lidhet me një takim që ai pati me Skënderbeun e Krujës të Janaq Paços, gjatë ditëve të derdhjes në bronz të kësaj vepre në Budapest. Duke i rrahur krahët, ai i pat thënë Paços, që shoqëronte veprën gjatë derdhjes në Fonderinë Kombëtare të Artit në Budapest: “Keni realizuar një vepër shumë të bukur. Në botë ka me mijëra monumente në kalë. Ky i juaji është një zgjidhje e veçantë, ashtu si i takon heroit tuaj kombëtar – Skënderbeut”.

Revsita Mapo